Të përkthesh Martin Amis

Bisedë me shqipëruesin Fari Lacka

 

“Takimet me Martin Amis nuk janë të thjeshta”. Kështu do t’i quante orët e gjata të punës për të përkthyer në gjuhën gjermane librat më të njohur të këtij autori përkthyesi Werner Schmitz. Pavarësisht gjuhës dhe frazave në dukje të thjeshta, kërkon një përgatitje të madhe kulturore përpara se “të takohesh me të” sipas Schmitz. I konsideruar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të këtij shekulli, dhe për vetë polemikën aktuale që mbajnë veprat e tij, Amis këtë vit ka ardhur dhe për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Saras”. “Treni i natës” është romani i tij i parë në gjuhën shqipe, përkthyer nga Fari Laçka. Një libër që na çon në Brooklin e sotëm, përmes një historie ku mund të gjejë veten çdo lexues pavarësisht se ku jeton. Dramat bashkëkohore, dhe gjërat më të ndjeshme me të cilat shoqëria përballet sot, përbën boshtin e librave të Amis. Kjo vjen dhe nga angazhimi i tij gjithnjë e më në rritje në jetën sociale politike, duke qenë shpesh në qendër të polemikave mbi çështje siç është ajo e terrorizmit, ose emigracionit në SHBA. “Treni i natës” është një histori që lexohet lehtë. Një libër jo voluminoz, por që mbart brenda shumë tema që gjejnë zgjedhje përmes faqeve të leximit, si dhuna, incesti, vetëvrasja dhe dashuria. Më poshtë përkthyesi Fari Laçka vjen në një rrëfim mbi këtë autor.

Së afërmi pritet që shtëpia botuese të hedhë në treg një tjetër libër të autorit Martin Amis, i titulluar “Shtëpia e takimeve”? Ç’mund të na thoni për shkrimtarin?

Ky libër vjen në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm me shtëpinë botuese “Saras”, në përpjekjen për të sjellë në shqip larmi veprash, autorësh dhe tematikash.  Në përgjithësi, të përmbledhësh opinionin për një njeri të letrave, apo artit në përgjithësi, e për një shkrimtar si Martin Amis në veçanti, vetëm në një paragraf, apo në disa rreshta, po të përdorim një shprehje popullore, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Në fakt, unë mendoj se një shkrimtar nuk duhet ‘lexuar’, por ‘studiuar’. Besoj se vepra e cilitdo prej tyre mbështetet në përvojën vetjake, e cila sintetizohet pastaj në mendimet, ose estetikën e shkrimtarit ose shkrimtares në veprat e tyre. Prandaj, gjatë përkthimit të një vepre letrare, vështirësia e  punës së përkthyesit paraqitet në disa rrafshe. Kultura e vendit e gjuhës nga vjen vepra, e gjuhës amtare, e autorit dhe pastaj ajo e fituar nga vetë përkthyesi. Në këtë pikë, Martin Amis mund ta quajë autor jo pak të vështirë. Babai i tij ishte shkrimtar me emër. Pra, familja i ka trashëguar dell artisti. Në Shqipëri, vepra e tij po vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Saras” vetëm tani në vitin 2015, ndërkohë që ai është i njohur në shumë vende të botës dhe fitues i shumë çmimeve.

Përpara se të përkthenit Amis, ju keni sjellë në shqip sagën e njohur të librave ku ndërthuret trilleri me historinë të një tjetër  shkrimtari britanik, Jason Goodwin. Ku ndryshojnë dhe ngjasojnë këta dy autorë?

E përbashkëta e tyre është se janë të dy autorë bashkëkohorë britanikë dhe të dy rrjedhin nga familje me tradita letrare. Kurse e veçanta, te fakti se ata përcjellin tematika dhe epoka të ndryshme. Nëse si histori, Goodwin e mbështeste veprën te periudha e shekullit XIX, kur Perandorisë Osmane po i vinte fundi, Amis është më i shqetësuar për krizat dhe problemet që po kalon në përgjithësi shoqëria njerëzore sot. Shumë vetë e dinë se ai është shumë i angazhuar me trajtimin e temave sociale dhe diskutimin mbi to. E veçantë tjetër është dhe stili. Jason përdorte një mënyrë të përshkruari me të cilën ndoshta shprehte edhe njëfarë nostalgjie për kohën që kishte kaluar vetë në Stamboll, të cilin e përshkruan mjaft bukur, ndërsa Amis, përdor herë një stil më të dendur, e herë më të thjeshtuar, që bie sidomos në sy në librin e dytë, “Shtëpia e takimeve”.

“Treni i natës”, libri i parë i tij i botuar rreth dy muaj më parë, kishte si temë zvetënimin e vlerave të shoqërisë së sotme, po tema qendrore e librit “Shtëpia e takimeve”?

Kjo pyetje lidhet me atë që shpreha pak më parë. Amis në brendi të veprës së tij ka një larmishmëri të habitshme. Nëse lexuesit do të lexonin librat e tij, pa e ditur se kush është autori, me siguri që do të thoshin se nuk janë shkruar nga një dorë, ose mendje. Është e vërtetë që në librin e parë, si bazë për librin ka marrë një dukuri tepër të hasur, për fat të keq, edhe në shoqërinë shqiptare: vetëvrasja. Por, ai e përdor këtë argument për të shtjelluar pikëpamjet e tij mbi shoqërinë në përgjithësi, mbi problemet aktuale, si dhuna në familje, dhuna ndaj gruas, depresioni, obeziteti, alkoolizmi etj. Është vërtet e mahnitshme që në ato pak faqe të librit, përqendrohet një mori e tillë temash e problemesh. Te “Shtëpia e takimeve”,  ai ka vendosur të trajtojë një vend dhe sistem të cilin nuk e ka jetuar vetë. Ngjarja zhvillohet në Rusi, ose më mirë në ish-Bashkimin Sovjetik. Sigurisht që ai nuk është as i pari dhe as i fundit që ka bërë një libër për periudhën e stalinizmit, apo komunizmit në Rusi. Për këtë kanë parë dritën e botimit me dhjetëra libra histori, por përshkrimi nga ana letrare, i jep një ngjarjeje gjithnjë forcë më të madhe emocionale. Kjo ngjarje zhvillohet në pjesën më të madhe në gulagun e famshëm të regjimit komunist në Rusi. Shumëkush i njeh këto kampe pune të detyruara, ku sipas të dhënave vdiqën shumë njerëz. Mos harrojmë se të njëjtën strategji ndoqi edhe regjimi komunist në Shqipëri, i frymëzuar kryekëput nga ai sovjetik. Një  regjim majmunesk, do ta quaja unë, i cili nuk kurseu jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe ata që kishin derdhur gjak e sakrifikuar me ëndrrën për të vendosur një regjim të së drejtës, të lirisë dhe barazisë. Por, siç thotë autori, kjo ëndërr u kthye në zhgjëndërr, në njëDelirium Tremens.  Jo më kot personazhi kryesor i librit është një ish-partizan, pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore, i cili në vend të meritave, një ditë të bukur merr dhjetë vjet dënim me punë të detyruar dhe sakaq e sheh veten të rrethuar nga telat me gjemba.

Dhe pse duket një autor i errët, dashuria nuk mungon në librat e tij?

Dashuria, kjo ndjenjë e cila, ndërkohë që duket sikur Amis kërkon ta shmangë, shfaqet edhe më fuqishëm. Libri flet për historinë e pazakontë të dy vëllezërve, të cilët bien në dashuri me të njëjtën grua. Një ‘trekëndësh dashurie’ siç e quan autori që në fillim. Dilema është: kë do të zgjedhë Zoja, një femër e bukur hebreje, vëllain e madh, ish-partizan, i pashëm, i fuqishëm, me emër, apo vëllain tjetër Leon, më të vogël në moshë, thatanik, i shëmtuar, pa asnjë përvojë?

Megjithatë, një roman i Martin Amis nuk është se orvatet vetëm në një temë…?

Po, e drejtë, në një roman të këtij autori mund të gjesh disa tema. Ndër to do të përmendja raportin shtet-individ, i cili siç dihet në atë periudhë ishte krijuar në formën më të keqe të mundshme, gjë të cilën për fat të keq e hasim edhe sot. Është tema e terrorizmit, tepër bashkëkohore, e cila ka ngritur në këmbë shumë shtete e qeveri, por autori tërthorazi del në idenë se ai që quhet terrorizëm jo rrallë përkrahet dhe mbështetet edhe nga vetë shteti. Pra, është terrorizëm shtetëror që bëhet për qëllime të caktuara, të cilat vështirë se kuptohen nga njerëz të zakonshëm. Në majë të kësaj pene të hollë kritikuese vendoset edhe shtypi që shumë shpesh manipulon në funksion të shtetit e synimeve të errëta.

Çfarë kanë të përbashkët këto personazhe?

E përbashkëta qëndron në faktin se deri në njëfarë mase të tre janë viktima të sistemit ku bënin pjesë. Dy vëllezërit u dënuan dhe vuajtën në gulag, ndërkohë që edhe Zoja, nuk ishte më pak e burgosur jashtë telave me gjemba të kampit. Në fakt, atmosfera e përshkruar është disi e zymtë. Pjesën më të madhe shkrimtari flet për gulagun në zonat më të ftohta, në Arktik, por më i ftohtë se klima ishte sistemi i asaj kohe në Bashkimin Sovjetik, ku pa dallim, edhe vetë qytetarët rusë u ndien të zhgënjyer nga rrjedha që mori historia. Dy vëllezërit janë burgosur në një kamp pune të detyruar, ku për një kohë të gjatë nuk shihnin diell me sy dhe e vetmja gjë që i ngrohte ishte ndjenja dhe kujtimet për gruan që e dashuronin të dy: Zojën. Dashuria ishte motivi që mbante gjallë shpresën e tyre të venitur dhe ëndrrat e shuara. Ndërsa, për të tjerat ata paraqesin dy anë diametralisht të kundërta. Vëllai i madh një njeri i ashpër, i dhunshëm jo vetëm për shkak të kohës së kaluar në luftë, por edhe për atë pas luftës, ku për të mbijetuar njerëzit ktheheshin në shtazë, në ujq për njëri-tjetrin. Madje, është interesante se hierarkinë e të burgosurve autori e ka shprehur nëpërmjet personifikimit. Disa të burgosur i quan derra, disa gjarpërinj, disa shushunja, e kështu me radhë.

Ky libër i ri i Amis, duket sikur do t’i kujtojë lexuesit të shkuarën tonë…siç është dhe komunizmi?

Të them të drejtën, kohën e komunizmit në vendin tonë e kam përjetuar në momentet e tij të fundit, por mjaftueshëm sa të jap një gjykim timin. Megjithatë, më kujtohen shumë mirë për shembull radhët e gjata për të blerë shumë produkte që mungonin, ndër të cilat edhe më elementarja: buka. Ky është vetëm një aspekt, sepse në librin e tij Amis cek edhe marrëdhëniet e artistëve, sidomos e shkrimtarëve me pushtet. Ai thotë shprehimisht kështu: dy ishin alternativat, ose bashkëpunimi, ose vdekja. Nga kjo dhe nga shumë të tjera, duket sikur autori ka jetuar edhe në Shqipërinë e epokës së komunizmit. Por, pikërisht ky është gjenialiteti i tij. Siç e thotë edhe vetë te ‘Falënderimet’, ai është frymëzuar edhe nga shumë libra e autorë të tjerë, si për shembull Montefiore, i përkthyer edhe në shqip.

Cilat ishin vështirësitë gjatë këtij përkthimi?

Sipas mendimit tim, në njëfarë mënyre, çdo përkthim ka vështirësinë e vet. Edhe te ky libër vështirësitë dalin në planin leksikor, domethënë të fjalëve që është e natyrshme t’i mungojnë leksikut, dhe në atë stilistik, mënyra e të rrëfyerit. Amis është shumë cinik dhe i thellë në mendim.

Pse një lexues duhet të lexojë librat e Amis?

Pa dashur të biem në klishe, dihet që shijet nuk gjykohen. Në këtë pikëpamje, edhe lexuesi në përgjithësi zgjedh llojin letrar, autorin apo temë që i pëlqen. Por, unë do të thosha se ky libër do t’u shërbente të dyja kategorive të lexuesve: atyre që e kanë përjetuar nga afër një regjim të egër si komunizmin, por edhe atyre që nuk kanë qenë pjesë e tij. Kjo shërben që historinë jo thjesht ta lexojmë, por ta studiojmë, të mos e harrojmë, ndërkohë që brezat e rinj të nxjerrin mësimet e duhura dhe të shmangin përsëritjen e epokave kaq të errëta për njeriun. Ata që shijojnë letërsinë e vërtetë, kurrsesi nuk do të ndihen të zhgënjyer nga një autori si Martin Amis. Ndërsa unë do ta përktheja gjithnjë me po aq endje, edhe pse kur  punoj me veprën e tij, kam përherë dilemën se çfarë mund të kisha bërë edhe më mirë.

Share This: