SI E SHKROVA LIBRIN PËR SHUTERIQIN

Feride Papleka

Do te ishte mirë që nga instancat përkatëse dhe sidomos nga Akademia të mendohej që në 100-vjetorin e lindjes, emri i tij të përjetësohej me institucionin qendror të librit, me Bibliotekën Kombëtare, e cila duhet të mbajë emrin “Biblioteka Dhimitër S. Shuteriqi”. Askush si Shuteriqi nuk e kaloi nëpër duar librin e shkruar shqip dhe askush si ai nuk punoi për kulturën shqipe. Me këtë veprim ne do të kryejmë një detyrim të madh atdhetar ndaj tij, por edhe do të tregojmë se vlerësimi i personaliteteve të kulturës është çështje kombëtare dhe aspak çështje e ngushtë partish. Kombi dhe kultura qëndrojnë mbi partitë, mbi grupet dhe individët. Kombi dhe kultura e tij janë të përjetshme.

Në këtë përkujtim të shënuar e gjeta me vend të tregoja si e shkrova librin për Shuteriqin. Ai libër i përket një ideje që u formësua më 1994, kur përgatisja portretin e tij për një gazetë. Më kujtohet se atëherë ishte qershor. E mora në telefon e i thashë se doja ta takoja për të mbledhur të dhënat që më duheshin dhe ai pranoi menjëherë. Kur vajta e gjeta duke lexuar në dhomën e pritjes, ulur në një kolltuk të vjetruar. E la librin dhe u ngrit në këmbë me vështirësi. Duke e njohur më pas jetën e tij, do ta kuptoja se në trup i rëndonte ngarkesa e një vepre të madhe. Më dha dorën. I thjeshtë e i dashur, jashtë çdo përfytyrimi. Kishte një fytyrë të menduar, ballë të lartë, vështrim të përhumbur, sy të thellë, të cilët i shenjtëronte dituria. Shenjtërinë ia shtonin edhe më tepër shpina e kërrusur prej skribi të lashtë, si dhe flokët e gjatë e të thinjur si të një perëndie pagane. Asokohe ishte vigjilja e 80-vjetorit të tij. Deri atë çast unë nuk e kisha të qartë se çfarë natyre do t’i jepja portretit, por edhe biseda me atë personalitet të letrave nuk ishte e lehtë. Përveç krijimtarisë letrare, ishte edhe veprimtaria e gjatë shkencore, e cila kërkonte një njohje relative për të komunikuar. Por ai ishte aq i vërtetë, sa dinte të krijonte që në fillim idenë e barazisë me bashkëbiseduesin. Asaj vizite iu shtua edhe një fakt shumë domethënës, që më ishte skalitur në kujtesë. Kur punoja redaktore botimesh, më qenë dashur disa të dhëna për piktorin anglez Eduard Lear. Dhe më drejtuan te Shuteriqi. Ai më foli për të, por më fali edhe një skedë të gatshme. Ky gjest intelektual nuk mund të harrohej. Nuk mbaj mend gjë tjetër nga ajo ditë, sepse takimi qe i shkurtër; ai sapo kishte kaluar një grip dhe kishte qenë shtruar në spital. Megjithatë, që nga ajo bisedë e shkurtër, ishin disa vjet në mes dhe kishin ndodhur ndryshime epokale. Ishte shembur ëndrra e rinisë së tij komuniste.
Pjesën kryesore të bisedës për portretin e zhvilluam në studio, një dhomë e vogël me një bibliotekë të madhe. Librat gjithsesi i jepnin një frymë më konkrete kuvendit të tij. Librat kanë qenë bashkëbiseduesit më idealë për Shuteriqin. Në vende të ndryshme të bibliotekës krijonin një mozaik kornizat me portrete që kanë bërë piktorët për të: Ksenofon Dilo, Fatmir Haxhiu, Nexhmedin Zajmi, Andon Kuqali e ndonjë tjetër. Në pjesë të tjera të lira, sepse biblioteka qarkonte krejt muret e dhomës, kishte vizatime e fotografi dhe nëpër suprina kishte objekte si: një bust i Naimit nga Odise Paskali, një bust i vetë Shuteriqit nga Janaq Paço, një portret i Çajupit nga Ksenofon Dilo; nga Dilo ishte edhe një vizatim, portret i tij me llullë; një foto e Simonit, e të atit, e zmadhuar; një foto e çiftit Shuteriqi fill pas çlirimit vetëm e pastaj me tre fëmijët; një bust i Demostenit; një tablo pikture nga Renoir… Mbi një syprinë të gjerë ishte një grumbull gurësh të formave e ngjyrave të ndryshme, relike të vendeve historike që kishte vizituar. Në një të ndarë më vete rrinte në kuti, “Guri i Çmuar”, ashtu si e quante ai; ishte një copë argjilë e kuqe, e gurëzuar, nga varri i Skënderbeut. I kishte dhënë një copë historianit Franz Babinger (specialist gjerman i studimeve për perandorinë osmane në Mesjetë). Më dhuroi edhe mua një copëz, që e ruaj si gjë të shenjtë. Në një kuti tjetër, por të vogël ishte edhe një copëz guri i ciflosur nga varri i Dhimitër Gazullit, bashkëkohës i Skënderbeut, gjetur te qela e prishur në Gëziq të Mirditës (Gurin e plotë atëherë Shuteriqi e pati çuar në muzeun e Rrëshenit, por edhe ai muze mund të ketë pasur fatin e zi që të jetë shkatërruar si shumë muze e objekte të tjera të së kaluarës). Kishte aq shumë lëndë në jetën e tij, sa çdo gazetar do të ishte i lumtur ta kishte protagonist të shkrimit.

***
Si shumë bashkëmoshatarë të mi që kemi kryer universitetin për letërsi, unë pandehja se dija shumë për Dhimitër S. Shuteriqin. Kur isha studente, pata ndjekur një ligjëratë të tij në një përvjetor të Naim Frashërit. Mbase ishte viti 1970. Më pati lënë mbresë të pashlyeshme paraqitja e materialit, përdorimi i fjalës, vendosja e figurës së Naimit në kontekstin e kohës që e lindi, analiza e hollësishme e argumentuar e ideve, motivimi i thellë i vlerave kombëtare dhe estetike të krijimtarisë së tij etj. Sigurisht për mua që kisha ndonjë prirje letrare, ligjërata e Shuteriqit ishte një nga leksionet më të çmuara që po dëgjoja për Naimin. Ai shpallte një metodë shkencore të vështrimit të figurave letrare dhe hidhte dritë me imagjinatë realiste dhe frymë epike për vlerat e stilit naimjan. Duke folur, nga sytë i shpërndahej njëlloj lodhjeje fisnike, që ia përcillnin leximet e shumta, për të cilat do të mësoja më vonë.
Njihja disa krijime të tij letrare, sidomos tregime. Që fëmijë isha magjepsur me librin “Gurnecka”, në shkollë të mesme letërsinë e studionim sipas tekstit antologjik që kishte botuar ai, kur dola mësuese librat “Shkrimet shqipe” dhe “Nëpër shekuj letrarë”, më kanë ndihmuar për vite me radhë në shpjegimin e lëndës së letërsisë, që janë si një vademekum letrar. Por unë mbeta gojëkyçur nga dijet e thella që më përngjanin me një leksion filozofik dhe nga puna e tij e përditshme. Prej tij numërohen 100 e ca botime me rreth 40 mijë faqe, të gjitha të daktilografuara e të korrigjuara me duart e veta në një makinë të vogël “Olivetti”. Një punë kaq të vëllimshme është e frikshme ta imagjinosh. Mbi makinën e hapur ishin disa fletë shtypshkrimi, në të cilat ai ishte duke punuar atëherë një bibliografi të veprave të veta.
Tryeza e punës së këtij njeriu të jashtëzakonshëm, e vendosur pranë njërës prej dritareve, në atë studio-bibliotekë, qarkohej nga libra të zgjedhur dhe universalë që ishin pjesë e ushqimit të tij mendor e shpirtëror të përditshëm. Në krahun e majtë Baudelaire-i, një botim i plotë i veprës së tij, poeti që vazhdonte të ushtronte përherë magji tek ai. Librat e tryezës, “armët e tij të buta” në betejën e përditshme si krijues dhe si shkencëtar i letërsisë dhe kulturës, flisnin për interesat e tij të gjera. Përpara në largësinë e dorës: Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe; Histori e Letërsisë Shqipe; Histori e Albanologjisë; Histori e Popullit Shqiptar; Histori e arkitekturës; Fjalori Enciklopedik Shqiptar; Histori e Artit etj. Pastaj disa libra shqip e në gjuhë të huaj, sidomos frëngjisht dhe italisht: Poésie surrealiste (Poezi syrrealiste), Le genie de la peinture europèenne (Gjenia e pikturës europiane); Cubisme (Kubizëm). Në krah të djathtë, mbështetur te biblioteka, disa fjalorë në gjuhë të huaj, më i rëndësishmi ai i gjuhës së sotme frënge (një ndër): Petit Robert I dhe II (Roberi i vogël I dhe II; Littré (Fjalor i gjuhës frënge, i vitit 1872), pastaj Histoire de la littérature française (Histori e letërsisë frënge), Gustave Lanson, 1894; Histoire d’art (Histori arti), disa revista bashkëkohore: filologjike, historike, etnologjike, psikologjike, artistike etj. Në krah të majtë albume: Van Gogh, Renoir, Matisse, Sezanne, dy albume të mëdha me kostume arbëreshe. Por edhe një vepër e Platonit. Ai e lexonte shpesh Platonin. Në disa letra të kohës studentore do të gjesh mes tyre një të tillë, ku ai polemizon me të atin për këtë filozof. Librin e tij “Apologjia e Sokratit” e kishte lexuar që në vitet ’30, kur e përktheu në shqip Spiro Konda dhe e botoi te “Hylli i Dritës”. Mbi tryezën e tij të punës sot janë vendosur edhe “trofetë” që ka marrë: urdhri “Légion d’honneur”, dhënë nga ambasada franceze, si dhe çmimi i karrierës “Penda e Artë” dhënë nga Ministria jonë e Kulturës, të dyja më 2003, postume.

***
U largova atë ditë me një material të gjerë dhe me një premtim të heshtur që as vetë nuk e kuptova se ç’përmbajtje kishte. Shuteriqi më ngjau me një apostull të kulturës shqipe. Dhe e ndjeva se nuk e mbaja dot vetëm për vete atë dritë. Sa pak e njihja universin e tij!
Portreti për të u botua një të diel, më 28 gusht 1994, dhe jo më 26 korrik si desha unë, te një shtojcë letrare e gazetës “Zëri i Popullit” dhe mban titullin: “Dhimitër Shuteriqi – mit apo realitet”. Qëllimi i shkrimit ishte të krijonte një njohje në gjeneratat e reja për personalitetin e tij në shërbim të kulturës kombëtare. Vitin tjetër, më 26 korrik 1995, ai mbushte 80 vjeç. Shkrimi i paraprinte kështu një përvjetori të veçantë. Për herë të parë, figurës së tij iu kushtua një faqe e tërë gazete, larg sloganeve politike. Atë mbrëmje Shuteriqi më mori në telefon për të më falënderuar. Në të vërtetë duhej ta falënderoja unë atë, por iu përgjigja se do t’i shkoja të nesërmen për vizitë e t’i merrja përshtypjet nga afër. Qëllimi im ishte tjetër gjë. Që t’i thosha se do të filloja një jetëshkrim. Çfarë guximi! Im bir që sapo kishte mbaruar liceun për pikturë dhe përgatitej për të hyrë në Akademinë e Arteve, kur lexoi në shkrim se Shuteriqi kishte një dosje të madhe me vizatime, shprehu dëshirën të vinte me mua që të shihte vizatimet e tij. Ne kaluam atje një pasdite të paharruar. E megjithatë, unë nuk ia bëra dot të ditur planin tim. Më mungoi vendosmëria. Kur u largova, ai më falënderoi edhe një herë për shkrimin. Mesa dukej i kishin pëlqyer ato që thuheshin për të. Ishte njëlloj pasqyre ku e shihte veten ndryshe, në mënyrë të qëruar, pa ngarkesa ideologjike. U desh të kalonin tri ose katër javë që unë të merrja zemër e t’i thosha se do t’i kushtoja një libër. Gjeta mënyrën më të mirë, e cila na shpëton të gjithëve nga përgjegjësia e atypëratyshme. Ia kumtova këtë “çmenduri” në telefon. Dhe menjëherë më lemerisi ideja. Ç’është e drejta, ai e priti mirë vendimin tim. Dhe, ishte qëndrimi i tij mirëbesues që më dha zemër. Ishte 5 tetori i vitit ’94, kur nisi ajo ndërmarrje e gjatë dhe e vështirë. Mes një qetësie që u krijua pas pyetjes sime të parë, që e pështjelluar siç isha, nuk iu përmbajta tekstit të përgatitur, unë hodha në letër copëza nga rrëfimi i tij.
Atëherë rrethanat ishin shumë kritike. Shoqëria shqiptare përjetonte periudhën e rëndë të depresionit. Lufta politike mes së majtës dhe së djathtës ishte e acaruar. Kryefjala e ditës ishte mohimi i madh për të përmbysur gjithçka të krijuar gjatë pesëdhjetë vjetëve. Sulmet nuk e kursyen as Shuteriqin. Ato qenë ndër më të rëndat që mund të mendohen, por ai qëndroi i paepur, i mbajtur pas së vërtetës. Krijuesit e mëdhenj nuk i përkasin kohës fizike kur kanë jetuar, ata vështrojnë përtej kohërave dhe individëve.
Dhe vazhduam kështu muaj pas muaji. Orët e punës sonë ishin përgjithësisht pasditeve gjer në mbrëmje. Paradite ai punonte. Kishte plot dorëshkrime dhe tekste të daktilografuara që prisnin dritën e botimit, por ai nuk mund të botonte. Shtëpitë botuese private sa ishin hapur. Ekonomia liberale dhe kërkesat e prodhimit kapitalist kishin hyrë në çdo ind të jetës shqiptare. Të botoje një libër, kur ishte fjala edhe për Shuteriqin, duhet të paguaje. Megjithëse akademik, ai merrte një pension mjeran. Është e pabesueshme, por një nga njerëzit që ka pasuruar ndërtesën e kulturës shqipe dhe e ka ngritur atë më lart, nuk kishte madje as letër e shirit makine për të shkruar.
Sidoqoftë unë nuk mund të lë pa përmendur një episod mjaft të rëndësishëm që mendoj se mbetet në fillesën e librit. Kur isha duke mbajtur shënime për jetën e tij dhe kisha një mëdyshje për fatin e atyre shënimeve, që mund të mos bëheshin libër, ashtu si edhe ndodh jo rrallë, u botua një shkrim tejet përçmues për Shuteriqin te gazeta “Rilindja” e Prishtinës që dilte në Tiranë. Ai shkrim më tronditi shumë. Mbaj mend se atë mëngjes shkova drejt e në redaksinë e gazetës. E dija ku ndodhej se botoja atje ndonjë përkthim apo tregim. Duke i përmbajtur lotët, u thashë kryeredaktorit dhe drejtorit: “Ju nuk e dini mirë cili është Shuteriqi. Nuk e njihni” dhe doja ndonjë reagim, por ata heshtnin. Gjithsesi unë qeshë gabuar. Ata e dinin dhe e njihnin mirë, por kishin ardhur këtu me mision. Ja, ky mbase është çasti që vendosi në mënyrë përfundimtare se duhet ta shkruaja librin për të.
Gjatë bisedave, pranë nesh vinte herë pas here zonja Shuteriqi. E ëmbël në komunikim dhe tepër e zgjuar, e mirinformuar pothuaj për të gjitha problemet që lidheshin me Shuteriqin, ajo ndërhynte për ndonjë datë, emër apo ngjarje, që e kishin jetuar së bashku. U mahnita nga shpirti i tyre i hapur e i sinqertë, nga komunikimi i tyre plot harmoni. Ajo i përgjigjej çdo kërkese të tij, duke e parë në sy me përgjërim. Dashuria nuk i kishte shuar ende flakët e pasionit në shpirtrat e tyre, as në atë moshë të thyer kur ditët dhe muajt ndonjëherë janë të numëruar. Dhe më e rëndësishmja është që ata jetonin me dashuri në kohën kur mungesa e dashurisë është një realitet tragjik i ditëve tona. Kjo ishte gjëja më e magjishme në marrëdhëniet e tyre. Një dashuri që vazhdon përherë në zemrën e zonjës Shuteriqi me punën përkushtuese që ka bërë dhe bën për të vënë më në pah në media veprën e tij. Veç kësaj, libri i saj me kujtime Një jetë në dashuri që u botua më 2006, e ka ravijëzuar portretin e Shuteriqit me një qasje të veçantë, pa folur pastaj për shkrimet dhe intervistat e saj të herëpashérshme në shtyp.
***
Në pranverë të vitit 2003, pasi kisha filluar të shëtisja disi e pavarur nëpër rrugët e lagjes, pas një operacioni të rëndë në kokë që pata më 2002, unë mora guximin të dilja edhe në qendër të Tiranës. Isha ftuar nga Shuteriqët të pinim kafe së bashku në një lokal, pranë shtëpisë së tyre, përballë ndërtesës së Partisë Demokratike të asaj kohe. Ishte një mëngjes i ngrohtë maji, ditë me diell, qiell i kaltër. Mua më dukej se ishte fillimi i botës, aq shumë e përjetoja misterin e ngadhënjimit tim mbi vdekjen. U ulëm në një tryezë jashtë. Isha e ngazëllyer, edhe pse kisha projektuar një konceptim të ri të librit që ma kishte diktuar fqinjërimi im përkohshëm me natën e jetës. Sidoqoftë profesori, – edhe unë i drejtohesha si shumë të tjerë, – i dha frymë jetësore bisedës. Rrëfeu disa gjëra për Francën. Mes të tjerash shpjegoi se si e qëlloi Avni Rustemi Esat pashë Toptanin në Paris duke dalë nga hoteli Kontinental (që unë në librin tim e kam quajtur gabimisht Ritz, duke ngatërruar shënimet që kisha nxjerrë nga Arkivi i Shtetit, me kujtimet e ndryshme, si ato të Mustafa Krujës e të ndonjë tjetri). Kontinental ishte një nga hotelet më luksoze dhe më të shtrenjta të Parisit në vitet ‘20. Ai e dinte në mënyrë të saktë orën, vendin, fjalët e Avniut se “Me ta parë atë, tërë historia e Shqipërisë m’u ngjall në shpirtin tim”, mbrojtjen që i bëri avokati francez de Monzie, duke e cilësuar “krim i rrëmbyer, i nxitur nga një popull i tërë”, dhe që në librin e tij Fate të jashtëzakonshëm, e quan kthimin e Avniut në Shqipëri, “fitimtar, si një Qesar”. Tregoi pastaj për një fshat të vogël, të quajtur Liré, fshati ku lindi më 1522 poeti i Plejadës franceze Joachim du Bellay; si takoi ai poetin tjetër të ardhshëm Pierre de Ronsard në universitet; si vendosën ata të krijojnë kryevepra në frëngjisht, po aq të mëdha sa veprat e Latinëve dhe Grekëve; si shkroi du Bellay manifestin e parë Mbrojtja dhe shkëlqimi i gjuhës frënge; si shkonte ky qëllim në harmoni me ndërmarrjen e madhe të mbretit François I që dëshironte “përsosjen e gjuhës frënge”; si është ngritur për të një muze madhështor në një nga banesat tip të viteve 1500 që i ka përkitur familjes du Bellay; si organizohen herë pas here në atë muze manifestime për temat e shkrimit, të poezisë e të gjuhës frënge; si kanë vendosur pllaka përkujtimore në lice, në universitet dhe në Paris ku vdiq du Bellay në moshën 37-vjeçare etj. Kur takoheshe me Shuteriqin duhej të ishe gjithmonë e përgatitur me mjetet e shkrimit. Çdokush përfitonte nga ato që thoshte. Thuajse për çdo emër të përveçëm ose ndodhi, ai kishte njohuri që e pasuronin bisedën si në një enciklopedi të vërtetë.
***
Pas këtij takimi unë nuk e pashë më. Në korrik ai luftoi tri ose katër javë për mbijetesë, por më në fund iu dorëzua vdekjes. Lajmin për vdekjen e tij e mora vesh në Mallakastër, ku kisha vajtur të kaloja të nxehtët e tmerrshëm të asaj vere. Ishte një nga kumtet më të hidhura që kam marrë në jetë. Protagonisti i librit tim nuk rronte më. E kam vështirë t’i përshkruaj ato çaste të rënda. Ky akt i largimit absolut të Dhimitër S. Shuteriqit nga jeta, i dha tekstit arkitekturën përfundimtare. Befas ai përftoi njëlloj përmase legjendare me formën ishte, që e sublimon udhëtimi drejt përjetësisë. Kështu tërë lënda ime e shkruar iu nënshtrua një gjykimi të ri.
***
Jeta e Shuteriqit është një histori ku pleksen përpjekje, kontradikta absurde, kënaqësi të punës krijuese, qëndrime që herë-herë ishin edhe në kundërshtim me bindjet e tij intelektuale, por që të zhvendosura në realitetet e reja historike marrin tjetër kuptim. Detyrimisht ato janë parë të lidhura ngushtë me kohën që i prodhoi. Që në rini të tij ai zgjodhi realizmin dhe u bashkua me idenë se arti komunikues s’mund të jetë ndryshe veç realist, por ruajti një qëndrim pajtues ndaj çdo lloj arti që çliron vlera estetike. Në këtë qëndrim kishte pjesën e vet edhe atmosfera franceze e studimeve universitare. Edhe nga pikëpamja shëndetësore jeta e tij nuk kaloi e qetë. Megjithatë, ilaç i tij shërues ishte puna krijuese dhe studimi shkencor i letrave shqipe, të cilave u fali energjitë dhe pasionin e tij prej rilindësi. Kështu me punë i kapërceu ai situatat e rënda që krijoheshin herë pas here në Shqipërinë klasore. Në libër janë marrë parasysh disa pika ndriçuese, si: Fëmijëria në Korçë dhe Elbasan, me atmosferën dhe kujtimet e gjalla që ushqyen imagjinatën e tij; liceu, mospajtimi me varfërinë dhe prapambetjen në regjimin e mbretit; poezia e tij simboliste; Franca universitare, lidhja e tij me lëvizjen studentore antifashiste dhe me frymën e emigracionit politik përparimtar; kthimi në Shqipëri dhe përfshirja e menjëhershme në luftën partizane për çlirim; zbritja nga mali si fitimtar dhe përkushtimi ndaj arsimit dhe kulturës e që krijojnë një vijimësi në rrugën e tij prej intelektuali atdhetar që nuk e ndan fjalën nga vepra. Përballimi i frontit të vështirë si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve; shkarkimi dhe vazhdimi i punës krijuese e studimore me betejat e gjata në tryezën e punës, janë një pamje tjetër e personalitetit të tij. Edhe pse pësoi infarkt me vdekje klinike më 1982, ai e vazhdoi punën e nisur, si të mos kishte ndodhur ai paralajmërim ogurzi.
***
Emri i Shuteriqit është nderues për letrat shqipe. Në jetën e tij numërohen rreth gjashtëdhjetë vjet veprimtari me interesa të shumanshme, të cilat përbëjnë një fond vlerash të patundshme në ndërtesën e kulturës kombëtare. I pajisur me frymë iluministe, i vendosur denjësisht në kampin e fitimtarëve, ai u përpoq të realizonte veçanërisht ëndrrën shekullore të një populli për arsimim, duke hartuar kështu tekstet e letërsisë për shkollat e mesme dhe Institutin e Lartë Pedagogjik që në vitet ’50. Pastaj ai u hyri punëve të mëdha që u kurorëzuan me vepra përgjithësuese si Shkrimet Shqipe, Nëpër shekuj letrarë, Andon Zako Çajupi, Naim Frashëri, Marin Barleti, Poezia shqipe, Metrika shqipe, të cilat iu bashkëngjitën krijimtarisë së tij letrare që nis me Kangët e rinis së parë, poezi, kur ishte liceist në Korçë, 1935 e deri Te Qafa e Botës, tregime, 1986. Sot mund të thuhet me bindje se pa emrin e tij nuk mund përfytyrohet dot historia e traditës sonë letrare.
Shuteriqi e nisi rrugën si poet, por poezia nuk do të bëhej traseja kryesore në udhën e tij krijuese. Dhuntia krijuese do të shpërthente në prozë, e cila thuri dalëngadalë kurorën e fitores së tij si një ndër individualitetet dhe stilistët e papërsëritshëm të letërsisë shqipe. Tematika e gjerë shoqërore dhe sidomos ajo historike, ku lartësohen karaktere lirikë të papërsëritshëm si dhe personazhe të plotë epiko-dramatikë që herë-herë shkojnë deri në realizime figurash monumentale, si Gjergj Araniti i tregimit Ditët e sprasme të Gjorg Golemit, Dhaskal Todri i filmit Udha e shkronjave apo Ismail Qemali i filmit Nëntori i Dytë, përbëjnë anën më të ndritshme të Shuteriqit prozator. I pajisur me dije dhe kulturë klasike materialiste, që u farkëtua në një nga universitetet më të njohura të Francës dhe Europës, i udhëhequr nga pasioni i studiuesit, njohës i procesit dialektik të zhvillimit kulturor, ai është një rast i rrallë, fat për kulturën e një kombi. Plotësimi i ndërtesës që ka ngritur ai, nuk mund të quhet rrënim, sepse kolonat e mëdha të kësaj letërsie me emrat Naim Frashëri, De Rada, Kristoforidhi, Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani, Çajupi, Noli, Mjeda, Migjeni etj., janë gdhendur deri në lartësitë e merituara nga pena e palodhur e tij. Vërtet, futja në historinë e letërsisë e disa emrave të ndaluar në kohën e tij si Fishta, Kuteli, Konica dhe e ndonjë tjetri e ka pasuruar përfytyrimin e brezave për letërsinë, por ata aty kanë qenë, të përmendur në brengën e madhe jetësore të tij për mosekzistencën e tyre. Në këtë mënyrë, historia e letërsisë mund të plotësohet me emra, prej të cilëve na ndau lufta klasore. Madje në procesin e saj të zhvillimit, ajo me siguri do të çlirohet nga ngarkesat që i janë shtuar si epidemi e re, me qëndrime klasore në kohën e mungesës de jure të luftës së klasave.
***
Krijimtaria dhe studimi kanë qenë dy motivet kryesore që e kanë nxitur Shuteriqin në rrugën e lartësimit. Ai është marrë me atë pjesë të kulturës që shënon shkallën më të lartë të qytetërimit të një shoqërie, me shkrimin dhe me traditën letrare. Kërkimi i burimeve tona kulturore nuk lidhej me përditësinë, por ishte pjesë e asaj hapësire të epërme në jetën e një populli që hyn në përjetësi. Prandaj shpesh Shuteriqi është gjendur jashtë trazirave politike dhe ka vazhduar në heshtje atë punë që e shëndoshte shpirtërisht dhe e qetësonte mendërisht. Ai ishte pjesë e pandarë e strukturës së mrekullueshme shekullore të shkrimit dhe leximit që e ka çuar njerëzimin përpara. Një shembull i madh! Ka ardhur koha të mendohet edhe për një shtëpi muze të Shuteriqit.
***
Imagjinata ime ndalet në takimet e lumtura që pata me Shuteriqin kur ishte gjallë. Shpesh mendoj për atë personalitet të kulturës sonë, për atë rrëfimtar të mrekullueshëm, për atë ëndërrues të ngazëlluar e të trishtë dhe ndiej përmallim. Duke e dëgjuar atë njeri të madh, merrje guxim, fitoje optimizëm. Dhe pakuptuar bëheshe i ditur. Ai kishte një bindje të patundur në vlerat tona si popull. Kishte ecur i vetëm gjer në mjegullnajat historike për të gjetur burimet e shkruara të identitetit shqiptar. Në mënyrë pothuajse, fizike në veprën e tij ndihet një shpresë e kulluar se ne jemi një popull i lashtë në këtë univers të mistershëm, se kemi kulturën tonë në këtë copëz Shqipëri. Homeri, këngëtari i parë i dhimbjes e i dashurisë njerëzore, vë në gojën e Odiseut këto fjalë: “Një vend i thatë e plot gurë është Itaka, por s’ka më të ëmbël në botë”.
***
Puna me librin dhe dokumentin është pjesa e padukshme dhe më e vërtetë e veprimtarisë së Shuteriqit. Kjo dëshirë e tij u farkëtua që në vitet studentore, që në atë kohë filloi të formohet ai që do ta çmonte shumë në vitet e mëvonshme traditën tonë, veprën e rilindësve. Ja si i shkruan ai së motrës në një letër të vitit 1940: “Due të më dërgosh të gjitha veprat e botueme shqip të Naim Frashërit, nga të cilat ma të randësishmet janë këto: Bagëti e Bujqësia, Lulet e Verës, Fjalët e Qiririt, Iliadha e Omirit, Qerbelaja, Skënderbeu”. Falë tij, përkushtimi në punën me librin ka një model. Kur njihesh me fondin e librave të bibliotekës së tij, kur shfleton librat me shënime pune, kur sheh nëpër rafte libra që ishin të “ndaluar” për kohën, kur lexon korrespondencën që flet kryesisht për dokumente shqipe të zbuluara, kur njihesh me punën e tij nëpër biblioteka apo nëpër arkiva të botës kur shkonte për punë të tjera, kur lexon shkresa që vërtetojnë se i ka dhuruar disa herë libra Bibliotekës Kombëtare, Shuteriqi merr një shugurim tjetër postume, atë të njeriut të lidhur ngushtë me librin. Libri ”Tekstet Shqipe dhe shkrimi i shqipes” që ai me punën e tij studimore edhe në muajt e fundit të jetës, e çoi deri në vitin 879, mbetet një monument i papërsëritshëm në botën e dëshmive për formimin e etnokulturës shqipe. Njohës i qytetërimeve dhe kulturave të njerëzimit, duke e vështruar kulturën shqipe në marrëdhënie me kulturat e tjera në hapësirën ballkanike, europiane e më gjerë, duke e ushqyer kujtesën tonë intelektuale për periudhën letrare e paraletrare të gjuhës sonë, ai mund të quhet me të drejtë jo vetëm kërkues, por edhe sjellës i burimeve kulturore. Do të mjaftonte vetëm ky libër për t’i dhënë kurorë, por vepra e Shuteriqit është e madhe. Ajo mbetet referencë për shumë fusha të letrave. Dhimitër S. Shuteriqi punoi me besim të madh tek e ardhmja, duke e lartësuar kulturën shqipe me flijimin e tij të përditshëm.
Do të ishte mirë që nga instancat përkatëse dhe sidomos nga Akademia të mendohej që në 100-vjetorin e lindjes, emri i tij të përjetësohej me institucionin qendror të librit, me Bibliotekën Kombëtare, e cila duhet të mbajë emrin “Biblioteka Dhimitër S. Shuteriqi”. Askush si Shuteriqi nuk e kaloi nëpër duar librin e shkruar shqip dhe askush si ai nuk punoi për kulturën shqipe. Me këtë veprim, ne do të kryejmë një detyrim të madh atdhetar ndaj tij, por edhe do të tregojmë se vlerësimi i personaliteteve të kulturës është çështje kombëtare dhe aspak çështje e ngushtë partish. Kombi dhe kultura qëndrojnë mbi partitë, mbi grupet dhe individët. Kombi dhe kultura e tij janë të përjetshme.

Share This: