nga Georg Trakl

Poezi nga Georg Trakl*

 

Rrënim 

 

Në mbrëmje, kur nisin dhe bien paqe kambanat,

Ndjek unë fluturimet mahnitëse të zogjve, që varg

Shkojnë, si karvanë pelegrinësh të devotshëm larg,

Zhduken hapësirave vjeshtore, t’kthjellta e t’paana.

 

E s’ua ndiej orëve akrepin të lëvizë një grimë

Tek endem përmes kopshtit plot me mugëtirë

Ëndërroj ’dhe ca për fatin e tyre më të ndrirë

Ashtu e ndjek përmbi re unë të tyrin rrugëtim.

 

Pastaj një puhi rrënimi më çon një drithërimë.

Klith thirravaj mëllenja nëpër degët pa fletë.

Tundet hardhia anë të ndryshkurës thurimë.

 

Ndërkaq si valle vdekje fëmijësh të zbehtë

Përreth buzësh t’errëta pusi, që moti i grin,

Luleyje blu ngrijnë n’erë tek përkulen lehtë.

 

Mbrëmja

 

Me figura heronjsh të vdekur

Mbush ti hënë

Pyjet që përheshten,

Drapërhënë –

Me përqafjen e ëmbël të

Të dashuruarve,

Hijet e kohëve të famshme

Shkrepat që brehen përreth;

Aq kaltërueshëm ndriçon

Përkah qyteti,

Ku ftohtë e lig

Banon një rod që po kalbet,

Që nipave të bardhë

U gatit një t’ardhme t’errët.

Ju hije të ngërthyera pas hënës

Tek po ofshani në kristalin bosh

T’liqenit malor.

 

 

Nata

 

 

Ty të këndoj thepajë e egër,

Në stuhi natore

Male mbledhur pirg;

Ju kulla të hirta

Shkapërderdhur prej ngërdheshjesh ferri,

Kafshësh të zjarrta,

Fieroresh të grathëta, bredhash,

Lulesh kristalore,

Torturë e pafund,

Që të përndjekësh ti t’Zotit

Shpirt të butë,

Që ofshan nëpër ujëvarë,

Ndër pisha që dallgëzohen.

Flakërojnë t’artë zjarret

E popujve përreth.

Përmbi shkrepa të zinj

Shkapetet vdekjedehur

Shtrëngata e përndezur,

Dallga e kaltër

E akullnajës

Dhe gjëmon

Madhështore kambana në luginë:

Flakë, mallkime

Dhe të errëtat

Lojëra të epshit,

Qiellin e mësyn

Një krye i gurëzuar.

 

 

 

Sebastiani në ëndërr

për Adolf Loos

 

Nëna mbarte kërthiun nën hënën e bardhë,

Nën hijen e arrës, nën hijen e shtogut të lashtë,

Dehur prej lëngut t’ lulëkuqes, prej vajtimit të tushës;

Dhe pa u ndier

Ulej përmbi të n’mëshirë një fytyrë me mjekër

 

Lehtë në t’errët të dritares; e vegla t’vjetra shtëpiake

T’etërve

Po prisheshin; dasht e ëndërrim vjeshtor.

Ashtu e errët dhe dita e vitit, fëmijëri e trishtë,

Kur çuni për tek ujët e freskët, peshqit e argjendtë zbriti leht’ e lehtë,

Qetësi e ajo fytyrë;

Kur ngurosur ai u hodh para vraçëve të tërbuar,

Natës së hirtë përmbi të erdh’ yll’ i tij;

 

Apo kur ai për dore që mërdhinte t’nënës

Mbrëmjeve varrezës vjeshtore t’ Shën Pjetrit shkonte,

Një kufomë e brishtë dergjej qetë në t’errët t’dhomës

Dhe tjetri qepallat e ftohta ngrinte përmbi të.

 

Por ai ishte një zog i vocërr degëve të zhveshura,

Sa zgjat kambana e mbrëmjes në nëntor kur bie,

Qetësia e atit, kur në gjumë ai shkallën spirale që po ngrysej zbriti.

 

2.

Paqe e shpirtit. Mbrëmje e vetmuar dimri,

Trajtat e errëta të barinjve anës hurdhës së vjetër;

Kërthi në koliben prej kashte; o sa lehtë

Kridhej në ethe të zezë fytyra.

Natë e shenjtë.

 

Apo kur ai për dore t’fortë t’babait

Qetë malit të zymtë të kalvarit ngjitej

E kamareve të ngrysura të shkrepave

Shëmbëlltyra e kaltër e njeriut shkonte përmes legjendës së tij,

Nga plaga poshtë zemrës rridhte i purpurt gjaku.

O sa lehtë ngrihej kryqi ndër t’errëtin shpirt.

 

Dasht; kur qosheve të zeza shkrinte dëbora,

Një puhi e kaltër këndellur shtogut të moçëm ngecte,

Nën kubenë e hijes së arrës;

E çunakut lehtë iu shfaq i trëndafiltë engjëlli i tij.

 

Hare; kur n’oda të freskëta tingëllonte një sonatë mbrëmjeje,

Ndër trarë druri t’kafenjtë

Prej larvës së argjendtë dilte një flutur e kaltër.

 

O afria e vdekjes. Mureve të gurtë

Ulej një krye i verdhë, i heshtur fëmija,

Kur atë mars hëna po binte.

 

3.

Kambana të trëndafilta pashkësh në varrkubenë e natës

Dhe zërat argjend të yjeve,

Aq sa me dridhmë një marri e errët prej ballit të të fjeturit ra.

 

O sa e qetë vajtja përposh të kaltrit lumë

N’vramend t’ harruarash, kur degëve të gjelbra

Tusha thërriste diç’ të huaj për n’rrënim.

 

Apo kur ai për dore kockë e lëkurë të plakut t’moçëm

Mbrëmjeve para mureve të rrënuar të qytetit shkonte

E tjetri në mantel të zi mbante një kërthi të trëndafiltë,

Në hijen e pemës së arrës shfaqej shpirti i lig.

 

Verbtas mbi shkallinat e gjelbra të verës. O sa lehtë

Iu dha kopshti qetësisë së kafenjtë të vjeshtës,

Aromë dhe trishtim i shtogut të moçëm,

Kur n’hijen e Sebastianit zëri i argjendtë i engjëllit dha shpirt.

 

përktheu: Arb Elo

 

 

*Vepra e plotë, botim i “Pika pa sipërfaqe”, gjendet qysh prej verës së këtij viti në librari

 

 

 

Share This:

blunavi.com