Një strehë e re letrare

Alda Bardhyli

Kur Scott Fitzgerald i tha se mund ta kalonte më mirë kohën duke pirë skoç se duke hapur derën e apartamentit pothuajse çdo ditë, që ajo të hynte brenda, Gertrude ishte e sigurt se kjo fjali ishte thjesht një shaka. Vetëm disa minuta më pas, ndërsa ajo kishte hequr peliçen e kaftë dhe në duar mbante të njëjtën gotë me pije, e Scott kishte nisur të fliste për librin që kishte në duar, ajo e dinte se nëse do të mungonte një ditë, ai nuk do të shkruante.

Në Parisin e fillimshekullit XIX, lëvizjet letrare filluan të ishin po aq të rëndësishme sa dhe librat që u shkruan. Apartamentet e shkrimtarëve të kohës apo lokalë në rrugicat e famshme të ngushta në Paris, u bënë streha ku gjenin paqen Hemingway, Stein, Kamy … Ishte si të lexonin brenda një nate, nën shijen e ëmbël të alkoolit, tendencat e reja letrare apo humbjen e subjektit dhe dhënien jetë të mendimit. Kur shoh tablonë e atyre viteve në Paris, më pëlqen të ndalem te Gertrude Stein, kjo grua që Pikaso e deshi po aq sa ngjyrat, dhe ishte e para që besoi në forcën e mendimit estetik. Ajo nuk u lodh duke shkuar studio më studio apo apartament më apartament, për të provokuar mendime mbi procesin e krijimit. Ajo donte të dinte gjithçka që e bënte një artist si Pikaso, p.sh. që të hidhte në telajo një tjetër imazh e jo modelen që kishte tre orë duke pozuar para tij. Takimet me shkrimtarët dhe kritikët ajo i quante po aq të rëndësishme sa një medium letrar, pasi në një farë mënyre ishin të tillë. Në çdo kohë, që me shpikjen e mrekullueshme të librit, artikulimi i mendimit ka qenë një proces po aq i bukur, shpesh filozofik, që ka ndihmuar jo vetëm në vendosjen e një emri epokës, por dhe në thellimin e arsyes. Revistat apo gazetat letrare kanë qenë forma më e lartë e shpikjes estetike, një art i cili futej nën lëkurën e një tjetër arti.

Në Shqipëri këto streha estetike kanë ekzistuar që pas viteve 1900. Me krijimin e vargjeve të para apo përpjekjeve të para në prozë, erdhi natyrshëm ideja për të ndarë mendimet në një strehë të tillë. Faik Konica besonte në Londër, se vetëm një gazetë apo revistë e tillë mund të mbante gjallë e përsoste shqipen. Si revistë politike, kulturore dhe letrare, “Albania” ka luajtur një rol thelbësor midis të gjitha organeve të tjera të shtypit të Rilindjes kombëtare shqiptare. Më pëlqen ta quaj strehë, duke përfytyruar dritat e vogla mbi një tavan të thjeshtë të bardhë, poshtë së cilës, në një tryezë, disa njerëz diskutojnë mbi letërsinë.

Çfarë është letërsia?

Përkufizimi i saj është një nga sfidat për çdo krijues apo pasionant të saj. Revista “Saras” kërkon të shndërrohet në një strehë. Ne do t’ua lëmë të gjithë atyre që duan të na bashkohen ngjyrat që duan të shohin në atë tavanin e thjeshtë. Ato mund të jenë blu, të gjelbra, pse jo të kuqe apo mund të mos kenë ngjyrë, por do të reflektojnë dritëzat e brendshme që mbart brenda secili prej nesh. Një revistë që do të doja t’i ngjante një klubi të hapur letrar, i cili do të mbarte mendimin më përparimtar të kohës. Një revistë që do të shtynte përpara procese identifikimi dhe do ta bënte më të qartë tablonë e sotme të letrave shqipe dhe do të kthente besimin te të gjithë ata që e kanë humbur te kjo tablo. “Saras” do të jetë e hapur për të gjithë ju, që ashtu si ne vazhdoni të besoni te kjo shpikje e bukur e torturuese siç është shkrimi …

Le ta ndërtojmë bashkë këtë strehë …

Share This: