Rikard Larja: Klasiket e mi…

 

Ka vite që klasikët nuk lexohen më si më parë dhe kjo vjen për shkak të ritmit të sotëm të jetës. Nuk ka më kohë njeri të lexojë Balzakun, faqe të tëra nga Tolstoi. Jeta ecën më me shpejtësi se përshkrimet që bëhen në këta libra. Mirëpo nuk mund të mohosh vlerën e tyre. Unë hyj tek ata njerëz që jam rritur me këtë lloj letërsie; që kur isha adoleshent, 16-17 vjeç, kam nisur të lexoj këta libra. Falë një biblioteke të madhe që kisha në shtëpi, leximi i librave ishte një joshje, e cila më kishte grishur herët nga leximet e nënës sime. Ndoshta leximi i këtyre librave mprehu herët tek unë ëndrrën për t’u bërë një shkrimtar. Falë librave nisa të shkruaj dhe ende vazhdoj ta bëj. Koha jonë ishte ajo kur lexoheshin klasikët. Sot, ajo kohë duket si epoka e gurit apo epoka e Neandertalit. Në njëfarë mënyre ishim brez me fat, sepse kishim kohë të tepërt dhe lexonim, lexonim pa pushim. Nuk kishte televizion, nuk kishte internet, nuk kishte telefona “pa tela” bashkë me gjithçka që ato përmbajnë brenda për të komunikuar, pa u parë, pa u prekur, pa u nuhatur, e pa, pa, pa … Në atë kohë letra e librit kthehej faqe pas faqeje dhe secili sipas dijeve të tij, përvojës, kulturës, imagjinatës, lexonte dhe vetëm lexonte. Në atë kohë lexoheshin me kënaqësi klasikët qindra faqesh, kurse sot, shumë pak prej tyre mund të lexohen: Çehovi, Mopassani, Cvajgu etj. Kurse Tolstoi lexohej me qindra faqe për një histori që mund të ishte thënë më shkurt, Dikensi, Balzaku … Ata ishin gjeni që zhbirilonin thellë shpirtin e njeriut, kohën, marrëdhëniet sociale dhe në njëfarë mënyre, librat e tyre janë libra historie, që të mësosh se në çfarë rruge ka ecur historia e njerëzimit. Duke filluar nga “Epi i Gilgameshit”, “Iliada”, klasikët grekë, e paharruar letërsinë amerikane dhe të asaj të jugut. Sot po nuk shkrove shkurt, sado i zoti të jesh nuk të lexon njeri. Por dhe ne kemi klasikët tanë, siç është Gjergj Fishta. Unë do ta quaja Fishtën jo vetëm një klasik të madh, por dhe një sarkazist të madh. Vargjet e tij janë sarkazma që edhe sot i flasin shoqërisë. Por klasikët do të jenë gjithmonë aty si libra që do të lexohen në çdo kohë, pasi gjykatësi më i mirë i librave është koha. Unë lexoj pak nga librat që botohen tani, për shkak të kohës, por dhe një mënyre të lexuari që është formuar herët tek unë me një lloj letërsie që i pëlqen të bëjë dy vëllime për tradhtinë, që mund t’i bëjë të shoqit Ana Karenina, sesa ta shkruajë thjesht në dy faqe tregimi. Por koha dhe jeta ka ecur me shpejtësi dhe format e leximit që të rinjtë zgjedhin sot janë nga më të ndryshmet dhe nuk mund të përjashtohen …

 

Share This:

blunavi.com