Nobeli dhe kopshtsat e Luksemburgut

 

 

ALDA BARDHYLI

Ismail Kadare ndodhet në Paris këto ditë vjeshte, në apartamentin që ndan jo shumë larg Patrick Modianos, fituesin e vjetshëm të çmimit “Nobel” në letërsi. Në librin që botoi këtë vit “Mëngjese në kafe Rostand” ai bën një rrëfim për Modianon, në ato takimet e shkurtra në kopshtsat e Luksemburgut, teksa ndanin të njëjtën rrugë për shëtitjet e pasmesditës. Një ditë sipas dokeve të Tiranës, siç rrëfen Kadare, ata i folën në emër njëri-tjetrit. Ai i tha se e merrte çdo mëngjes kafen në “Rostand” dhe ai (Modiano) i tha se “e di”. Një vit më vonë, në gazetat franceze do të shfaqeshin të dy në listat e kandidatëve për çmimin “Nobel”. Jo gjithnjë qëllonte që dy kopshtas të Luksemburgut të gjendeshin në të njëjtën listë të “Nobelit”. I vetmi ndryshim ishte se Kadare gjendej ndoshta për të tridhjetën herë, ndërsa ai për herë të parë. Dhe ashtu si Beket u përgjigj në telefon kur i thanë se kishte fituar “Nobelin”, ai imagjinonte Modianon teksa thoshte të njëjtën përgjigje kur akademia suedeze i ra telefonit të tij “quel horreur!” (ç’tmerr!). Parisi është një gjendje e ndjerë letrare, ndoshta për këtë arsye tetori ndihet më mirë në këtë qytet. Nëse Gertrude Stein do ishte gjallë sot, do kishte lënë rrugën “Fleuris” nr. 27, ku i pëlqente të rrinte me shkrimtarët e kohës dhe do të ndalonte në kafe “Rostand”, për të qenë pranë shkrimtarit shqiptar në momentin e ndarjes së çmimit “Nobel”. Gruaja që Hemingway i besonte sekretet më të fshehta dhe Pikaso i argumentonte forcën e ngjyrave, me instinktin e një kritikeje që e ndien nga larg erën e letërsisë së mirë, do ta ndalonte pikërisht aty, ku sot duhet të shkojë ky çmim. Në historinë e letërsisë së këtij gjysmëshekulli Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë. Me pjesën më të madhe të jetës së kaluar nën komunizëm, ai është shembulli më i mirë sesi letërsia mund t’i shpëtojë diktaturës dhe njëkohësisht të ngrihet kundër saj. “Dimri i vetmisë së madhe”, “Pallati i ëndrrave”, “Kronikë në gur”, vepra të shkuara në kulmin e sistemit Stalinist, i tregojnë botës se komunizmi ka qenë i pranishëm në botë deri pak kohësh. Në një kohë nostalgjie, për të shkuarën, veprat e Kadaresë na bëjnë të mos harrojmë, përmes jetës së zymtë të një Shqipërie gati-gati tragjike, që udhëton përmes librave në librari të ndryshme në botë, si një shembull që nuk duhet të përsëritet. Librat e tij nuk janë thjesht letërsi. Ai na lejon përmes saj të shohim sesi mund ta shndërrojë njeriun mungesa e lirisë, dhe sesi një identitet thellësisht europian mund të mbahet gjallë në kushtet e një sistemi të egër totalitar. I dashuruar me gjuhën, ai e ngre shqipen në piedestalin që asaj i takon, si pjesë e vjetër e gjuhëve indoeuropiane, duke nxjerrë në pah europianizimin e saj. Kadare ka besuar herët në Europën ku kërkojmë të futemi sot, dhe nuk e ka fshehur këtë në librat e tij, duke u bërë pararendës i së ardhmes që do të vinte një ditë në vendin e tij. Ashtu si shumë kritikë vënë re, e vërteta mbi ekzistencën e Kadaresë qëndron në kontradiksionet e tij. Ai është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtar i identitetit të lashtë. Ai është një alterego e diktatorit dhe i ndëshkuar prej tij. Debateve të ngritura shpesh mbi disidencën u përgjigjen më së miri veprat e tij. Një disidencën e shfaqur herët, me elegancën e një shkrimtari kalibri, që duhet ta kishte marrë me kohë çmimin “Nobel”. Në të gjitha kontekstet gjeopolitike, të cilat Akademia Suedeze ka ndjekur këto dy dekada, asnjë shkrimtar si ai nga moria e atyre që çdo vit janë nderuar me këtë çmim nuk i ka pasur të gjitha kreditet e merituara për këtë çmim. Kadare ka qenë aty, si një kandidat që vinte nga një prej vendeve që ka jetuar komunizmin më të errët në Ballkan, por dhe si një shkrimtar, vepra e të cilit ka përshkruar hartën e gjuhëve të botës. I krahasuar me Kafkën, ai e ka tejkaluar atë, duke vazhduar të shkruajë shpesh dhe tepër modern. Nuk do mjaftonin ca rreshta për të përshkruar forcën e një letërsie që më shumë se e tillë, është historia jonë, një histori për të cilën kujtohemi më shpesh ditëve të para të tetorit, kur emri i tij renditet bri emrave më të mirë të letërsisë sot, dhe gjatë muajve të tjerë të vitit na pëlqen të endemi në faqe gazetash që kërkojnë të hedhin mjegull mbi emrin e tij. Le të shpresojmë që do ketë diell në Paris sot, në kopshtsat e Luksemburgut, kur Kadare dhe Modiano do shëtisin këtë mesditë…

Share This: