Kupë e përshëndetjes

Poezi nga A. Pushkini

përktheu Qazim Shema

Kupë e përshëndetjes

Kupë e qelibartë,
Ke kohë që prêt;
Shkuma gufon lart,
Poshtë – verë e qetë.
Të shtrenjtë e të bukur,
Në zemër të mbajmë.
Për shendet të kujt
Verën do ta thajmë?

A nuk e kan’ hak?
Nderim për lavditë!
Po s’i kam në gjak
Ndeshjet, batërditë.
Me miqtë për festë,
S’mblidhesh me kushtrim;
Dehjet pas betejash
Ndjellin veç trishtim.

Miq, të më dëgjoni,
Për qiell e për tokë:
Nder për Apolonin,
Për ju , kok ‘ më kokë!
Dhe nimfat t’i kemi,
Me frymën e prilltë!
Uji i Hipokrenit1)
Na gëzon në shpirt.

Shëndet e shëndet
Shpirtit të rinisë!
Moshës me aq jetë,
Që s’na vjen sërish.
Kupë e qelibartë,
Hopa, moj të lumtë!
Verëzën e artë
Ta kthejmë me fund !

1)Burim që, sipas mitolojisë greke, doli nga mali pas goditjes me thundër të Pegasit

* * *

Ollga, kumbarë e Kipridës, siç je,
Dëfre, je mrekulli e bukurisë;
Ti të ledh e të ngjeth, të ngre dhe mbi re,
Je ndrikull e pikuar e mjeshtërisë.

Parajsë ke premtuar, veç këndellje,
Që me fjalën e parë na josh aq mirë,
Pastaj te dera jote, si ndër ethe,
Rrimë e presim me zemër të ngrirë.

Dëgjojmë pëshpërima të mekëta
Dhe befas na çmerit një tallje e ftohtë…
Ndrikull dëfre, kënaqu me tekat,
Pa ar e hazdisje ti s’mund të rrosh dot.

Por mos i ler, moj kunadhe, pas dore
Prapësitë, me mjeshtërinë që ke
Dhe na dëgjo ankesat dashurore:
Parajsë e harrim… mendo dhe për ne.

Dorida

Më joshin buklet e saj të arta,
Fytyra e qetë , retinat e kaltra.
Dje mbrëma miqtë i lashë në pije,
Në krahët e saj u deha dashurie;
Stuhi pasionesh të reja, të vjetra,
Sa shuhej një dëshirë, sakaq ndizej tjetra;
U shkriva, po ja, mes territ të pabesë,
Të tjera hullira m’u shfaqën n’atë mes:
Ca brenga t’ fshehta zemrën ma mundojnë
Dhe buzët emra të tjerë murmurojnë

* * *

Më rrallë po rravgojnë retë mërgimtare
Dhe yjtë e mbremjes- të lëmekur fare,
Gjysmëhëna përhën rrafshinën e venitur,
Gjirin e detit dhe shkëmbenjtë e përhitur,
E dua këtë dritë të zbehtë hënore,
Se kjo më përhumb në vise përrallore,
Më kujton argjendin e hënës së plotë
Mbi vendlindjen e paqtë pikuar si lot,
Ku plepat sogjetojnë luginës së lire,
Ku ka korije e qiparisa erëmirë,
Ku ëmbël deti valëzon në mesditë.
Dikur atje pashë së pari bukuritë:
Mbi det kam soditur, më lëshonte ai
Kur ulej hije e mbremjes plot fshehtësi
Dhe vasha e re n’errësirë më kërkonte,
Duke thirrur shoqet, gjasë t’i takonte.

Muza

Më ka dashur herët, që në fëmijëri,
Më besoi këngën, harpën plot magji;
Me përkushtim, me buzëqeshje të ëmbël,
Më nxiste të shkruaja ç’kisha në zemër.
Ende njomëzak, si në lojë, çdo ditë,
Nisa himnet për bukuritë e hyjnitë,
Idilet nga jeta baritore nisa,
Nga agu në mbremje shtegoja nëpër lisa.
Për vajzat, me zell i mësoja të fshehtat,
Me ëndë i prisja shpërblimet, të shkretat.
Me krelat e lira e ballin e menduar,
Vetë muza ma hiqte harpën nga duart.
Ajo, me frymën e saj si hyjni,
Ma mbushte shpirtin plot hir e shenjtëri.

* * *

I hodha përtej dhe dëshirat,
Më lini të vuaj në vetmi;
M’u velën dhe ëndrrat, më të mirat,
Se s’vola fryt, po zbrazëti.

Përfund stuhish ky fat mizor,
M’u vyshk kurora, s’ka shkëlqim;
I trishtë dhe pa gjë në dorë,
Po pres: si vjen, o fundi im?

Kështu, në të ftohtë dhe pa miq,
Dimri fishkëllen i tërbuar,
Vetëm – në degën lakuriq
Dridhet një fletëz e vonuar!…

Virgjëresha

Të thashë: ruhu nga virgjëreshë e nemitur,
Ajo, si padashur, të bën të lajthitur.
Kujdes, në praninë e saj ti nuk mund
Të vështrosh andej e këndej, tjetërkund;
Më kot të provosh me dredhira tundimi,
E pashpresa s’shijon dot ëndë ndryshimi
Qëkurse iu venit zjarri i rinisë,
Shih si dergjen ithtarët e lumturisë:
I luten, i falen, i bien në shesh,
Po krenari e saj s’ka sy e as veshë.

* * *

Besnike e viteve magjike,
Me hove trillesh, dhe të trishta,
Të njoha një pranverë si mike,
Në ag të ëndrrave të brishta.
Të prisja mbremjesh “a po del ?!”
Si mëmëzonjë na erdhe ti,
Më ndenje pranë, me një mantel,
Me syze, e tëra mirësi.
Tek tundje djepin, gati kënga
Me ëmbëlsi më nanurisje;
Sikur kish fyej e lira brenda
Dhe me magji vetë i kurdisje.
Më shkoi kjo moshë – ëndërr e lehtë,
Ma bëre ti, o hënë e larë,
Nga muzat që njoha në jete
Të kisha ty muzën e parë.
Po ç’është vallë kjo lektisje?
Sa lart u ngrit profili yt!
Eh, ç’zjarr në buzë të buiste!
Eh, ç’rrëzëllim të kishin sytë!
Shija e hollë, rrobat e lirshme –
Dëshmi për linjat, lëvizjet e hirshme.
Flokët e dendur dredha – dredha,
Më këndellnin me erën e mirë,
Gjoksi i bardhë nën perlat e verdha,
Të dridhej ëmbël , këngë e dëlirë

A.P. Kernës

Kujtoj një çast të magjijuar:
Para para sysh m’u shfaqe ti,
Si një vegim krahëpraruar,
Dëlirë, e gjitha bukuri.

Me brenga jete gjer në fyt,
Në tym e turbull plot mërzi…
Po prapë më grishte zëri yt,
Të shihja ëndërr përsëri.

Nga shqotë e viteve m’u shembën,
Pothuaj gjithë ëndrrat rinore,
Harrova zërin tend të ëmbël,
Fytyrën tënde aq qiellore.

M’u shkundën ditët në humbime,
Në terr të thellë, në vetmi,
Pa perëndi, pa frymëzime,
Pa lotë e jetë e dashuri.

Po sot ky shpirt më është zgjuar
Dhe ja, sërish m’u shfaqe ti,
Si një vegim krahëpraruar,
Dëlirë, e gjitha bukuri.

Dhe zemra rreh me ngazëllim,
Sepse iu kthyen përsëri:
Dhe perëndi, dhe frymëzim,
Dhe lotë e jetë e dashuri.

* * *

Lulet e vona, hiret e vogëlusheve,
Janë dorë e pare e luksit të fushave,
Me lotët e vesës, si ëndërrimtare,
Ato na mbushin me mall e plot jetë,
Siç ndodh ndonjëherë në çastet e ndarjes,
Mes shijes së fjalëve”Mbeç me shëndet!”

* * *

Ende po fryjnë erëra të ftohta,
Me thëllime mëngjesesh të trishta.
Ku shkriu bora dhe heshti shqota,
Na buzëqeshin lule të brishta.
Sa dolën nga mbretëria e dyllit,
Me arin e mjaltit të sapolara.
Ja, bletëz e parë n’ livadh sapo hyri,
Të përshëndetet me lulet e para.
Kështu, moj ti, pranverë bukuri,
Me ty na bujtin miq, plot dëshira:
Së shpejti livadhet me bar të ri,
Së shpejti mështeknat me krela të lira,
Lastarë e flet’ të vallëzojnë përsëri,
Nuset e para – qershizat erëmira.

* * *

E bukur moj, mos m’i këndo
Të trishtat këngë të Gruzisë,
Se më kujtohet nga ato
Një tjetër jetë, një tjetër vis.

Që larg andej, më sjell ndër mend
Kjo këngë e brengë malësore:
Stepën e gjer’, natën me hënë
Dhe një fytyrëz engjëllore.

Kjo pamje – mall e fantazi,
Sa ty të shoh, humbet, më fshihet;
Po ti këndon dhe përsëri,
Ajo, m’e gjallë më përtërihet.

E bukur, jo, mos ma këndo
Të trishtën këngë të Gruzisë,
Se më kujtohet nga ajo
Një tjetër jetë, një tjetër vis.

* * *

E ç’ ësht’ për ty ky emri im?
Po shkon edhe ai ta mbyllë
Si zhurmë vale në mëgrim,
Si tingull nate nëpër pyll.

Ai, i shkruar në një fletë,
Do mbetet si një gjurmë e vdekur,
Si një mbishkrim mbi varr të shkretë,
Me gjuhë të shkuar e të mekur.

E ç’ka në të? Krejt i harruar
Mes dallgësh që nuk paskan fund
Dhe shpirtit s’ka për t’i dhuruar
Ëndrrat që ëmbël më përkund.

Po, nëse ty të kap trishtimi,
Shpall at’ emër, thuaji me mall:
Rron te një zemër, rron kujtimi
Dhe un’ me ty, përkrah, të gjallë.

* * *

Për brigjet e atdheut larg…
T’u desh mërgimin ta braktisje;
Në çast trishtimi të përmalltë
Më dhembte zemra, sa s’pëlciste.
Me duart akull, kot së koti,
Bëja çmos me fjalë të ëmbla,
Nga ndarja nuk më thahej loti,
Nga loti s’më qetohej dhembja.

Dhe ti nga puthja – vrer e hidhur,
M’u shmange pakëz, m’u largove;
Në viset – mërzi të mërgimit
Një tjetër vend ti më kujtove.
Më the se ditën e takimit
Nën kaltërsi do ta shijonim
Dhe puthjen tonë të përmallimit.

Por ah, ku qielli kaltëron,
Përndrit e re nuk sheh gjëkundi,
Ku uji ullinjtë pasqyron,
Ajmẻ, ti bën gjumin e fundit!
Hiret dhe çastet e mundimit
Urna e heshtjes t’i mbërthen.
Pas tyre puthja e takimit,
Prite atë, pas teje vjen!

* * *

Përpara spanjolles fisnike
Dy kalorës po qëndronin,
Të dy të qeshur, të lirshëm,
Drejt e në sy e vështronin.
Të dy të pashëm, të hirshëm,
Të dy me zemra të zjarrta,
Të dy me krah’ të fuqishëm,
Të dy të kalitur në shpata.

Më të shtrenjtë se jeta s’kishin,
Po vinte vajza – lavd e emër.
Ajo veç njërin do të zgjidhte,
Cilin vall’ zgjodhi me zemër?
“Kë?Vendos, të duam, bujare!”-
Thanë trimat që të dy
Dhe, me shpresë djaloshare,
Presin, e vështrojnë në sy.

Bukuroshja

E endur krejt në harmoni,
Mbi çdo pasion të botës sonë,
Kaq e përkorë, gjithë mirësi
Me bukurinë që zotëron.
E kur përreth ajo vështron,
Rivale s’ka, as barabitet;
Çdo bukuri e rrethit tonë
Përpara saj bie, venitet.

Kudo që mund të shkosh tani,
Dhe në takim të dashurisë,
Me zemrën plotpërplot flori,
Nga ëndërrimi i lumturisë;
Po të takosh atë, pa pritur,
Në vend do shtangesh, i pafaj,
Dhe do t’i falesh, i mahnitur,
Së shenjtës bukuri të saj.

Motiv arab

Djalosh i ëmbël, ylli po del…
Prej meje mos ki turp, pa drojë;
Ndër gra dhe ka një zjarr rebel,
Po shkoi dhe prapë jemi njësoj.
Kam ledha, por s’i lë shpotitë.
Dyzim ne jemi. Djemtë e rinj
S’e dinë s’e gratë jan’ si lajthitë,
Në një gujatë – dy thelpinj.

 

 

Share This: