Ti duhet të vish, patjetër

Dorian Koçi (Poezi)

Pritja

Përkotet ekrani përgjumësh,
i apokalipsuar në vetmi,
shurdhohet telefoni në heshtje
si sfinks në pritje,
zbehtojnë abazhurët në dhomë
si sy të verbër,
dimri në xhama
belbëzon si memec
Ti duhet të vish,
patjetër të vish
tu japësh këtyre sendeve jetë
Unë të pres…

 

 

Rri sonte

Rri sonte mos ik,
shih si çelën jargavanët nën dritare
shiu s’mbjell më pellgje por butësisht bie
Vështro si afrohet nata ëndërruese
me tinguj të lehtë si hije

Rri sonte mos ik
Ti vjedhim botës një buzëqeshje gëzimi
Ti erdhe-capite lehtë
nën parzme të brishta ledhatimi

Rri sonte mos ik
Prit agimin e bardhë,
ylberin e brishtë ngjyra-ngjyra
derisa çapet që bëre për të ardhur tek unë
të kthehen nga gonxhe në trëndafila.

Rri sonte mos ik…
Ngatërresë e ëmbël
Zogjtë të ngatërrojnë shpesh me pemë
Dhe vinë e bëjnë fole tek ty
Dielli të kujton se je ujëvarrë
Dhe të ylberon herët me rreze
Pranvera të ngatërron me lule
Dhe të çel çdo mëngjes
Unë të thërras thjesht
E dashur……..

 

Për frymë të marr

Për frymë të marr, për frymë
e për asgjë tjetër
dhe shenjat që le në qelqin e shpirtit tim
janë të kuq buzësh harruar në qershitë
e pranverës së vonë.
Për frymë të marr, për frymë
dhe pres që qershia të çelë lule,
qershia të përflaket nga turpi i puthjes vjellurazi
në mbasditen e vonë të muzgut.
Për frymë të marr për frymë
dhe kondesohem në ajër
bashkë me ty
Ç’ bunacë do sjellim vallë?

 

Akili dhe Pentesileja

…Dhe Akilët i vrasin Pentesiletë
gjakosin një dashuri në pelena
shkatërrojnë idile lumturie,
masakrojnë shpirtin tyre
e pastaj qajnë mbi kurmin e dëshiruar
që mes puthjesh e ledhatimesh
do deshën ta kishin prekur
ndërsa gjaku shkon çurg
të vadisë tokën e tharë , të thekur
S’është e vërtetë që Akilët
vdesin nga një shigjetë në thembër
ata vdesin nga hiri i Pentesileve
që u digjet në zemër…

 

Vajza në dritare

Vajzë e bukur në dritare
e strukur pas një xhami të trashë,
të lëbyrtë
të endur mes djersësh
të punëtorëve emigrantë
në një fonderi të largët në Evropë
ku njerëzit ngrihen dhe flenë
me halle e probleme të tjera
krejt të kundërta nga ato të tuat
që ti s’ke nga ti dish
as mund ti mendosh
sepse ti rri tërë ditën aty
strukur pas kanatash të ftohtë
aspak mikpritës e refuzues
ndaj këmbënguljes sime për të folur
Vajzë e bukur në dritare
që vështrimin hedh përmes xhamave
si pa të keq
mes zogjve që vizaton me frymën tënde
ka dhe zëra dhe dëshira
që duhet të marrin jetë
ka dhe brymë mëngjesore që mua
s’më tulat as ngricë mbasditje që
të më largojë
pa ta rrëmbyer një buzëqeshje
në fytyrën tënde të trëndafiltë
pa parë njëherë gropëzat e tua
që të krijohen kur qesh
Vajzë e bukur ti s’mund të vazhdosh
të rrish vetëm aty në dritare
pas atij xhami të lëbyrtë
sepse ti duhet të fillosh të njohësh
botën vërdallë
sepse duhet që zogjtë e vizatuar
me frymën tënde
të fluturojnë
drejt dëshirave të tua
Vajzë e bukur
e strukur pas kanatash të ftohtë
hape dritaren!

 

Moj

Moj,sa fjalë e ëmbël
e ardhur prej kushedi çfarë qelizash kënaqësie
Moj nuk dua tu besoj etimologjive
që s’reshtin së kërkuari në libra të vjetër
se kur është përdorur e si është përdorur
Moj, i përmban të gjitha
dhe dashurinë e avulluar bashkë me kripërat e djersës
në çarçafët e bardhë
dhe zhgënjimin e papritur lugjeve të mosmirënjohjes
dhe kërcënimin e shtegtuar
inatit të marrë

Moj,të kam thënë shumë pak si fjalë
kur jam larguar larg
dhe malli si dritë qiriri ka djegur gjithë fluturat e kujtesës
Moj, është botë e keqe dhe e egër të pata thënë
dhe ti smë pate besuar
sepse thellë, thellë ti ishe shumë e mirë
dhe as që mund të mendoje se unë mund të të bëja keq
se ti ke shumë kohë që çka unë prish në ëndrra , në realitet ti e ndreq
dhe të emërtojnë me shumë emra
por asnjë nuk të shkon
sepse emri jot përmblidhet vetëm në një fjalë “Moj”
Radhë , shumë radhë kur kthej kokën mbrapa
dhe besoj vërtet se asnjëri nuk më sheh
të kërkoj sërish në tisin e kohës
për të thënë e stërthënë se shallin që e pate hedhur në qafë
për ti marrë mentë Paridit dhe gjithë sojit të tij
për ti kuturisur të gjithë të rendin pas teje si të marrë
nuk na ka bërë asnjëherë të të thërrasim “Moj”
se vonë shumë vonë e kemi kuptuar
se drithërima për të thënë këtë fjalë të bekuar
nuk vjen nga ai shall i hedhur krahëve,
por nga ndjenja për të vënë kokën tek ty për tu qetësuar

Dhe le të thonë ç’të duan se vetëm pak të njohin
le të të kurorëzojnë në parada modash
le të hamendësojnë se në ç’fund liqenesh fshihesh
se kush të shikon shitohet nga pamja
Ti, në fakt je gjithandej
në eterin që thithim në ajër e si polen lulesh
mbars ditët tona të qashtra të pritjes
derisa shfaqesh në një përqafim e ledhatim
dhe na lë të gjithëve të pagojë
e qysh atëherë dimë të flasim vetëm një fjalë
Moj, Moj, Moj……

 

 

Monopateve të kujtesës

Në ashensorët e memories
janë të gjitha  rrathët,
të  Ferrit, Purgatorit, Parajsës.
Ku të të gjej?
Fytyra jote është pjalmuar luleve të mallit
si medalion i trishtë harrimi.
Nuk gjej forcë as të të mbaj në shpinë si mëkat
as të të përkujtoj si një çast gëzimi.
Shfaqesh e venitesh si dritë e largët qiriri
Ndriçon e errëson monopatet e shpirtit
Ku je?
Jehona rregj e rrok përjetësisht largimin.

Share This:

blunavi.com