I harruari

I harruari

nga Saimir Muzhaka

 

 

Nëna. Del si hëna. Jep dritë, edhe prej së largu!

Qëkur, më shfaqej sa herë binte nata. Në vogëli, kati i dytë i shtëpisë gjithnjë më kallte tmerrin.

-Mama, shko më merr një libër lart!

Nuk vonohej. Ose kur e bënte, i hakërrehesha pa kuptuar shumë:

-Dëgjon moj, ti, shko shpejt! Yt!

Ku e dija unë ahere se ç’është nëna. Nuk e dija sa orbita kryente hëna poshtë, që ndryshe nga lart, nuk bën hiç rreth vetes. Fëmijët s’dinë të bëjnë llogari!

Shkonte, e gjora, e kthehej me një libër, katër batanije, një çarçaf të bardhë dhe dy buzë të thara.

Ngaqë donte të më priste frikën, ndonjëherë, ulej në fund të shkallëve. S’mbyllte gojë!

-Hë, ja, nuk po iki, jam këtu, po të pres, po të pres, mos ki frikë, jam këtu, nuk po iki, e shikon!- recitonte, gjersa zbrisja si rrufe.- Mos ki frikë! Ti po rritesh e je djalë i fortë!- thoshte dhe më puthte ballit.- Më do rritesh, do më mbrosh dhe mua!- puthte ballin prapë.- Ta kam shtruar vendin!

Mbetesha pa mend, kur kuptoja se gjatë kohës që qendronte në fund të shkallëve dhe bërtiste, ajo kish shtruar shtretërit, kish mbyllur dritaren të mos frynte agut, e me gjasë, kish lagur me dy gllënjka ujë buzët krejt të thara.    

Unë u rrita; unë po bëhem burrë. Nëna prapë më puth në ballë. Dhe unë ende s’di të mbledh në dashuri, veçse kur më hipën frika…

Gusht. Mesnatë. Dhomë gjumi. Shtrat.

-Mama! Moj mama!

I tmerruar, u mblodha sa një grusht në cepin e krevatit. M’u çor gryka që nga dhoma ime dhe, siç prisja, nuk vonoi shumë. Doli aty para. Hëna nuk fle gjumë!

-Ç’ke?!

Flokët e pashkarravitur; sytë e hapur plot.

-Ç’ke, m’u bë gjaku ujë!

-Është një karkalec, ja, m’u aty aty pas dere. Sa i madh që është!

-Uh! Apapa! Mos ki frikë, more! Ja, do ta heq!

E tërhoqi derën me ngadalë, karkaleci s’dukej. Ngriti kokën në tavan, pa pas komodinës, u shtri përtokë të shihte nën krevat…

-Ja, ja!- u hodha mbi jastëk.- Është aty, pas kolltukut.

Karkaleci kërceu me shpejtësi, skrop i zi, trupmadh, me krahë të gjelbër.

-Ngeci karkaleci!- qeshi ime më.- E shikoj ku është, po s’po di ta kap. Eja më ndihmo, unë nga njëra anë, ti…

-Jo, jo! Po të pres tek dera jashtë,- u hodha tutje shtratit, drejt tek pragu i portës. Zbrita shkallët, dola jashtë shtëpisë.

Ca frikëra harrohen me ngadalë. Errësira, nuk më tremb në këtë moshë.

U ula këmbëkryq, pas murit; prita çosa minuta, gjersa erdhi ime më.

-Futu brenda!

-E kape?

-Ja, nuk e sheh?!

-Uff!- u lehtësova, tek i pashë në duar karkalecin e zënë mat. E mbante anash, me një shami burrash, duke mbledhur nofullat, siç bën ai që ka pështirë.

U futa dhe e prita në oborr. Nëna bëri disa hapa dhe e hodhi karkalecin m’u në rrugë. Erdhi, mbylli portën dhe më tha:

-Ja, kaq. Shpëtuam!

U afrova dhe e putha ballit. I kalova dorën përmbi flokë. Është e vogël, hyn dy herë tek unë. Është e rrudhur. Buzëtharë!

-Sa të dua!

-Sa të dua!- përsëriti fill pas meje.- A nuk rroj për këto fjalë?- tha dhe hapi krahët. Mori dritë porsi hënë. Dhe lëshoi një erë të këndshme anës gushe…

-Eja, hyjmë brenda!- shtoi pas përqafimit.- Më vjen ende krupë!

-Krupë?!- më habiti.- Si e hoqe atëherë?

-Edhe ti!- nëna i ra mendjes,- s’ke dy pare tru! Unë kam frikë më shumë se ti! Erdhi babi, si përherë!

U ngjitëm lart. Në korridor, babai qeshte me shpoti:

-Ah, lepur, lepur! Që të tremb dhe karkaleci.

Ishte në të shkurtra. I përgjumur, hapngadaltë. Duart e vrazhda i pikonin ujë dhe sapun.

-Edhe fli!- tha prej andejmi.

-Mirë e ka, shpirti im, mos rri vonë!- u bë nëna tok me të.

Shtrat. Trupmbledhur. Symbyllur. Ndjesiplotë.

“Erdhi babi, si përherë”! Dhe unë, si përherë, në mendje kisha çuar veç orbitat që bën nëna, që del si hëna, sa herë më zënë rrugën brengat. Siç bëj kur e marr në telefon, e prej së largu më shëron!

I shkreti baba, me duar të vrazhda; babai që më puth në ballë rrallë… Dielli që i jep dritë hënës, por shpeshmi e harrojmë, e harrojmë…

 

 

 

 

Share This: