Beti Njuma: Nga gruaja që jam

Poezi- Përktheu Beti Njuma

GIOCONDA BELLI – PËR ASGJË S’PENDOHEM

 

 

Nga gruaja që jam,
më rastis, ndonjëherë,
të vërej, tek të tjerat, gruan që mund të isha;
Gra të sjellshme, të zellshme, bashkëshorte të mira,
shembuj virtyti,
siç ime më do kish dashur.
S’di pse
tërë jetën kalova pa iu nënshtruar.
I urrej kanosjet e tyre
mbi trupin tim
fajin që jetët e tyre
të pamëkata,
helmatisje të çuditshme
më shtien në mendje;
rebelohem ndaj sjelljeve të tyre që s’kanë të sharë,
ndaj përlotjeve tinëz
të shoqit,
për turpin e lakuriqësisë
nën të linjtat e hekurosura.
Këto gra,
sidoqoftë, më shohin
nga thellësia e pasqyrave të tyre;
ngrenë gishtin akuzues
dhe, hera herës,
dorëzohem para vështrimit të tyre qortues
e do doja të fitoja pëlqimin universal,
të isha “vajza e mbarë”, të isha “gruaja përsëmbari”, Xhokonda e paqortueshme,
të merrja notën maksimale në sjellje
nga partia, nga Shteti,
nga miqtë,
nga familja, nga fëmijët
dhe nga tërë qeniet
që me bollëk popullojnë
këtë dynja.
Mes kësaj kontradikte të paevitueshme
mes asaj që duhej të ishte dhe asaj që është,
kam luftuar beteja
të panumërta vdekjeprurëse,
beteja kafshuese, ato kundër meje
– ato kundër meje që jam vetëvetja-
me psikikën
që dhemb,
me leshra të kërleshura,
duke përdhosur planet e të parëve, çjerr gratë që jetojnë brenda meje
që, prej fëmijërisë, vëngërt më shohin
ngase më rrinë ngushtë ëndrrat e tyre shembullore.
ngase guxoj të jem ajo e krisura,
e pabesueshmja, e buta dhe e brishta
që dashurohet si një e përdalë e trishtë
me beteja të drejta,
burra të hijshëm
e fjalë hokatare.
Sepse, në moshë madhore, guxova të jetoj fëmijërinë e mohuar
dhe gjatë orarit të punës dashuri mbi tryeza bëra,
lidhje të shenjta rrënova
dhe guxova të shijoj
trupin e shëndetshëm e harkor
dhunti të trashëguara nga të parët e mi.
Nuk fajësoj askënd. Përkundrazi i falenderoj për dhuratat
Për asgjë s’pendohem, siç tha Edit Piaf:
por në thellomat e errëta ku fundosem në mëngjes,
me të çelur sytë.
ndiej lotët që më mblidhen
pavarësisht lumturisë që më në fund kam fituar
duke shkallmuar shtresa shkëmbore,
shoh gratë e tjera brenda meje,
të ulura në hajat
që më sytë e tyre të dhembshur më vështrojnë
dhe ndihem në faj për lumturinë time.
Vogëlushe të mbara të pakuptimta më rrethojnë
që valle fëmijënore hedhin
kundër meje;
kundër kësaj gruaje, të pjekur, të plotë
gruas me gjoks të ngjeshur
e vithe të gjera,
që, për time më e kundër saj, më pëlqen të jem.

 

 

EUGENIO MONTALE – FUNDI I 1968-ës

 

Sodita prej hëne, a pothuajse,
planetin e thjeshtë që bart
filozofi, teologji, politikë,
pornografi, letërsi, shkenca
të padyshimta a të mistershme. Tek to gjendet edhe njeriu
mes tyre edhe unë. Dhe gjithçka shumë e çuditshme është

pas pak orësh do t’bjerë nata dhe viti
do sosë me shpërthime shampanjash e fishekzjarresh.
Ndoshta bombash a më keq
por jo këtu ku unë gjendem. Nëse dikush vdes
askujt s’i bëhet vonë, mjaft të jetë i panjohur dhe larg.

 

CHARLES BUKOWSKI

Fiks në mesnatën e
1973-74
në Los Anxheles
nisi të bjerë shi mbi
gjethet e palmave përtej dritares
buritë dhe fishekzjarret
kishin pushuar
dhe gjëmonte.

Kisha rënë në shtrat në orën 21.00
fikur dritat
mbuluar me batanije –
hareja e tyre, lumturia e tyre
britmat e tyre, kapelet e tyre prej letre,
makinat e tyre, gratë e tyre,
të dehurit e tyre amatorë…

Nata e Vitit të Ri gjithmonë më kall datën.

Jeta s’ia ka haberin viteve.

Tani buritë janë shuar
po ashtu fishekzjarret dhe gjëmimet…
Gjithçka u fashit në pesë minuta….
Veç shiun mbaj vesh
mbi gjethet e palmës,
dhe mendoj:
kurrë s’do t’i kuptoj njerëzit
Por i mbijetova
edhe kësaj!

LANGSTON HUGHES – ZEZAKU FLET PËR LUMENJTË*

Për W.E.B. DuBois

 

Kam njohur lumenj:
kam njohur lumenj të lashtë sa bota e më të vjetër se
rrjedha e gjakut njerëzor në rrembat e njeriut.

Shpirti im është thelluar si lumenjtë.

U zhyta në Eufrat me të zbardhur.
Kasollen time e ngrita ndanë Kongos dhe në gjumë më vuri.
Nilin vështrova dhe dhe mbi të lartova piramida.
Dëgjova këngën e Misisipit kur Abe Linkoln zbriti
në Nju Orlins, dhe pashë shtratin e tij baltak të prarohej tek perëndonte.

Kam njohur lumenj:
lumenj të lashtë, të mugët.

Shpirti im është thelluar si lumenjtë.

 

 

“The Negro Speaks of Rivers” është një ndër poezitë më të famshme të Langston Hughes kushtuar zërit dhe shpirtit të komunitetit me ngjyrë në kohërat e diskriminimit, pabarazisë dhe padrejtësive racore në Amerikë. Hughes e shkroi poezinë teksa udhëtonte me tren për në Meksiko, ku për një vit do të jetonte me të atin. Poeti asokohe 18 vjeçar sapo kish përfunduar shkollën e mesme në Klivlend, ndërsa poezia u publikua një vit më vonë, në 1921 tek “Crisis Magazine”, revista e National Association for the Advancement of Colored People.

 

 

Share This: