Dalina Buzi:Heroina ime? Zonja Dalloway…

Clarissa Dalloway, një nga personazhet më të njohur të letërsisë angleze, është gruaja që Dalina Buzi, themeluese Anabel Media, do të veçonte si personazhin e parapëlqyer, në bibliotekën e madhe të botës. Me flokët e shkujdesur dhe fustanin e gjatë me lule të vogla zonja Dalloway, vazhdon të jetë frymëzuese gati një shekull pasi u shfaq për herë të parë në libraritë e Londrës më 1925. Ka shumë gjëra që një femër mund të gjejë tek kjo angleze, që shpesh më shumë mund të ndjehen sesa të thuhen me zë…Kjo, pasi Clarissa Dalloway duket sikur me jetën e saj na çon në rrugët e zemrës që i kemi lënë gjithnjë diku, me shpresën se ashtu si ajo, një ditë do ti shohim në një shëtitje të rastësishme rrugëve të jetës….

 

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër? 

Momentalisht sapo mbarova “The personal MBA” – Master the Art of Business nga Josh Kaufman. Nuk është fiction, por një libër që m’u shfaq në kohën e duhur, duke qënë se jam e përqendruar në ngritjen dhe zgjerimin e biznesit tim. As nuk e dija që e kisha blerë (do të ma ketë blerë nënvetëdijaJ), por e zbulova në shtëpi dhe e mora me vete në plazh, e nuk e hoqa nga duart derisa mbarova pushimet. Para këtij libri, lexova një libër të shkurtër të Dostojevskit “The meek one”, që ndryshe njihet si “The Gentle Creature”. Në shqip nuk e di nëse është përkthyer, por unë do ta përktheja “E vobekta”…Ishte një novelë (një libër rreth 50 faqe), por që të jep të njëjtën “tronditje”, si çdo libër tjetër i këtij shkrimtari.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Për mua nuk ekziston një roman më i mirë. Unë pëlqej të flas për ato romane që kanë lënë më shumë gjurmë tek unë se të tjerë, ose më kanë ndryshuar botëkuptimin. Madje më të mirët për mua, janë ato që më kanë bërë të ndihem edhe shumë e pasigurt për talentin tim në të shkruar, sepse sa herë i lexoj them: “Oh Zot, nuk mund të shkruaj kurrë kaq mirë!”. Gjithsesi, kam kujtime shumë të bukura duke lexuar “100 vjet vetmi” të Markezit e mbyllur në shtëpinë time në Golem, në javën e fundit të Dhjetorit 2007, kur nuk kisha asnjë nga familja në Shqipëri. Lashë celularin të, nëpër kafenetë e zbrazëta dhe nuk e shkëpusja nga dora derisa më zinte gjumi. Të tjerë që kanë lënë gjurmë tek unë janë “Catcher in the Rye” një klasik amerikan nga J.D. Salinger, “On the road” nga Jack Keourac, “Color Purple” nga Alice Walker, “Kronikë në gur” nga Ismail Kadare, “Picture of Dorian Gray” nga Oscar Wilde, “Mrs. Dalloway” nga Virginia Woolf, e shumë të tjerë.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Unë në fakt një pjesë të madhe të edukimit tim e kam bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje gjatë kursit të letërsisë angleze, më ka rënë rasti të shijoj shumë tregime nga shkrimtarë amerikanë. Gjithashtu kam qenë një lexuese e rregullt e revistës “New Yorker”, ku publikohen tregime nga shkrimtarë të mëdhenj botërorë ose shkrimtarë në ngjitje. Nuk di të veçoj një, por Markezi dhe Kundera mendoj se kanë bërë tregime fantastike. Po ashtu më kanë pëlqyer shumë edhe disa tregime japoneze. Nëse më duhet të veçoj një tregim të caktuar, do të zgjidhja menjëherë: “Loja e autostopit” nga Kundera, një tregim pjesë e librit “Laughable Loves”.

 

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

 

Vitet e fundit fatkeqësisht, për shkak të punës dhe familjes, nuk kam qenë lexuese aq e rregullt, sa më parë. Megjithatë kur më ka rënë në dorë Haruki Murakami, kam thënë: “Ja një letërsi shumë e mirë mund të bëhet bestseller. Ka shpresa në këtë botë.”

 

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

 

Nuk lexoj më poezi. Kam lexuar dikur, por nuk e di pse nuk kam asnjë interes më për to, edhe pse të them të drejtën kam dëshirë që të blej të gjithë librat e poetëve shqiptarë që vlerësohen si më të mirët dhe t’i lexoj. Shkollimi në Amerikë më ka lënë pak deficite me letërsinë shqipe, të jem e sinqertë.

Përsa i përket gjinisë letrare, më pëlqen si romani, tregimi apo edhe drama. Gjithashtu, siç e thashë në fillim, kohët e fundit jam shumë e përqendruar tek non-fiction, libra edukues dhe të profilizuar në fushën që unë kam interes aktualisht. Paralelisht, do të doja t’i rikthehesha edhe atyre veprave që nuk mendoj se i kam kuptuar plotësisht kur i kam lexuar në gjimnaz apo fakultet, si “Princi” i Makiavelit, “Seksi i dytë ” nga Simone de Beauvoir, “Lindja e një tragjedie” nga Nietzche etj.

 

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Unë në fakt nuk kam dashur kurrë të profilizohem si lexuese e një gjinie të caktuar. Ndoshta këto profilizime janë tipare adoleshence, sepse atëherë me krenari thoja që lexoj Ginsberg e Whitman, por gradualisht kam lexuar çfarë më ka rënë në dorë dhe mendoj se më ka bërë shumë mirë. Ndaj në bibliotekën time gjen çdo lloj libri, që nga Shekspiri e deri tek libra të tipit “The art of filmmaking”, “Life of Greta Garbo”, e deri tek libra të lehtë best-seller të Sidney Sheldon apo shumë të tjera mbi krizat ekzistenciale të 30-vjeçarëve në Nju Jork, që duan të zgjedhin midis mashkullit ideal dhe kartës së kreditit ideale.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

 

Clarissa Dalloway. Definitivisht. Arsyet janë personale.

 

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

 

Në fëmijërinë time kam qenë lexuese shumë e mirë në fakt dhe më e përqendruar se sot. Im atë përditë dhe disa herë në ditë na thoshte (mua dhe motrës) që duhet të lexojmë. Kur u hapën panairet e librit, ai shkonte dhe kthehej me qese të mbushura plot me libra. Nuk pyeste sa kushtonin dhe çfarë librash ishin, donte vetëm që ne të kishim mundësi të lexonim sa më shumë dhe nga çdo gjë.

Disa vite i kalova tek gjyshërit dhe gjyshi im, një njohës shumë i mirë i shtatë gjuhëve dhe një lexues i rregullt deri kur u nda nga jeta, më çonte çdo javë në bibliotekë. E kishim traditë. Atëherë më pëlqenin librat me aventura dhe mbaj mend që librit “Dy vjet pushime” nga Zhyl Vern, i jam kthyer tre herë. Gjithashtu nga im atë, kam trashëguar një dashuri për Shekspirin dhe kujtoj që Hamletin e kam ditur që e vogël, sepse ai ma recitonte shpesh nëpër shtëpi me zë të lartë dhe madje dialogun e Mbretëreshës me Hamletin e aktronim të dy shumë shpesh. E kam fjalën për momentin kur Hamleti nxjerr fotot e babait të tij dhe xhaxhait (tashmë të martuar me nënën).

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Nëse do ta quaja telash faktin që unë kur shkoja në bibliotekën e shkollës (në Amerikë), lexoja libra të tjerë dhe jo ato që më ishin caktuar nga profesorët, po. Por kaq. Gjithmonë kam pasur liri të lexoja çfarëdolloj gjëje. Madje e kam thënë dhe diku tjetër, në shtëpinë e gjyshit kam zbuluar shumë herët, kur isha ende fëmijë, librin “Fijet e Barit” të Walt Whitman në shqip. Ishte një libër i vjetër me një kopertinë që dukej si kopertinë e ndonjë libri shkencor dhe hynte tek librat e ndaluar. Nuk më tërhiqte kur e shihja, por ngaqë e ndeshja shpesh me sy, thashë një ditë, o e hap nga kurioziteti. Kur e hapa, nuk e hoqa nga duart më. Aty kuptova që në botë kishte edhe poezi pa rimë dhe një tjetër horizont u hap për mua atëherë.

 

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Sa pyetje e vështirë! Mendoj që në stilin e të shkruarit më ka ndihmuar shumë letërsia amerikane, sepse kanë një stil më konciz dhe të thjeshtë të të shkruarit. Kurse Virginia Woolf, Anais Nin, Simone de Beauvoir, Toni Morrison, Alice Walker, Isabel Allende, Maya Angelou, Sylvia Plath më kanë frymëzuar të dua më shumë dhe të kuptoj gjininë time. Ndoshta një arsye përse faqja e Facebook-ut të Anabel.al ka aq sukses me lexueset femra, është fakti që unë nuk kam paragjykuar kurrë asnjë lloj opinioni apo historie, pasi ndoshta edhe nëpërmjet leximit (ashtu si edhe nëpërmjet punës sime si gazetare e udhëtimeve në botë), kam arritur të kuptoj më shumë nga bota e gruas, me gjithë përpjekjet e saj për të zënë vendin që meriton në shoqëri.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

 Nuk e kam shkruar ende librin tim, fatkeqësisht. Kam nisur të shkruaj shumë shpesh, por gjithmonë në fund kam shtypur butonin “Delete”. Edhe kur lexoj çfarë kam shkruar më parë them: “Oh Zot, çfarë tmerri! Unë e kam bërë këtë!?” Mendoj se tani që jam në fund të 30-tave, jam shumë më gati për të shkruar dhe diçka do ta bëj besoj deri në fund të 40-tave. Vullneti qoftë me mua!

Po qe se do t’i kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

 

“Brave New World” nga Aldous Huxley

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të doja të ftoja 3 shkrimtare gra: Isabel Allende, Toni Morrison dhe Virginia Woolf. Pas një bisede të ngarkuar intelektuale ku natyrisht unë do të pyesja dhe ato do të përgjigjeshin, do të pija një gotë vere për qejf me Anais Nin.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

 

Libri që më ka zhgënjyer ka qenë Alkimisti. Më dukej si një përmbledhje e mërzitshme citimesh të marra në internet. Më ka pëlqyer Paolo Coelho në romane të tjera, por për Alkimistin kisha dëgjuar aq shumë fjalë të mira, ndaj zhgënjimi ishte më i madh.

Kurse libra që kam mbyllur pa mbaruar janë shumë, sepse për shkak të jetës sime shumë aktive, nuk arrij t’i mbaroj. Libri i fundit që kujtoj është “Steve Jobs” nga Walter Isaacson. Është shumë libër interesant por shumë i gjatë dhe më zë gjumi gjithmonë pas 5 faqeve.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

 Historinë e jetës sime? Hmm…Fillimisht duhet të vijë ajo ditë që jam aq interesante sa historia ime të shitet. Se unë kam një punë të tillë që ka 90% marketing dhe e kam sëmundje profesionale, të kërkoj gjëra që kanë lexueshmëri të garantuar.  Pasi të sigurohesha që do të kisha shitje, atëherë do t’ja rrëfeja historinë time ashtu siç ishte, vetëm një mikeshës sime Klaudia. Është i vetmi njeri që do të besoja se me ndërgjegje të plotë do të bënte librin më të sinqertë, pa lajle-lule apo patetizma, pasi nëse më kundërshton e më kritikon sa jam gjallë, kam besim se edhe kur të mos jem, nuk do të ndryshojë. Plus që ka edhe shumë talent në të shkruar. (Natyrisht, nëse ajo do të kishte dëshirë).

 

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

 

Tek librat e Kunderës e Markezit. Por siç thashë pak më sipër, dua t’i kthehem atyre librave që s’kam kuptuar mirë dikur.

 Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

 

“Vëllezërit Karamazov” dhe nuk e di pse asnjëherë s’më ka rënë në dorë! Ndihem shumë shumë keq dhe duhet ta lexoj patjetër! Edhe “Komedinë Hyjnore” të Dante Alighieri. Nuk kam pasur shumë vullnet ta lexoja dikur dhe më vjen inat (ose më saktë më vinte dikur inat) kur përballesha me njerëz që e citonin dhe unë buzëqeshja sikur e kisha lexuar.

 

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Ato që thashë pak më sipër dhe do të doja të lexoja të gjitha gratë nobeliste të të gjitha kohërave. E kam fjalën për libra që më kanë shpëtuar. Nisa një tregim të Alice Munro dhe më pëlqeu shumë. Do t’i kthehem prapë tregimeve të saj. Siç thashë edhe më parë: “Vullneti qoftë me mua!”

Share This: