Gëzim Tafa: Një siluetë e shpejtë për Ana Ortesen

 

 “Duhet të mësoj të vërtetën për Anën, jo vetëm për të ardhmen, por për vitet e shkuara, për ato vite që kemi jetuar bashkë …” Kështu nis romani “Ku është Ana” i autorëve Biagio Proietti e Diana Crispo, botuar për herë të parë në Itali para dyzet vitesh. Kjo vepër e emocioneve të trazuara është ndërtuar mbi një histori urbane me strukturë të thjeshtë dhe intensitet dramatik. Ana Ortese dhe Karlo nuk bëjnë pjesë në shtresën e lartë të shoqërisë. Nuk kanë fëmijë dhe jetojnë në një apartament të vogël në Romë. Ai është librar, ndërsa ajo sekretare në një kompani ndërtimi me emër të madh. Janë të dashuruar me njëri-tjetrin, të paktën kështu beson Karloja, derisa një pasdite dhjetori ajo zhduket në mënyrë të mistershme, duke lënë pas histori të shumta dhe dyshime. Ishte njëzet e nëntë vjeç. – Kisha një imazh të saktë për Anën, kujtoja se dija gjithçka rreth saj … Kam frikë sa kam jetuar dy vjet pranë një gruaje që nuk ishte ajo që unë besoja … Ky rrëfim i sinqertë i Karlos, në kushtet e humbjes së shpresës për të gjetur ndonjë gjurmë jete të bashkëshortes, artikulohet përballë dilemave të frikës, dëshpërimit dhe tradhtisë. Në bashkëjetesën e tyre pa shumë dallgë, por edhe në shoqëri, arratisja e befasishme e Anës, përveç dhembjes, ka ngritur pikëpyetje të shumta. Ana është natyrë e ndryshme nga personazhet e tjera të kësaj tipologjie në letërsinë botërore. Nuk është romantike, as sentimentale. Ajo nuk e ka famën dhe fatin e Sonja Marmeladovas, të Dostojevskit, te “Krim dhe ndëshkim”, e cila është e detyruar të prostituojë për shkak të kushteve të vështira të familjes, për të siguruar minimumin jetik. Ajo nuk është e njohur as si Odeta te “Kur dashuron Suani”, i Marcel Prustit dhe nuk mund të ketë parapëlqyer një jetë pa komplekse si të saj. Nuk është si Ana Karenina e Tolstoit dhe në dukje nuk ka arsye që të sakrifikojë familjen si ajo për kont Aleksei Vronskin. Por Ana Ortese ka një pozicion të lakmueshëm në një kompani të rëndësishme ndërtimi. Pra ajo nuk mund të ketë bërë as Lolitën, për shkak të ekzistencës dhe është një personazh i ndërtuar mbi histori që nuk i takojnë asaj, e gjithsesi spikatës. Sipas gojëve komunitare, Ana është gruaja tradhtare, e cila është arratisur për të realizuar qëllimet e saj. Ngjarjet që rrjedhin njëra pas tjetrës me emocion dhe faktet e pakta që gjenden aty-këtu e forcojnë këtë mendim. Por më shumë se fakt, ngjarja e saj tingëllon si rrëfenjë urbane e stisur. Vetë Ana nuk është askund e pranishme në roman, nuk shfaqet asnjëherë dhe të kujton Godonë e Samuel Beckett-it. Tiparet e saj vizatohen me kujdes deri në detaje nëpërmjet personazheve të tjera. Simpatike, elegante, energjike dhe e hedhur, cilësi këto që e ligjërojnë natyrën e tradhtares. Njëri nga personazhet kyç në vepër është shprehur se: kur jeton për katër vjet rresht në një zyrë pranë njëri-tjetrit ose do të urrehesh, ose do të bëhesh mikeshë … Kaq mjafton për të ndërtuar më shumë histori për t’i servirur si konsum për sytë e botës, por edhe si alibi për të mbuluar një krim. Kur kjo biografi pasurohet edhe me elemente rrethanore socialë, bëhet edhe më bindëse. Edhe Karloja, që besonte verbërisht te bashkëshortja, kapitullon ngadalë pas zbulimit të disa fakteve të trishta. Vështruar nëpërmjet kësaj linje, Ana është më shumë se tradhtare, është model dhe produkt i kohës. Si e tillë nuk mund të jetë përjashtim. Ky personazh endet drejt një vizualiteti të kujdesshëm, duke ndriçuar herë pas here ato pjesë të strukturës që kanë më shumë intensitet emocional. Ai është i ndërtuar mbi tri linja paralele, dashurinë, tradhtinë, krimin, të cilat duhen ndjekur me kujdes, sepse ndihmojnë në qartësimin e një terreni të rrezikshëm. Ditët dhe netët e Karlos në kërkim të gjurmëve do ta çojnë në zbulimin e një misteri të frikshëm dhe që e vendos të gjithë historinë në një marrëdhënie kritike. Inxhinier Lari, shefi i Anës, që është zhdukur në të njëjtën ditë me të, gjendet i vdekur brenda një makine. Por cilin rol ka luajtur ajo në këtë ngjarje: të dashurën apo vrasësen? Pse? Natyra komplekse dhe e hedhur e Anës nuk lë mundësi për hamendësime të tjera. Duke e ndjekur Karlon në këtë rrugëtim ferri zbulojmë anën e errët të Romës, të shoqërisë së metropolit të populluar me personalitete dhe interesa tronditëse, aftësi dhe argumente meskine, si produkt i strukturave të krimit. “Ku është Ana”, është vepër psikologjike ngarkuar me shumë ankth. Karlo “naiv” është i bindur se bashkëshortja e tij është ende gjallë dhe se, ndryshe nga mendimi i organeve hetimore, ajo ka qenë e detyruar të tradhtojë. Por askush nuk ka mundësi të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Ajo ishte gjendur në kohën dhe vendin e gabuar. Duke lexuar në tavolinën e sekretares një dosje të ndaluar, atë fillimdhjetori, nuk e kishte menduar se do të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë … Trupi i saj u gjet mbas disa muajve i shkrumbuar brenda një makine në rrethinat e kryeqytetit. Ndërkohë, autorët e ndërtimit të kësaj drame i kishin rrëmbyer identitetin dhe udhëtonin të lirë përtej Italisë, njëkohësisht duke u kujdesur në shoqëri edhe për historinë e tradhtisë së saj. Ana Ortese ishte përdorur si objekt, ndërsa Karloja kishte ndjekur vetëm fantazma duke i identifikuar me imazhin e saj. Për shumë kohë, në sytë dhe veshët e botës ajo kishte qenë bashkëshorte, dashnore, kurvë, vrasëse, edhe pse kishte qenë një mëkatare pa mëkat. Është një vazhdimi i historisë së sotme.

Share This:

blunavi.com