Vagabondja e yjeve

Isuf Luzaj (Poezi)

Vagabondja e yjeve

 

Kudo gjeta nëpër plagë të planetit,
Në dasma ku lidhte mendimi krushqi
me ëndrra, fantazma, dashuri të poetit
martonin Metafizikën, Frymëzimin poezi

Net’ e ditë të endura në avlëmend
me Kujtesën që të kthen ç’i dhënë,
duke e situr mielli me besën e shenjtë
karakteristikë vetëm e zërit tënd,
imagjinata dashuria me mend
që janë të bijat bonjake të shpresës.

Koha ime qe kohë e sëmurë
I mblodha yjet, i ngjesha në gji;
i mbrujta me lotë, i poqa në furrë;
i derdha si oriz në pjatë farfuri.
Shkronjat lëvizin tutje-tëhu në pëlhurë
për të pikturuar një idhull të ri.

Motër e dashur, kimerë fantazi
Në paç ti fuqinë sa dëshirat e mia
Do këndosh nëpër shekuj duke qarë pa mërzi.
Fjala memece s’shpreh dot ç’i thotë zemra.
Mendjet bonjake dhe kur lindën femra
Mbetën shtatzënë me ideale dhe ëndrra,
s’ia japin dot jetës, pa qenë perëndi.

 

 

Takimi i parë dhe i fundit

 

Dikur, diku në dheun tim

Duke ikur dita, duk’u errur nata
Në një kopsht fshati, me pemë të larta
Mbuluar lëndina me fletë të thata;
Garbiu zhvishte lisat dhe rrepet
Tatëpjetë luginës, vërshëllimë stuhije;
Rreth kroit të ergjendtë, fërfëritnin plepat
Zogjsh që në tuba cicëronin nga frika
E errësirës, vetmisë a instinktit.
Nata tronditëse dy zemra rinije,
Memece mbyllur buzët prej dyshimit.
-Ç’do ndodhë sot, që nuk ndodhi deri dje?
Vështronin si me habi, si me çudi njëri-tjetrin në sy.

Ai i mori dorën e djathtë
Duke e vështruar në sy, ndezi zjarrin.
Ajo nga turpi e pudori, uli ballin,
Mendoi, po s’guxoi t’i mërmërine avash:
gjer këtu është mjaft!

DHELPRA NEPERK

Të gjithë lozim kumar në njëfarë mënyre
si martirët e mendimit dhe heronjt’e zjarrit,
të gënjyer nga një bukuri pasqyrë
si një mirazh i bukur shkretije.

Askush nuk e sheh vendin e varrit.
E dimë kur lindëm, s’e dimë kur do vdesim
Vdekjen s’e njohëm, të dalëm ta presim
Ajo mbëshihet nën stivë të druve.

Kur e pandehim afër, është larg,
kur e harrojmë, e kemi në bark.
Dhelpra nëpërkë, kurvë e bijë kurve.

FANTAZME

Lulet e bukura që ti ujitje në saksi
u thanë, o zonjë, që kur ike ti;
zemëruara që i harroi ibriku dhe dora
se ashtu mendojnë lulet e gjora
që s’dinë ç’është terror e tirani.
S’kanë parë foshnja të vdekura në djepë
s’kanë parë toga ekzekutimi në heshtje
as kurora mbi varre, as arkivole mavi.

Pemët po zhvishen e vështrojnë me çudi
që nuk të shohin në kopsht dhe avlli
më futen plot pjeshkë e mollë.
Çuditen pemët dhe lisat e gjorë,
përse mjegull e zezë mbi Vlorë,
se s’panë foshnjë të vdekur në djep
s’panë toga ekzekutimi në heshtje.
Ecin heronjtë të qetë, pa urrejtje
në Mesovun do takohen me vdekje;
dëshmorët e sotëm, Epopeja e djeshme,
pa emra varri, pa kujtim për rini.

Oshëtimë e thellë nga mali e nga deti.
Një grigje ëngjëjsh trembur nga tërmeti
të pambaruar, të nevojshëm, të fshehtë
bjenë një mesazh tmerri të rreptë.

Hanoi frymori emrin kush ishte
një koncert perëndish politeiste;
i luten Zotit të vështrojë nga rremeti.

Meteorë gjigante zbresin nga qielli
për t’u mbytur në fundin e detit
si caktim kohe mes Zotit dhe djallit.
Të tregojë legjendë në shekuj i gjalli.
Dëgjohet një fshamë arratije nga mali,
do jetë thirrja jote që të lodhi malli.

Për jetë e për vdekje na ndau tirani
koha përtace gjysmë shekulli zgjati.
Sa zor do ketë të na tresë balta:
mua nga pendimi, ty ethet e zjarrta.

Ky që zari, o Dritë, që na lozi fati!

FATALITETET

Na jemi ata që s’deshëm të jemi
as deshëm të vimë, as duam të vemi,
as që e dimë, kur dhe ku do qëndrojmë.
Pyesim, s’e gjejmë cili është qëllimi;
udhëtarë të humbur si shpendë arratije;
diçka që s’e dimë, dicka që kërkojmë
në shkreti, në dete, në pyje
pa itinerar, as traguard përfundimi.

Na jemi koha që ndryshohemi dhe ndryshojmë
trajtat dhe ngjyrat nëpërmjet ethurisë:
Na s’dimë se pse qajmë e këndojmë
sic duan shpresat; nënat e mërzisë:
kur pas ironisë, ikin fluturojnë:

Siç na zë gjumi, aperitivi i vdekjes
siç na thonë ëndrrat, nuset e përpjekjes
në këtë tunel prej sëre e thëngjilli.
Qorra, nuk shohim që gurët e ycit
i luan një dorë e mbëshehur dhe kycit;
ia mbylli panxhat që kur nisëm udhëtimin.

Çmendëri aventure, komedi e vdekjes,
aktore somnambule ne drame te perpjekjes,
surprize: fillimi; surprize: mbarimi.

PLAKU LEGJENDAR

Takova një natë, në një vend të paemër
larg në kohë dhe hapësirë si në ëndërr
një plak në udhëkryq. I binte kitarës.

S’i fola, s’më foli, çudi e pashpjeguar;
mundohem ta harroj, kurrë pa e harruar,
me vështron dëshpëruar, duke qarë i penduar
që s’ma mësoi muzikën e dhembjes
ethen e trishtimit, verbimin e mëndjes

që: nga burimi i helmuar i farës
mbijnë ferra e driza në vijat e arës.
Enigmë misteri, kurrë e kuptuar.

Ndëgjoj ata tinguj që më plagosën në zemër.
Ia kuptova fjalët, çdo tingull një emër.
Origjina e njeriut, buroi nga një femër.
Gabimi i Ademit: mëkat i mallkuar.

KONFUCI
(Fragment)

Fatkeq i varfër për mend e për zemër,
në varr do jetë ai që që mbi tokë,
e mbajti për funksion estetik atë kokë,
mëndja e tredhur që kurrë nuk sheh ëndërr,
çdo punë e ndërmarrje, për atë është e kotë.

Mjer i dobti që qan e bën zakon vajtimin;
Fati ndihmon gjithmonë atë më trimin.

S’mjafton të jesh i fundit për të qënë i pari,
shpirti i pastër është një lloj hambari;
sa më shumë të dhurosh, aq më shumë mbushet ploi
Meskinët e koprracët s’e kuptojnë dot.

I lumtur kush nuk qëndron kryenec.

Lum kush fal të tjerët dhe veten e tija
s’e bren pendimi si mac tek mushkrija.
Bekuar i urti që la çdo që pa.

Në paqe ata që s’kanë uri drejtësije.
Esenca nesër do jetë siç qe dje;

përpjekja është zjarri i lodrës së fatit.
Kurrë nuk do të zbulohen ligjet e natyrës.
Të lumtur ata që proktisën mëshirën
mirësia është lëndë për mirëbërësi
kurrë në pritjen e lartë të çmimit.

Të lumtur ata më zemër të pastër
e liga u rri larg, e mira u rri afër.
Mos urre armikun, sado të jetë i ashpër,
se po urreve, u bëre rob i tija
nuk do jetë kurrë e mirë urrejtja.
Vetëm paqja e shpirtit me virtytet e tija
është ëmbëlsira tek jeta e tek vdekja.

Mos ekzagjero kultin e diturise,
Mos perveteso kultin e se Vertetes.
Kurre s’pat shenjtor qe s’gaboi nje dite.
Kurre s’pat profet qe qe i zoti i jetes.

Keshtu foli Konfuci kur e ndjeu agonine
me nje tube fantazmash qe vizitonin shtepine.
Largoi nxenesit, mbylli gojen dhe syne.

Nje dore nga qielli, nje dore nga dheu
sikur flet me dike, qe borxhin ia ktheu,
sikur porositete fantazmen qe ta priste,
te kish pak durim sa t’i ndiqte t’i niste.

Idealet qiellore qe zemra i shpertheu…

 

Share This: