Ylli Demneri: Romani që lindi nga një mall

A mund të tregohet gjithçka nga një histori e gjatë dashurie në 17 letra? Një histori, e cila duket se nuk do të ketë fund kurrë për personazhin e romanit “E dashur A.” me autor Ylli Demneri, i cili vazhdon të besojë rikthimin në atë dhomën e vogël, kur dikur ishin bashkë. Një histori dashurie ku përzihej malli dhe ku rol të rëndësishëm ka kujtesa, na sjell debutimin në prozë të një shkrimtari që e ka lënë herët Shqipërinë. Por nuk ka rëndësi vendi ku është shkruar sa gjuha që mbart libri, një gjuhë e punuar si me kujdesin e një dashnori që nuk do të harrojë asnjë fjalë zemre. Në morinë e romanëve të botuar këto vitet e fundit, romani i Demnerit lexohet lehtë dhe mbart atë grishjen që kanë librat e mirë që do t’i çosh deri në fund.

“E dashur A.”, një roman i shkruar me një stil ndryshe, si ka lindur?

Druri pa emer“E dashur A.” ka lindur nga një mall për atë që po tretej e zhdukej çdo ditë. Një mall i lidhur me vendlindjen. Nga nostalgjia (nostos: kthim, algos: dhembje). “Uliksi nuk është vetëm aventurieri më i madh i të gjitha kohërave, por edhe nostalgjiku më i madh”, shkruan Kundera. “E dashur A.” ka lindur gjithashtu nga dëshira për të ndarë me dikë emocione, lexime, zbulime, reflektime, kujtime; një dëshirë për të folur për pikturën, poezinë, politikën, frikën, emigrimin, miqësinë, ndarjen, humbjen. Lindi edhe si një dëshirë për të vazhduar një dialog të ndërprerë. Një letërkëmbim që në kohë të diktaturës do të kishte qenë i pamundur, për shkak të frikës. Për herë të parë komunikojmë krejt të lirë. Dhe kjo ka një shije tjetër kur e provon për herë të parë. Mendoj se vetëm ne që njohëm diktaturën mund ta kuptojmë atë thellësisht. Forma dhe stili m’u imponuan vetë. Libri është një lloj kolazhi. Një libër ku përzihen shkrimi romanesk, dokumentar dhe ai emocional. Një libër “mushkë”, siç i quan Kadareja këta lloj librash në librin e tij “Ftesë në studio”: “Dëshira për të shkruar një libër të lirshëm, një libër ‘për asgjë e për gjithçka’, dihet se ka qenë makth i shumë shkrimtarëve. Një libër i lirshëm, një libër i përzier, prozë, poezi, përsiatje, kujtime etj., etj.”
Sa e rëndësishme është historia në një roman?

Ka shkrimtarë që e përdorin shkrimin për të servirur historitë e tyre, ka të tjerë që e përdorin historinë për të servirur shkrimin e tyre. Në rastin e parë, teksti vihet në shërbim të historisë. Ndërsa në rastin e dytë i jep më shumë mundësi gjetjes së një forme dhe stili më origjinal. Për mua më e rëndësishmja është gjetja e ritmit, i cili përbën edhe vetë stilin. Ai mund të vijë që në hedhjen e parë, por ndodh që ta gjesh edhe më vonë, gjatë ripunimit. “Shkrimi, para së gjithash, është një tekst që e dëgjoj”, thoshte Nathalie Sarraute.
Sa ka ndikuar letërsia franceze në shkrimin tuaj?

Ndikimet, gjurmët që lënë te ty jo vetëm leximet, por edhe pikturat, teatri, kinematografia, muzika, fotografia etj., me kalimin e kohës fillojnë e bëhen pjesë e jotja. Kthehen në pasuri. Të bëjnë më të lirë, më tolerantë. Të gjitha këto kontakte, takime (ah, kur janë fatlume!) të bëjnë gjithashtu të njohësh veten. Dhe, padyshim, ndikojnë në krijimtarinë tënde, duke të dhënë mundësinë për të gjetur formën dhe mënyrën e të shkruarit që është brenda teje, që ka fjetur përgjatë kësaj kohe. Zbulon “zërin” tënd. Dhe për sa i përket shkrimit, të mësojnë se si nuk duhet shkruar. Sigurisht që kjo ndodh kur e kërkojmë këtë ndikim. “Zakonisht zgjedhim tokën ku duam të udhëtojmë. Zgjedhja është prova nga e cila duam të ndikohemi nga pak. Më në fund e zgjedhim pikërisht atë vend, sepse e dimë që do të ndikohemi prej tij, sepse shpresojmë, e urojmë këtë ndikim”, shkruante Gide.
Sa jeni ju te personazhi kryesor, a janë tuat ato letra?

Siç e thashë edhe më lart, në këtë libër ka një përzierje të shkrimit romanesk, dokumentar dhe emocional. Kështu që unë jam aty në pjesën dokumentare dhe emocionale. Madje vënia e fotografisë sime në njërën nga letrat (çka bëhet dhe shkak për shkrimin e asaj letre), është rasti më i pastër i dokumentit. Në ato shtatëmbëdhjetë “tablo” të kompozuara me anë të kolazheve, ka edhe copëza nga letrat “e vërteta”. Por, po të kemi parasysh atë që shkruan Italo Calvino, se “jeta e vërtetë, e vetmja jetë e jetuar me të vërtetë, është letërsia”, pra, në këtë kuptim, unë jam i tëri në këtë libër ashtu si edhe në librin tjetër “Më kujtohet”, i botuar tashmë për herë të tretë.
“Sonte të mbaj në kujtesë, ashtu siç mbaj zemrën”, është një thënie juaja … Kujtesa ç’rol luan te shkrimi?

E parë si një proces dinamik, kujtesa merr pjesë në të gjitha aktivitetet krijuese. Jo më kot në traditën greke, të nëntë muzat ishin bijat e Mnemozinës, kujtesës. Duke u aktualizuar nëpërmjet shkrimit, kujtimet (ri)organizohen pa pushim. Dhe, nga ana tjetër, ato të ofrojnë mundësinë e të shprehurit në disa forma. Ndryshe nga kujtesa e zakonshme që reduktohet në disa veprime shabllon, kujtesa letrare kërkon të krijojë lidhje me fenomenet e së kaluarës (objekte, personazhe, ndjenja apo ngjarje) duke (ri)aktualizuar kuptimin që kanë pasur apo duke ua zbuluar atë. Herë ajo lihet të vijë apo të zgjohet nga një aromë, shije, tingull, atmosferë, shprehje, fjalë etj., siç ka ndodhur me librin “Më kujtohet” ose thirret, kërkohet, si me librin “E dashur A.”

A.Bardhyli

Share This:

blunavi.com