Abdulla Tafa: Një lartësi e përulur në perandorinë e letrave shqipe

KLARA BUDA

 

New York, 1 Korrik, 2015

U nda papritur nga jeta, pas një sëmundje të rëndë, poeti, esteti dhe studiuesi, Abdulla Tafa. Si poet, ai do të kujtohet për disa botime me poezi, ku do të veçonim Place de la Concorde, ndërsa si estet për monografinë Kodra i Madhdedikuar veprës së piktorit Ibrahim Kodra, Ave Musicus, dedikuar dirigjentit dhe kompozitorit Mustafa Krantja, por edhe një numër esesh, të botuara në një numër punimesh kolektive, kryesisht mbi artin pamor, muzikën dhe etnografinë.

Place de la Concorde, vëllim me poezi dhe ese, 2002, është një përmbledhje përfaqësuese e shpirtit të tij poetik, e artistit modern e post modern. Kjo frymë ishte e pranishme edhe gjatë bisedave me të dhe prezantimit të artistëve të tjerë, gjithmonë me bujari e pozitivitet, duke hedhur bazat e një esestetike ndryshe, të distancuar nga kritika e politizuar e praktikuar shpesh, ende sot, në ”perandorinë” e letrave shqipe.

Në periudhën post-komuniste ku kanë vërshuar poetët e anatemuar, të cilët sikur duan t’ia shndërrojnë fizionominë e “ngrysur” artit letrar shqiptar të peri­udhës totalitariste, Nehas Sopaj e quan si një zbulim sensacional poezinë post-her­metike të Abdulla Tafës, e cila ka një leksik elegant poetik, në mënyrën e shkëlqyer të Lasgush Poradecit:”që lexuesit i vjen si një atraksion i realizuar çuditërisht bukur, si një eks­perimentim shumë interesant artistik”. Poezia e këtij autori e ka dëbuar angazhimin në aktin letrar dhe sidomos artin me tezë. Në vend të këtij “mishi të egër” të artit, duke u liruar nga qëllimshmëria, duke u për­caktuar për një leksik elegant poetik (siç dihet, këtë në mënyrë të shkëlqyer e bënte L. Poradeci), ai, megjithatë, mesazhin poetik e ndër­ton duke e lënë kohën dhe hapësirën të duken vetvetiu, në “zymtësinë“ e vet me tërë argumentet e veta të domosdoshme.

Ky lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Saints Cyril dhe Methodius në Shkup, e quan zbulimin e Abdulla Tafës aq sensasionale sa është njohja e poezisë hermetike të Zef Zorbës pas vdekjes si dhe poetit të mrekullueshëm Pano Taçit.

Poeti Sadik Bejko shprehet se: ”Flasin për të si eseist, si studiues, kritik arti, nuk i përjashtoj. Ai ka qenë një njohës i estetikës së modernizmit. Ai besonte në parimet e një arti puro, jashtë estetikës sociologjike dhe të politizuar. Por Tafa vendin më të lartë e arriti si poet. Me librin Place de la Concorde, një nga librat më të rëndësishëm në këto 25 vite të pluralizmit, Tafa e vuri veten në vlerat më të mira që ka arritur lirika shqipe.”

Abdulla Tafa, ishte një njohës i rrallë i kritikës dhe letërsisë botërore. Vepra e tij ngelet e papërfunduar dhe ky largim i parakohshëm i poetit dhe njeriut të mirë, do ti rëndojë miqve dhe letrave shqipe.

Por jeta letrare e Tiranës, e ndarë në klane të vogla, nuk bëri një vlerësim të merituar dhe në kohë për artin e Abdulla Tafës. Po bëhen evidente edhe mëkatet e tjera të këtij universi letrar, të përçarë nga politika e ditës, i cili në mënyrën më të pabesueshme dhe në ndryshim nga të gjitha vendet e Evropës së Lindjes ka bërë që shembja e totalitarizmit në sistem, të mos e lëkundë “Principatën” e Letrave Shqipe, ku janë në fuqi të njëjtët princër, janë ende në fuqi të njeëtët estetë, apo mos edhe e njëjta kritikë ish -” zyrtare”, apo zyrtare ? … Edhe këtu si në çdo sferë tjetër “duhet” të pozicionohesh në një klan, apo në një tjetër, kjo e shpjegon ndoshta heshtjen ndaj individualiteteve krijuese si Abdulla Tafa.

Abdulla Tafa, ishte një poet dhe një njohës i rrallë i eseistikes moderne, por edhe një humanist i bindur, ai lë pas një vepër të rëndësishme por të papërfunduar. Largimi i tij i parakohshëm do ti rëndojë letrave shqipe.

Share This: