Letërsia shqipe gjatë vitit 2015

 

Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Ben Blushi, Agron Tufa, Namik Dokle, Rudolf Marku, Ilirian Zhupa, Darien Levani, Enit Karafili, Besa Myftiu, autorët që prezantuan libra të rinj gjatë këtij viti

 

 

“A ka humbur letërsia e mirë?” Kjo ishte një nga pyetjet që dominoi recensionet dhe kritikat e revistave të njohura letrare në botë gjatë vitit 2015. Në një intervistë të dhënë gjatë këtij viti, romancierja e njohur, Edna Obrein, (intervista botohet këtë numër të revistës “Saras”) ngre pikëpyetje mbi atë ku po shkojnë botimet sot, duke thënë se “letërsia e mirë prej vitesh është në agoni”. Por ndërsa shkrimtarë si Obrein apo Martin Amis vazhdojnë të besojnë se jo gjithnjë botimi i një libri është ngjarje dhe mund ta vendosë shkrimtarin përfundimisht në panteonin e librave që mund të lexohen në çdo kohë, tregu i librit edhe këtë vit në botë është dominuar nga libra bestseller. Duket sikur letërsia ka rënë në “grackën” e të qenët “në modë”, duke dashur ta mbajë lexuesin me çdo kusht dhe duke bërë “kompromise” që kohë më parë as që mund të mendoheshin. Kjo duket nga temat e trajtuara në libra, nga erotizmi deri te debatet fetare apo temat e identitetit, të cilat në një farë mënyre kanë qenë boshti i botimeve të vitit 2015. Por çfarë ka ndodhur me letërsinë shqipe gjatë vitit 2015? A ndryshoi kurba e saj nga kurba e letërsisë që bëhet në Europë apo Perëndim? Në një vështrim të shpejtë, një lexues i rregullt i letërsisë mund të dallojë lehtë se letërsia e këtij viti shkoi në sinkron me debatin më të madh që Shqipëria ka këto 20 vite atë të hapjes apo jo të dosjeve të Sigurimit. Një pjesë e librave të rinj të botuar këtë vit kishin si subjekt të shkuarën, duke treguar se e shkuara vazhdon të jetë një temë e ndjeshme jo vetëm e letërsisë, por edhe e shoqërisë sonë. Shkrimtari Bashkim Shehu, i cili vitet e fundit është shumë aktiv në letërsi dhe në fushën e përkthimit, erdhi në fillim të këtij viti (janar) me romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”. Një roman që, sipas autorit është shkruar më herët në vitin 2013-2014, por që e solli për lexuesin në fillim të 2015-s. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës dhe pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekt për ndërtimin e bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri. Tema e diktaturës është dhe boshti i romanit të ri të shkrimtarit Agron Tufa. Një roman provokues mund të quhet për vetë debatin që mbart brenda, siç është përdhunimi i femrave gjatë komunizmit. Duket që puna në Institutin e Krimeve ndaj Komunizmit i ka dhënë lëndë Tufës për të eksploruar me gjuhën e letërsisë këtë temë delikate. “Gurit të varrit ia tregoj”, u prezantua për lexuesin gjatë Panairit të Librit në nëntor. Besa Myftiu erdhi në ditët e fundit të dhjetorit me një roman, i cili që në titull paralajmëron atë çfarë tregon. “Dashuri në kohën e komunizmit” quhet libri, i cili, sipas kritikut të “Le Figaro”, Astrid dë Larminand, mbart brenda diçka shekspiriane. Shkrimtari Fatos Kongoli vazhdon të ruajë një ritual të takimeve të tij të përvitshme me lexuesin, duke prezantuar çdo vit një libër të ri. “Gjëmia e mbytur” quhet romani që ai prezantoi këtë fillimviti. Një roman homazh për jetët e humbura gjatë komunizmit, një kohë të cilën Kongoli e njeh shumë mirë, për shkak të viteve të kaluara në të. Por ky është dhe një libër që ngre pyetje ekzistenciale mbi natyrën njerëzore, nga dhuna, te vrasja e ndërgjegjes, ndjesa e dashuria. Duket si një rrugëtim mbi plagët e së shkuarës, po aq sa edhe një inkursion i brendshëm. Njeriu mund t’ua fshehë gjërat të tjerëve, por jo vetes …

Ben Blushi, një tjetër autor nga më të vlerësuarit këtë vite, do të vinte për lexuesin me romanin “Kandidati”. Si një rrëfimtar zotërues, Blushi duket se e përdor letërsinë për të trazuar ujërat politike apo shoqërore. Ky roman merr përsipër të tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Njëri nga kandidatët për Bashkinë e Basenit vdes papritur pas hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë fiton. Zgjedhjet në Basen marrin një kthesë të papritur, për shkak të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti të pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuar rrëmujë dhe trazira në qytet. Kandidati është një roman që kërkon të vizatojë me fantazi, me cinizëm dhe stil Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën Ben Blushi e njeh shumë mirë … Këtë vit, letërsia shqipe ka njohur dhe dy rikthime të dy autorëve të njohur në vitet ’80. Ata janë Rudolf Marku dhe Ilirjan Zhupa. “Tre divorcet e Viktor N” quhet romani që e bëri Rudolf Markun të parin shkrimtar që nderohet me çmimin letrar “Kadare”. Një roman mbi zhgënjimin e madh të një shqiptari që jeton prej 15 vitesh në Londër, e ka cilësuar shkrimtari. Megjithëse edhe autori jeton në kryeqytetin britanik, saktëson se nuk ka asnjë element biografik. Një rrëfim që e bën protagonistin të kalojë divorce nga më të çuditshmit, një syresh edhe me një shtet … “Të gjallë e të vdekur”, quhet përmbledhja me poezi e Ilirjan Zhupës. Një libër i lajmëruar qysh në vitin 1992, e gjeti rrugën e botimit vetëm 23 vite pas. “Koha e kaluar vit pas viti më bindën se nga kjo ngrehinë, e paralajmëruar në gazetën ‘Drita’, unë kisha vetëm një dorë poezish që i përgjigjeshin idesë ekzistenciale të këtij organizmi, të kësaj ndërmarrjeje strukturore e materiale. Në 23 vjet ‘dolën të tepërta’ shumë nga poezitë e variantit të parë të librit. Ky libër është bërë çdo natë dhe çdo ditë të jetës sime” … Kështu tregon autori për këtë libër, i cili u promovua në tetor të këtij viti. I njohur si një personazh politik, Namik Dokle befasoi me mënyrën e tij të të rrëfyerit te romani “Vajzat e mjegullës” që prezantoi një muaj më parë gjatë Panairit të Librit. Një libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat, aq sa edhe mbi gjurmët e shëmtuara të komunizmit. E vjetra, e reja, e shkuara, e sotmja, të moçmit e më të vegjlit, miqtë e të paftuarit, të huajt e të afërmit, legjendat dhe historia, besëtytnitë dhe besimi në Zot, festat dhe vajtimet, mësuesit e jetës dhe ata të librave, varfëria dhe shpirti i pasur, traditat e një populli dhe përpjekjet e dhunshme të një shteti për ndërtimin e idealeve të rinj, dielli dhe mjegulla … të gjitha të sjella në sytë e një fëmije, me një shije realizmi magjik prej stilit dhe narracionit. Enit Karafili, autorja e romanit “Tokëmjalta” mund të quhet si “zbulim” i këtij viti. Prej vitesh e angazhuar në studimin e letërsisë angleze, Enit iu rikthye shkrimit duke ardhur për herë të parë me një roman që për nga stili dhe gjuha të kujton letërsinë e Jane Austen, tepër e dashur për autoren. “Tokëmjalta” është një rrëfim i shtruar, qetësues në sipërfaqe, e megjithatë mbartës i kontradiktave të modernitetit tonë sa të ngutur, aq edhe të vonuar. Një dashuri e hershme, rrjedha e së cilës bëhet jehonë e jetëve të rrëmbyeshme e të lodhshme të shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë; dy personazhe të plota, të fuqishme, që duhen, ndahen, përpiqen e pothuajse digjen në betejën e tyre për t’u gjetur përsëri. Pleksur me këta shpirtra luftarakë, zbulojmë një rrëfimtar që, si një varkë e vogël, pa vrulle të mëdha, lundron mbi rrafshin e një bote sa pa tronditje, aq edhe pa rehati. Dy rrugëtime drejt lumturisë, dy mendësi të kundërta … Darien Levani një autor i ri, erdhi këtë vit me romanin e tij të dytë “Dopio Gjashta”. Në Shqipëri, e keqja, me germë të madhe, ka fytyrën e një polici të korruptuar, të një vrasësi të paskrupullt, të një krimineli të vetëkënaqur. Ajo na shfaqet përditë në televizion, në gazeta e në rrugë. Po e mira ku është? Ajo merr trajtën e njerëzve të thjeshtë, të stërmunduar e të zhgënjyer, por aspak të kulluar; edhe ata plot me dredhi e prapësi, megjithatë e dinë gjithmonë ndryshimin midis së mirës dhe së keqes. Kjo është e mira shqiptare. Sikur vetëm të dilte nga kllapia e kafeneve. Gazmend Krasniqi prezantoi këtë fundviti librin “Romani i lumturisë” një rrëfim gati filozofik mbi raportet njerëzore, stil i njohur i këtij autorit. Albatros Rexhaj erdhi këtë vit me romanin “Rebelimi i Lulusë”. Një letër e gjatë, gjithnjë drejtuar Lúlus, ku monologu kthehet në dialog të arrirë në pritje që zërit të autorit t’i shtohet edhe zëri yt. Mes ideologjish që duhen përqafuar, mes udhësh që duhen ndjekur, mes përpjekjesh për t’u përsosur, shoqëria shqiptare po kërkon një fytyrë përfaqësuese për shqiptaren dhe shqiptarin bashkëkohor.

Kim Mehmeti, “Shpërngulja e të vdekurve”

Kim Mehmeti ka zgjedhur që romani i tij më i fundit “Shpërngulja e të vdekurve”, botuar nga “Saras”, të rrëfejë kujtimet që evokon një gjyshe, gjyshja e tij. Edhe pse libri është prodhim i imagjinatës dhe vetë autori rrëfen se nuk ka jetuar me gjyshërit e nuk ka dëgjuar histori e legjenda prej tyre, mbështetet mbi një realitet dhe kontekst historik. Autori pohon se nëpërmjet këtij romani ka mëtuar të ndërtojë një përmendore për gruan shqiptare të Maqedonisë dhe flijimit të tyre për të mbajtur gjallë dhe të paprekur tiparet e dallueshmërisë.

 

 

 

Gazmend Krasniqi “Romani i lumturisë”

 

 

“Arti si mëkat” dhe “Kukulla”, nga Kadareja

“Arti si mëkat” është një sprovë letrare, ku Kadareja zbërthen lidhjet e artistit dhe shkrimtarit me artin dhe letërsinë. Ka dy fate artistësh. Një palë lindin dhe rriten në shtëpi ku arti ka hyrë, ndërkaq: biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pasdarkeve miqtë flasin për letërsinë, artet dhe spiritizmin. Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. “Kukulla” është romani ku shkrimtari i mirënjohur rrëfehet për nënën. Jo vetëm si profil, por edhe si një rrëfim i një natyre intime mbi misterin që vishet Gjirokastra prej aneve. Ky rast i këtij profili mbi nënën, për herë të parë tjetërson Kadarenë duke iu larguar “gjykimeve” të ashpra.

“Ambasadori i Melkizedekut”, nga Veton Surroi

Ky libër sjell shënimet heretike të Surroit për eksperimentimet politike të çastit dhe rastësisë, dilemat ideologjike-religjioze e deri te realitetet politike e kriminale që e kanë sjellë Kosovën në gjendjen në të cilën është. Në 283 faqet e librit janë qindra histori, të mëdha e të vogla, të shkëputura prej njëra-tjetrës, por të ndërlidhura ngushtë brenda rrëfimit, në masë të madhe edhe tragjik, për shqiptarët dhe Kosovën. Surroi flet hapur edhe për rrezikun që shqiptarëve u kërcënohet nga ekstremizmi islamik dhe putinizmi, në kohën kur rrugëtimi drejt demokracisë liberale dhe integrimeve europiane u është ndërlikuar shumë nga të tjerët, por më së shumti nga vetvetja.

Luan Starova, “Kartagjena nuk mposhtet”

Në vitin 1991, miku i tij, poeti Ali Podrimja, botoi në Prishtinë të vetmen përmbledhje poetike të shkrimtarit Luan Starova “Kartagjena nuk mposhtet”. Titulli metaforik i së cilës, duke pasur parasysh kohën dhe kushtet e botimit, të bënte të mendosh se është shkruar pikërisht për Kosovën. Kjo bëri që vepra të mos mbërrinte dot deri te lexuesi. Kopjet e dala nga shtypshkronja u sekuestruan dhe u dogjën nga xhandarmëria serbe. Podrimja arriti të shpëtonte pesë prej tyre … 24 vjet më pas, libri ka mbërritur në të gjitha libraritë e Tiranës, nën logon e shtëpisë botuese “Poeteka”. Poezi ku gërshetohen trualli i thatë dhe drita vetëtimtare, rërat e shkretëtirës dhe furtunat e detit, alfabeti i shkrimit dhe vullkanet e asgjësimit.

“Në gjuhën e zgjimit”, Lindita Komani

Ky libër flet për lëndën dhe trajtën, i hershmi për frymën e botës estetike të autores. Në gjuhën simbolike të zgjimit simbolik përvijohen në vijat thelbësore, jo tjetër pos trazimeve e shpresave thelbësore përmes një ndriçimi e synimi rigjenerues, po të tillë, thelbësor të një gjeometrie simbolike vlerash. Kështu, një rrjetë dominuese simbolike i hidhet përmbi rrjetës fabulore – kur ka një të tillë; personazhet mendojnë e lëvizin natyrshëm, por njëherësh ‘të kushtëzuar’ në lirinë e plotë të tyre prej emrit – koncept a simbol me të cilin janë pagëzuar.

Share This: