Një grua përballë Kishës

Të lexuarit në kohët e sotme të veprës “Nëna”, të shkrimtares Grazia Deledda

David Herbert Lawrence

Shkrimtari Mario Ciuso Romagna, tregon se një të premte të shenjtë, pranë katedrales së Santa Maria della Neve (Nuoro), Grazia Deledda qortohet haptazi në sy të të pranishmëve nga predikuesi, i cili duke e treguar me gisht i thotë se do të ishte më mirë që ajo t’i lutej Zotit, sesa të tregonte interes për disa histori të padenja. Kjo gjë u bëri shumë përshtypje të pranishmëve, të cilët nuk e kaluan pa vënë re këtë fakt. Zoti Antonio Ballero, një figurë e spikatur e qytetit, iu kundërvu priftit, duke kontestuar ofendimet që ai i drejtonte shkrimtares së re. Në fakt, ky nuk ishte kontestimi i vetëm që iu bë shkrimtares nga kisha. Giovanni Colombo, arkipeshkvi i Milanos gjatë periudhës 1963–1979, nuk ia fali guximin që ajo kishte për të shkruar për priftërinjtë duke e qortuar, për faktin se i konsideronte ata “njerëz të thjeshtë”, duke mos iu atribuuar atyre lëvdata të “karakterit kishtar”, pra me pak fjalë një krim kundër pushtetit të Zotit. “S’kemi ç’bëjmë” – tha Colombo. – “Deledda ka një besim të cunguar, i cili nuk i vjen natyrshëm dhe shpirti i besimit katolik thuajse nuk ekziston tek ajo”. Një gjykim ky, disi i nxituar, i veshur me një gjuhë retorike klerike, të cilën Deledda e denoncoi në romanet e saj.

xxx

Romani “Nëna” (1920) u bë botërisht i njohur nga përkthimi i shkëlqyer që iu bë në gjuhën angleze dhe falë punës impenjative me frazat, të David Herbert Lawrence, në vitin 1928, vit në të cilin ai shkroi romanin shumë të njohur “L’amante di Lady Chatterley” (I dashuri i Zonjës Chatterley). Shkrimtari anglez u impenjua personalisht për ta bërë të famshëm romanin. Ai e qortoi Deledda-n që nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur primitivitetit dhe pasionit, cilësive më të kërkuara prej Lawrence. Deledda zgjodhi një tjetër rrugë, duke propozuar dy figura, si Maria Maddalena dhe Anjeza, të cilat i paraprinin emancipimit të femrës, shkëndijat e para të të cilit filluan pikërisht në vitet kur u shkrua romani, menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Ndërgjegjja e Anjezës, një heroinë moderne

Anjeza është një vajzë e re, me të cilën Paulo, famullitari i Aar, ka një marrëdhënie dashurie. Giovani Colombo e përshkruan si një “femër fatale”, “e tunduar dhe tunduese”, që e kthen priftin në skllavin e saj duke e kërcënuar se do të hakmerrej dhe do të bënte skandal. Në pamje të parë ngjan me klishetë e zakonshme klerike dhe maskiliste, që nuk ndiejnë asnjë keqardhje apo simpati njerëzore. Anjeza nuk është e tillë. Ajo është heroina moderne. Paulo, shkon në shtëpinë e Anjezës me qëllimin ose të paktën kështu shfaqet, për të prishur marrëdhënien midis tyre. Ai përdor një gjuhë fetare, duke thënë se nga pozicioni i priftit, është i detyruar të veprojë kështu. Fjalimi i tij është i mbushur me fjalë të mëdha, të vërteta për Zotin, për sakrificën. Por Anjeza ia çjerr maskën, duke nxjerr në pah arsyen e vërtetë që e shtyn Paulon drejt ndarjes. Nuk është e vërteta ose frika nga Zoti që e shtyn të ndërmarrë këtë hap, por është frika nga e ëma, nga njerëzit dhe nga plasja e ndonjë skandali. Kështu që Anjeza i përplas në fytyrë një tjetër të vërtetë. Cila është atëherë e vërteta? Përse nuk flisje kështu edhe dje në mbrëmje? Po mbrëmjet e tjera? Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Ndoshta dikush na ka zbuluar, mbase nëna jote dhe ti ke frikë nga bota. Nuk është frika ndaj Zotit ajo që të shtyn të më lësh”. Anjeza ka të drejtë dhe Paulo e pranon dhe vetë se: “Më shumë se frika apo dashuria ndaj Zotit apo neveria ndaj mëkatit, e tmerronte frika për pasojat e një skandali të mundshëm”. Anjeza është e vetëdijshme që ka dinjitetin e një gruaje të rritur dhe nuk do që ta trajtojnë si një minorene tekanjoze apo si një lodër. Nuk është ajo që e joshi dhe është e ndërgjegjshme për moralin e saj. “Ndërgjegje? Sigurisht që kam, nuk jam më fëmijë dhe kjo ndërgjegje më thotë se bëra gabim që të besova ty. (…) Mos erdha gjë unë në shtëpinë tënde? Erdhe ti në timen dhe luajte me mua si një fëmijë”. Përballja titanike mes Anjezës dhe Paulos sa vjen e bëhet më e ashpër, duke bërë edhe Zotin të pranishëm në të. Anjeza, si një femër vërtet moderne, vë në dyshim veprimet e Zotit, madje edhe ekzistencën e tij. “Përse Zoti nuk të ndriçoi më përpara? (…) Zoti. Nëse Zoti ekziston nuk duhej të lejonte që të takoheshim, nëse më pas do të na ndante.” Por në fakt Anjeza, nuk rebelohet kundër Zotit, por ndaj tentativës së Paulos që kërkon ta instrumentalizojë atë. Anjeza nuk pajtohet me gjuhën fetare që ai përdor si një mburojë hipokrite, a thua se Zoti të ishte një klerik. “Duhet të jemi të pastër dhe të fortë, thua ti, por këtë gjë e thua vetëm tani. Më ngjall neveri. Zhduku sa më larg, që sonte madje, që kur të zgjohem në mëngjes të mos jem e tmerruar nga ideja se do të shfaqesh për të më poshtëruar kështu. (…) Ti mbrëmjen e djeshme thoshe t’ia mbathnim; ti do të punoje dhe ne do të martoheshim. A the kështu? A the? Ndërsa sonte vjen e më përrallis për Zotin dhe për sakrificën. (…) Nëse ti nesër në mëngjes do të mbash sërish meshën në kishën tonë, unë do të vij dhe nga altari do t’i them popullit: Ky është shenjtori ynë, i cili ditën bën mrekullira dhe natën del për të joshur vajzat.

 

Një grua e rritur dhe e pavarur

 

Është viti 1920 dhe ngjarjet zhvillohen në Barbagia. Të kesh këtë lloj këndvështrimi për një çështje tepër delikate dhe të sfidosh skandalin e pashmangshëm në të tilla raste ku përfshihet edhe hierarkia kishtare, kjo nga ana e Deledda-s kërkon një kurajë të madhe dhe një shkallë të lartë vetëdijeje për mendimin dhe artin. Të njëjtën kurajë dhe vetëdije kishte Anjeza. Ajo është një grua e lënduar, e cila luan të gjitha letrat për të mbajtur pas vetes burrin që do, por jo me çdo çmim. Jo në dëm të dinjitetit të saj. Ajo është një femër që ka respekt për veten. Ndjenjat e saj, edhe pse mund të duket paradoksale, në rrethana të caktuara, janë të pastra dhe fisnike. “Kujton se po flet me një fëmijë? Jam plakë. Më plake ti brenda pak orëve. Rruga drejt jetës ishte kjo? Që do të vazhdonim kështu, fshehurazi apo jo? Unë më pas të gjeja një burrë; ti që do të celebroje dasmën time … dhe do të vazhdonim të takoheshim dhe të mashtronim të gjithë për gjithë jetën? Ik ore, ti nuk më njeh, nëse vërtet ke besuar këtë. (….) Atëherë le t’i japim fund. Le të ndahemi (…). Unë nuk dua të të shoh më kurrë”. Anjeza bërtet dhe përsërit me pasion dhe dinjitet se është një grua e rritur, madje edhe e pavarur ekonomikisht. Me Anjezën, Deledda do të na sjellë heroinën moderne, e aftë për të marrë vetë vendime për veten, edhe pse gjendet e rrethuar nga një ambient patriarkal dhe maskilist. “Kam para, e di? I kam dhe janë të miat. Dhe nëna jote, vëllezërit e mi dhe gjithë të tjerët do të na kërkojnë falje pasi të shohin dhe kuptojnë se ne kemi dashur të jetojmë të vërtetën”. Vetë Grazia Deledda, gjatë një interviste të dhënë në radio pas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1926, deklaroi plot krenari se kishte realizuar atë çka dëshironte. E tërhequr nga bota, zgjodhi të jetonte në Romë, “ku pas shkëlqimit të rinisë, ndërtova një shtëpi timen, ku jetoja e qetë bashkë me shokun e jetës sime”. Anjeza dhe Paulo qëndrojnë përballë njëri–tjetrit si një burrë dhe një grua, të cilët duhet të bëjnë llogaritë me ndjenjat e tyre. Paulo është mbi të gjitha një burrë, i cili nuk arriti të merrte ndonjë titull kishtar si “don” apo “at”. Deledda guxoi ta çonte përballjen ndërmjet Paulos dhe Anjezës në një rrafsh universal, atë të një burri dhe një gruaje, të cilët gjenden në një situatë jo të zakonshme. Ata duhen, e kërkojnë njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë edhe shtyhen. Por Anjeza na shfaqet më e qartë dhe e kthjellët, cilësi të cilat Paulo nuk i ka. “Ik! Zhduku! … Nuk isha unë që të thirra. Duhet të bëhemi të fortë, pse u ktheve? Pse më puthe sërish? Nëse mendon se mund të tallesh me mua, gabohesh. Nëse beson se mund të vish këtu natën dhe ditën të më shkruash letra fyese, përsëri gabohesh. Siç u ktheve sonte, do të kthehesh prapë nesër dhe pastaj çdo natë me radhë. Ti do të më çmendesh. Nuk dua, jo, nuk dua”! Paulo nuk është njeri i keq. Ai thjesht nuk ka kurajën për të bërë atë që duhet (ashtu siç ndodh rëndom me meshkujt kur janë në marrëdhënie dashurie të komplikuara).

Primo Mazzolari

Në familjen e Deledda-s, e përbërë nga “njerëz të mençur, por edhe nga të dhunshëm dhe artistë primitivë”, kishte edhe një dajë prift, Sebastianon. Në bibliotekën e tij, Grazia e vogël gjeti shumë libra, të cilët i lexoi me shumë kuriozitet. Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se Deledda mbante një korrespondencë të shkruar me Primo Mazzolari-n, një prift shkrimtar dhe partizan, një prej figurave më fisnike të katolicizmit të viteve 1900. Lidhja e veçantë mes Deledda-s dhe Mazzolari-t, erdhi dhe si pasojë e njohjes që famullitari i njohur i Bozzolos (Mantova) kishte me burrin e Grazia-s, Palmiro Madesani, me origjinë nga rrethinat e Viadanës. Nuk dihen specifikat e korrespodencës ndërmjet tyre, por nëse Grazia dëshironte të mbante një të tillë me një prift të lirë, të sinqertë dhe antikonformiste, Don Primo ishte padyshim më i miri. Por përveç frekuentimeve të saj, Deledda arrin të gërmojë në thellësitë e shpirtit njerëzor dhe të shqetësimeve fshehur brenda tij. Paulo ishte një prift, por mbi të gjitha ishte një qenie njerëzore dhe duke pasur aftësinë për të njohur qeniet, Deledda arrin të njohë dhe priftërinjtë. Edhe pse hierarkia fetare u irritua ndaj Grazia Deledda-s, shkrimtarja e jetoi jetën e saj në një ndjenjë të thellë fetare, duke deklaruar besimin e saj në Zot. Grazia deklaroi se “ajo ka pasur gjithçka që një femër kërkon nga fati i saj, por mbi të gjitha besimin te jeta dhe te Zoti”. Romanet e Deledda-s janë të mbushura me jetën dhe natyrën, me tema të çmuara që ia vlen të thellohesh brenda tyre. Veprat e saj na flasin për besimin e shkrimtares në Zot. “Nëna” është një roman i mbarsur nga shpirti fetar, nga thënie dhe imazhe biblike dhe evangjeliste. Deledda ishte gjithashtu një njohëse e mirë e Biblës dhe shumë prej protagonistëve të veprave të saj, kanë emra biblikë. Anjeza është një përjashtim i rrallë prej tyre.

 

Përktheu: Eglantina Lanaj

Share This: