Poetët e traditës duhet t’u nënshtrohen gjykimeve të reja

“Poezia shqipe, një histori letrare” është studimi më i ri me autor Gazmend Krasniqin, i cili sjell një qasje të re të të vështruarit të historisë së poezisë shqipe, nën botimin e “Ombra GVG”. Për studiuesen Klara Kodra, e cila vazhdon të hulumtojë historinë e letërsisë shqipe, “autori ka meritën e çarjes së një “toke të virgjër”, duke e vështruar për herë të parë zhvillimin e letërsisë shqipe, konkretisht poezisë, në bazë të ligjeve të veta të brendshme, si dhe duke nënvizuar literaritetin e saj larg konceptimit sociologjik dhe pozitivist, që e ka karakterizuar për një kohë të gjatë shkencën letrare shqiptare, duke arritur kulmin e në kohën e diktaturës”.

Gazmend Krasniqi

Çfarë presupozon për studimet tona dalja e një historie letrare?

Me hyrjen në sistemin dinamik të traditës të veprave të reja, atyre të ndaluara për arsye jashtëletrare apo atyre me vlerën e (ri)leximeve nga brezat e fundit, historia e letërsisë nuk mund të jetë një e dhënë e pandryshueshme. Sot nuk mund të jetë më një sistem referimi botimi i fundit i historisë së letërsisë (Historia e letërsisë shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave e RPSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983), apo tekste të tjera para tij. Përvoja e studimeve letrare në botë dhe në vend përbëjnë një pikënisje të re, pasi të kemi rënë dakord se është krijuar një traditë tjetër, në liri të plotë dhe bashkëkohore, e studimit teorik, se nuk funksionon më kriteri përjashtues ideologjik apo përpjekja për të kërkuar shpjegimin e historisë së letërsisë me historinë sociale. Një tronditje e tillë e mendimit historiografik tradicional letrar, sigurisht na kthen te pyetja fillestare për letërsinë. Dimë se, në pamje të parë, në bazë të disa njohjeve të përhapura gjerësisht, pyetjes se çfarë është (në rastin e shtjellimit tonë) poezia, mund t’i përgjigjeshim: mund të jetë shumëçka – filozofike, emocionale apo sentimentale – se ajo mund të japë tablo apo të tregojë histori, mund të jetë satirike, argëtuese, politike apo thjesht informative, por kjo përgjigje nuk na lë të kënaqur kur bëhemi të vetëdijshëm se asnjëra prej këtyre karakteristikave nuk është vetë poezia, si dhe nuk zbulon mënyrën se si ndryshon ajo nga llojet e tjera të të shkruarit apo të folurit.

Cili është dallimi thelbësor midis një historie të letërsisë dhe një historie letrare?

Rene Wellek dhe Austin Worren, autorët e librit Teoria e letërsisë, i japin përcaktimet që i janë bërë letërsisë nëpër historitë e letërsisë te botimet e traditës (të gjitha na duken të njohura, sepse e njëjta gjë ka ndodhur në të gjitha letërsitë e mëdha, të cilat kanë qenë modele edhe për letërsinë tonë). Si “Biografi e kombit”, “Histori e shpirtit kombëtar”, “Funksion i veçantë i organizimit të shoqërisë në përgjithësi”, “Regjistron me besnikëri tiparet e kohës së vet”, apo “U transmeton brezave të ardhshëm një histori të vërtetë të jetës”. Për të dëshmuar lajthitjet që krijohen nga projektimi i asaj që nuk gjendet në tekst, për ilustrim, do të veçonim rastin ku merret poezia e njohur “Vaji i bylbylit”, shkruar mbi njëqind vjet më parë nga Ndre Mjeda, botuar e propaganduar gjatë në botime të veçanta, sidomos në tekstet shkollore, argumentohet si më poshtë: kur e përktheu atë poezi në italisht, Leonardo de Martino e interpretoi si një vaj për atdheun e robëruar; nën presionin e shoqërisë së rreptë jezuite (e cila për arsye të veta të brendshme reagoi ndaj interpretimit të mësipërm), vetë autori e interpretoi poezinë si vaj për humbjen e një shoku të afërt; studiues më të vonë (si dhe tekste shkollore) thanë se me këtë poezi Mjeda i këndoi ndrydhjes në shoqërinë jezuite, ku poeti bënte pjesë.

Çfarë presupozon kjo qasje e re?

Ajo që dëshmon për ndërhyrjen e Poetikës, është evidentimi i artit që ka përdorur autori për të ndërtuar veprën e tij. Nëse pëlqehet ajo që poezia “thotë”, kjo mund të shterohet në një fjali proze. Atje do të jetë ideja, por diçka do t’i mungojë. Ajo që mungon do të jetë poezia. Le të marrim kumtimin “unë jam i dashuruar”. Të shohim çfarë ndodh kur N. Frashëri shkruan të njëjtën gjë në poezi:

Do të shtrihem,

të venitem

si kandili, kur s’ka vaj,

 

balt’ e pluhur

do të bëhem

të më shkelnjë këmb’ e saj;

 

e të prehem

duke puthur

atë këmbë pasandaj.

 

A s’më thua:

ç’ke me mua?

Pse të dua, paskam faj?

Shihet menjëherë që diçka ka ndodhur tek ideja: janë shtuar metri dhe loja e këndshme tingullore e rimave, sidomos zanorja “a” e ngulitur në fund të çdo strofimi, ku këngëzimi i fituar shfaq mrekullinë e rrallë të ndjenjës së dashurisë. Pra, kjo tregon se ne mund ta zbërthejmë poezinë, ashtu siç zbërthejmë një orë, e me pjesët e hapura ta ngremë sërish në këmbë, duke rikthyer shërbimin e saj.

Në punimin tuaj duket një respekt i veçantë ndaj traditës. A ka kjo një arsye? 

Në historinë e artit shohim se zgjidhja e një problemi lind probleme të reja, duke u dhënë mundësi të tjerëve të tregojnë se ç’mund të bëjnë: çdo artist varet prej traditës për atë formë nxitëse që u jep drejtim përpjekjeve të tij. E gjithë kjo përcaktohet jo nga përmirësimi i artit, por nga ndryshimi i materialit në zotërim. E parë gjithnjë e më thellë në këtë dinamikë ndryshimesh, tradita e ndriçon vazhdimisht thelbin e vet përballë koncepteve historike letrare, duke marrë gjithnjë e më shumë pamjen e atij që duhet të ishte objekti i një Historie Letrare. Është shumë i rëndësishëm fakti se si është receptuar vepra që krijon vlera të reja, pasi historia e receptimeve mund të jetë historia e zhanreve të reja të një tradite. Koncepti i sistemit na jep “të tashmen e letërsisë”, sipas një termi të Jakobsonit, e cila:

  1. Prodhon vepra – ekziston një listë e gjatë e veprave që e kanë pasuruar në vazhdimësi letërsinë shqipe, sepse emrat e Jul Varibobës, De Radës, Naim Frashërit, Mjedës, Poradecit, Nolit, Fishtës, Migjenit, Camajt, Azem Shkrelit etj., na japin të drejtë ta themi këtë;

  2. Riaktualizon vepra – studimet apo dhe vetë krijuesit e kanë hedhur herë pas here vështrimin nga tradita, për ta rivitalizuar atë, siç ndodh, për shembull, me letërsinë e sotme që i është drejtuar letërsisë së viteve ’30, apo letërsisë së krijuar jashtë dogmave të realizmit socialist (Gunga, Perrone); ka ndodhur kthimi i Poradecit dhe njohja me Camajn; qarkullojnë në botime të veçanta dhe të përcjella me qëndrime pozitive vepra e Ali Asllanit, Gasper Palit, apo e një pjese të krijimtarisë së patheksuar më parë nga Naimi, Asdreni, Mekuli, Shantoja etj.

  3. Importon vepra – këtë e tregojnë raportet e herëpashershme me letërsitë e Lindjes apo të Perëndimit, duke marrë shumë veçori që i ka natyralizuar si shqiptare, qoftë nga pikëpamja e formave poetike, qoftë nga pikëpamja e arritjeve metrike dhe e koncepteve të ndryshme;

  4. Përjashton, nuk mban as nga veprat kombëtare, as nga veprat e huaja – vazhdimisht largohen nga qendra e sistemit vepra të imponuara dhunshëm (sidomos në periudhën e realizmit socialist dhe në periudha ku nuk ka funksionuar si duhet teoria letrare), apo vepra që kanë depërtuar në sajë të ndonjë prapambetjeje kulturore të momentit, të cilat në të vërtetë kanë qenë të parëndësishme për sistemin letrar shqiptar.

Nëse praktikojmë pikëpamjet e mësipërme, nuk do të humbasim në detin e madh të botimeve, por do të ndalojmë përpara disa teksteve themelore, të cilat mund të anashkalohen nga pikëvështrime të tjera. Raste tipike të përjashtimit do të vëmë re tek autorët që kanë prodhuar pak, edhe pse bëhet fjalë për vlera të vërteta.

Pse janë të rëndësishme përkthimet për traditën poetike shqipe?

Nëse ka tri situata në të cilat përkthehet letërsi që do të mbajë një pozitë kryesore: kur një letërsi marrëse është e re apo në proces formimi; kur një letërsi marrëse është e dobët apo periferike; kur një letërsi marrëse po përballet me një krizë, në dy rastet e para përkthimet luajnë një rol të rëndësishëm, për shkak se gjuha e letërsisë është e pamjaftueshme për të shprehur gamën e gjerë të përvojave në botën bashkëkohore. Shpesh këto përkthime japin shembuj të veprave që janë të ndryshme nga norma, nga motivimi i gjuhës marrëse për të eksperimentuar me zhanret e veprave të përkthyera. por rasti është i ndryshëm në letërsi të ndryshme. Mund të ketë raste kur letërsia e një gjuhe ngec, sepse i mungon gjaku i freskët për ta forcuar atë dhe përkthimet mund t’i sigurojnë perspektiva krejtësisht të tjera. Me përkthimet nga gjuha kineze Ezra Pound-i hapi në SHBA rrugën për lëvizjen letrare të njohur si Imazhinizmi. Megjithatë, përkthimet zënë pozicion dytësor në tradita të forta letrare, si në frëngjisht, për shembull.

A nuk mendoni se përplasja e kodeve do të sjellë edhe përplasjen e tabuve?

Mendimi i studiuesit Rexhep Qosja se Naim Frashëri është krijuesi deri më sot më i madh në letërsinë shqipe, se rëndësia historike letrare dhe kulturore e veprës së tij, para së gjithash, qëndron në vlerën e saj të pakaluar artistike, nuk qëndron. Koha tregoi se, kur u pa si objekt i studimit letrar, kodi qëllimor u bë i dëmshëm duke cenuar qenësinë e letërsisë. Tipi i autorit që himnizon e kritikon në letërsi e paraletërsi, që del nga statusi i krijuesit artistik dhe merr statusin e njeriut etik dhe politik që imponohet edhe si modeli zotërues për renditjen e vlerave në sistemin e historisë letrare – kundërvënia që iu bë, në periudhën e realizmit socialist Konicës me anë të Naimit, që iu bë Fishtës me anë të Mjedës apo Migjenit etj.) – na shtyn një zgjedhje nga kodi më afër tekstit letrar. Sjellim në vëmendje se i njëjti Kutel që qe “ndeshur” me Krist Malokin për Lasgushin, nuk ngurron që të shprehet me kurajë edhe për rënien e këtij te disa poezi të reja, kur thotë:Lipset të shtojmë këtu se do të ish mirë sikur Lasgushi të evitojë vargje të lehta që mund të gjykohen si lodra fëmijësh, e jo si vjersha të vërteta, si këto më poshtë:

Të më lini të flas unë,

T’u them fjalë shokërije,

Shokërije, vjershërije,

Vjershërije, Shqipërije.

Vjershat e këtyre rimave zinxhir, monotone, sipas Kutelit u përngjajnë parave që hazna (farkëtorja) e mbretit nuk i ka punuar me kujdes, prandaj edhe kovaçi i fshatit mund t’i falsifikojë. Për poemën Kushtrimi i Skanderbegut të Ernest Koliqit, për të cilin thotë se ka mundësi të mëdha stilistike (novelat e tija kanë nerv edhe fuqinë për të krijuar një atmosferë të këndshme) dhe pritet të japë vazhdimin e Hijeve dhe Flamureve, Kuteli nuk ngurron të shprehet: pa asnjë vlerë.

Sa ka ekzistuar një mendim i tillë kritik në traditën tonë letrare?

Shumë nga përgjigjet për pamjen e Historisë Letrare ndodhen në faqet e historive të shkruara e të botuara apo në mendimin kritik e teorik në përgjithësi. Por ajo atmosferë që mbizotëroi periudhën e quajtur socrealiste nuk mund të linte hapësirë për atë që shkruante Ezra Pound-i në esenë “Si të lexohet”: Po të studiojmë fizikën, nuk lypset të shqyrtojmë biografitë e të gjithë atyre nxënësve të Njutonit që kishin interesim për shkencën, por që nuk kishin bërë ndonjë zbulim. Shënime nga jeta e tyre erotike as konsiderohen pjesë që i përkasin lëndës e as kërkohet nga studenti që t’i dijë; apo asaj që thotë Shkllovski më me humor, apo cinizëm, se historianët e letërsisë nuk duhet të veprojnë si policët të cilët, kur shkojnë të arrestojnë një keqbërës të caktuar, marrin (me atë rast) këdo dhe çdo gjë që gjejnë aty, madje edhe ndonjë kalimtar të rastit. Pra, vështrimet historiko-kulturore, metodat biografike apo sociologjike të kësaj kohe, qofshin ose jo të kushtëzuara nga politika, të orientuara nga pozitivizmi apo socrealizmi, u dalluan nga prirja për të shuar përpjekjet interesante që patën filluar në mendimin kritik dhe estetik shqiptar, si ajo kur studimi Poetika e Lasgush Poradecit hapej me fjalinë: Në hierarkinë e elementeve që përbëjnë vleftën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vijnë veçse në radhën e dytë; apo kur mbyllej me fjalinë: Nëpërmjet formës ose muzikalitetit, dhe përgjithësisht nëpërmjet formës, Lasgushi qëndron në ballin e poezisë shqiptare. Qe fat që mendimi historiografik letrar po vazhdonte të zhvillohej në qarqe kulturore, siç e tregonte rasti i Kosovës, ku pas Luftës II Botërore qe shtuar edhe qarku kulturor i Prishtinës, eksponentët e të cilit kishin rënë në kontakt me atë që po ndodhte në Perëndim. Qe fat që Koliqi e Camaj jetonin në Perëndim.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga studiuesit e traditës?

Le të kujtojmë një frazë të Namik Resulit: Në gegët zotëron retorika… Në toskët, ndoshta më tepër “spontaniteti”; më tepër thjeshtësi e freshkësi, më tepër origjinalitet… por përcipëri mendimesh, një farë disorientimi kulturor kulturor, mungesë kujdesi në stil e në “vargënim”. Mund të hapë diskutime pafund.

Cila është e ardhmja e historisë letrare?

Sot e dimë se sfidat që ngrenë paradigmat e reja metodologjike, por edhe mundësitë konkrete që hapin ato, i kanë tronditur konvencionet e njohura për trajtimin e historisë së letërsisë, edhe kur kemi të bëjmë me rastin më të mirë të saj – trajtimin e lëvizjeve artistike (romantizmit, simbolizmit, ekspresionizmit, avangardës, postmodernizmit) dhe të lëvizjeve kulturore historike (Rilindjes, Barokut) – apo edhe në rastin më të dyshimtë të saj: trajtimit të letërsisë brenda periudhave të caktuara historike (për shembull, viktorianët në Angli, Rilindja Kombëtare apo Pavarësia në Shqipëri). Me gjithë familjarizimin, sipas studiuesve, koncepti i Historisë Letrare vazhdon të kërkojë ndriçimin e disa prej veçorive të tij themelore, si:

– Qëllimi i qasjes së brendshme është përcaktimi i forcave që veprojnë, udhëheqin, vënë detyra apo shprehen prej teksteve letrare – ajo që i bën çfarë ato janë – si dhe i rrugëve me të cilat këto forca ndikojnë te letërsia;

– Në ndryshim me historinë tradicionale të letërsisë, historia letrare u pa jo thjesht si një koleksion i rrëmujshëm i teksteve në marrëdhënie arbitrare me njëra-tjetrën, por si një renditje e momenteve apo sekuencave që së bashku formojnë një narrativë koherente dhe bindëse;

– Në sensin e ngjarjeve të jashtme, duke kërkuar formulën e një pamjeje të letërsisë në rrjedhën e kohës, historia letrare ia nënshtron historinë letërsisë;

– Pa zhvillim të teorisë letrare, nuk ka histori letrare.

Cila është, sipas jush, detyra e studimeve tona letrare?

Ka ardhur koha që në studimet tona poetët e traditës t’u nënshtrohen gjykimeve të reja. Kujtojmë konsideratën e ligjërimit modern dhe shohim se, po të ngeleshim në mënyrat e vjetra të diskutimit, te Naim Frashëri do të humbnim vargje të tilla, të interesuara deri të njësia më e vogël e fjalës – tingulli, si:

Vera vate, shkoi…

Apo zanorja e në vargjet e mëposhtme, me aftësinë e saj për të mbajtur një tonalitet të ulët e të shtruar:

Erdh e na gjet

vera mbi dhet

dhe këtë he

Në ilustrimet e mësipërme, të marra nga libri Lulet e verësë, sidomos nga cikli Bukurija, ku fjala njeh një përzgjedhje të çmuar, kemi larmi vargjesh që sjellin larmi ritmesh e gjendjesh poetike, pasi aty poeti është më universal e më etern në raportet e tij me “qëllimin” e funksionalitetin e poezisë: arsyeja që këto vargje i “rezistojnë” edhe leximeve më moderne, duke dhënë kënaqësi të veçanta e të qëndrueshme estetike. Kritik subjektiv, i anshëm deri në simpati apo antipati, gjë e njohur për Francën e formimit të tij, ku po bëhej hapja e kritikës nëpër degëzime të ndryshme, Konica njihte dhe vlerësonte saktë edhe kriteret e përgjithshme të krijimit të poezisë, por i verbuar, besojmë, nga diçka përtejnaimjane, nuk pranonte të përligjte të renë e vëllimit Lulet e verësë, duke harruar se poezitë e tij dikur i pat quajtur gracioze dhe të freskëta. E pra, te cikli Bukurija Naimi i zbaton të gjithë atë rregulla që Konica i shikon të domosdoshme për poezinë:

  1. Vjersha është shesh i cilësisë e jo i sasisë

  2. Shkrimi i vërtetë i kursen fjalët

  3. Shkrimi i vërtetë i zgjeth fjalët

  4. Shkrimi i vërtetë, në varg a në prozë, ka muzikën e veçantë të tij.

Kjo hap diskutimin se çfarë duhet të vlerësojmë te Naimi. A shërbejnë më tabuizimi apo përjashtimi me gjithsej? Kur kemi folur për traditën, kemi thënë, sipas gjykimit eliotian, se asnjë poet, apo artist, nuk ka domethënie të plotë më vete, se nuk duhet të humbasim në detin e madh të botimeve, por do të ndalojmë përpara disa veprave esenciale, të cilat mund të anashkalohen nga pikëvështrime të tjera. Konkretisht, kjo ka vlerë edhe për krijimtarinë e Naim Frashërit, e cila, në planin historik, sipas konceptit eliotian e ka prishur rendin ekzistues, kur u shfaq së pari: bindemi menjëherë për këtë, nëse i hedhim një sy epokës së quajtur letërsia e vjetër shqipe dhe të quajturës letërsia e bejtexhinjve.

A.Bardhyli

Share This:

blunavi.com