Vjen Dopjo Gjashta

Darien Levani sjell romanin e dyte ne shqip

 

“Dopio gjashta”, një titull provokues apo një lojë e re me letra me letërsinë?

Një titull që u vendos se ishte një metaforë e asaj që ndodh në libër, e jo vetëm. Ka të bëjë me lojën që luajnë personazhet, por edhe me zhvillimin e historisë, siç do ta zbulojë vetë lexuesi. Është si një element që shfaqet e rishfaqet gjatë gjithë historisë, si një rreth vicioz prej të cilit nuk shpëton dot njeri.

Si është procesi i punës me romanin e dytë, çfarë është kjo për shkrimtarin?

 Për mua personalisht ka shumë kërkim. Nuk shkruaj kurrë një libër tafti-bafti. Ka argumente që më pëlqejnë – gjyqi dhe e drejta, historia, sporti – e mbi të cilët mundohem që të kuptoj sa më shumë që mundem. Informohem, studioj, krijoj një ide … Pastaj mund të ndodhë që kam një shkëndijë dhe kjo është pak a shumë e rastësishme, se si mund ta fus në një kornizë romani. Nëse kjo ndodh, atëherë ulem e shkruaj, pa e detyruar kurrë veten. Kur historia është aq e pjekur, e bëj pa shumë mundime, se gati-gati shkruhet vetë.

Nuk ka heronj në Shqipëri, shkruani ju në libër … 

Jo, sepse ideja që kemi për heronjtë është shumë e idealizuar. Kemi njerëz normalë që sillen si heronj. Në atdhe, një punëtor që mezi mban familjen me bukë, sot për sot, për mua është hero, një nëpunës që çon para në këtë shtet, me të mirat e me të këqijat që dimë, është po ashtu hero.

 

 

Letërsia juaj rreket të mos i largohet shumë realitetit, kjo ndodh se si avokat kërkoni të ndryshoni me shkrimin atë me të cilën përballeni gjithnjë në realitet?

Edhe sepse bota është aq e ndërlikuar, saqë kam edhe dëshirë për të dhënë botëkuptimin që kam.

Si mund ta përshkruanit me fjalët tuaja këtë roman?

Si një histori interesante, që lexohet shpejt e që të lë diçka të rëndësishme pasi e mbaron.

Çfarë prisni nga “Dopio gjashta”, të kthehet në bestseller … apo të mbetet përgjithmonë në një kënd të bibliotekës të çdokujt?

Të lexohet nga sa më shumë njerëz dhe të gjejnë një reagim brenda vetes.

Kufiri i së mirës është një nocion në librin tuaj … ?

Po, deri diku po, por këtu futemi në një çështje e në një kufi shumë të vështirë për t’u shpjeguar. Ndryshe nga sa mendojmë e dëgjojmë rëndom, nuk jemi të gjithë bashkëfajtorë njësoj, se nuk është njësoj ai që kryen një vepër të shëmtuar me atë që nuk e ndalon a, sipas rastit, edhe e pëson. Kjo është e rëndësishme, duhet thënë, rithënë e stërthënë derisa të na ngulitet mirë në kokë.

Si është të shkruani në një gjuhë tjetër dhe të jetoni në një gjuhë tjetër … Gjuha sa e rëndësishme është si nocion e mendim?

Për mua gjuha është e rëndësishme si peshë e si fjalë. Duhet të ketë tingullin e vet që të futet e të rrijë në një fjali bashkë me shoqet e saja. Në këtë kuptim, pak ndryshon gjuha që përdoret, rëndësi ka se sa rehat e ndien veten me të. Pas shumë vitesh studimi e pune në Itali, e ndiej veten mirë. Për më shumë, gjuha që përdor gjatë punës, pra fjalori juridik, është edhe ajo një gjuhë në vetvete.

Ka një stil shkrimi që ju pëlqen, një shkrimtar që ju vjen si model në shkrimin e çdo libri?

Jo, nuk kam e as nuk besoj te modelet. Ka shumë që më pëlqejnë e te secili, qofshin këta edhe shkrimtarë të këqij, mësoj diçka. Ka shumë që për momentin po më pëlqejnë e mundohem të kuptoj. Sa për të thënë vetëm një emër, po them Dashiell Hammet.

 

Ç’ndodh kur një libër përfundon?

Fillon puna e vërtetë dhe e mërzitshme. Korrigjimi, rileximi e shumë procese të tjera. Por, edhe kur këto mbarojnë, kam një ndjesi të bukur, sepse kuptoj që libri ka marrë rrugën e tij e tashmë nuk më përket më.

 

Share This:

blunavi.com