FABRIZIO DE ANDRE, NJË NDARJE E PËRDITSHME ME DOZA TË VOGLA

Sokol Shameti

 

 

***

Dashuri që tash vjen, dashuri

që tash shkon

Ato ditë të humbëta prej nesh

ndjekur era

Një puthje kur lypej, ndër

mend njëqind të tjera

Një ditë të çfarëdoshme ti do

t’i kujtosh

Dashuri që tash ikën, sërish

s’do të mënosh

Dhe ti që me sytë të një tjetër

ngjyre

Më thua të njëjtat fjali

dashurore

Si sot muaji, viti, harruar do i kesh

Dashuri që tash vjen, sërish

do të kthesh

I ardhur mes diellit a prej

plazhesh mortore

I humbur nëntorit a ndër erna

verore

Unë kurrë s’të kam dashur,

t’kam dashur gjithmonë

Dashuri që tash vjen, dashuri

që tash shkon…

E vështirë të gjendet një ndjesi më e akullt ndarjeje sesa në këtë poezi të Fabrizio De Andre-së rreth vajtje-ardhjeve të dashurisë mes tij dhe gruas së paemër, asaj universales, tërësisht të pastinë e të pakohë. Poeti, muzikanti, anarkisti revolucionar, personazhi kontrovers i Italisë së gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, e shkroi “Amore che vieni, amore che vai” si njërën prej dy teksteve të këngëve në albumin e tij “Geordie” gjatë pranverës së vitit 1966. Edhe pse në dukje një himn dedikuar një marrëdhënieje, një lidhjeje, një forme të finalizuar bashkimi, poezia është në të vërtetë dy poezi të ndryshme njëherësh. Ajo është vërtet lavdi i dashurisë mes dy njerëzve që e përjetojnë ciklin e jetës si diçka që nuk ofron më asnjë surprizë apo kuriozitet. Por nga ana tjetër, thellë brenda nëntekstit të çdo vargu fle vajtimi i dëshpëruar i një mungese. Nëse do të duhej një përkufizim që mund t’i përafrohej më besnikërisht kuptimit të kësaj drame të trishtuar, këtu kemi të bëjmë me mungesë të përfshirë në prani; një ndarje e ofruar si pjesë përbërëse e vetë së tërës së dy njerëzve. Te kjo kontradiktë mungesë-prani, ndarje-bashkim, e cila filozofikisht s’mund të jetë tjetër pos hegeliane qëndron ndoshta një nga përjetimet më të thella të vetë ndarjes te De Andre. Një ndarje e dhembshme, por edhe jo tërësisht e qartë. Një ndarje më tepër e nënkuptuar sesa e dukshme. Një ndarje që nuk ka nevojë të artikulohet haptas, pasi është gjithsesi aty, edhe kur duket sikur dashuria është në pushtet. Nuk ka varg të kësaj poezie që të mos e lërë lexuesin pa e kredhur në një hon të ftohtë pasigurie dhe fataliteti, në një konflikt të qetë, por trazues midis asaj që është dhe garancisë se e njëjta, njëkohësisht s’është me të vërtetë aty. Elementët e një lidhjeje të plotësuar janë kudo nëpër tekst. Janë kujtimet e kohëve me puthjet e dikurshme që i sjell era, ngulitja e ngjyrës së syve, ditët e diellta dhe plazhet dimërore. Por po aty “trafikohet” me ëmbëlsi therëse edhe kapitullimi ndaj së pashmangshmes: ndarjes së cilës nuk mund t’i bishtnohet (dhe ti e di këtë shumë mirë), ngjyra e mëparshme e syve që në fakt, është thjesht dëshmi e ndryshimit prej asaj origjinales apo edhe kotësia vrastare e çdo peizazhi mbi të cilin po zhvillohet kjo romancë/dramë. Së fundi, është humbja totale dhe dorëzimi përpara një vetmie të populluar nga rekuizita e hollësishme e një marrëdhënieje të plotësuar, ajo që i jep vargut të De Andresë pikërisht trajtën e një poezie të mirëfilltë ndarjeje dhe mungese tragjike. Një ndarjeje të vuajtur përditë nga pak si helm i pirë me doza të vogla. E që ndoshta, pikërisht sepse i tillë, perceptohet më pak si helm tërë duke mbetur thjesht dhe vetëm një vdekje e ngadaltë, por e paevitueshme.

Share This:

blunavi.com