Identiteti jakovian në idilin poetik të dashurisë

Aurora Damini*

 

 

“Arratia” e dy të rinjve për të realizuar ëndrrën e përbashkët, a ishte tipike për myzeqarët?

Në vitet 1938 gjithkush do të habitej që një vajzë myzeqare  ortodokse të dashurohej marrëzisht me një djalë kosovar musliman dhe të ëndërronte ditën e saj të dasmës.Në një mjedis konservator ndaj besimit fetar, ndaj psikologjisë se vendasi duhej të dashurojë vendasen dhe jo ardhacakun, dashuria e Vitës për Adilin dukej se ishte tabu.Nuk kishte shtratin e duhur social , kulturën , arsimin dhe psikologjinë që të ndodhte ky fakt.Gjithsesi ai çuditërisht ndodhi.Dashuria e fortë e dy të rinjve kapërceu barrierat sociale, fetare, krahinore…Duket se për autorin ëndrra që e kishte aspiruar në vitet e rinisë i kishte dhënë forcë dhe besim për ta përballuar një mision të vështirë, për të dalë madje edhe kundër kritikës së kohës, për të përballuar sfidat, për të rritur edhe më tej prirjet civilizuese, emancipuese dhe njerëzore. Duke jetuar gjithë jetën nëpër Myzeqe, duke u endur në të gjitha zonat dhe viset e saj, autori është njohur edhe me rastet e rralla dhe të bujshme të këtyre dashurive që kurorëzoheshin në martesë.Edhe një rast i vetëm atë do ta gëzonte.Për të si shkrimtar, lumturia e dy të rinjve pavarësisht krahinave dhe besimeve fetare nga vinin, qoftë edhe në një rast sporadik, ishte i mjaftueshëm.Sipas autorit, ai i përmbahej shprehjes së Aristotelit.Edhe nga një rast i vetëm mund të bëhej përgjithësimi, kur ky rast është i pranishëm dhe ekziston dhe kur ai është i pranishëm në rrethana të caktuara.Këto rrethana kanë rolin e tyre të dorës së parë. Por edhe kur të mungojë ky rast, shkrimtari studion prirjet, tendencat dhe jep heronjte dhe situatat tipike.Ky bashkim nuk formon asnjë lloj turpi, sic shpreheshin për Vitën dhe Adilin  ajo shtresë fshatarësh të paemancipuar, llafazanë, ngatrrestarë dhe zemërngushtë. Përkundrazi ngre lart moralin kombëtar, lartëson figurën e myzeqarit dhe të kosovarit.Kjo ndjenjë e pastër, e ciltër e fortë si një nyjë e pazgjidhshme mes dy familjeve që fati i hodhi tragjikisht në të njëjtin han , tregon forcën e pathyeshme të ndjenjës njerëzore, të dashurisë mes dy të rinjve me ADN shqiptare.Kjo dashuri shihet plot simpati, plot kolor dhe ndjenjë edhe në fshatin e humbur myzeqar, Trokthin e paarsimuar, sepse përshkohet nga prirje të thella civilizuese positive.Problemi i dashurisë së tyre shihet teorikisht dhe metaforikisht si një  çështje  e madhe kombëtare.Linjën e dashurisë së Vitës me Adilin, autori e skalit me shumë dashuri, sepse është linja oaz mes atij deti të thellë dëshpërimi dhe varfërie të fshatarit myzeqar.

Në përshkrimet e portretit që na njohin me Vitën , ka dicka romantike, ka freskinë e mjeshtërisë së rrallë të autorit, tipike për këtë shkrimtar.Autori thekson rininë e saj të 17-të, bukurinë e saj myzeqare, atë hov ndjenjash që është  tipari i saj më i dukshëm.Duke poetizuar pamjen e saj të jashtme, shkrimtari pohon të bukurën tek njeriu, fisnikërinë dhe forcën e ndjenjave të qashtra.Jakov Xoxa di të japë me mjeshtëri gëzimin e jetës, aspiratën  për lumturi sa më të plotë që dallon Vitën.Shpesh përshkrimi i ndjenjave dhe i përjetimeve të Vitës gërshetohet me vizatimet e natyrës , gjë që nxjerr në pah edhe më mirë, gjendjen shpirtërore të vajzës  në caste të ndryshme.

“Vita sec ndjeu atë hop pritjeje; sikur provoi trishtimin dhe gëzimin  e grurit që vdes më këmbë, dhimbjen e lumturisë së dashurisë së parë, që po e shkoq dhe atë  si nën patkonjtë celik të kuajve të hazdisur, që po e shtyp dhe e dërmon atë nën gurin e rëndë të mullirit, që po e pjek në zjarrin zhuritës të kaminës, që po e kafshon e duket sikur e puth.Mos kishte nxënë edhe ajo kuptimin e jetës, qëllimin e jetës? Dhe zu të presë më këmbë, pa bërë zë, nën avullin e diellit e të gjakut që po e përvëlonte nën shikim të kosovarit që i ngjante sikur do ta korrte dhe rrëzonte përdhe”

Kjo dashuri e qashtër që shpesh tregon edhe pafajësinë e vajzës, hovet e saj të zemrës, foshnjërinë dhe pastërtinë shpirtërore të veshura me një padjallëzi tronditëse të vajzës që kalon cakun e fëmijërisë dhe ndesh me frikë dhe gëzim tronditës, “qëllimin e jetës”, dashurinë e saj të parë dhe të fundit, atë për djaloshin kosovar, shpaloset me një mozaik ndjenjash si vet tallazi i ndjenjave të përbashkëta të të dy të rinjve në çdo faqe romani.

Nuk ndesh kund në asnjë gjini të prozës së gjatë, të atyre viteve një linje të tillë, kaq të bukur, kaq tërheqëse, si ajo gota e ujit e freskët në mes vapës zhuritëse dhe bezdisëse të një vere të nxehtë e të thatë, sa kjo dashuri mes Adilit dhe Vitës, në romanin e Jakov Xoxës.

Historia e saj tregon se me gjithë mjerimin, mungesat dhe varfëritë ekstreme të jetës së saj dhe thundrën e egër dhe epshqare të beut, në shpirtrat e bujqve myzeqarë rronte e fortë dashuria për jetën, për gëzimet tokësore, besimi i patundur në ngadhnjimin e së drejtës mbi të keqen shoqërore.Mes gjithë atyre peripecive dhe rrathnëve të përflaktë  të ndëshkimeve të shumta, si nga taborët e beut manjak, ashtu edhe hendekut të thellë social , krahinor, fetar , zakonor të tyre, duket sikur autori proteston për vuajtjet e pamerituara të Vitës, vajzës së cilës të gjithë deshën ti hidhnin gurë mbi gëzimin e saj tronditës, njohjes së dashurisë së parë.

 

 

Vita- Adil, binom i vazhdimësisë së jetës

Një nga veprat më të rëndësishme të autorit Lumi i vdekur njihet ndryshe edhe romani –simbol i një dashurie gati-gati të pamundur dhe të parealizueshme.Do të ishte një roman tejet i mbushur me dhimbje e lot, për shkak të tragjizmit të ngjarjeve, por edhe protagonistëve të romanit, nëse paralel me linjën kryesore, autori nuk do të vendoste edhe linjën më të këndshme, lirike dhe të dëshirueshme nga të gjithë lexuesit, linjën e dashurisë së Vitës, vajzës së bukur myzeqare me djaloshin kosovar Adilin.Këta dy personazhe janë profilizuar kaq mjeshtërisht nga autori, sa janë vijëzuar gati-gati si një trup i vetëm, një dëshirë e përbashkët, një ëndërr që mezi pritet nga të dy.Të lidhur pazgjidhshmërisht si një simbiozë Vita dhe Adili janë personazhet më të dashur të romanit.Dy të rinj që njihen në rrethana jo fort të këndshme për ta, dy të rinj që i përndiqte i njejti fat i mbrapshtë, ai i dëbimit nga trojet e veta, Vita nga trojet myzeqare, ndërsa Adili nga viset e largëta të Kosovës.Të njohur fare rastësisht brenda të njëjtit kulm aspak mikpritës, në një han të akullt, ku asgjë nuk ishte mikpritëse për dy familjet e varfra të Shpiragajve dhe Tafilajve, por që lindja e një jete të re duket sikur u ktheu buzëqeshjen në fytyrat e të gjithëve, në ato fytyra të përzishme nga mjerimi dhe trishtimi i braktisjes nga trojet e veta.Mes gjithë këtyre vuajtjeve prindërore Vita, vajza e madhe e Shpiragajve ndjeu për herë të parë peshën e rëndë të humbjes së njeriut më të shtrenjtë në botë, nënës, pikërisht në atë moshë që i duhej më shumë, për ta këshilluar, për ta mësuar, për ta përkëdhelur e ndenjur pranë.Në shpirtin e 17 vjecares fatkeqe, dicka u shkëput, një dhimbje dhe një humbje e pazëvendësueshme më kurrë.Nëna e saj humbi diku mes brrylakëve të dhimbshëm të jetës, ndërsa një tjetër regëtimë e cuditshme do të zgjonte shpirtin e saj.Një ndjenjë e këndshme dashurie, që vjen plot hove dhe dallgë zemre Vitën e tronditi ndjenja e furishme e dashurisë së parë.Ajo i erdhi me trazim të shpirtit dhe zemrës, me hove dhe dallgë që ia cojnë peshe shpirtin.Nuk ka përshkim e skenë më të bukur në faqet e romanit, sesa ndërthyrja plot mjeshtëri që i bën autori linjës së dashurisë.Ciftin Vitë-Adil autori i paraqet si një simbiozë , si një binom që nuk bëjnë dot pa njeri-tjetrin.Nëse në qendër të ndonjë kapitulli është veprimi apo ndjenjat e Vitës, lexuesi e ndjen menjëherë se pas kësaj do të jetë djaloshi kosovar.E ndërsa autori portretizon familjen kosovare, ndihet brenda saj edhe vajza myzeqare e dashuruar marrëzisht me djalin e madh të Tafilajve. Nuk has kund një ndjenjë kaq të bukur, kaq fisnike, kaq të madhërishme, kaq me sakrifica, kaq edhe të ciltër sa ndjenja e dashurisë së dy të rinjve.Në dukje, për sytë e dashakeqëve, ngatrrestarëve, llafazanëve, thashethemexhinjve të fshatit Trokth dhe Kënetas, ata nuk kanë asgjë të përbashkët, as prejardhjen, as fenë, pengesa goxha të pakapërcyeshme për atë kohë. Barrrierë , mure, kufij për dy të rinjtë që “guxonin” të shkelnin traditën. Vita është personazhi më i këndshëm i veprës.E rritur mes varfërisë dhe problemeve të panumërta të shtëpisë së saj, mes mjerimit dhe halleve, ajo vajza 17 vjecare kishte ëndrrat dhe dëshirat e veta.Autori e përshkruan me shumë simpati, sidomos kur kupton botën e cashtër, fëminore, të padjallëzuar të vajzës, që ngrihet mbi shëmtimin moral të njerëzve që kërkojnë ta përbaltin atë, për të vetmin “mëkat” që ajo bën, që dashuron me gjithë forcën e shpirtit të saj të dlirë djaloshin kosovar.Gjithë intrigat, thashethemet, peripecitë që heq Vita duke ia lënduar deri në palcë shpirtin e saj, duket sikur janë “haraci” që ajo duhet “të paguajë” për një dashuri që bota sia do dhe sia lejon.Për fshatin, për njerëzit përreth, kjo dashuri sduhet kurorëzuar, sepse dy të rinjtë skanë as fe , as krahinë të përbashkët.Por mbi këto paragjykime ngrihet edhe më e fortë nga goditjet, herë përballë dhe herë pas shpine, dashuria e dy të rinjve, e cila domosdoshmërisht përfundon në kurorëzimin e tyre, si një cift i dlirë që sakrifikuan në emër të jetës dhe që transmetuan tek të gjithë dëshirën për të jetuar së bashku, dëshirën e së ardhmes.Me arratisjen e dy të rinjve drejt një bote tjetër, të lirë pa njerëz, pa paragjykime, mes pemëve dhe kafshëve, larg ngjarjeve të hidhura dhe të gëzuara, duke e shijuar në maksimum, jo vetëm njeri-tjetrin, por edhe shijen e ëmbël të lirisë, Vita dhe Adili janë binomi i vazhdimësisë së jetës, asaj jete që do jetuar plot dashuri. Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash, prandaj gati receptohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet e fortë në krejt romanin, kurse bëmat dhe sjelljet shihen më pak. Zgjimi I ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, aq sa duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron atë. Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe zhvillimin femëror janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Edhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, kryesisht, janë marrëdhënie ndjenjash. Si bijë vuan dhimbjen e madhe për vdekjen e parakohëshme të së ëmës, si motër provon herët dhembshurinë për vëllanë dhe motrën e vogël jetime; si vajzë e sinqertë dhe pa paragjykime përjeton thellë dashurinë erotike për Adilin.
Dashuria për Adilin njëjtësohet me vetë jetën e saj, me kënaqësitë sublime, me bukurinë dhe lumturinë e jetës. Vita, gjithashtu, është simbol i pasioneve rinore të vrullshme dhe të pandalshme, është simbol i dashurisë që çel edhe në kënetën e jetës, edhe në mes të fanatizmit, symbol i gëzimit dhe i përtëritjes së jetës; simboli i femrës që ngacmon erotikisht njerëzit dhe poetizon krejt mjedisin. Edhe Adili jepet me po të njëjtën dritë dhe simpati nga ana e autorit.Ai është djaloshi kosovar shtatlartë dhe krenar nga viset e largëta të Kosovës, që përjetoi së bashku m familjen e vet vuajtjen e spastrimit etnik dhe dëbimit të serbëve.I fortë dhe këmbëngulës, me karakter burrëror, paqësor dhe i dashur, tradicional në familje,i snqertë dhe besnik në ndjenjën e tij, Adili shpaloset me të gjitha ngjyrat e simpatisë së autorit.

Adili është personazhi lirik i veprës, i cili përfaqëson idealin e besnikërisë, dashurisë, lirisë dhe burrërisë.Me gjithë mjeshtërinë artistike dhe gjuhësore autori e portretizon djaloshin 21 vjecar nga Kosova, jo vetëm një djalosh trim, atdhetar dhe burrëror, por depërton deri në thellësi të shpirtit të tij, nga ku zbulon se dashuria për vajzën myzeqare e ka bërë të paqtë, të butë, të ndjeshëm dhe mbi të gjitha tepër erotik.Tek figura e tij duket se gërshetohen natyrshëm dy dashuritë e tij të mëdha, ajo për atdheun dhe dashuria tjetër, ajo për vajzën e dlirë myzeqare.Qysh në takimin e parë me Vitën tek Hani i Bishtanakës, ai ndjeu për herë të parë hovet e zemrës së tij burrërore, një përskuqje në fytyrë dhe të rrahurat e shpeshta të zemrës.Po, këtë trazim ndjenjash e përjeton edhe Vita,Nis kështu, idili i bukur i një dashurie që sapo lind, e pastër e vërtetë dhe që kalon shumë situate të rënda, jo vetëm me klasën shfrytëzuese, ngatrrestarëve dhe thashethemexhinjve të fshatit, por me konflikte edhe brenda familjeve të tyre për shkak të paragjykimeve ndaj krahinës dhe fesë.Kur përshkruan ndjenjat dhe mendimet e vajzës, autori përdor hiperbolën duke portretizuar portretin e Adilit.”Vetëm qeleshja e bardhë e me majë shënonte kufinë në mes tij dhe errësirës së zezë” duke theksuar kështu një tipar të djaloshit:madhështinë e trupit.Në raste të tjera “fytyra e kuqërryer nga zemërimi”, “dhmëbët që I kërkërisnin të egërsuar “japin tiparet burrërore të tij. Adili paraqitet në romanin Lumi i vdekur me tiparet më positive që mund të ketë një djalosh i ri shqiptar, mbi të gjitha patriot dhe atdhetar.Ishte ndër djelmoshat e parë të krahinës që shkoi në luftë dhe e priti me armë në dorë pushtuesin italian, duke iu dhënë zemër dhe cuar peshë zemrat e të gjithëve.Të bëjnë për vete rrëfimet e tij për kreshnikë dhe heronjtë e vërtetë, trashëguar këto nga i ati Sulejmani.Tiparet e tij bëhen edhe më burrërore me këngët epike që ai këndon me cifteli:

Mos mi lidhni sytë me shami

Se jam shqyptar, kosorvali

Konflikti mes beut dhe Adilit, konflikt që shpreh dy morale të kundërt, dy botë të kundërta, konflikt që e acaron edhe më tej djaloshin kosovar kur mëson intrigat dhe lojën e ndyrë të beut për të shtënë në dorë Vitën, zgjidhet me hakmarrjen e djaloshit kur ai me guxim qëllon me armë beun, figurën më të urryer të fshatarëve dhe shkaktarin e gjithë fatkeqësive dhe varfërisë së fshatarëve të Trokthit.Në këtë mënyrë djaloshi fshatar që mbart gjithë virtytet më të larta  si pastërtia dhe thellësia e shpirtit të tij, patriotizmi I kulluar, ciltërsia e karakterit, ndershmëria dhe burrëria, me tipin e tij prej njeriu punëtor, me pamjen e hijshme, spikat edhe më tepër karakterin e tij me guximin dhe vendosmërinë për të marrë hak ndaj armikut më të egër të fshatarëve. Krenar për genin e tij dhe krahinën burrërore nga vjen Adili si rrëgë të vetme për të mbrojtur nderin e familjes së tij, për të mbajtur besën ndaj vajzës që dashuron dhe për të bërë një jetë të lire pa shtypës dhe shfrytëzues e shikon me arratinë e tij dhe Vitës në Pyllin Mbret.Kjo sepse linja më e bukur e romanit, ajo e dashurisë gërshetohet dhimbshëm me dramën e përgjithshme dhe familjare në të gjithë subjektin.

Autori në dashurinë e dy të rinjve ka bashkuar në mënyrë figurative kombin shqiptar, duke lënë pas dore përcarjet që kërkonin të mbillnin klasat shfrytëzuese si dhe paragjykimet e fanatizmin e kohës.Duke bashkuar një musliman me një të krishterë, një myzeqare me një kosovar, autori ka përshkruar luftën e së resë kundër së vjetrës, luftën e ndjenjës së vërtetë njerëzore kundër paragjykimeve dhe fanatizmit që bëheshin gardh për vazhdimësinë e jetës.Dy të rinjtë i thyen këto gardhe dhe mure të pakapërcyeshme dhe rendën të lirë në dashurinë e tyre, sepse pikërisht këtë kërkon të përfaqësojë edhe autori nëpërmjet tyre, binomin e vazhdimësisë së jetës

Emërtimet metaforike të titujve të romaneve të Xoxës

 

Qysh në titujt e veprave , Jakovi është treguar mjeshtër i metaforës.Të gjitha veprat e tij të prozës së gjatë, dallohen për titujt mjaft kuptimplotë, mjaft domethënës.Titujt e veprave të tij të joshin pa i lexuar ende: Lumi i vdekur, Juga e bardhë, Lulja e kripës. Janë tituj domethënës që mbartin poezinë e natyrës shqiptare e veçanërisht asaj myzeqare.Sa më dramatike të jetë vepra në subjektin e saj, aq më lirike është titulli.Duket se Jakovi ka qënë një “nun” i mirë dhe i zoti për të pagëzuar titujt. Por jo vetëm kaq…Titulli i një romani ka qënë githnjë një mënyrë e bukur perceptimi për atë çka do trajtonte autori në faqet e tij. Legjendën e Lumit të vdekur për herë të parë si lexues në romanin me të njëjtin titull e hasim në rrëfimin e Koz Dynjasë. Duke e vënë këtë legjendë në gojën e një fshatari të varfër, autori rrëfen ngadalë në mënyrë narrative dhe plot ndjenjë sesi fshati Lumth që mbante emrin dikur fshati për hir të ekzistencës së këtij lumi, u kthye në Trokth të varfër dhe të skllavëruar nga bejlerët.Në legjendën që tregon Koz Dynjaja vihet re antiteza jo vetëm në emrat Lumth e Trokth, por ehde në përshkrimin e fshatit në të kaluarën e në kohën e tyre.Nga mënyra sesi përshkruhet fshati Lumth, duket qartë idealizimi që I bënin fshatarët në fantazinë e tyre për shkak të begatisë së këtij fshati nga natyra, por edhe nga jetesa e lirë, e panënshtruar e fshatarëve nga sundimi I pamëshirshëm I beut.Me ngjyrat më të qarta përshkruhet Lumth nga Koz Dynjaja dhe kështu del më I fortë kontrasti për fshatin në kohën e rregjimit feudo-borgjez të Zogut.”…troktharakët nuk panë një ditë të bardhë me beun mbi kokë, me shëllirën në prag të shtëpisë, me djepet e fëmijëve që lindnin, dergjeshin dhe vdisnin anës kënetës, anës Lumit të vdekur.Në thonjtë e beut,në kënetë, nën thumbin e konupeve, në mes të ujit…të pish e të mos kesh të ngopur, të digjesh nga ethet e të mos  kesh të shuar…” Këto janë fjalët që rrëfejnë legjendën e Lumit të vdekur, në gojën e personazhit më të zgjuar dhe më të vuajtur myzeqar Koz Dynjasë, nëpërmjet një rrëfimi ku vihen re trajta e të folurit popullor, ku janë përgjithësuar me vërtetësi tiparet e fshatit myzeqar lënë nga regjimi dhe bejlerët në mëshirën e konupeve dhe kënetave, në varfërinë dhe mjerimin më të madh.

 

 

 

* Autorja e librit “Identiteti  jakovian në idilin poetik të dashurisë”

Share This:

blunavi.com