Shkrimtar anonim dhe me pseudonim?

“Oh baby im a Writ’Star!”

nga Loer Kume


Një herë një i njohur i imi më bën një pyetje: “Pse shkruan me emrin tënd? Ty njerëzit të njohin si doktor, i humb vlerat, përqëndrimin dhe seriozitetin profesionit që të jep bukë me shkrimet e tua letrare. Pse s’shkruan me pseudonim? Ke dhe mundësinë të shkruash për çfarë të duash pa inhibicione!”
Nata e gjatë, qyteti atje tej jeton me dritat ndezur, dhe unë jam duke shkruar mbyllur në qelën time.
Shkruaj letërsi. Të cilën njerëz do ta marrin, lexojnë, e ushqejnë të menduarit njësoj si ushqejnë veshin me muzikë. Kështu që, më thirr Writ’star, sepse çdo natë derdh trurin, fantazinë e mendimin, shqisat e mia të bashkuara në letër, të nesërmen shkoj në punë për të jetuar, marrë material, e natën jetoj për të shkruar.
Ajo që ne bëjmë të tërë, me së shumti, është ta detyrojmë veten të ndajmë veprën nga autori.
Po kjo është hipokrizi, e thellë thellë, është të mos jesh i ndershëm me veten.
Ne të tërë një moment ose një tjetër behemi kuriozë për autorin. Duam të dimë çfare ka ndodhur, ç’e ka shtyrë, si interpretohet, e sa me shumë thellohemi në vepër, aq më shumë kërkojmë të njohim jetën dhe faktet e autorit të veprës, çfarëdo lloji qoftë kjo vepër, por sidomos flasim për letërsinë, që është një krijim si rrjetë e koklavitur me dorë.
Pikërisht për këtë arsye, për një krijim kaq kompleks sa është ai letrari, ne bëhemi edhe më kuriozë për shtysat e impulset autoriale. Aq e fortë është kjo shtysë, sa kemi pesëqind vjet që kërkojmë kush është personi i vërtetë pas Shekspirit. E tremijë vjet që u kemi vënë emër autori poemave anonime si Iliada dhe Odisea. Dhe brenga jonë e madhe është tw mos dimë se kush ka shkruar Epin e Gilgameshit.
Ndaj, autori, është i rëndësishëm po aq sa vepra në raport me botën.  Jemi njerëz, dhe ushqehemi me njerëz.
Ndërsa njeriu autor krijon veprën letrare, ai ka raport thelbësor me egon e tij, dhe me të vërtetën.
Është e vërteta ajo që ndërton një vepër letrare. Ndershmëria unike që vetëm arti e ka, që nuk mund të japësh diçka që nuk egziston, diku.
Dhe kontrolli më i pastër dhe i sinqertë i kësaj të vërtete është egoja personale e autorit të veprës. Egoja, kjo grimcë shprehëse e shtysës së jetës, nuk lejon kurrsesi të krijohet një vepër e rreme, mbushur apo bazuar qoftë dhe në një të pavërtetë të vockël. Ndryshe ajo nuk është një vepër arti. Dhe artisti i vërtetë hyn në negociata vetëm me historinë.
Mbi të gjitha, nuk duhet kurrsesi të nënvlerësohet intuita e lexuesit. Lexuesi ka një shqisë të veçantë vetëm për ndjerë të vërteten brenda një vepre. Por ç’ndjen lexuesi te një autor me ghost writer? A nuk e percepton vallë që shkrimi nuk është letërsi, por hipokrizi?
Ç’ndjen lexuesi kur lexon një autor me pseudonim? A nuk ndjen frikën e këtij autori të futur në palcë? Dhe a nuk dyshon mbi shkrimet e tij të gatuara në tenxheren me presion të frikës?
Ç’punë e mirë mund të dale e krijuar me frikë?
Ka pasur raste në historinë e letërsisë dhe artit në pergjithësi, ku autorët kanë qenë me pseudonime.
George Sand-i shkruante si mashkull i kapardisur, sepse vetëm kështu mund të shkruante letërsi. Vetë Balzak ka shkruar kushedi sa vepra me pseudonim, duke qene se s’donte të ndynte emrin e tij me pisllëqet që shkruante për të fituar para. E raste të tjera plot. Por kanë pasur arsye të ndryshme e madhore. Që nuk i justifikon, por që i shpjegon.
Por pjesa tjetër e shkrimtareve janë me emër, ndërsa ata pa emër, janë thjesht frikacakë që kanë frikë nga deshtimi dhe luajne pisët me vetë emrin e tyre.
Dhe i madhi Thomas Pynchon, edhe pse ka dhjetra vjet që nuk e njeh njeri për fytyrë, emrin e ka të shenjtë. Saktë si një shenjë tribale e trashëguar brez pas brezi, që do trashëguar të pasurve në fis. 
Dhe nëse ti aty me thua Banksy është autor anonim? Unë të them që Banksy është Rockstar. Sekreti i suksesit të tij qëndron pikërisht se është anonim. Ndryshe punët e tij/saj do të ishin kitch.
Anonimiteti pa arsye është thjesht frikë.
Nëse në një realitet distopik letrar emri nuk do të ekzistonte, por veprat letrare do të ishin me numra, numri i shkrimtarëve do të tkurrej ndjeshëm. E prapë një fije egoje, duke e ditur ç’ numër je, do mbetej.
Por çojeni këtë realitet distopik letrar në ekstrem, duke fshirë emranumrat madje, e duke i lënë veprën letrare shtëpisë botuese, e cila do thotë “x libër i x shtëpie botuese”, dhe do të shihni se si s’ka më, as shkrimtarë, as letërsi.
Shkrimtarët, qofshin të thjeshtë, të ndrojtur, të fshehur, të errët, ose ekscentrikë të ndritur, natën ata do ti binden impulsit për të shkruar, që është jashtë vullnetit të tyre, por këto shkrime nuk do të shkojnë askund, por do të varrosen në pritje të ditës, ku firmat poshtë fjalës ‘fund’ do shohin dritën e diellit me emrat përkates të autorëve mbi tekste.
Shkrimtarët janë amalgami i ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes së një kombi, së një kohe. E si të tillë kërkojnë jehonën e tyre në mendjet zërat e sytë e njerëzve. Të shkrihen me realitetin e ta ndryshojnë atë për më mirë e më bukur. Shkrimtarët janë super high class entertainers.
Të shkruash letërsi të mirë, të vërtetë, është të shkosh thellë, shumë thellë. Është si të drogohesh. Shoqërohet me depersonalizim, dalje nga shinat, dhe çdo herë e më shumë i afrohesh fillit ndarës me humbjen e mendjes, duke rrezikuar seriozisht. Sa më e vërtetë letërsia, aq më gjurmë lë te ai që shkruan.
Ndaj po, një shkrimtar është egoist, dhe ushqehet me admirimin dhe efektin e tij social, të të menduarit, të të ndryshuarit të gjërave, të të vendosurit të një tulle më shumë për një botë më të pasur e më të mirë, njësoj si një rockstar ushqehet me admirimin e turmës kur këndohet në kor.
Marquez-i thotë që shkruan për t’u pëlqyer miqve. Kjo është një pjesë e së vërtetës. Egoja jonë sa një mal, pa të cilën s’bëjmë dot, se është impuls jete, na kërkon “t’u pëlqejmë njerëzve”, të jemi liderë mendimi, të kërkojmë hapësira të reja kullotash mendore e mjete të reja për ta bërë njerëzimin më fisnik. E që qëllimi dhe puna jonë të përhapen në rreze sa më të madhe nëpër mendje dhe kohë.
Të shkruash letërsi të mirë e të vërtetë, është të japësh copa të vetes pa i patur kurrë më mbrapsht. Ndaj, jo, falemnderit për anonimitetin dhe respektin për vlerën e veprës, por, “Baby Im a Writ’star!”

-Baby im a writ’star dhe ‘qyteti i madh me drita shkëlqyese’ është marrë nga një këngë e Rihanna-s me titullin “Rockstar 101”.

Share This:

blunavi.com