Ardian Vehbiu:Libri “i rrezikshëm” i Arshi Pipës

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Lexoj edhe fiction, edhe non-fiction. Më tërheq historia e mendimit intelektual dhe antropologjia.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Viti ‘93” i Hygoit. “Xha Gorioi” i Balzakut. “Ne” i Zamjatinit. “Solaris” i Stanislaw Lem.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Të Borges-it.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Po i rendis kuturu: Chuck Palahniuk, Pascal Quignard, Nassim Nicholas Taleb, David Markson, Jean Echenoz, Viktor Pelevin, Slavoj Zhizhek, Emmanuel Carrère, Don DeLillo, Douglas Hofstadter, David Graeber. Po shtoj këtu edhe ca autorë të dashur për mua, që pak kohë ka që kanë vdekur: Umberto Eco, David Foster Wallace, Jean Baudrillard dhe Simon Leys (Pierre Ryckmans).Nga shkrimtarët që shkruajnë shqip, do të veçoja Bashkim Shehun, Ardian Kyçykun, Elvira Donesin, Idlir Azizin, Arben Deden.Luljeta Lleshanakun, nga poetët.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Prozë: më pëlqen qasjanarrative post-moderne. Më mahnit letërsia greke antike, që nga Homeri te tragjedianët e mëdhenj. Nga zhanret, më tërheq fantashkenca dhe letërsia spekulative.Si rregull, nuk lexoj romane me temë historike.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Ndoshta libra shahu? Ose libra për gjeometrinë dhe artin? Historinë e matematikës? Historinë e mjekësisë? Historinë e muzikës? Më intereson shumë stalinizmi – kam një raft të tërë me libra për këtë temë. Nga ana tjetër, duke qenë specialiteti im i ngushtë linguistika dhe semiotika, gati gjysmën e librave i kam nga kjo fushë. Si letërsi artistike mbaj vetëm ato vepra që më kanë pëlqyer veçanërisht, të tjerat i dhuroj pasi i kam lexuar – edhe pse tani po përpiqem që të kursej letrën dhe letërsinë e zhanrit ta lexoj në Kindle.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Klouni protagonist te “Me syrin e një klouni”, i Heinrich Böll-it. Shvejku. Kur ende fëmijë, isha dashuruar keqazi pas Rebekës së “Aivenhoi-t”, romanit të Walter Scott-it.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Lexoja shumë, sidomos letërsi franceze të përkthyer: Hygo, Balzak, Stendal, Zhyl Verne. Sidomos Zhyl Verne.“Udhëtimet e Guliverit” të Suiftit e kam lexuar tepër herët për ta kuptuar mirë. Tani që e mendoj, edhe letërsi ruse: Turgenjevin, Tolstoin, Çehovin dhe nga fantashkenca, “Mjegullnajën e Andromedës,” nga Efremovi. Nga autorët shqiptarë, veçoj Mitrush Kutelin e “Tregimeve të moçme shqiptare” dhe “Xinxifilos”; Petro Markon e “Shpellës së piratëve”; më pas Kadarenë e “Kronikë në gur” dhe “Kështjellës.”

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Në vitet 1980 qarkullonim dorazi letërsi përndryshe të ndaluar – besoj se kjo vinte me një farë rreziku, sado teorik. Mbaj mend që ashtu kemi lexuar Dostojevskin, Camus-në, Sartre-in, Freud-in, Kunderën. Libri “më i rrezikshëm” që kam lexuar atëherë ndoshta ka qenë monografia e Arshi Pipës, për standardizimin e shqipes, që ma kanë dhënë të fotokopjuar. Kur kam lexuar romanin “1984” të Orwell-it, më është zënë fryma.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Qytetet e padukshme,” i Calvino-s. “Shpikja e Morelit”, nga Bioy Casares.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

“Kulla e Sahatit” ka qenë i pari në shqip, dhe më i rrëmbyeri si përrua. Më personali është “Sende që nxirrte deti”, ndërsa më i latuari, nga pikëpamja e artit letrar – gjithnjë për mua – “Bolero.”

Po qe se do t’i kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Refleksione”, që ai vetë e ka shkruar, si bashkautor, në fillim të viteve 1990.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të doja të ulesha me tre miq të mi të shtrenjtë, që sot ua ndiej shumë mungesën: Teodor Kekon, Ardian Klosin dhe Artan Minarollin.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Për fat të keq, lë shumë libra përgjysmë; kjo ngaqë formati elektronik më lejon t’u hedh një sy librave që më bëjnë kurioz, pa qenë nevoja t’i blej. Sot bëhet shumë letërsi e keqe, e mërzitshme për vdekje, por që pompohet me të madhe nga kritika; në një kohë që i kam mundësitë për të lexuar më të mirën, të cilën duhet ta kërkoj vetë, si prospektorët arin. Libri i fundit që kam mbyllur pa e mbaruar: “Ëndrra e kthimit tim,” nga Horacio Castellanos Moya. M’u duk banal. Pa çka se një libër i tiji që sapo kisha mbaruar, “Neveri” (“Revulsion: Thomas Bernhard in San Salvador”), më kish lënë gojëhapur.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Dikë që do të kish lindur kur unë të mos isha më.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat e Borges-it, të Eco-s, të Calvino-s, të R. Barthes-it dhe të Foucault-it.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Ka disa klasikë që ende s’i kam prekur. Por këtë e mbaj sekret, se pastaj do ta përdorin kundër meje (!).

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Ka autorë latino-amerikanë që dua, që duhet t’i eksploroj më mirë.

Share This:

blunavi.com