Këpucët e diktatorit

ERMIR NIKA

 

Ndoshta çdokush që është endur dhe ka shtegtuar udhëve të botës, është i pavetëdijshëm kur në jetën e tij befas mbërrin nirvana. Në rast se do të pranoja atë çka predikonin budistët në filozofinë e tyre rreth nirvanës, atëkohë njeriu zotëron kthjellimin. Jo rrallëherë atij i qëllon të përballet me situata nga më të paparashikueshmet; edhe pse qenia njerëzore ka jetuar epokën së cilës i përket ardhja e saj në këtë botë, është një e vërtetë e hidhur fakti se, nga e gjithë kjo e kaluar, nuk  mundet dot të nxjerrë as edhe një përfundim. Kjo përshtypje përftohet, sepse cilido nga ne nuk është i bindur nëse ka jetuar vërtet apo gjithë sa ka përjetuar, kanë qenë vetëm një shkreptimë veguese që pluskon vetëm një herë në një çast të vetëm në galaktikë. Paskëtaj njeriut i lind një dëshirë e çmendur për të rrëfyer për veten dhe për ata që janë ndodhur në udhën e tij qoftë edhe si kalimtarë, në atë sferë të tejdukshme që njerëzit e quajnë jetë.

Kështu, edhe unë jetova në sferën time dhe sillesha rreth një orbite pa cak, në një relativitet të ngjashëm me sistemin e trupave qiellorë. Brenda kësaj hapësire të mysët, ku depërton drita dhe errësira, fjala dhe heshtja, ku ndihesh hero dhe viktimë, protagonist dhe i privuar njëherazi, unë gjalloj ende, duke ndjekur gjurmët që në trurin tim ka lënë nata. Edhe sot, kur mendja më është kthjelluar dhe gjykimi im është bërë më i ashpër, vë re se askush nuk shfaq interes në unë jetoj ose në mund të kem ekzistuar ndonjëherë, nëse kam ndarë me ta ajrin ose gjithçka tjetër që i lipset një gjallese. Dhe e gjithë kjo më acaron pa masë.

Në vogëli prindërit më ushqenin me idenë se unë, ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi, isha një fëmijë inteligjent. Sot, ndër gjërat që kam më për zemër, është të rijetoj, qoftë edhe një herë, atë që iku bashkë me vitet. Por, për fat të keq, e gjitha është e fokusuar në një kuadër retrospektiv të sfumuar e, sa herë bëj sintezën e asaj që shkoi, s’di pse kujtesa më ndalet te Drini, miku im i viteve studentore. Dhe ajo që më duket e çuditshme nën peshën e shumë ndjesive të mbartura me emocion, është fakti se kujtimi për të është i lidhur pazgjidhshmërisht me këpucët që ai mbathte gjatë viteve të fakultetit. Ndoshta kjo mund të tingëllojë si diçka absurde, por edhe gjërat në dukje të pakuptimta ruajnë domethënien e tyre.

Në ato vite ne ndiqnim studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe ndiheshim çuditërisht të lumtur në vendin e izoluar nga bota dhe mendimi i lirë, vend që  pati ngecur si cironkë në rrjetat e ankthit dhe të panikut të përndjekjeve, sidomos pas Plenumit të Katërt të PPSH, kur të gjithë ne u përngjanim personazheve të pazëshme të filmave të Çaplinit. Ndonëse aso kohe ishim në një moshë fare të re, shumë gjëra i kuptonim ashtu siç i përjetonim, duke ndier njëherazi përgjegjësi për hapat që hidhnim në udhën e vështirë e të gjarpëruar të asaj që quhet jetë. Në ato vite, të gjithë njerëzit qenë kredhur në një uniformitet të stisur si nga veshja, modeli i flokëve, të menduarit, të gjykuarit, gjestet dhe të folurit.

Ajo që e bënte Drinin interesant dhe të dallueshëm nga ne të tjerët, ishin pikërisht këpucët e tij. Edhe për këtë fakt zakonisht kaq të parëndësishëm gjendej një arsye që të bënte të gëlltiteshe me vështirësi. Familja e Drinit i përkiste një dege të trungut farefisnor të diktatorit. Por ai, për çudinë tonë të madhe, këtë fakt nuk e përmendte, ndoshta se nuk donte të shfaqte epërsi ndaj shokëve dhe atyre që e njihnin. Ndaj mundohej të tregohej sa më i thjeshtë dhe parimor në çdo gjest e veprim të tij. Dhe kjo shërbente si tregues e shembull mjaft kuptimplotë për ne. Ndër shokët e fakultetit, në paraqitjen e tij të jashtme dallohej fare qartë një tipar që nuk mund të anashkalohej lehtë pa u komentuar prej të gjithëve. Por ky fakt jo fort i zakonshëm kishte të bënte me mënyrën e veshjes së tij, e cila ndryshonte dukshëm nga ajo e  studentëve të tjerë, po të mos përmend këtu shokët kinezë dhe uniformat e tyre të dokut blu, që shfaqeshin rëndom nëpër korridoret e ngushta dhe auditorët që gumëzhinin nga grupet e studentëve të huaj me aspirata marksiste. Ai dhe të afërmit e tij përgjithësisht visheshin me ato rroba që diktatori i pastronte nga gardëroba e tij dhe, nga kjo ndarje e rrobave të diktatorit, sipas lidhjes së gjakut, Drinit i patën rënë këpucët.

– Kur u ndanë, këto na ranë, – mërmërinte një ditë me vete, teksa mbathte këpucët pas orës së edukimit fizik.

Këto fjalë të lëshuara papandehur bënë që të tjerët të hapnin edhe më shumë veshët, për të ditur edhe më shumë rreth historisë së tyre. Në mendjen time s’di pse më fanitej legjenda e pasvdekjes së Skënderbeut, kur jeniçerët ia copëtuan trupin dhe copëzat e eshtrave i varën në qafë si hajmali. Nga investigimet e kryera, mësuam se ato këpucët e një modeli tepër klasik dhe aspak për moshën e tij të re, ishin mbathur nga diktatori vetëm në raste të veçanta, kur atij i duhej të ndërmerrte udhëtime jashtë Shqipërisë. Në qarqet intelektuale të fakultetit, qarkullonin zëra se ishin pikërisht këto këpucë shkaku i vërtetë që Nikita Hrushovi përplasi bujshëm këpucën e tij në foltoren e OKB-së. Hrushovi nuk mund ta duronte dot nëpërkëmbjen që u bënë këpucët e Enver Hoxhës këpucëve të  tij. Dhe kur? Në mbledhjen e 81 partive të kampit socialist, që u zhvillua në Moskë në vitin 1960. Për shtetin komunist që sundonte ato vite në vendin tonë, ato këpucë – të Drinit – na dukeshin si thembra e Akilit. Madje, teksa shpejtonim për të kapur orën e parë të leksionit, mundoheshim të ecnim në të njëjtin hap me Drinin. E pse jo? Nën atë ritëm lëvizte asaj kohe e gjithë Shqipëria. Në mendje na gëlonte ideja se tashmë edhe ne marshonim në udhën e historisë dhe se kjo ishte mënyra më e mirë për të qenë në rregull me kërkesat e regjimit. Bota atëherë ishte përfshirë nga vala e Bitëllsave, kurse ne kënaqësinë më të madhe e kishim kur, në fshehtësi të plotë, organizonim ndonjë mbrëmje me muzikë rok, që në atë sistem ishte rreptësisht e ndaluar.

Tani, kur u rikthehem atyre çasteve, kuptoj se ajo që guxonim të bënim, ishte me të vërtetë një marrëzi, pasojë e një lajthitjeje kolektive nën një regjim të çmendur.

Mbaj mend se Drini zakonisht ulej në rreshtin e parë dhe këmbët hollake e të gjata si lejlek i shtrinte përpara, kështu që dilnin në pah dukshëm, hijerënda dhe plot shkëlqim, këpucët e diktatorit. Prandaj dhe profesori që jepte lëndën e historisë së partisë, sa herë që i qëllonte të shpjegonte komplotin sovjetik në ndarjen e madhe të kampit socialist ose intrigat e grupit puçist, i mbante sytë me vështrimin ngulur te këmbët e shtrira të Drinit, sikur të kërkonte prej tyre ndonjë miratim. Fytyra e tij shprehte nota ngazëllimi dhe mbulohej me nur të paqtë, kur njëra këmbë luante poshtë e lart në shenjë miratimi për atë çka kumtonte pedagogu. Por, kur këto të fundit heshtnin dhe nuk reagonin, duke u kredhur në një mënjanësi të kobshme, me pedagogun ndodhte e kundërta: ai bëhej meit në fytyrë, mblidhej si hut në vendin e tij dhe bënte sikur plotësonte regjistrin, duke iu vjedhur vështrimeve tona.

Por në këtë përshpirtje për të kaluarën, nuk mund të shlyej kujtimin tim për Sumbën, vajzën me ngjyrë nga Afrika e Jugut, e cila, në kohën e aparteidit studionte në Shqipëri për filozofi marksiste. Ishte pikërisht ajo vajzë që më plagosi ëndrrat, dhe ndjeva për të parën herë në jetën time përvëlimin e zjarrit të ndjenjës më sublime, dashurisë.

Ajo ishte dy vjet pas meje në një tjetër fakultet, por ne takoheshim gati çdo pasdite në hapësirat e poligonit të qitjes, që shtrihej diku pranë Qytetit Studenti. Këto takime disi të rastësishme i sajoja pikërisht unë, me qëllimin e vetëm për t’u lidhur me të. Pas shumë orvatjesh sfilitëse, unë i propozova Sumbës për martesë, por ajo më refuzoi për shkak se jetën e saj kishte vendosur t’ia kushtonte revolucionit. Nga kjo gjë mua më mbyti një trishtim dërrmues. Ecja rrugëve si i çartur duke përsëritur nën zë:

“Sumba, pse… pse…? Ne do të lidhnim jetën të dy. Unë do të ngrihesha herët në mëngjes e ti do të më përgatitje bukëvalë.” Për mua ishte me të vërtetë e rëndë, thuajse e pamundur, ta përfytyroja atë të zvarritej nëpër istikame, me pushkën në sup. Në njërën dorë shportën me fishekë, në tjetrën bombat e dorës. Me gjithë përgjërimet e mia, ajo e kishte vendosur: asnjë hap prapa. Dhe unë u pajtova me vullnetin e saj, edhe pse nuk udhëhiqesha nga parime fataliste.

Sumba u nis një mëngjes ndaj të gdhirë, hipur në një automjet ushtarak, drejt aeroportit të Rinasit. Nuk kam për ta harruar shaminë e saj, teksa valëvitej krenare në dritaren makinës; unë në kokën time krijova bindjen se isha shumë larg atij botëkuptimi. Kohë më vonë, mora vesh se Sumba qenkësh bërë një veprimtare e rëndësishme e luftës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet e Afrikës së Jugut dhe qenkësh ekzekutuar në publik, pasi kishe rënë në duart e forcave kundërrevolucionare në një pritë, ku kishte marrë një plagë të rëndë. Vite me radhë e kisha thuajse të pamundur të mësohesha me idenë së Sumba nuk jetonte më. Natën më mbytnin makthet, kurse ditën shkrehesha në të pira dhe bukosesha nën retë e duhanit, të vetmet që nuk më braktisën në dhembjen time.

Për hir të së vërtetës, edhe sot më duhet të pohoj me plot gojën se për ne ato këpucë të Drinit kishin një forcë magjike te njerëzit dhe ndoshta të parezistueshme.

– Ku vë këmbën ti, vënça kokën unë, mor bir! Marsh nga ditët tona! Ç’të them tjetër unë korba, kaq shkollë kam?! – ky qe bekimi që përsëritte shpesh me përgjërim nënë Katoja, një plakë e mirë që e hasnim në lavanteri, sa herë që çonim teshat për pastrim e hekurosje. Drini krekosej teksa shtrinte hapin, kur dëgjonte zërin e përgjëruar të nënë Katos, që atij i pëlqente ta thërriste ané.

– Pse e uron kështu, moj ané, sa herë që e sheh? –  e pyeta njëherë nënë Katon.

– Ah, o gaz, po ai është nga soj i zgjedhur, nga derë mbreti kam dëgjuar!

– Nga derë udhëheqësi, nëno, jo mbreti, se bën gabim politik. Në Shqipëri s’ka më mbretër e pashallarë. Sot udhëheq klasa punëtore, nënë Kato, dhe vendos për fatet e tua. Ja ti, për shembull, je zot për jetën tënde dhe, mbi të gjitha, e lumtur.

– M’u thaftë gjuha, m’u thaftë, si ma nxuri goja?! Po si the, mor bir, vendos unë? Po kush më dëgjon mua qyqen, mua të varfrën?!

– A, jo, nënë, jo, –  në Shqipëri nuk ka të varfër, as borgjezë.

– Po kush më pyet mua, more bir?  Jam grua që mos qofsha!

Pas këtyre fjalëve, që bartnin një pafajësi të skajshme, e pashë të udhës të heshtja.

Nënë Katoja ndoshta kishte të drejtë, por gjithë sa dëgjova, më duhej ta mbaja për vete. U largova i pafjalë,  duke lënë pas vështrimet e hutuara të plakës.

Lidhur me sa përshkrova në këto radhë dhe për të qenë i sinqertë deri në fund të rrëfimit tim, nuk mund të lë pa përmendur edhe një fakt të pamohueshëm: Mbrëmjeve të vallëzimit, secila nga vajzat që patën zgjedhur Drinin për kavalier, mundohej me të gjitha format të mos shkelte padashur mbi ato relike të historisë së lavdishme të popullit tonë. Kurse, kur ishim në aksion për hapjen e brezareve në kodrat veshur me shkurrnajë, teksa ngriheshim përgjumshëm mëngjeseve duke ecur si të çartur mes shtretërve, jo rrallë na ndodhte të kapnim në ajrin e rënduar nga frymët zërin e përgjumur të Drinit, që na porositte me shpoti:

– Bëni kujdes, or të paudhë, se mos padashur bëni gabim të më shkelni këpucët, se e dini ju se të kujt janë!

– Sigurisht që e dimë, – i përgjigjeshim si të çartallosur ne, duke qenë të vetëdijshëm se falë atyre relikeve të bekuara bujtina jonë ishte pagëzuar prej banorëve të fshatit me emrin “Blloku”.

Për të rinjtë e sotëm të gjitha këto duken si shtjellim i fantazisë prej një të lajthituri. Edhe nëse pohoj se argëtimet tona përgjatë periudhës së aksionit ose zborit patën qenë lyerja në fshehtësi e shokëve, ndërsa flinin, me pastë dhëmbësh a bojë këpucësh ose gdhendja e emrave tanë në kondakët e pushkëve model 56. Për seks as që bëhej fjalë. Një pasdite nga ato të përzishmet, kur ne merreshim me pastrimin e veglave të punës në çezmën kolektive që na qe instaluar në qendër të vendit ku qenë ngritur kapanonet e aksionistëve, u dha orientimi të flinim në shtëpitë e fshatarëve të zonës. Menjëherë pasi morëm lajmin, u rreshtuam para sheshit ku çdo mëngjes ngrihej flamuri, dhe sekretari i organizatës së rinisë së bashku me kryetarin e këshillit filluan të na ndanin nga dy-tre për familje. Mua me Bertin na caktuan në shtëpinë e një Heroi të Punës Socialiste, i cili në atë kohë, me rendimentin e tij si zetorist, punonte për vitin 2013. Por, që në kontaktin e parë me të, unë u trondita, nëse mund të shprehem kështu. Që në fëmijëri përfytyrimi im për heronjtë ngrihej në lartësinë e atyre njerëzve që zotëronin aftësi të mbinatyrshme. Por ky hero, që na priti në shtëpinë e tij prej qerpiçi, s’ishte veçse një burrë i lodhur shtatvogël, i përkulur si pikëpyetje, me duar të ashpra si smeril, me lëkurë të vrarë nga dielli, me mollëzat të kërcyera mbi faqet e futura që i krijonin gropa të frikshme në fytyrë, me zgavrat e syve të pikur nga pagjumësia, por çuditërisht me një krenari të skajshme që i lexohej qartë në çdo tipar. Teksa gjerbnim atë pasdite në shtëpinë e tij nga një sapllak me dhallë të freskët, Bertit i ra në sy një fakt i pazakontë. Ai më bëri shenjë dhe unë e hodha vështrimin andej nga më cyste ai, dhe ja, në ballë të murit, në një kornizë të drunjtë, të llangosur me bojë tankesh, ku qenë vendosur fotografi të familjes të realizuara në ditë të shënuara, në mes tyre ishte edhe portreti i diktatorit. Ne vështruam pa fjalë njëri-tjetrin, duke u munduar t’i jepnim kuptim asaj që pikasëm, por habia jonë nuk e kapi dot fillin që mbante të lidhur domethënien e atij veprimi. Ndaj Berti e pa të udhës të pyeste të zotin e shtëpisë:

– A mund t’ju bëj një pyetje, o i zoti i shtëpisë? – filloi Berti me njëfarë marifeti t’i nxirrte ndonjë gjë zetoristit që sapo kishte realizuar normën ditore e që dukej aq i rraskapitur, sa mend po e zinte gjumi në këmbë.

– Urdhëro e fol, o burrë, mos u tut! – ia priti ai dhe e vështroi Bertin drejt e në kokërr të syrit.

– Pse e ke vendosur fotografinë e udhëheqësit midis atyre të familjes? Mos do të ishte më mirë t’i bëjë një vend të veçantë, që të dukej edhe më mirë?

Fshatari picërroi sytë e lodhur, u përqendrua në atë që dëgjoi, vështroi nga e shoqja dhe me solemnitet na u drejtua ne të rinjve me fjalët që i gurgullonin si ujë kristal burimi.

– Ah, jo besa, jo! Unë shokun Enver gjithmonë e kam ndier bash si njeriun e shtëpisë. Ai na i hapi sytë, për besë. Që në këtë çast e jap jetën për të dhe për Partinë, po ta lypë nevoja. Këtë do t’ua lë amanet edhe fëmijëve, – foli i zoti i shtëpisë dhe sytë i shkreptinë.

Berti shtrëngoi buzët, se mos i rridhte ndonjë e qeshur e beftë, kurse unë kisha tendosur muskujt e fytyrës dhe që të dy iu vodhëm vështrimeve të njëri-tjetrit, se, ndryshe, do të shpërthenim në të qeshura.

Natën nuk mbylla sy. Rrija i shtrirë mbi një rrogoz të vjetër, era e lakrave dhe e specave të pjekur më ishin futur thellë në shpirt, kishin depërtuar në çdo shqisë dhe më provokonin mendime gjithfarësh. Ndoshta për herë të parë në jetën time po guxoja të bëja autopsinë e sistemit në të cilin jetonim. Këtë herë propaganda dhe literatura të cilën na e patën injektuar që në vogëli, shndërrohej në hiç. Fshatari ishte kredhur në një mjerim të skajshëm dhe më e keqja ishte hipokrizia me të cilën ai ushqente jetën, veten dhe fëmijët e tij. Për një gjë qeshë i ndërgjegjshëm: për sa po mendoja, nuk duhet të flisja me askënd, as me shokët, me vëllanë, ndoshta as me tim atë. Ne gjatë gjithë kohës flisnim për gjithçka me njëri-tjetrin, por kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend se në kokën time do të gëlonin të tilla mendime. Për të parën herë në jetë po ndieja frikë. Frikë për veten dhe familjen. Hija e diktatorit rëndonte në vetëdijen tonë si retë e ngarkuara të nëntorit. Nuk e di pse ajo pjesë e jetës më ka mbetur në kujtesë vetëm në një sfond gri.

Në fundin e viteve studenteske, në kohën kur na vihej përpara sfida e vështirë e mbrojtjes së diplomës, Drini u njoh me Florën, vajzën e një ushtaraku të lartë. Flora, në të vërtetë, ishte një femër shumë e bukur dhe ëndrra e të gjithë studentëve, po të kemi parasysh që ajo banonte në një vilë luksoze në Bllokun e Udhëheqësve. Prandaj edhe Flora e vriste lart, aq sa, edhe kokën po ta ngrije, të merreshin mendtë dhe kishte rrezik të humbisje drejtpeshimin. Por ajo nuk ishte një fyçkë, që, falë ndonjë manovre të stisur nga ndonjë i stërvitur në kësi punësh, të  mund të shtihej lehtë në dorë. Në këtë klimë jo të favorshme të krijuar nga vetë ajo, Drini i kishte të gjitha shanset për t’u afruar me të. Ndaj për të gjithë të tjerët nuk përbënte kurrfarë çudie fakti që ata të dy vallëzuan bashkë në mbrëmjen e diplomës. Drini ia kishte shtrënguar dorën fort dhe ajo me krahun e këputur prekte supin e tij. Ai nuk ia ndante për asnjë çast sytë. E kundërta ndodhte me Florën. Ajo gjatë gjithë kohës e mbante vazhdimisht vështrimin përdhe, drejt hapave të tyre, që ndiqnin ritmin e melodisë.

– Ti besoj se duhet ta kesh marrë vesh që unë jam djalë me këmbë në tokë, – ia përplasi papritur Drini, në një çast kur mendohej se ajo do të reagonte ndaj gishtërinjve të Drinit, që po i përkëdhelnin fshehtazi belin e hollë. Ajo shtangu dhe ngriti sytë. Flora ishte vajzë aq inteligjente, sa të kuptonte mjaft mirë nëntekstin e këtyre fjalëve. Për një grimë mbylli sytë dhe në mendjen e saj u shfaqën si krejt papritur vilat qeveritare, rezidencat buzë plazheve që ruheshin me roja të armatosura, veturat me perde dhe udhëtimet jashtë shtetit.

– Kam besim se ti do të lësh gjurmë në jetën time, – ia ktheu Flora, teksa hapi sytë e perënduar nga ai vegim i bekuar, duke ia ledhatuar me gishtërinjtë e hollë supin e djersitur. Ata u afruan edhe më shumë me njëri-tjetrin dhe nuk u shkëputën deri në përfundim të mbrëmjes, atëherë kur një pjesë e të pranishmëve dergjeshin të dehur nëpër tryeza, duke llomotitur fjalë të pakuptimta, e të tjerët tymosnin përpara kanateve të  hapura, në pritje të rrezes së parë që paralajmëronte agimin e ditës së re. Pas kësaj, secili nga ne shokët e kursit do të gjendej, si marinarët, në det të hapur, në përpjekje për t’u përballur me stuhitë e jetës. Kjo do të thoshte të gjendeshe në mes të dallgëve e tallazeve të panumërta në luftën e pambarimtë për mbijetesë. Lipsej vetëm një barkë shpëtimi për të të mbartur drejt tokës së premtuar. Për femrat, e vetmja mundësi mbetej lundrimi sa më pranë brigjeve. Por perënditë jo gjithmonë dhe me çdokënd shfaqin ndjesi bamirësie. Flora sundohej nga dëshira dhe ambicie tejet të forta, dhe për këtë ndoshta ishte edhe e përkëdhelura e fatit. Ajo e dinte fort mirë se nuk do të mbetej gjithmonë e lakmueshme për meshkujt dhe nuk donte ta humbiste veten me hapa të pamatur. Nuk ishte utopi që ajo emërohej në  ndonjë detyrë me përgjegjësi në trupin diplomatik të ndonjë ambasade, pasi edhe me gjuhët e huaja kishte vite që punonte dhe i zotëronte mjaft mirë. Pastaj edhe i ati nuk mund të pranonte një dhëndër sidokudo për të bijën. Ai shpesh ngrinte zërin në shtëpi dhe toni i tij dëgjohej deri jashtë si gjëmim predhe:

– Nuk do të lejoj askënd, për ideal, që nuk është i denjë për time bijë, të kalojë pragun e kësaj shtëpie! Nuk jemi hunj gardhi de! Dua një dhëndër që të mos i ketë duart me kallo e këpucët me baltë. Vërini vathë në vesh këto që po ju them, dhe hapni sytë mirë! Dëgjuat? – ulërinte babai dhe gati si padashur gishti i ngritur lart dhe vështrimi i drejtoheshin nga vila e kryeministrit. Por kësaj radhe fati dukej se ecte përkrah Florës, ndonëse Drini nuk shquhej për virtyte a ndonjë cilësi të veçantë si në paraqitjen e jashtme,  ashtu edhe për nga intelekti. Tashmë dihej nga të gjithë se ai zotëronte atë armën që eliminonte çdo kundërshtar të mundshëm. Dhe mua në mënyrë të rrufeshme më binin ndër mend fjalët e gjyshit tim të ndjerë: “Burrit e keqja i vjen nga këmbët.” Kur në trurin tim ripërsëritej kjo frazë e tim gjyshi, më kaplonte një trishtim brejtës, aq më tepër kur ndërgjegjësohesha se njeriu nuk ka ardhur në këtë botë si i barabartë, kështu që edhe bitisja nuk do të qe e njëjtë.

Njëherë më hipi në kokë një ide e çmendur: t’ia vidhja ato këpucë. Madje mbaj mend se në fshehtësi të plotë hartova edhe planin e grabitjes së atyre objekteve me vlerë. Por shpejt e mblodha veten dhe mendova se, sikur të zbulohej një veprim i tillë, mund të më degdisnin me punë të detyruar andej nga zonat e thella, ku shumë të tjerë nuk kishin më fuqi as t’ia hiqnin me plumb vetes. Vendosa të hiqja dorë nga kjo ide vrastare. S’kisha ndër mend t’i bëja gropën vetes, dhe aq më shumë familjes, e cila shpresonte shumë në të ardhmen time të shkëlqyer.

Koha kalonte nëpër rrotullimin e njëtrajtshëm të stinëve dhe, si pa e kuptuar, ne gëlltitnim vitet që rridhnin si lëndë pa shije, e cila të rëndon aq sa ti ndihesh i pamundur të bartësh edhe vetveten. Vit pas viti ndieja një shndërrim që ndodhte në krejt qenien time. Nuk druaj të pohoj se pas Sumbës në jetën time nuk hyri asnjë femër tjetër. Me kalimin e kohës, për mua qe tejet e vështirë të gjeja njeriun e duhur dhe përshtatjen e karaktereve e kisha të pamundur. Kështu që për të ardhmen time nuk vendosa asnjëherë dhe, edhe sot e kësaj dite, nuk më bren kurrfarë ndjenje pendimi. S’më vjen aspak keq që jetën e mbylla me kujtimin për Sumbën, vajzën me ngjyrë nga Afrika e Jugut, që trazoi aq shumë ëndrrat e një djaloshi që ende s’kishte vënë brisk në faqe.

Një ditë prej ditësh, kur punoja si mësues i edukimit fizik në zonën e Maqellarës, ku gjendesha mes kolegësh sarhoshë dhe pijetarë të shquar, më erdhi një zarf rekomande  postuar në adresën time. E ktheva zarfin nga ana tjetër për të parë se kush ma dërgonte, dhe u gëzova pa masë, kur vura re se ishte nga Drini, shoku im i viteve studentore. Kishin kaluar vite pa u parë dhe ndieja vërtet mall për të dhe për ditët e netët që patëm ndarë së bashku. Ngazëllimi im u rrit edhe më, kur vërejta se brenda në zarf ndodhej një ftesë dasme, në të cilën bëhej e ditur se të dielën e parë të muajit pasardhës Drini dhe Flora kurorëzoheshin në martesë. U preka vërtet dhe sytë m’u rrëmbushën me lot të beftë gëzimi. Dy nga miqtë tanë po shkonin drejt një akti sublim, martesës, dhe unë kisha qenë kaq pranë tyre në çdo hap që ata patën hedhur drejt altarit. Ngrita sytë dhe pashë kah malet e mbuluara me dëborë. Kjo pamje e njëllojtë na kishte bërë të harronim rrugën që na ishte dashur të bënim për të përfunduar këtyre skërkave. Mora frymë thellë dhe ajri i ftohtë sikur më depërtoi nëpër të gjithë trupin, duke ma ftohur gjakun që më vlonte ndër deje. Befas ndjeva një të dridhur të më përshkonte si një gjarpër nëpër kurm. Hodha sërish sytë nga zarfi i shqyer. Do të shkoja, doemos. Nga të ardhurat qeshë disi hollshëm, por do bëja si do bëja. Kështu që ato ditë kolegët e mi më shihnin të habitur, teksa hyja e dilja në dyert e dyqaneve me krahët rënduar me veshje të reja që binin era ambalazh.

– E kanë thirrur në Tiranë, – dëgjoja pas shpinës pëshpërimat e njerëzve, teksa më shihnin të ngarkuar si në ditë të hallit.

– Ndoshta e ngrenë në përgjegjësi. Thonë se në kryeqytet ka nevojë për arbitra.

Unë nuk kisha nge t’u ktheja përgjigje pëshpërimave që gëlonin në kafene. Koha rendte me një ritëm të tillë që jo kushdo e kishte privilegjin ta ndiqte.

Kur mbërrita në Tiranë, tamam në vigjilje të ceremonisë, vura re se jo të gjithë shokët e kursit i kishte kapur kalemi të merrnin pjesë në dasmën e Florës e të Drinit.  Filtrimi i jetës së gjithsecilit kalonte nëpërmjet një site aq të imët, sa të rrallë qenë ata që mund të kalonin një provë të tillë, sa të rezultonin pa ndonjë njollë në biografi. Ne që ishim përzgjedhur, ishim vërtet persona të kulluar.

Ceremonia e dasmës u zhvillua në njërin prej restoranteve më të njohura të Tiranës, në kodrat përqark liqenit artificial. Organizimi ishte me të vërtetë mbresëlënës, falë edhe pjesëmarrjes së madhe të njerëzve të përzgjedhur. Aty patëm fatin të shihnim nga afër shumë njerëz që, në ato vite, qenë emra të njohur të politikës e të administratës së lartë. Por kërshëria dhe dëshira jonë e madhe dhe e vetme ishte të shihnim udhëheqësin. Por ai po vonohej. Filloi vallja e parë, mbaroi edhe e dyta dhe ai nuk po dukej. Çfarë mund të kishte ndodhur, vallë?! Mos ndoshta armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm diç po kurdisnin në kurrizin tonë? Një zot e merrte vesh se si qenë punët! Imperialistët, dihej, na kishin halë në sy. Ne pritëm për orë të tëra, por as ai dhe as bashkëshortja e tij nuk erdhën atë natë në dasmën e Drinit. Megjithatë këpucët e tij mbizotëronin në të gjithë atë sallë të madhe, kur Drini hiqte vallen. Shumë kohë më pas, kur përshtypja për dasmën kishte nisur të zbehej në kujtesën tonë, disa të afërm të Florës pëshpëritnin një fakt që mua nuk më çuditi edhe aq, kur e dëgjova: edhe natën e parë të martesës Drini ishte hedhur  në shtratin bashkëshortor me këpucët mbathur. Ca syresh, njerëz vërtet të ditur, e shpjegonin këtë fakt me idenë se sendet në fjalë ndoshta i jepnin njëfarë sigurie në të qenët burrë dhe të ndjerët i pathyeshëm…

E shoh veten të ulur mbi një fron plastik, me kapotën e vjetër hedhur krahëve, nën zotërimin e plotë të nirvanës, duke shkartisur letrat e bixhozit në këtë pension për të moshuarit e vetmuar dhe duke menduar për veten, mikun tim, Drinin, dhe epokën ku paskësh qenë e thënë të murosej jeta jonë. Që atëherë e deri më sot kanë rrjedhur shumë ujëra dhe degët i kanë ndërruar fletët. Bota ka njohur shumë zhvillime, Muri i Berlinit ka rënë dhe Shqipëria nuk është më një vend i mbyllur. Kujtoj të dashurën time, Sumbën. Ah, moj Sumba, si u bëmë kështu: ti mirazh e unë rrënojë?! Kushedi, ndoshta ti tani gjendesh këtu pranë meje dhe përthith frymën ku nderet ky zë i ngashëryer. Por unë nuk mund të të shoh. Kam frikë se mos shndërrohem në njeri pa të kaluar. Për hir të së vërtetës më duhet të deklaroj se tanimë edhe Drinin e kujtoj më rrallë, fytyrën e tij pothuaj e kam harruar, por në mendjen time ende ka mbetur i paprekur kujtimi për këpucët e tij, të cilat, në njëfarë mënyre, janë pjesë e së kaluarës sonë kolektive.

Por sot më duhet të pohoj me dhembje se Drini nuk jeton më. Jeta e tij humbi fare papandehur, në mënyrë aksidentale. Ishte koha e ndryshimeve të mëdha, kur lufta e ftohtë thuajse kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë, kur Muri i Berlinit pritej të shembej e kur mbi galaktikë do të shfaqej kometa Halley. Në mbarë vendin u ndie një mobilizim i përgjithshëm. Dhe Drini ishte ngjitur atë mbasdite në tarracën e pallatit ku banonte, për të parë këtë dukuri jashtëtokësore dhe krejt padashur i qe marrë mendja e kishte rënë poshtë i mbytur në gjak, me fraktura në kokë e gjymtyrë të thyera. Ky qe edhe fundi i tij. Atë natë ai paskësh dalë rrëmbyeshëm nga apartamenti i tij dhe qe ngjitur vrik në tarracën e pallatit, për të parë kometën, fare i vetëm dhe, mbi të gjitha… zbathur.

Në ritualin e përmortshëm të përcjelljes për në banesën e fundit, morën pjesë të gjithë të afërmit dhe ata që e njihnin. Fjalimi që u mbajt për të, ishte me të vërtetë shumë prekës dhe i shkruar nga një dorë e stërvitur. Aty u bindëm edhe një herë që vërtet patëm humbur një mik të shtrenjtë, të cilin nuk do të mund të na e zëvendësonte dot askush. Në arkëmort i vendosëm një buqetë me lule, një shall të punuar me kujdes nga duart e Florës, bashkëshortes, dhe këpucët. I dhamë lamtumirën e fundit, teksa litarët po e përcillinin drejt një bote misterioze me rregulla dhe ligje krejt të tjera.

Në heshtje, teksa kthehesha në qytetin tim hipur në karrocerinë e një makine të rastit, dridhja duhan dhe mendoja për mikun e vdekur. Kësaj here ai do të gjendej i vetëm përballë një së panjohure të madhe. Dhe unë, krejt padashur, e përfytyrova Drinin, këmbëzbathur, në mes të një udhëkryqi të madh, i mbështjellë me shallin që kishte punuar Flora, me buqetën me lule në njërën dorë dhe këpucët e diktatorit në tjetrën, në pritje të udhërrëfyesit. Rruga që lipsej të përshkonte, ish tejet e gjatë…

Këtu përfundon rrëfimi im. Gjendem sërish pezull, i ngujuar brenda sferës prej membrane të hollë. Mbase kam mbetur thjesht një fetus, forma e një embrioni të pazhvilluar, dhe gjatë gjithë kohës s’kam bërë tjetër veçse jam rrotulluar brenda kësaj vorbulle që synon të më përpijë. Ndihem sikur sapo jam zgjuar nga një ëndërr e keqe. Më duket sikur ende përsillem rreth një orbite të padukshme, ashtu si trupat qiellorë rreth sistemit diellor. Mendimet më mpiksen në hemisferat e trurit dhe në fytyrë më krijohen blana të frikshme. Sfera brenda së cilës ndodhem, po vishet me frymë dhe unë nuk mundem më të shoh asgjë. Veçse tani ndihem brenda një fortese të mermertë të ndërtuar në trajtë piramide, dëgjoj vetëm hapa njerëzish që aviten e largohen rishtas, të shtyrë nga një kuriozitet i rastit, thjesht për të parë monstrën e mumifikuar qysh nga kohët e faraonëve.

Share This:

blunavi.com