Gilmana Bushati

 

 

Të shkruemit poezi asht kompleksi i tingujve që i kam në brendi. Asht muzika, ndjenja, dashnia, malli, vuejtja, gzimi, lindja, revolta, dëshira dhe jeta. Asht mënyra e shprehjes e kësaj tanësie në pak radhë, asht mënyra e komunikimit me botën që asht jashtë meje, por që njikohësisht e kam të tanë, e baj temen dhe e thur me fjalët që i njoh ma mirë, që i due ma fort dhe nuk kam se ku i iki.

Të shkruemit poezi asht përpjeka jeme me kenë njeri, herë i mirë e herë i mbrapshtë, herë i thjeshtë e herë i ngatërruem. Asht nji bisedë me vedin, për me e njoftë ma mirë, e pas çdo njohjeje me ba pyetje të tjera, të cilat përpiqem me iu përgjigjë në vargje dhe përcjellja e këtyne vargjeve shtron bashkëbisedimin me tjetrin, që nuk e shkruen poezinë, por e ndjen e shijon si moment qetësimi.

Unë jam në hapat e para të poezisë, kam shumë nevojë për të, jo me kenë poete, por me kenë njeriu që kam dashtë nji jetë me kenë. Më lejon që të pamundunat t’i baj të munduna, vështirësinat t’i baj të lehta në poezi, andrrat e dashnitë t’i lulëzoj përnjiherë, mallin e vuejtjen t’i shkurtoj në nji varg. Të shkruemit poezi asht me i dhanë ngjyrën, ritmin e frymën tande vargut.

Unë s’e njoh shkencën e poezisë, metrikën, figurat, gjinitë, i kam mësue vetëm në shkollë, por nuk i njoh. Nuk i njoh, sepse kur shkruej, asnji prej këtyne nuk më vijnë ndër mend, ndjek ritmin që poezia përplas në mue dhe e shkruej, ai ritëm me dikton gjithçka. Poezia jeme asht jo perfekte, por unë e due, se aty dhe asaj ia kam përkushtue ndjenjat, aty i ruej, aty i rris dhe me ban me u ndje e plotësueme. Unë kaq kërkoj nga jeta e poezia, me kenë e plotësueme, jo perfekte, por e plotësueme.

 

Share This: