Divani i dajës

 

 Miri Dhrami

tregim

       Besoj e ka hedhur daja divanin e vjetër, vendosur përgjatë kuzhinës së ngushtë, i cili në ditët me miq kthehej në krevat. Format e sustave që shtynin lart damaskun e ronitur shquheshin aq të gjalla, saqë të uleshe mbi to, ishte mirë t’i shënoje rrathët në qendër. Vetëm ashtu mund të qëndroje pak në atë divan. Këto përpjekje shoqëroheshin gjithmonë nga shikimi i dhimbshëm i dajës. Dukej sikur thoshte; Hë, pa mundohu mos i zbut pak, o mik! Pra, ai ëndërronte që ngërçosja e sustave t’i zhdukej nga sytë. Megjithëse mundohej ta kalonte, duke falur buzëqeshje të ngrohta. Thua rronte në një botë tjetër, përrallore. Por divani i tij mendonte ndryshe. Ai nuk të duronte gjatë. Dhe porsa të çoheshe, vëreje se sustat kryeneçe zinin menjëherë vendin e mëparshëm, që dajës t’i vakej buzëqeshja. I vërente ato tela gjithë pikëllim, si të ishin njolla turpi, që askush mos i pastë në prag.   

      Pastaj, shikimi i dhimbshëm i tij kërkonte mirëkuptimin e mysafirit, që nuk mundi të qetësohej. E si të mos i mjaftonte kjo, të ndenjurat e tij përfitonin edhe disa rrathë të zinj nga poshtë. Sustat e divanit ta ndalonin krejt qarkullimin e gjakut, kështu mishi të nxihej. Këtë e kisha provuar dhe vetë, sa herë u gjenda në rol të mikut, ngaqë  përpiqesha të qëndroja sa më tepër mbi divan, që daja të mos turbullohej. Ashtu ai, mbas pritjes së ngrohtë, të përcillte edhe më i mallëngjyer, duke të qëlluar lehtë në sup; “Ngado që të shkosh, o bir, në darkë këtu, ëë. Përsëri tek daja! E more vesh?! Dhe mos u vono rrugëve!” Po ne në atë qytet, për ato të shkreta rrugë shkonim. A kishte kuptim fjala “mos u vono rrugëve”?

  -Mirë o dajë, mirë!-ia ktheja duke fërkuar prapanicën dhe dilja në shkallë, ku dëgjoja shkarazi dhe dublimin e dajeshës;  “mos u vono rrugëve…!    

       Pasi endesha më kot disa orë, nëpër qytetin që lyhej me aksion të dielave nga daja dhe shokët e tij, aty afër mbrëmjes kthehesha “i ngopur” me shëtitje. Porsa hapej dera, zgjasja kokën gjithë merak të vëreja mos kish bujtur tek daja dhe ndonjë tjetër për gjumë. Po të ishte ndonjë djalë nga fisi ynë, daja na shtronte të dyve bashkë në divanin krevatin e guzhinës, njërin nga koka dhe tjetrin nga këmbët. “Edhe si vëllezër, adha! Mos u shkelmoni në gjumë!”-na thoshte gjithë mirësi dhe i kërrusur çapitej për në dhomën e vet, lyer me gurkali.  

       Puna koklavitej kur vinin ndonjë nga mbesat e dajeshës. Apo nuk ishin të gjata e të bukura, si statuja mermeri! E si të mos iu mjaftonte bukuria, dreqet ishin dhe tepër finoke. Ndaj dhe të gjitha sa kisha njohur, vazhdonin shkollat e larta me korispodencë. Pra, ardhja e ndonjërës prej tyre mua automatikisht më dërgonte të flija përtokë, diku pas derës në korridor. Por nuk zemërohesha. E pranoja me kënaqësi të fjeturin përtokë, ngaqë gjer sa të shtriheshim për gjumë, flisnim e qeshnim aq shumë bashkë, saqë dajkesha ndërhynte me atë kollën e saj të thatë, të na kujtonte se nuk bënte të tregonim aq afrimitet… Ndërkohë daja nuk e kuptonte fare, përse dajesha kollitej aq rëndë si hyzmeqar.  

      -Të kam thënë, moj e uruar, pa të zënë kolla të bësh një çaj!–i thoshte urtë dhe vazhdonte të qeshte me ne, e ta mbante të ngrohtë harenë e mbrëmjes.

      -Po mor po, do ta bëj nesër në mëngjes! -i përgjigjej ajo me nëntekst, ngaqë plaku nuk nuhaste asgjë, por vazhdonte të qeshte e të fliste me ne, si djalosh. Veçse kjo situatë nuk shkonte gjatë. Kolla e  dajeshës bëhej aq e fortë, saqë biseda jonë zbërthehej. Ndërhynte përsëri daja që ne të rifillonim humorin, por si tek çdo gjë e thyer, edhe humorit tonë i dallohej plaga e ngjitjes…     

 Veç një çast, kur ne përmendëm në vija të përgjithshme se si mund të ishte demokracia, humori i tij u rrafshua sikur e griu murrlani. Goja i iku pak shtrembër, thua e goditi paralizë. Por nuk vonoi të përmendej dhe na këshilloi të ndërronim shpejt bisedën. Çastin tjetër biseda jonë kaloi tek filmat, e prej aty tek librat, mandej tek rrobat e kush kujton më tej, se si përfundoi biseda atë natë të gjatë dimri, mbi divan-krevatin e shkatërruar të dajës.         

        Ndërkohë që flisnim, vajza nga fisi i dajeshës tregohej e pa fuqishme të shtypte sustën poshtë vitheve. Lëvizte gjithmonë sa pak majtas, sa djathtas. Unë, meqenëse isha “burrë” dhe më i rëndë nga ajo, bëja më parë sustën e divanit “zap,” pastaj fiksoja në buzë buzëqeshjen e triumfuesit. Nganjëherë shtypja edhe dy susta njëherësh. Po gjer aty. Më tepër as unë nuk mund të zmbrapsja. Ndaj i jepja të drejtë mbesës së dajeshës që i përdridhite vithet mbi divan. Edhe për të veshurin e lehtë i jepja të drejtë. Madje kur nganjëherë asaj i derdhej mbi sobë çaji ose kafeja, përsëri i jepja të drejtë. Se dëshiroja që dajesha të mos e çonte sa herë nga divani… Me pak fjalë, pranë saj nuk e  kuptoja sa shpejt vinte ora për gjumë, që unë të largohesha për tek korridori, i shoqëruar nga një “natën e mirë” e saj, gjithë ëmbëlsi. Kurse ajo kthehej mbrapsht mbas dollapit të bukës dhe vishte bizhamat e natës.

     Teksa shtrihesha mbi një stromë të hollë në korridor, vëreja me cep të syrit hijen e trupit të bukur të saj, që zhdrivillohej hajthshim mbi mur. Por nuk më linte era që fuste dera e korridorit nga poshtë, ti shijoja ato emocione të papërshkrueshme gjer në fund. Era e ftohtë gati më shponte në shpinë, ndaj dhe gjumi vononte të më zinte. Por edhe vajza që flinte mbi divan, sillej e përdridhej mbi susta, sikur flinte përsipër iriqëve.  

I shtirur sikur flija, e dëgjoja që mundohej të shtypte sustat me trupin e saj të hollë e delikat, dhe më pikonte në zemër. Herë herë gati t’i thosha të kthehej në brinjë, se ndoshta ashtu trupi i saj gjarpëronte midis sustave, e do të prehej më mirë. Por nuk fola. Kisha hall mos më dëgjonte dajkesha dhe e mbyste kolla pastaj… Për veten time bëja një si barrikadë nga mbrapa derës, me shapkat dhe këpucët që gjendeshin aty rrotull. Pastaj, i fshehur pas barrikadës me shapka, më merrte gjumi. Një gjumë i shqetësuar, sigurisht. Plot ëndrra e zhgjendërra të frikshme.  

       Një herë m’u bë, sikur sustat e divanit natën nxorën mbi damask disa gishta çeliku dhe përpiqeshin të ledhatonin egërsisht gjokset e bukur të mbesës së dajeshës. Por unë i kisha marrë masat. Duart e mia ktheheshin në dara të fuqishëm që e këpusnin çdo gisht metalik. Për pak zgjohesha. Troku i darës që këpuste gishtat e sustave gjithandej, nuk ishte tjetër veçse goditja që më bënte porta në shpinë, e cila fillimisht më rrëzonte barrikadën prej këpucëve. Ndaj, porsa më ftohej shpina, prishej dhe ëndrra. Ashtu përgjumësh nisja të rindërtoja murin me këpucë. Një çast, tek punoja në errësirë, dëgjova të qeshurën e bukur të vajzës nga soji i dajeshës.

-Të vjen për të qeshur?-e pyeta zë ulët nga korridori. 

-Po! –ma kthehu e qetë, gjë që nuk përkonte fare me gjumin e saj mbi susta.

-Çudi! –ia bëra për t’i treguar se edhe unë mund të qeshja me të.  Ajo e kuptoi që u preka dhe në çast më pëshpëriti; Nuk qesh me ty, por me sustat e divanit që më gudulisnin gjithë andej. Atëherë mua më iku fare gjumi. Ato sustat e vogla si duar liliputësh, mundoheshin të ledhatonin trupin e bardhë të Guliveres, si ta përmendnin nga helmi i shigjetave të veta. E mrekullueshme. Sa nuk thërrita nëpër natë.

-Ju po i bëni trupit një masazh të rrallë! -e ngacmova pas pak me zë të ulët.  

-Posi more.., po ta tregoj nesër masazhin që bëj! -ma ktheu po me humor. Pastaj heshti për të kuptuar se duhej të  flinte ato pak orë që kishin ngelur. Duke pritur një fjalë të saj, edhe mua më merrte gjumi. 

         Meqenëse korridori ku flija, ish pika ku kryqëzoheshin hyrjet për në dhomë, në kuzhinë dhe në banjë, duhej të çohesha shpejt, të mos pengoja lëvizjen. Vesha me të shpejtë teshat e akullta dhe pa zhurmë dola në shkallë. Pak më tutje, hyra në kafenenë që pallati i dajës kish përballë. I turbulluar nga nata dhe mbesa e dajeshës, rrufiksja me të dredhura çajin pa aromë që gruaja e trashë e banakut e bënte mirë. Për pak, nga pallati doli mbesa e dajeshës. Qysh pas xhamit ia bëra me dorë. Ajo duke qeshur nën buzë, mori rrugën fill për tek kafeneja.

-Mirëmëngjesi, si u gdhive? –më pëshpëriti si të kishte frikë, mos e dëgjonte dajkesha.

-Mirë, po ti?  

-Si mbi susta, –mu përgjigj dhe u ul e këputur tek karrigia pranë. Për pak, duke zbuluar lehtë këmbët e bukura, më tregoi dy të nxira nga rrathët e sustave, që i fitoi po atë natë tek divani i dajës.

-Më vjen keq, -i thashë pa  guxuar ta ledhatoja, t’i largoja sadopak dhimbjen…

      Atë mbrëmje, mbas provimit tek ekonomiku ajo mori trenin për në fshat. Unë u ktheva përsëri tek daja dhe kur erdhi ora e gjumit, dajesha u ngrit të më shtronte mbi divan. Tregonte e prekur ngaqë sa herë i vinin mbesat, ajo u shtronte në divan duke marrë çehre fajtori, si të dëshmonte për një hall të madh e të pazgjidhshëm. “Dajkesha të gjithëve ju do njëlloj!” thoshte dhe shtronte çarçafin. Unë, tek kujtoja rrathët e zinj mbi kofshët e bardha të mbesës, më shkoi në mëndje t’i kërkoja të më shtronte përsëri në korridor. Por u druajta mos ofendohej daja dhe nuk fola.  

     -Natën e mirë! –më tha pas pak e kënaqur, ngaqë unë nuk ia ktheja fjalën kurrë. E mirëkuptoja gjithmonë.

     -Natën e mirë! –iu përgjigja të dyve në çast i qeshur, të lija të kuptonin se vërtet, kisha për të kaluar një natë fantastike… Pasi u përdrodha disa herë mbi divan, i vendosa këmbët po mbi ato susta që një natë më parë kishin nxirë vajzën nga fisi i dajkeshës. Duke qëndruar në atë pozicion, një sustë tjetër më shtynte në vithe, dy në shpinë, një në shpatull dhe një tjetër në zverk. I varë po nga të njëjtat susta, në  të njëjtat pika kyçe të trupit që një natë më parë ishte vrarë trupi  i mbesës së dajkeshës, më zuri gjumi. Në mëngjes kur u zgjova, m’u desh pak kohë të kthjellohesha. Kisha parë ëndrra me llahtarë.

              

                                        *    *    *

Pasi kaluan disa vite, e takova  përsëri vajzën nga fisi i dajkes. Ishte  martuar dhe punonte në një zyrë. I dhashë dorën ngrohtësisht, si në ditët që ishim të rinj e qeshnim gjeri vonë. E pyeta për familjen. Pastaj, duke ia mbajtur lehtë dorën, i pëshpërita në vesh numrin e rrathëve nga sustat e divanit të dajës që më kishin munduar gjithë ato vite: “Përveç atyre dy rrathëve në kofshë, që më treguat pak atë mëngjes, kishit edhe një në vithe, dy në shpinë, një në shpatull dhe një zverk.” Ajo nuk foli. As tregoi e befasuar. Veshi shpejt një shikim qortues që nuk po ngrinte dot nga toka.   

     -Atëherë kisha qejf të t’i tregoja të gjitha! –pëshpëriti paksa e skuqur në fytyrë, duke nënkuptuar ndoshta edhe gjinjtë, që i mbrojti me aq mundim nga sustat vrastare, duke fjetur gjithë natën me sytë në tavan. -Edhe unë kisha qejf t’i shikoja tek ty, para se t’i qëndisja mbi trupin timin!  –iu përgjigja çilet, ta nxirrja nga sikleti. Buzëqeshi ëmbël si atëherë. 

    -Pra, unë i kam akoma ato vula në lëkurë, juve ndoshta ju kanë ikur! –i thashë me shpoti për t’i sjellë më afër netët rinore, të mbetura mes dimrash të ftohtë. Më buzëqeshi si engjëll. –Po, më kanë ikur! -belbëzoi si e dyshimtë, dhe më tërhoqi për tek zyra. Vërtet, i kishin ikur krejt…

 

Athinë 2007.

Share This:

blunavi.com