Një klasë e lëvizshme

Old fashioned one room school --- Image by © Owaki/Kulla/Corbis

Besian Gërmenji

(Tregim)

Reforma e re arsimore kishte bërë të mundur riformatimin e plotë të orareve shkollore! Disa vite pas vdekjes së Frankos, një frymë e re akademike kishte pushtuar sistemin arsimor spanjoll. Tashmë klasat nuk ishin më të ndara sipas gjinisë dhe katolicizmi ishte përjashtuar nga oraret e detyrueshme të gjimnazeve!

Shembull i këtij modernizimi ishte gjimnazi kolegjial “Senhor Ucupe”, i distriktit lindor Agua Del Mar në Sevilja! Prej disa muajsh, një nismë e drejtorisë arsimore të Madridit, kishte bërë të mundur fillimin e një programi “novator” në fushën e didaktikës dhe marrëdhënieve mësues – nxënës.

Në fakt, programi në vetvete nuk ishte i ri, por një kopje e një programi të vjetër, që specialisti Antonio Guerlinque kishte zbuluar rastësisht në arkivat e vjetra të Ministrisë së Fesë dhe Arsimit! I caktuar si specialist në janar të 1980-s, falë diplomës në Administrim Publik pranë Uberschule-s Berlineze (e mirënjohur në kontinent për metodat moderne të formimit), Guerlinque kishte bërë emër në botën akademike falë temës së diplomës. Një studim i përcjelljes së mesazhit teologjik përmes doktrinave filozofike.

– Mjafton të futësh emrin Erasmus dhe çdo mendim merret i mirëqenë!

– Gjithsesi nuk duket keq. Është i paraqitshëm, vjen nga një familje e mirë dhe mbi të gjitha ka mbaruar në Berlin!!!

– E drejtë, gjyshi i tij ka qenë kancelar pranë ipeshkvisë së Madridit! Dhe e ëma një nga antropologet e para në vend!

– Atëherë u vendos, Antonio do të jetë njeriu që do të merret me hartimin e reformës … dhe gjimnazi kolegjial “Senhor Ucupe”, shkolla pilot ku do të zbatohet programi.

 

Gjimnazi kolegjial “Senhor Ucupe” ishte themeluar më 1965-n, në godinën që më parë i përkiste komunitetit françeskan në Seville! Godina, një ndërtesë e ‘800-s, ishte trekatëshe dhe kishte dhjetë dhoma për kat!

Pas konvertimit në gjimnaz dhomat ishin bashkuar për të krijuar hapësirë dhe ishin kthyer në tri klasa, të cilat mund të mbanin 30 nxënës. Pavarësisht numrit relativisht të vogël të nxënësve, gjimnazi mbante një mesatare të mirë në rang kombëtar, duke u pozicionuar i 14-i në vend dhe i pari në qytet.

Përgjithësisht, të rinjtë që studionin atje, kishin një prejardhje borgjeze, nga familje të cilat thuajse tërësisht ishin të punësuara në administratën lokale dhe institucionet e shumta të ipeshkvisë!

Tre muajt e parë pasi i ishte caktuar detyra e hartimit të reformës arsimore, Antonio i kishte kaluar pothuajse mbyllur në departamentin shkencor të ministrisë. Pavarësisht orëve të gjata të kaluara në të, specialisti i ri nuk kishte mundur të krijonte një strukturë të përshtatshme për reformën, përkundrazi! Një ndjenjë pafuqie e pasuar nga një ndjenjë ankthi e kishin shoqëruar gjatë gjithë kohës, sa tashmë i dukej e pamundur arritja e rezultateve të paracaktuara.

Fundin e muajit të tretë, Antonio kishte dalë në përfundimin që sistemi i deritanishëm shkollor, ishte më se i drejtë dhe funksional. Për rrjedhojë, çdo ndryshim ose reformim do të sillte vetëm pështjellime të panevojshme, sidomos në vazhdimin e studimeve në ciklet e mëtejshme.

Në fillim të ’80-s, në Sevilja si në çdo pjesë tjetër të Spanjës, një sërë risish të pamenduara më parë kishin nisur të ndodhnin! Risi që kishin kapluar dhe gjimnazin e mirënjohur të qytetit. Tashmë nxënësit ishin më të zhurmshëm, më të qeshur dhe vishnin xhinse, gjë që kishte hidhëruar jo vetëm prindërit, por dhe mësuesit, të cilët kujtonin kohën kur uniformat ishin të detyrueshme në shkolla.

E mërkura e 23 tetorit ishte një ditë me diell dhe një thatësi pickuese në ajër. Mësimi kishte filluar si gjithnjë në orën tetë të mëngjesit dhe pas dy orëve të para letërsi dhe histori, nxënësit kishin dalë jashtë për pushimin e madh. Pushimi i madh zgjaste 15 minuta dhe gjatë tij nxënësit ishin të detyruar të dilnin në oborr, përveç atyre që kishin raporte mjekësore.

Nxënësit e kursit A3 hynë në klasën e tyre, pas pushimit të madh. Klasa ndodhej në katin e tretë të ndërtesës, në cepin lindor dhe ndriçohej gjatë gjithë ditës nga tri dritare të mëdha që ndodheshin mbi oborrin e jashtëm të shkollës.

Rreth një minutë pas pushimit të madh nxënësit ishin vendosur pothuajse të gjithë në bankat e tyre dyshe, të cilat formonin tri rreshta me nga dhjetë nxënës secili. Asnjë nga nxënësit nuk e vuri re mësuesen të hynte në klasë dy minuta pas fillimit të orës së tretë. Asnjë prej tyre nuk e dalloi zbehjen e pazakontë që mësuesja kishte në fytyrë.

Mësuesja, pasi hyri në klasë, u drejtua me hap të ngadaltë dhe të heshtur drejt qendrës së klasës, disa hapa para dërrasës së zezë! Ajo qëndroi disa çaste e palëvizur derisa e gjithë klasa kishte vëmendjen e saj! Pasi pa me kujdes të gjithë sytë e nxënësve, ajo u drejtua nga dera dhe doli jashtë!

Disa sekonda heshtje u ndërprenë nga batuta e një nxënësi mbi veshjen e shëmtuar dhe jashtë mode të mësueses. Kaq u desh dhe e gjithë klasa rinisi sërish zhurmën e pushimit të madh, duke diskutuar mbi grupin e ri Madrilen të Dark Wave-it, modelin e ri të flokëve të David Bowie-t dhe xhinset.

Asnjë nga nxënësit nuk e kishte vënë re të shkruar në dërrasë me germa të vogla, një fjali!

-Më vjen keq, por kjo është e papranueshme!

-Unë mendoj të mos nxitohemi në përfundime të parakohshme dhe të padobishme!

-Mmm, mbase se ka dhe aq keq!

-Zotërinj, ky projekt tingëllon si i duhuri për reformimin që po kërkojmë!

-Po a jemi të sigurt që mund ta shtrijmë në shkallë vendi?!

-Pas tre muajsh intensivë që kalova në kërkimin e formulës së duhur, mund të them me plot gojën që ky projekt do të çudiste dhe profesorët e mi të “Uberschule” në Berlin!

-Zoti Guerlinque, kuptoni që ky projekt, kjo reformë që ju po kërkoni është tej mase e rrezikshme?!

-E them sërish, është e papranueshme!

Në vitin 1965, pas një marrëveshjeje mes kardinalit Loserito dhe gjeneralit Franko, ishte bërë e mundur prania e përhershme e një përfaqësuesi të kishës katolike në këshillin arsimor të drejtorisë në Ministrinë e Arsimit. Kundrejt dhurimit të 120 ndërtesave në pronësinë e ipeshkvijve të ndryshëm. Ndërtesat gjerësisht u përdorën si posta xhandarmërie, po disa prej tyre, me kërkesë të drejtpërdrejtë të kardinalit, u kthyen në shkolla publike.

-Si përfaqësues i kardinalit, mendoj se s’duhet të nxitohemi në bojkotimin e këtij projekti, që zoti Guerlinque me aq mund e ka hartuar. Gjithashtu, ju kujtoj se jemi në prag të ndryshimeve të mëdha në bashkësinë tonë të bekuar. Ndaj, besoj thellësisht që ky projekt është i përshtatshëm për reformimin e plotë të sistemit tonë shkollor. Por fundja unë jam një njeri i kishës dhe jo i shkencës, ndaj propozoj që projekti të testohet!

-Të testohet?!

-Mmm, s’do të ishte ide e keqe, kështu do të mund të shihnim dhe harxhet ekonomike

.-Po si mendon Shkëlqesia Juaj, të bëhet testimi?

-Një pilot …

-Zoti Antonio ka të drejtë, një shkollë e vetme në të cilën të zbatohet projekti!

Nxënësit ngelën të shtangur nga zhurma e tmerrshme. Një zhurmë metalike që dukej sikur vinte nga të gjitha këndet e klasës. Ata panë të heshtur e shokuar se si disa minuta pas daljes së mësueses hekura të çeliktë ranë përmbi dritaret e jashtme. Ndërsa dy sipërfaqe të mëdha çeliku të gjelbër rrëshqitën para dy dyerve të jashtme të klasës, njëra në fillim dhe tjetra në fund! Të gjithë u çuan nga bankat dhe nisën të hetonin dritaret duke u munduar t’i hapnin. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, hekurat në dritare ishin të palëvizshme! Për rreth 20 minuta nxënësit u munduan të hetonin çdo cep të dritareve, për të gjetur në kishte ndonjë levë që mund të ngrinte sërish hekurat. Ndërkohë që nxënësit mundoheshin drejt dritareve, një siluetë e hollë u çel në dy dyert, duke formuar një kuadrat me lartësi dhe gjerësi prej dy metrash. Tashmë tre muaj kishin kaluar dhe specialisti Antonio Guerlinque nuk kishte arritur akoma të formulonte një projekt të duhur për reformën. Kishte vendosur të merrte një pushim të vogël dhe pas disa ecejakeve të kota, këmbët e kishin shpënë instinktivisht drejt muzeut shkencor të Madridit. Antonios i ishte kujtuar që fatmirësisht në oborrin e muzeut kishte dhe një kafene të vogël, ku shërbenin kesadija me këmbë derri, që pavarësisht çmimit të lirë, ishin për t’u lëpirë gishtat! Pasi u ul në tavolinën e gjashtë të kafenesë, Antonio porositi ushqimin dhe një gotë sangria. Pas disa çastesh, kamerieri i solli gotën e verës më fruta. Ndërkohë që priste ushqimin, specialisti nisi të pinte verën duke gëlltitur pa menduar frutat, që tashmë ishin lluqur. Pas tre minutash kamerieri solli pjatën e kesadijave, duke ia vënë pranë gotës së verës. Antonio u çudit me shpejtësinë e shërbimit dhe mendoi se me shumë mundësi kesadijat ishin të mbetura ose në rastin më të mirë të ngrira …

-Ju jeni mësues?

-E pse jo profesor?!

-Ha ha ha! Mos u ofendoni, por jeni shumë i ri për të qenë profesor!

-Mmm, janë të freskëta kesadijat?

-Ha ha ha! Mendoni që këmbët e derrit të tymosura këtu e tri javë para nuk janë të freskëta?

-Për të qenë kamerier keni goxha humor!

-E po ç’t’i bëjmë, vetëm gjimnazin kemi mbaruar!

-Po thoni që është faji i gjimnazit?

-Jo, po them që është faji i mësuesve si ju, që në gjimnaz mësova të bëj kamerierin dhe asgjë tjetër.

 

30 minuta kishin kaluar nga dalja e mësueses. Nxënësit, pasi ishin munduar të gjenin mekanizmat për të hapur dritaret, tashmë ishin duke i goditur dhe tërhequr me gjithë fuqinë. Në minutën e 31 të orës së tretë, një zhurmë tjetër heshti njerëzit. Sërish një zhurmë metalike, që dukej të vinte nga pas dyerve të rënda të çelikta! Nxënësit u kthyen instinktivisht nga dyert dhe panë të shtangur se si zgavrat dy metra të larta dhe dy metra të gjera, u hapën. Nga zgavra e derës në fund të dhomës, dy hiena u futën në klasë dhe sulmuan një grup nxënësish që ndodheshin pranë. Ndërkohë që shokët e tyre shqyheshin nga kafshët e egra, nxënësit u drejtuan nga fillimi i klasës, duke mos vënë re dy hiena të tjera që po hynin nga zgavra e derës së parë! Dy hienat e tjera u sulën mbi një vajzë, e cila kishte mbetur e ngrirë para grupit të nxënësve. Pasi mbaroi pjatën e kesadijave dhe gotën e parë të sangrijas, specialisti Guerlinque vendosi të rishikonte shënimet e tij. Pasi u mundua më kot, filloi të mendonte që hartimi i një projekti mbi reformën nuk ishte një punë për të! Pa menduar nisi të shikonte përreth, dekorimet dhe tavolinat e kafenesë, e më tej kopshtin e vogël me bimë ekzotike që ndante lokalin nga pjesa tjetër e oborrit. Deri sa sytë i ndaluan, në koleksionin e kafshëve të balsamosura të muzeut. Një ekzibicion i përhershëm mbi kafshët e Afrikës Ekuatoriale. Antonio u mahnit nga madhësia e zebrave, antilopave, hienave dhe babuinëve! Ndërkohë që katër shtazë shqyenin trupat e të rinjve, grupi i nxënësve i mbetur në qendër të klasës, kishte hipur mbi banka, duke kërkuar atë që ngjante si një vend i sigurt për t’u mbrojtur.Nxënësit mbi banka, panë me horror kafshët të përpinin trupat e shokëve. Pasi mbaruan me trupat e të rinjve, hienat u drejtuan nga nxënësit që ndodheshin mbi banka. Ato u munduan të kërcenin mbi mobiliet për të tërhequr poshtë nxënësit, por bankat ishin 180 cm të gjata dhe hienat nuk mund të kërcenin mbi to. Kjo lojë përmasash zgjati 20 minuta, në të cilat të rinjtë nuk nxorën asnjë psherëtimë, të shtangur nga kërcëllitjet që bënin dhëmbët e kafshëve në pjesët e drunjta të bankave!

Trrrriiinnggggggg

Zilja e përfundimit të orës së tretë u shoqërua me hapjen e zgavrave në dyert e klasës. Menjëherë katër hienat u drejtuan nga zgavrat dhe dolën nga dhoma. Zgavrat u mbyllën pa zhurmë me daljen e kafshëve dhe një qetësi e papërshtatshme me imazhin e trupave të shqyer ra mbi klasë.

-Ia doli!!!

-Dhe të mendosh që iu deshën vetëm tre muaj!!!

-E përsosur, mendoj që duhet ta vlerësojmë maksimalisht këtë projekt.

-Pse qeshni Shkëlqesi, ka ndonjë gjë që nuk shkon?

-Përkundrazi, buzëqesh, pasi projekti është akoma më mirë seç e prisja!

-Ha ha! Ju kuptoj, besoj se e di ç’po mendoni!

-Po, po …

30 minutat e orës së katërt kaluan pa u ndier. Nxënësit nuk guxuan të zbrisnin nga bankat, disa prej tyre qanin me ngashëri, disa të tjerë kishin vjellë nga pamja shtazore e trupave të shqyer. Të gjithë çuditërisht, nuk kishin këmbyer asnjë fjalë me njëri-tjetrin!

-Evolucion!

-Nuk ka prova shkencore për të hedhur poshtë vullnetin hyjnor!!

-Po talleni Shkëlqesi?

-Jo, por m’u duk shumë hipokrite që quhet humanist një njeri si Darwin dhe racist një njeri si Gebels, që fundja çoi më lart teoritë e anglezit.

-Homo superior?!

Në minutën e 31, nxënësit dëgjuan sërish të njëjtën zhurmë metalike. Ata kthyen sytë nga zgavrat dhe panë se si siluetat u zmadhuan me 50 cm. Nga zgavrat dy puma u futën në klasë dhe pasi hetuan me shikim mjedisin, kafshët kërcyen me shpejtësi mbi banka duke kapur dy nxënës. Nga impakti i hedhjes, pothuajse të gjithë të rinjtë ranë në dyshemenë e klasës. Ndërsa pumat nisën të shqyenin trupat e nxënësve, të tjerët nisën të kacavirreshin mbi dollapët që ishin në muret përballë dritareve. Dollapët, që shërbenin si mbajtës të pajisjeve laboratorike dhe si rafte librash, ishin aq të gjatë, sa arrinin pothuajse tavanin katër metra të klasës.

 

Duke zbritur shkallët e hyrjes qendrore të muzeut, Antonio Guerlinque mendoi se si kesadijat në të vërtetë kishin qenë shumë të shijshme dhe po të mos ishte për kamerierin e paedukatë, dreka do i kishte shijuar shumë. Ndërkohë që në kryqëzimin e parë pas muzeut, ai ndaloi për të blerë një Fortuna pa filtër, imazhi i një femre shtatzënë në një poster në murin vazhdues të tabakerisë, e futi në mendime. Specialisti rimendoi kohën kur studionte në Berlin dhe vizitën e prindërve të tij. Pasi nxori një cigare nga paketa e bardhë, ai e lëpiu atë dhe me kokën ulur u nis për nga godina e ministrisë. Gjatë rrugës, ai solli ndërmend rutinën e studentit në Berlin. Konviktin, baret, bibliotekën, shokun danez të dhomës, vizitën e prindërve dhe seksin e zhurmshëm që bënte me dashnorin e tij! Pasi kishin hipur mbi dollapë, nxënësit mundoheshin me të gjithë forcën të kapeshin pas tavanit, duke ushtruar presion me duart e tyre karshi murit. Pavarësisht gjerësisë së vogël, të rinjtë kishin krijuar një urë me trupat e tyre përmes fundit të dollapi dhe tavanit. Nuk u desh shumë që pumat të gllabëronin dy trupa dhe pasi përfunduan me to, kafshët iu drejtuan dollapëve. Nxënësit shikonin të tmerruar se si pumat mundoheshin të zgjatnin putrat e tyre drejt të rinjve. Kafshët hungërinin me të madhe sa herë që nuk arrinin të kapnin këmbët e nxënësve. Kjo lojë e mundimshme zgjati 27 minuta. Kohë që u diktua nga njëri prej nxënësve, i cili kishte përballë orën e klasës, që shënonte dy minuta nga përfundimi i orës!

-Ke dy vjet këtu dhe s’ke gjetur akoma të dashur?!

-Lëre rehat djalin.

-Po s’po e ngacmoj, thjesht më duket e çuditshme që një djalë i ri në këtë qytet të madh të mos ketë një të dashur!

-Ohu, po ne kemi e sjellë këtu për të studiuar e jo për t’u hallakatur!

-Baba, nuk kam pasur kohë për të dashura, programi shkollor është shumë i ngjeshur!

-Kur isha sa ty, kisha lënë tët ëmë shtatzënë dhe punoja!

-Po baba, e di, por kohët kanë ndryshuar!

-Bir, ki parasysh, që në një moshë të caktuar një burrë pa familje, është diçka e keqe …

Minutën e parafundit të orës, një zhurmë shurdhuese u dëgjua në klasë. Nxënësit që kishin pothuajse gjysmë orë mbi dollapë, panë se si një sharrë e madhe rrethore doli nga cepi i derës së dytë në fund të dhomës. Sharra rrethore, që u ngjante sharrave të përdorura në fabrikat industriale të përpunimit të drurit, nisi të priste në mes dollapët ku ishin strehuar nxënësit! Pumat u frikësuan nga objekti dhe zhurma e panjohur dhe u larguan me të shpejtë në fillim të klasës. Nxënësit filluan të binin në dysheme bashkë me pjesët e sipërme të dollapëve, duke u dërrmuar nga rënia. Por secili prej tyre u ringrit me shpejtësi për t’u larguar sa më shumë nga sharra dhe kafshët. Pumat pasi panë rënien e nxënësve u bënë gati për sulm, duke ulur kokën mes këmbeve të para dhe duke ngritur pjesën e pasme të trupit. Në çastin që kafshët dukej sikur ishin gati të kërcenin mbi nxënësit, zilja e orës së pestë ra. Zgavrat u hapën sërish dhe kafshët u larguan nga kishin hyrë.

-Atëherë u vendos?

-Dhe unë mendoj që ky projekt është i duhuri!

-Shkëlqesi?

Tashmë nga 30 nxënësit që përbënin A3, kishin mbetur vetëm dhjetë! Hienat kishin shqyer 13 prej tyre, ndërsa pumat pesë! Nxënësit vunë re që dy prej shokëve nuk kishin qenë të shkathët e ishin prerë nga sharra rrethore! Klasa ishte e mbushur me trupat e copëtuar të të rinjve. Një pështjellim ere gjaku, fekalesh dhe të vjellash kishte rënduar ajrin në pamundësi! 10 nxënësit e mbetur, tashmë mezi mbaheshin në këmbë. Ata mbështeteshin te njëri-tjetri, të frikësuar dhe të lodhur. Duke parë nga zgavrat e dy dyerve të klasës. Kthimi nga Berlini kishte qenë i vështirë për Antonion. Pasi kishte kaluar disa javë në shtëpinë e prindërve, Guerlinque ishte nisur për pushime në Barcelonë. Atje, ai kishte marrë me qira një dhomë të vogël në një pension buzë detit. Dhoma e pensionit i kujtonte disi dhomën e konviktit në Berlin, por gjithçka tjetër e qytetit i dukej e mërzitshme dhe mbytëse. Ditën e tretë të pushimeve kishte zbuluar një bar tapas pranë portit të vjetër dhe atje kalonte pothuajse të gjitha mbrëmjet. Në njërën prej tyre, kishte njohur një burrë rreth të 50-ave. Bari përgjithësisht frekuentohej nga peshkatarët e qytetit, të cilët dalloheshin nga disa bereta të kuqërremta. Ata porositnin gjithmonë një përzierje konjaku të lirë dhe distilatesh vendalie që quhej Kalimocho! Nuk kishte qenë e vështirë të dallonte burrin 50-vjeçar mes marinarëve, ai ishte i vetmi që ishte veshur me të bardha, e në vend të beretës mbante një panama të bardhë!

-Është e thurur me dorë?

-Ah e vutë re?

-Duket nga larg që nuk është mall turistësh!

-Ha ha ha! Po e vërtetë!

-Më falni, unë quhem Antonio Guerlinque.

-Ah, unë Jorge Josellito.

-Mund të ulem më ju?

-Po ju lutem!

-Është kaq e vështirë të shohësh njerëz të mbajtur në këtë pjesë të qytetit!

-Më të mbajtur, nënkuptoni në moshë??

-Ah jo, jo …

-Mos u shqetësoni, ishte thjesht një batutë!

-Ha ha ha! Të them të drejtën u bëra kureshtar për panamanë tuaj!

-E kam blerë në Venezuelë, para tri viteve!

-Me të vërtetë, duket kaq e re!

-Njerëzit përgjithësisht gabojnë në lidhje me panamatë! Në fakt, përveç emrit, këto kapele nuk të bëjnë me shtetin e Noriegës.

-Ashtu?

-Po, panamatë origjinale janë venezuelase dhe të mirat dallohen thjesht.

-Si?

-Sipas legjendës, një panama e vërtetë mund të përthyhet aq herë sa të futet në xhepin e pantallonave.

-Ha ha ha!

Minutën e 20 të orës së gjashtë zgavrat u zmadhuan sërish. Nxënësit u kapluan nga një frikë e re. Dy orët e mëparshme zgavrat kishin ndryshuar gjithmonë në minutën e 30. Të shtangur të rinjtë nuk mund të lëviznin dhe panë se si zgavrat u hapën dhe përmes tyre 15 fëmijë u futën në klasë. Disa prej tyre njohën bashkëmoshatarët nga dy kurset e tjera të shkollës. Nxënësit e rinj kishin nisën të klithnin me të madhe kur panë gjakun, mishin e trupave të shqyer. Nxënësit e kursit A3 u larguan drejt këndit të majtë në fillim të klasës, përballë dritares së parë. Ndërsa nxënësit e rinj u munduan të largoheshin nga mbetjet e trupave dhe dollapëve, duke u shpërndarë në qendër të klasës.

 

  • Keni mbaruar në “Uberschule”?
  • Po, e njihni?
  • E si s’mund ta njoh! Është një institucion në fushën e arsimit kontinental! Kam qenë gjithmonë i interesuar ndaj mësimdhënies gjermane, pavarësisht se tashmë është e ndarë dhe e mefshtë, Gjermania ka qenë gjithnjë shembull për t’u ndjekur!
  • Të them të drejtën kështu mendoj dhe unë, ndaj zgjodha Berlinin!
  • Po kur të ktheheni në Madrid, çdo të bëni?
  • Në ç’kuptim?
  • Në atë profesional!
  • Aha, nuk e di akoma në fakt, nuk kam kërkuar asnjë punë!
  • E përsosur.
  • Si?!
  • Mund t’ju sugjeroj një vend pune, ku një djalë si ju do të mund të bënte shumë për sistemin arsimor kombëtar! Bëhet fjalë për vendin e një specialisti në Ministrinë e Fesë dhe Arsimit.
  • Në ministri?!
  • Kuptoj befasinë tuaj, por puna që kam menduar për ju, nuk ka të bëjë me burokracitë, por me hartimin e një projekti në lidhje me reformën arsimore në vend!

 

Në minutën e 31 të orës së gjashtë, sërish zhurma metalike bëri eko në klasë! Të rinjtë që deri atëherë kishin vështruar njëri-tjetrin me frikë, kthyen sytë nga zgavrat. Ata panë se si prej tyre gjashtë luanë meshkuj u futën në klasë.

Nxënësit e dy kurseve të tjera, duke qenë në mes të klasës, u sulmuan menjëherë nga kafshët. Tre luanët u hodhën me vrull dhe dhunë në mes të nxënësve, duke shqyer e copëtuar trupat e të rinjve të pafuqishëm.

Nxënësit pranë dritares së parë në fillim të klasës, nisën me mundim të ngjiteshin mbi dërrasën e zezë, duke gërricur me thonj sipërfaqen për të arritur në parvazin mbi dërrasën e zezë. Parvazi ishte i gjerë 35 cm dhe shtrihej gjatë gjithë murit ballor të klasës. Ai kishte ngelur nga periudha kur ndërtesa kishte qenë në pronësi të kishës dhe poshtë tij, dikur kishte pasur tri nënndarje, ku priftërinjtë vendosnin mjetet e punës për mirëmbajtjen e kopshtit!

-Të tjerët janë dakord?

-Po, besoj se kemi arritur në një përfundim pozitiv!

-Unë mendoj që nesër të njoftojmë zotin Antonio Guerlinque për nisjen e programit pilot në gjimnazin “Senhor Ucupe” të Seviljes. Falënderoj dhe Shkëlqesinë Josellito për ndihmesën në këshillim.

-Është gjithnjë kënaqësi, zotërinj.

-Nuk dukeni i kënaqur Shkëlqesi!

-Përkundrazi, rikthimi i uniformave në gjimnaze do ta përmirësonte tej mase mësimmbajtjen. Fundja reformimi është i tillë, kur rikthehesh në zanafillë!

 

Ndërkohë që 10 nxënësit mbi dërrasën e zezë shihnin me horror se si gjashtë grabitqarët copëtuan trupat e të rinjve deri në kockë, zilja e orës së gjashtë ra! Zhurma e ziles u shoqërua me hapjen e zgavrave dhe largimin e kafshëve. Pavarësisht largimit të luanëve, nxënësit nuk zbritën nga dërrasa e zezë, por qëndruan aty për 10 sekonda, pas të cilave një zhurmë tjetër u dëgjua! Koha e mbarimit të cigares kishte zgjatur sa rruga për te ministria. Specialisti Antonio Guerlinque kishte vendosur se ishte e pamundur të realizohej një reformë arsimore në atë kohë! Ndaj e vetmja gjë që mund të bënte për të justifikuar besimin e dhënë nga këshilli arsimor, ishte të sajonte diçka! Duke hapur derën e zyrës, iu kujtua dita e fundit e pushimeve në Barcelonë!

-Merreni, e keni dhuratë nga unë!

-Panamanë tuaj?!

-Po, le të jetë një kujtim i ditëve tona të nxehta!

-Ha ha ha! E të mendosh që para se t’ju njihja nuk kisha asnjë vlerësim për njerëzit në uniformë!!!

Zhurma metalike u shoqërua me daljen e një siluete përgjatë dyshemesë, poshtë dollapëve të prerë, trupave të copëtuar e bankave. Fëmijët panë se si dyshemeja u hap në gjysmë dhe çdo mbeturinë e atij makthi ra poshtë zgavrës së tej madhe. Një zhurmë tjetër u shoqërua me tërheqjen e hekurave nga jashtë dritareve dhe copave metalike nga brenda dyerve. Pak çaste kaluan dhe mësuesja hyri në klasë nga dera e parë. Ajo pa fëmijët mbi dërrasë dhe i urdhëroi të zbrisnin e të uleshin në vendet e tyre. Nxënësit zbritën nga parvazi mbi dërrasën e zezë dhe me ngathtësi u ulën në banka, duke parë të frikësuar dhe të zbehtë nga mësuesja! Mësuesja vështroi në heshtje për disa çaste klasën e përgjysmuar dhe tha:

-Shpëtuat vetëm se jeni klasa ime kujdestare. Nesër kemi përmbledhjen e dy kapitujve të fundit. Pas fjalëve, mësuesja u largua nga klasa, duke lënë derën e dhomës hapur.

 

 

 

 

 

 

Share This:

blunavi.com