Qazim Shemaj… Disa orë me lirikun e vërtetë

Në hapësirën e bardhë të kompjuterit, ai zgjedh vargjet që Pushkini ia kushtoi Ana Kernës, për të m’i recituar këtë të diel. “Kujtoj me mall një çast gëzimi/përpara sysh m’u shfaqe ti/ si vezullim i një vegimi/ si engjëll plot me bukuri…”. Pas tij një bibliotekë e madhe mban gjithë jetën e tij. Libra që kanë ndenjur dikur në tryezën e tij në redaksinë e “Hostenit”, apo mbi tavolina në biseda me miq. Diku dalloj një botim të hershëm të një vëllimi me poezi “Fletorja e mesnatës” e Dritëro Agolli. Mes tyre dallojnë botimet ruse. Me kapakët jeshilë, të fortë, dhe pse janë botime që datojnë në vitin 1955 siç është një përmbledhje e Pushkinit, që ndodhet mbi tryezën e punës, krejt ndryshe nga cilësia e botimeve të “Naim Frashërit”. Por nuk është cilësia e botimit ajo çfarë i bën të veçohen në këtë bibliotekë këta libra, por shpirti që mbajnë brenda. Letërsia ruse do të kishte një ndikim të madh në brezin e letrarëve të rinj shqiptarë pas viteve ’60, po kështu dhe në shkollat shqiptare pas çlirimit. Poezitë e Pushkinit, Eseninit, Lermontovi, Majakovskit do të brumosnin sa e sa poetë të rinj në Shqipërinë e atyre viteve. Qazim Shemaj është një prej tyre, që sot veçon Lermontovin për vetë magjinë që mbartin vargjet e tij, po kështu dhe Eseninin. Por sot në këtë skaj të jetës së tij, është Pushkini ai që do ta nderonte për punën e tij. Vetëm dy muaj më parë më 17 nëntor 2015, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Rusi” në Akademinë e Shkencave do të zhvillohej promovimi i përmbledhjes me poezi të përkthyer në shqip të poetit të njohur rus, Vlladimir Masalov, sot zv.kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë. Në këtë ceremoni, Rusia do të nderonte me Medaljen e Artë që mban emrin e Pushkinit përkthyesin e vargjeve të Masalovit, profesor Qazim Shemajn me motivacionin “Për besnikëri ndaj fjalës dhe punës” për meritat e tij në popullarizimin e literaturës ruse në Shqipëri”.

Ambasadori rus në Tiranë, Alexandër Karpushin, duke dekoruar ShemajnAmbasadori rus në Tiranë, Alexandër Karpushin, duke dekoruar Shemajn

Në tryezën e drunjtë në familjen Shemaj, kjo dekoratë është më shumë se një emocion. Është vlerësim i një pune të gjatë udhëhequr gjithnjë nga dashuria, dhe modestia që kanë njerëz si Shemaj. Me një karrierë më shumë se 50-vjeçare në fushën e letrave shqipe, si gazetar , poet apo kritik letrar, ai ka zgjedhur të flasë përmes punës, e cila ka qenë moto e hershme e tij. “Vetëm një njeri që shkruan e di dhembjen e shkrimit”, thotë ai, teksa tregon procesin e shndërrimit të një vargu në shqipen tonë të bukur. Është diçka që dhemb, por dhe diçka pa të cilën Shemaj nuk mund të rri pa ia ndier tingullin. Muzikën që lëshojnë vargjet në çastin kur shqipëruesi ka arritur t’i veshë me fjalët e duhura. Një poezi mund ta mbyllë disa ditë brenda, në atë torturën e ëmbël për të arritur plotësinë. Nga Pushkini duhet të ketë përkthyer deri tani rreth 25 poezi. Dhe pse këta poetë të njohur rusë kanë ardhur në shqip nga emra të tjerë të përkthimit, siç është Jorgo Bllaci apo Ismail Kadare, çdo shqipërues i jep botën e tij, duke na dhënë mundësi si lexues të zgjedhim variantin tonë. Si poet, Shemaj e ndien më lehtë gjuhën e një poeti tjetër. Është një komunikim përmes fjalës që shkrihet në ato vargje që të bëjnë ta lexosh ende me ëndje këngën e tij plot dëshpërim dhe dashuri për Ana Kërnën. Letërsia nuk është një rastësi në jetën e Qazim Shemajt. Të gjitha kujtimet për jetën kanë dhe rrëfime librash brenda. Nuk ka asnjë çast në jetën e tij familjare apo shoqërore të mos jetë i shoqëruar me një vegim letrar. Vargjet e para i shkroi herët. Librin e parë me poezi do ta përgatiste gjatë kohës që bënte shërbimin ushtarak, për ta botuar më 1975-n. “Daullja e festivalit” quhet vëllimi poetik, të cilin ai kishte menduar ta titullonte “Fryn erë e vendlindjes”, por enti botues kishte zgjedhur këtë libër. Djaloshit nga Tepelena botimi i këtij libri do ta afronte më shumë me ëndrrën që kishte atë periudhë për studime për letërsinë. Për shkak të një biografie jo të mirë të disa kushërinjve të tij, kjo rrugë nuk do të ishte e lehtë. Ai përfundon studimet me korrespodencë për letërsi në Gjirokastër me rezultate shumë të mira, të cilat do t’i japin mundësi të vijë një vit në Tiranë (1984-1985) për pasuniversitar për kritikë letrare. Ishin miq si Sabri Godo ose Dritëro Agolli, të cilët e kishin lexuar që do t’i jepnin mundësinë e qëndrimit në Tiranë. Deri në vitet ’90, Shemaj do të punonte si gazetar i revistës “Hosteni”, një punë të cilën e kujton sot si një kohë të rëndësishme në zhvillimin e mendimit kritik shqip. Me kryeredaktorin Niko Nikolla do të ndanin jo vetëm marrëdhënie pune, por dhe biseda të ndjera mbi letrat. Qëndrimi në Tiranë do ta bënte Shemajn të ishte pranë atmosferës letrare të kohës duke qenë shpesh protagonist me librat e rinj që do të botonte me poezi apo shkrime kritike. Është një jetë e tërë, e cila zbret para teje sapo të grishet nga një bisedë. Silueta personazhesh që kanë bërë jetën letrare të kohës vijnë përmes rrëfimeve. I tillë është dhe Koçi Petriti këtë të diel. Shemaj këto kohë ka rilexuar sërish përmbledhjen e tij me poezi, duke veçuar jo vetëm lirikën e Koçit, por dhe mënyrën sesi ai i ka dhënë jetë baladës, duke e konsideruar si një nga baladistët më të mirë të letrave tona. Është një vëllim me shënime të autorit, duke treguar çastet kur i ka shkruar. “Petriti mbetet thellësisht realist në vargjet e tij”, thotë Shemaj, duke e quajtur atë një vëzhgues të mirë të jetës. Gjen një dritë vërtetësie mendimi te personazhe që kanë kontribuar para viteve ’90, gjë që është e vështirë ta gjesh në personazhe që janë rritur në këto dy dekadat e fundit. Mendimi, ai që mungon kaq shumë dhe në atë çfarë ndodh në letrat shqipe, vazhdon të jetë si elementi kryesor i gjykimit te këta njerëz. Pothuajse çdo rrëfim mbi një personazh të së shkuarës, shoqërohet mbi një mendim mbi veprën e tij. I tillë është dhe Anastas Kondo, ish zv/ministër i Kulturës dhe Arsimit gjatë sistemit të kaluar, për të cilin Shemaj thotë se ishte një nga përkrahësit e të rinjve letrarë. I ardhur nga klasa punëtore ai kishte një dashamirësi ndaj letërsisë së mirë. Kondo e dalloi nga larg siluetën e letrarit të ri që botonte te “Drita” duke e ndalur makinën në çast. Kjo duhet të ketë ndodhur më shumë se 20 vjet më parë në Tepelenë. Atë ditë që kaloi me inspektim në një nga shkollat e qytetit, dhe me biseda mbi letërsinë e kohës, Shemaj e kujton si njohjen me dimensionin e një njeriu që pati në dorë fatin e sa e sa krijuesve, por që në thelb ishte një rrëfimtar. Koleksione të gazetës “Drita” apo “Hosteni” nuk mungojnë në biblioteka të njerëzve të tillë. Duket sikur këto apartamente të vogla ku ndajnë jetën janë kthyer në ruajtësit më të mirë të kujtesës sonë. Shemaj jeton me kujtesën, në fakt ajo është pjesë e rëndësishme e ditëve të tij, tashmë që ka lënë dhe mësimdhënien. “Lotët e një gruaje më gërryejnë si gurin/Psherëtimat e saj/si molat më brejnë/Shtigjet pas i  lashë me humbje/Përpara më presin kurthe të reja…”, janë disa vargje të tij në poezinë “Kentaur”. “Pasi përfundon së lexuari librin me lirika të zgjedhura të Qazim Shemajt gjen edhe një shtysë më shumë për të ripërsëritur: “Lirika e qëlluar është drama e lirikut të vërtetë. Në një truall me fat të trishtë, por edhe me një lexues si i yni, të cilin s’e kemi lënë të marrë frymë në luftën për ekzistencë nuk ka qenë as e lehtë për të lexuar e shijuar lirikat. Aq më shumë për t’i shkruar ato. Qazim Shemaj ia ka dalë mbanë”, do të shkruante për të kohë më parë prozatori Faruk Myrtaj. Lirikat e tij të largojnë nga ky apartament i thjeshtë ku poeti sot ndan jetën me të shoqen Diturinë, e kthehen në historinë tënde, duke ngacmuar kujtesën për të ndalur në çastet kur në jetën tënde i ke jetuar ato. Ky është fati i poetit, të shndërrojë jetë, mijëra jetë dhe kur e tija është thjesht një luftë e vazhdueshme ashtu siç shkruan dhe ai te poezia “Fati”. ” Nuk mund të isha gur, në helme e dhembje burri, Po fati im – gjarpër guri!

Share This: