Lazer Stani

Ekzistojnë gjëra më të rëndësishme se lumturia.” Dhe arti, letërsia veçanërisht, qëndron pikërisht në kërkimin e këtyre “gjërave më të rëndësishme” si një udhëtim pa kthim në misterin e ekzistencës dhe metafizikën e qenies.

 

Lazer Stani

“Njeriu nuk është krijuar për lumturinë.

 

 

-Si ndodh te ju procesi i të shkruarit? Keni një ritual tuajin?

Ndodh, jo gjithmonë, por ndodh. Kjo do të ishte përgjigjja më e saktë. Nuk ka një vend të caktuar, një kohë të caktuar, një stinë të caktuar. Ndodh papritur, pa të lajmëruar, siç ndodh një histori dashurie. Mbaj mend se tregimin e parë e kam shkruar  në një natë ankthi, në një natë të vetmuar, në ca fletë që rastësisht u ndodhën në tryezë, ca fletë të çuditshme me ngjyrën e thasëve të çimentos, që nuk e di se kush prodhues mendje-krisur i kishte shpikur. Tregimi mbante titullin “Emri im i bukur”, një tregim që s’e kam përfshirë në asnjërin prej librave. Gjithsesi të shkruarit, filloi t’i shndërronte orët e vetmisë në orë pasioni, në orë dashurie.

Të shkruarit të shpie gjithmonë një realitet tjetër, paralel me realitetin në të cilin jetojmë: më sublim, më të përkryer, më afër ëndrrës. Të shkruarit është një arratisje e vazhdueshme nga realiteti, një ikje e pandalshme, një shtegtim në hapësirat e imagjinatës. Është një akt frike dhe guximi njëkohësisht, një akt dëshpërimi dhe besimi. Të shkruarit në një farë mënyre nga shpëton nga kompleksi i hiçit, i asgjësë, është një përpjekje, ndoshta e kotë, për të përballuar sfidën shpartalluese të ekzistencës. Por dhe vetë procesi i të shkruarit (fjalën shkrimtari e urrej) mund të kategorizohet në të shkruarit nga pasioni dhe në të shkruarit, si ves. Kur të shkruarit bëhet ves, atëherë akti i krijimit degradohet, humbet fuqinë, sterilizohet nga ndjenjat, emocionet, shpirti, misteri. Por njeriu, shkrimtari, e ka të vështirë t’i identifikojë veset e tij. Gjithsesi nga eksperienca më e freskët, në procesin e shkrimit të disa prej tregimeve të librit të fundit, kam pasur shkundje të forta emocionale, si për shembull, gjatë procesit të shkrimit të tregimeve “Kohë për nuse”, “Pianisti”, apo “Daiza Zaharia”.

Nëse do të ishte e mundur do të shkruaja duke ecur, diku në një rrugicë pylli të shkretë, a në një korridor të zbrazët pa fund. Gjithnjë para se të ulem për të shkruar, qëndroj në këmbë duke ardhur rrotull një copë herë; ndez një cigare, harrohem. Krijon një kontradiktë qëndrimi ulur para kompjuterit dhe krijimi vetë si akt i gjallë, në lëvizje, në shkundje. Gjithsesi, nuk ke mënyrë tjetër për të shkruar veçse i ulur në tryezë, i gozhduar aty.

 

 -I ktheheni shpesh një dorëshkrimi?

 

Gjithmonë. Shumë herë. Në fillimet e mia, i shkruaja tregimet me dorë, pastaj i shtypja në makinë shkrimi. E shikoja se gjatë procesit të shtypjes, gjithçka transformohej dhe tregimi që dilte  nga makina e shkrimit nuk ishte më i njëjti me atë që kisha shkruar me dorë. Ishte një tregim tjetër, i ri. Edhe tani nuk mund të ulëm e të radhis në kompjuter një tregim timin të shkruar vite më parë. Sepse instinktivisht, në mënyrë të pavetëdijshme, do ta shndërroj në diçka tjetër, në mos të tërin, të paktën pjesërisht. Duket se procesi i krijimit, është një proces i hapur, pafund, ndaj autori kurrë nuk është i kënaqur. Edhe ato momente deliri, që të pushtojnë pas përfundimit të një tregimi apo të një fragmenti që të pëlqen veçanërisht, zbehen shpejt dhe ti ndien një bosh ngjethës. Edhe tregimeve të librit të fundit u jam rikthyer disa herë, ka ndodhur që kam pritur dy javë për të shkruar disa fjali në fundin e një tregimi.

 

 -Hemingway thotë se shkruaj më mirë kur jam i dashuruar…sa ndikon gjendja emocionale te shkrimtari?

 

Ndjenja e dashurisë krijon një “çrregullim” hormonal, çrregullim që mund të stimulojë procesin krijues. Por të jesh i dashuruar a nuk do të thotë që të jesh njëkohësisht i lumtur? A nuk e shikojmë dashurinë si eliksirin  e lumturisë tonë? Ndërkaq, siç shkruan Andrei Tarkovski “njeriu nuk është krijuar për lumturinë. Ekzistojnë gjëra më të rëndësishme se lumturia.” Dhe arti, letërsia veçanërisht, qëndron pikërisht në kërkimin e këtyre “gjërave më të rëndësishme” si një udhëtim pa kthim në misterin e ekzistencës dhe metafizikën e qenies.

 

-Ç’ndodh kur një tregim a një dorëshkrim përfundon? Te ju si përjetohet fundi i një dorëshkrimi?

 

Përfundimin e një dorëshkrimi gjithmonë e shoqëron një pështjellim ndjenjash: kënaqësia se ia dole mbanë, entuziazmi se ke krijuar diçka të bukur, të mëvetshme, të papërsëritshme dhe dyshimi i atypëratyshëm, frika, paniku se ke dështuar dhe gjithë ai mund është i shkuar dëm. Është mirë kur ke një mik të besuar, i cili e lexon dorëshkrimin tënd dhe të shpreh një opinion rreth tekstit të shkruar. Edhe pse zakonisht jam një dëgjues i keq, gjithnjë këmbëngul në timen. Por ndërkaq është e rëndësishme të jesh një lexues i mirë dhe i ftohtë i tekstit tënd. Fundja nuk thonë kot se “askush nuk e di më mirë se i zoti i shtëpisë se ku i pikon çatia”. Kështu që gjithnjë kam drojë ta lexoj një dorëshkrim timin, i rri larg, ndoshta për muaj të tërë. Dhe ndodh shpesh që rileximi shoqërohet me një braktisje përfundimtare të tekstit dhe gjithçka fillon nga e para.

 

 

-Shkrimtari nuk mund t’i largohet shumë jetës së tij, sa është jeta jote në librat që ke shkruar?

 

Librat e mi, janë jeta ime. Jo në kuptimin e rëndomtë se janë një ditar i ngjarjeve dhe historive të jetuara prej meje. Në librat e mi janë emocionet, ndjenjat, imagjinata, vizionet, ëndrrat, koshienca dhe subkoshienca ime, vetja ime e shfaqur në formën e saj më të lartë, atë kreative. Në këtë kontekst në secilin tregim jam unë dhe askush tjetër. Secili tregim ka daktilogramën e gishtërinjve të mi, elektrokardiogramën e zemrës sime. Unë nuk mund të shkruaj një ngjarje të jetuar, një histori të vërtetë, një prozë dokumentare ose historike. Dhe unë në të vërtetë nuk i kuptoj ata që e shkruajnë, sepse është përtej ligjësive të krijimit. Një ngjarje, një histori, mund të jetë një shkak, po kurrsesi një vepër letrare, një krijim letrar.

 

 -Cili është ai momenti që ju largon nga shkrimi?

 

Shumë të tillë. Dhe sidomos realiteti vulgar që shemb  çdo iluzion, rrënon çdo shpresë. Banaliteti i jetës së përditshme dhe sidomos zhgënjimi nga njerëzit që ke dashur ta zbehin dëshirën për të jetuar dhe ta fashitin energjinë krijuese gjithashtu.

 

 -Mund të na tregoni historinë sesi ka lindur një libër te ju, një libër që e veçoni?

 

Librat e mi, janë vëllime me tregime, kështu që në rastin më të mirë, mund të tregoj se si ka lindur një tregim. Po kthehem mbrapsht në kohë, te një nga tregimet e mi të parë, Njeriu i Dosjes. Asokohe, punoja në gazetë, kisha botuar shumë shkrime dhe disa prej eseve dhe tregimeve të para në shtyp. Takoj një ditë profesorin tim të Gjenetikës, Zyri Bajrami, një nga miqtë e mi më të mirë edhe sot e kësaj dite, i cili përveç vlerësimeve për ato që kishte lexuar prej meje, po më këshillonte të shkoja në fakultet dhe të mbroja gradën shkencore, se në fund të fundit, sipas tij, ndryshe do të reagonin njerëzit, kur të shihnin krahas emrit, titullin Doktor i Shkencave, apo Profesor. E dija se vlerësimi i njerëzve për njeriun gjithnjë mbështetej, në tregues fiktivë, si posti zyrtar, ose titulli i dhënë nga të tjerët, por nuk e prisja këtë këshillë prej profesorit dhe mikut tim. Disa ditë qëndrova i tronditur, duke vrarë mendjen për këtë çështje: çfarë ishte e rëndësishme në këtë jetë, ajo që unë isha, apo ajo që unë dëshmohesha nëpër shkresa zyrtare, në dosjen time? Çfarë ishte më e rëndësishme, ajo që unë në të vërtetë isha, apo ajo që mendonin për mua turma e njerëzve në trotuarin përballë. Dhe në fund si duhet të jetoja, për vete, apo për sytë e botës?  Kështu lindi Njeriu i Dosjes, një tregim i shkruar mbi konfliktin e  përjetshëm  midis asaj që ne jemi dhe atij tjetrit, njeriut të dosjes, që fle i strukur në dosjen tonë dhe në perceptimin e të tjerëve për ne. Njeriu i Dosjes, nuk isha unë po njeriu fiktiv që të tjerët kishin krijuar të tjerët për mua dhe konflikti dhe ndeshja me të do të ishte e përjetshme, sa kohë që unë nuk do të kujdesesha për të dhe unë jo vetëm s’do të kujdesesha po do ta shpërfillja dhe përbuzja këtë njeri shkatërrimtar. Kjo është pak a shumë historia se si lindi dhe u shkrua tregimi “Njeriu i Dosjes”. Nga ky këndvështrim secili tregim ka një histori të tijën që qëndron e padukshme pas aktit të shkrimit.

 

 

Share This:

blunavi.com