Pol Elyar dhe poezia e tij

 

Dritëro Agolli

Poezia  e Pol Elyar ka kohë që udhëton nëpër botë e mbushur plot me shqetësime dhe ëndrra. Në këtë udhëtim ajo i thërret njerëzit në luftë për përparim shoqëror kundër padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës dhe tiranisë. Krijuesi i saj hyn në plejadën e poetëve francezë që ndriti një shkëlqim të veçantë në qiellin e madh të poezisë në periudhën e dy luftërave botërore dhe në epokën e revolucioneve socialiste dhe lëvizjeve çlirimtare. Kjo plejadë i dha një shtytje të fuqishme poezisë së atëhershme. E themi këtë pasi fillimi i shekullit XX e gjeti poezinë disi të hutuar e me busull të humbur, në udhëkryq e në krizë. Zjarret e reklamave të ekspozitave industriale që tregonin progresin ekonomik të borgjezisë, i hutonin disa poetë entuziastë, duke i ushqyer iluzionin e paqes së përjetshme dhe mirëqenien shoqërore; ndërsa disa të tjerë i shtinin në pesimizëm, pasi ata vinin re ndërtimin e padrejtë të botës me ligjet e pashpirta të shoqërisë ku jetonin. Këta të fundit ndikoheshin nga brezi i “poetëve të mallkuar”, të shekullit të kaluar nëmnin botën dhe jetën, duke mos e ndier epokën e ngjarjeve të mëdha shoqërore që po vinte. Por nga ana tjetër kishte edhe mjaft poetë të rinj që i ndienin “tronditjet e nëndheshme” të shoqërisë, të cilat sa vinin e bëheshin më të ethshme. Ndër ta ishte dhe Pol Elyari, që jo vetëm e ndjeu tërmetin shoqëror, por u bë edhe vetë pjesëmarrës në të…. Ai, si Uollt Uitmeni në “Fijet e barit”, libër të cilin e pat lexuar e rilexuar, ndien edhe shqetësimet më të imta të njerëzve dhe i pasqyron në poezi, duke i filtruar nëpërmjet shpirtit të tij të gjerë, pa rënë në vogëlsira egoiste. Babëzinë, vetëkënaqësinë dhe pangopësinë ai nuk i duronte, por i urrente. Në librin “Duke kredhur në jetë” për të babëziturit ai shkruan:

Ata ngaherë hanë e hanë

Llupës janë të babëzitur janë,

Edhe kur qeshin të ngopur s’kanë

dhe bëhen më tepër grykanë…

Këto vargje janë shkruar 14 vjet pas bredhjeve të tij nga një llogore në tjetrën, i veshur me kapotën e ushtarit, me matara me gavetë në brez. Njerëzit e kënaqur dhe të pangopur përsëri do të përgatisnin tragjedi të reja. Pol Elyar e ndiente se po këndonin përsëri “vjollcat e mortjes”. Prandaj më 134 në librin “Trëndafili për të gjithë” shkruan:

Në fushën e trazuar

As të mirë, as të keqe,

Kalben rrënjët e rënkimeve,

Palosen gjelbërimet,

Grumbull të shembura

si libra të vjetër

dhe vjollcat e mortjes këndojnë…

Por prapë të qeshurat mbi tokë trokasin:

Premtimet e brezit të ri brohorasin.

Poeti mes kësaj tabloje të zymtë të jetës nuk mund të mos shikonte rrezet e dritës, se përndryshe do të ecte në gjurmët e Bodlerit dhe të Meterlinkut dhe do të vinte re vetëm të zezën pa shkëndijat e shpresës. Pol Elyari ndien si “brohorasin premtimet e brezit të ri”. Kjo ishte ajo shpresë që e ndoqi hap pas hapi derisa vdiq, pasi ka qenë një poet me shpirt të madh, që e njihte thellësisht jetën, edhe poezinë. Ai nuk ishte një poet pozash dhe pompoz. Studiuesit e tij thonë se më 1924 në qarqet letrare të Parisit u përhapën fjalë se një poet i ri me emrin Pol Elyar vdiq papritur, ca të tjerë thoshin se vrau veten i dështuar. Parisi nuk e dinte se poeti nuk ishte vrarë, por ishte zhdukur pa lënë gjurmë në udhëtime të largëta. Kur pëshpëriteshin këto fjalë, ai endej në Tahiti, në Panama, në Zelandën e Re, në Indonezi, në Cejlon. Dhe në krijimet e tij pas këtij udhëtimi nuk gjen asnjë shenjë të jashtme ekzotike me palma e panane, me tigra e krokodilë, me peizazhe të jashtëzakonshme, për të habitur njerëzit. Duke qeshur, ai thoshte se nuk e bëri këtë udhëtim të largët për hir të “gjuetisë poetike”. E bëri se donte të njihte popujt dhe vendet në radhë të parë si qytetar, pastaj si poet, sepse ishte njeri me ndjenja të mëdha shoqërore. Dëshmitar më i mirë i këtij shqetësimi është poezia e tij e pasur. Pol Elyari i donte njerëzit me një dashuri të pakufishme, me një dashuri të shqetësuar. Biografia poetike e Pol Elyarit është shumë e pasur. Ai jo vetëm që ka botuar mijëra vargje, por ka marrë pjesë aktive në rrethet artistike të Francës dhe ka njohur me qindra poetë, piktorë e artistë të rrymave të ndryshme. Kur u kthye nga fronti i Luftës së Parë Botërore, në Francë mbretëronte po ajo frymë e luftës dhe ishin po ata faktorë që përgatitën kasaphanën. Në këtë atmosferë, një pjesë e madhe e intelektualëve filluan të ambientoheshin dhe të pajtoheshin me gjendjen e përgjithshme politike dhe shpirtërore të shoqërisë. Disa të tjerë për të ruajtur veten gjetën ndonjë qoshe të qetë mes sendeve shtëpiake. Një pjesë tjetër që vuajti nga varfëria ose që e ndjeu peshën e luftës botërore fizikisht dhe shpirtërisht, filloi të urrejë dhe të përbuzë gjithçka në shoqëri, bile edhe kulturën me tërë traditën e saj të vjetër dhe të re. Në këtë qark intelektualësh bënin  pjesë ata që e quanin veten “kryengritës”. Por ky shpirt kryengritësish ishte i vogël, egoist, anarkist. Mbrojtësit e këtyre të revoltuarve në letërsi u bënë dadaistët, të cilët krijuan rrymën e dadaizmit, ku bënin pjesë poetët e piktorët bohemë, që bërtisnin e shanin, që betoheshin “ta digjnin gjer në themele tempullin e kulturës”. Pol Elyari që kërkonte rrugë shpëtimi hyri menjëherë në këtë rreth poetësh skandalozë. Kështu që vitet e dadaizmit për Pol Elyarin ishin vite kërkimi, vite vuajtjesh shpirtërore, vite krize të ndërgjegjes. Ai më 1920 nxjerr revistën “Proverva”, e cila ishte më tepër një laborator gjuhësor. Revista dilte me epigrafin e Apolinerit “O fjalë, njeriu tani është në kërkim të ligjërimit të panjohur, të cilin nuk ia japin gramatikanët e kohërave të shkuara”. Poetët dadaistë gjithçka në shoqëri e shikonin të deformuar, duke krijuar tablo të tmerrshme me vargjet e tyre… Pol Elyari e ndjeu shpejt dobësinë e dadaizmit dhe u zhgënjye prej kësaj rryme. Kjo ishte arsyeja që më 24 mars 1924, një ditë para se të dilte libri i tij “Të vdesësh nga ajo që nuk vdes”, fshehurazi nga prindërit dhe shokët, u zhduk nga shtëpia dhe mori arratinë nëpër botë për të “gjetur poezinë”…

shtator 1982

 

 

 

 

Poezi

Edhe kur flemë

 

Edhe kur flemë ne mbrojmë njëri-tjetrin

Mbrojmë dashurinë më të rëndë se fryti i pjekur,

Dhe kjo dashuri pa lot e të qeshur zgjat shekuj,

Zgjat ditë pas dite e natë pas nate pas nesh.

 

 

E desha dhe më donte

Për fat të keq:

Atë e urrej dhe veten urrej, e admiroj dhe më dashuron;

Ne të dy përherë jemi miq e armiq të pashmangshëm.

Ajo thuajse kurrë s’e ka parë diellin

Në sytë e dashur që ngaherë i buzëqeshin.

 

Tinës-tinës në natën e thellë

Ajo e gërryen strofkën e saj dhe pret pleqërinë.

 

Share This: