Mustafa Nano

T’i paraprish të ardhmes

ALDA BARDHYLI

A do të triumfojë demokracia, në një botë e cila gjithë e më shumë po përballet me një sërë doktrinash, idesh, apo rritje të kërcënimit xhihadist? A do ta ndihmojnë librat, kurajë intelektuale, apo arsimi lirinë njerëzore? A ka dështuar Perëndimi në imagjinatë, kur duhet ta kishte parashikuar më herët atë me të cilën po përballet sot, që është ekstremizmi fetar? Në një kohë kur bota po përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, tepër të rëndësishme për të ardhmen, Shqipëria duket si një kënd i veçuar, gati e virgjër përballë kësaj tabloje. Por roli i intelektualëve në të gjitha kohët ka qenë ndërgjegjësimi, parashikimi i së ardhmes dhe parandalimi i së keqes. Në këtë kontekst Mustafa Nano i takon asaj sëre intelektualësh, që e kanë ndjeshmërinë për ta parë të ardhmen. Gati dy dekada nga rënia e komunizmit, vendi nuk ka qenë ende gati për shkak të një sërë problemesh të hedhë sytë mbi shtratin e tij fetar. Është e pranuar një bashkëjetesë fetare fryt i një raporti të gjatë historik të marrëdhënieve mes feve, që dhe me masakrën që komunizmi bëri mbi to, vazhdojnë të enden në të njëjtat ujëra. Askush nuk ka guxuar ta trazojë këtë bashkëjetesë të bukur do ta quaja, qoftë edhe duke shkruar për fetë. Askush nuk ka bërë një analizë të asaj çfarë po ndodh sot me besimet, dhe  si janë zhvilluar ato në një terren të brishtë, siç ishte ai i Shqipërisë pas viteve ’90-të. Në këtë kontekst, botimi i librit “Pax Albanica” nga Mustafa Nano bëri të njëjtin efekt që kanë shpesh “librat e ndaluar”. Në një kohë paqeje dhe kur fetë duken gati të padukshme një analist kërkon t’i sjellë në vëmendje përmes një libri. Nano ka bërë me këtë libër atë që shumë historianë apo njerëz të mendimit do donin ta bënin, një studim serioz të raportit historik të shqiptarëve me besimin, duke na dhënë për herë të parë një kronologji historike të asaj çfarë ka ndodhur me fenë në këtë vend. Sa e rëndësishme ka qenë feja, apo ç’rol ka luajtur ajo në moment të ndryshme decizive për shqiptarët… Nano ngacmoi nervin e fjetur të një shtrati historik, duke parashikuar me nuhatjen e një intelektuali domosdoshmërinë e të vështruarit të kësaj tabloje si një vlerë që nuk duhet humbur, përballë shembujve që çdo ditë lajmet na sjellin nga Europa apo Perëndimi. Ky libër ishte si një thirrje për lirinë njerëzore për t’u mbetur e tillë dhe nën rrobat e një besimi fetar. “Pax albanica” është shembulli më i mirë me të cilën mund të mbrohen shqiptarët përballë një rreziku gjithnjë në rritje nga ekstremizmi. Është si një totem, i cili të kujton se nuk mund të gabosh, e ta tjetërsosh një terren të kuruar me aq kujdes gjatë viteve. Por një libër nuk mjafton për një intelektual që e dëgjon imagjinatën, dhe është i ndjeshëm ndaj rolit të tij në raport me vendin. Mustafa Nano, na u shfaq këto kohë dhe në rolin e një show-mani, duke sfiduar në një shfaqje që zgjaste më shumë se një orë që nga skena e Akademisë së Arteve, e deri te “Teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Dhe profetët dinë të puthin”, quhej show i tij, që solli për herë të parë në skenë një show ndryshe. Me diksion e tij të zakonshëm, ai foli për historinë tonë fetare, me shumë kujdes dhe pse me batuta e humor në një publik të pamësuar të dëgjojë gjatë për këtë temë. E bëri ashtu thjesht, me guximin e një intelektuali që kërkon t’i paraprijë të ardhmes. Nëse sipas ekspertëve Perëndimi dështoi në imagjinatë përballë rritjes së ekstremizmit, Nano është i vetëm në sfidën për t’u përballur me imagjinatën, dhe për të sjellë shembullin e të bërit faktor një histori që mund të na dhembë nesër. Ky show dhe gjithë qëndrimi i tij është një ftesë për ta parë besimin si aktin më të lartë të lirisë, duke rritur ndërgjegjësimin për botën e lirë. Mustafa Nano po luan rolin e mendimtarit rus, Andrei Amalrik, i cili thoshte: Po thotë të vërtetën!”

 

Share This: