Olimbi Velaj

Lidhja ime me poezinë mbetet gjithmonë e pashpjeguar. Kam qenë fëmijë filloreje kur shkrova për herë të parë diçka me rimë, që më ngazëlleu dhe më çuditi, sepse as e kisha menduar. Pastaj ishin mësuesit ata që më inkurajuan. Në njëfarë mënyre brezi im ishte me fat, sepse kujdesi për fëmijët e talentuar këqyrej si detyrë e mësuesve.Gjithmonë kujtoja se do të ndahesha nga vargjet, sapo të vinte njëfarë moshe, kur mbaron rinia dhe njeriu zbret me këmbë në tokë. Por, me sa duket, gjithë çfarë shkruaja në kohën e shkollës nuk qe një mënyrë konfirmimi dhe vetëshpreheje, siç ndodh rëndom me adoleshentët.Nuk hyj tek ata që shkruajnë shumë dhe nuk më tremb ideja e sasisë. Vite më parë e shihja ikjen e kohës si një borxh ndaj shkrimit. Por tani nuk e shoh kështu. Jam njeri i ngadaltë, i shpërndarë dhe jetoj me ritmin tim. Për asgjë në jetë nuk kam mundur të nxitem nga jashtë.Jam e qartë për mosleximin e poezisë dhe për anonimatin e poetëve të sotëm në përgjithësi, po kjo nuk përbën asnjëfarë shtyse  për  të vijuar ose ndërprerë të shkruarit.  Kam pasur  fatin  të vihem re nga lexues të vëmendshëm dhe nga kritikë të vlefshëm dhe ky ka qenë një konfirmim i mjaftueshëm sa i takon receptimit. Deri vonë nuk e kam menduar ta krahasoj atë që shkruaj me poezinë që bëhet sot në botë, por rasti e ka sjellë që të përballem dhe kjo përballje  më  ka bërë më të qartë.

Mendoj se kemi një traditë shumë të mirë të poezisë dhe se ajo ishte e mbetet një zhanër i epërm në letërsinë  tonë, pavarësisht kohës. Gjithashtu dialektet dhe të folmet e kanë bërë më të begatë poezinë shqipe dhe gjithkush u është mirënjohës poetëve që i qëndruan besnikë  gjuhës, duke na lënë pas një trashëgimi të madhe.

Askush nuk ka mundur dhe ndoshta kurrë nuk do të mundë ta përkufizojë në mënyrë shteruese poezinë, aq më pak poezinë që e quajmë antologjike. Por poezia e mirë ndihet. Edhe njerëzit që nuk kanë mësuar kurrë në shkollë se si ta receptojnë  një poezi, dinë  ta dallojnë poezinë cilësore. Nëse një poezi e ndryshon gjendjen tonë, ajo e ka kaluar testin. Nëse na bën të ndiejmë,  të mendojmë, të kujtojmë, të imagjinojmë, të meditojmë…, atëherë ajo ka mbërritur te ne.Të shpjeguarit e ndjenjës, idesë, harmonisë, imazhit, melodisë….është një leksion i destinuar të dështojë, sepse ashtu  siç  nuk mësohet dot  të shkruarit e poezisë, ashtu edhe të lexuarit e saj është një gjë e vështirë. Por, rruga për te kuptimi kthehet në një përvojë që na afron me poezinë.Gjithmonë mendoj se një poet më pak se kushdo mundet të tregojë për procesin e  të shkruarit  të poezisë. E megjithatë,  janë poetët ata që më së shumti kanë dhënë definicione dhe që na kanë afruar me kuptimin e poezisë.Nuk mendoj se poetët janë njerëz më të ndjeshëm. Mendoj se ata janë njerëz që më mirë  se  të tjerët mund t’i përkthejnë me fjalë ndjesitë. Në njëfarë mënyre,  poet i mirë është ai që mundet të përshkruajë  pothuajse  saktësisht  me  fjalë  atë që ndien dhe që mendon.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This: