Cesare Pavese: I humbur në ty…

Shqipëroi: Orjela Stafasani

 

 (Poezi të zgjedhura)

 

Cesare Pavese

 

NATA KUR T’ZU GJUMI

 Edhe nata t’përngjan,
nata e largët që qan n’heshtje,
brenda zemrës së thellë,
dhe yjet t’lodhura kalojnë.
Një faqe e prek tjetrën –
dhe një rrëqethje e ftohtë, dikush
lufton dhe t’lutet, vetëm,
i humbur në ty, në ethet e tua.

Nata vuan dhe ka mall për agun,
e shkreta zemër që tronditet.
O fytyrë e ngurtë, ankth i errët,
ethe që trishton yjet,
ka njerëz që si ti presin agun
duke vështruar në heshtje fytyrën tënde.
Je shtrirë poshtë natës
si një i mbyllur e i vdekur horizont.
Zemër e shkretë që tronditesh,
një ditë të largët ti ishe agu.

 

TI JE PËR MUA NJË KRIJESË E TRISHTË

 

Ti je për mua një krijesë e trishtë

një lule e përkohshme poezie

që bash në çastin kur e gëzoj
dhe provoj të dehem
e ndjej që ikën larg
shumë larg,
për mjerimin e shpirtit tim
mjerimi im i trishtë.
Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër
dhe ta thith gojën,
gjatë, papushim,
jam i trishtuar, vogëlushe,
sepse e ndjej zemrën time shumë të lodhur
duke të dashur kaq keq.
Ti ma jep gojën tënde
dhe bashkë përpiqemi me e gëzu’
dashurinë tonë që kurrë s’ka me qenë e lumtur
sepse shpirti në ne është shumë i lodhur
nga ëndrra tash t’ëndrrume.
Por jam unë, jam unë frikacaku,
dhe ti je kaq lart
saqë, kur mendoj për ty,
nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie
për atë pak gëzim që më jep,
s’di a për tekë a për mëshirë.
Bukuria jote është bukuri e trishtë
të cilën s’kisha guxu kurrë me e ëndrru’,
por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr.
Kur të flas për gjërat më të ëmbla
dhe të shtrëngoj në zemrën time
dhe ti nuk mendon për mua,
ke të drejtë, vogëlushe:
unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak.
Dhe ja, ti je për mua
asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë
me sy të mëdhenj ëndrre,
që për një orë më shtrëngohet në zemër
dhe më mbush plot
me gjëra të ëmbla, plot keqardhje.
Kështu më ndodh kur i dërmuar
shtrydhem për të futur në vargjet e lehta
një hov timin të trishtë.
Një lule e përkohshme poezie
asgjë më shumë, dashuria ime.
Por ti nuk e di, vogëlushe,
dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj.
Do të vazhdoj, lule e vogël bionde,
që kaq shumë ke vuajtur në jetë,
me ta admiru’ fytyrën që të qan
edhe kur buzëqesh
-oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde!
nuk do të dish kurrë, vogëlushe –
do të vazhdoj të adhuroj pranë teje
gjymtyrët e tua të vogla melodioze
që kanë ëmbëlsinë e pranverës
e janë kaq prekëse dhe aromatike
saqë unë gati sa nuk çmendem
nga mendimi se dikush tjetër ka me i dashtë
duke i mbërthyer në trupin e tij.
Do të vazhdoj me të adhuru’,
me të puth dhe me vujt,
deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka
duhet të marrë fund.
Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg
dhe nuk do ta ndjej më të lodhur zemrën,
por do të çirrem nga dhimbja
dhe kam me puthë në ëndërr
dhe kam me shtrëngu’ në gjoks
iluzionin e zhdukur.
Dhe do të shkruaj për ty,
për kujtimin tënd zemërthyes
pak vargje vajtuese
që ti nuk ke me i lexu’ kurrë.
Por mua kanë me më qenë mizore
të gozhduara në zemër
përgjithmonë.

 

DO TË VIJË VDEKJA DHE DO T’I KETË SYTË E TU

 

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.
Të tillë i sheh çdo mëngjes
kur e vetme përkulesh
para pasqyre. O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë edhe ne
që je jeta dhe asgjëja.
Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë.

 

KISHA DASHTË ME U MBYTË

 

Kisha dashtë me u mbytë
në shtrëngimin e krahëve të tua
në dashurinë e zjarrtë të trupit tënd
në fytyrën tënde, në gjymtyrët e tua prekëse
në delirin e syve të tu të thellë
të humbur në dashurinë time,
ky hidhërim i thatë
që më torturon.
Djegie e hutuar në ty dëshpërimisht
kjo paqëndrueshmëri e shpirtit tim
tashmë të lodhur nga gjithë gjërat
para se me i njoftë
dhe tani kaq të irrituar
nga heshtja e botës
e pamëshirshme për të gjitha ëndrrat e mia
dhe nga mizoria e saj e qetë
që më rëndon e tmerrshme
pakujdesshëm
dhe që nuk më jep më as
atë pakëz mërzi
por më shqyen me torturë
dhe më shpon me egërsi,
pa më lënë me britë,
duke ma tronditë gjakun
duke më mbytë me egërsi
në një heshtje që është e hovshme
në një heshtje ngjethëse.
Në një dehje të dëshpëruar
të dashurisë së krejt trupit tënd
dhe të shpirtit tënd të humbur
kisha dashtë me e tronditë dhe me e djeg’
shpirtin
me e përhapë këtë tmerr
që m’i ndal britmat
dhe m’i mbyt në fyt
me e djegë dhe me e shkretu’ në një çast
dhe me u shtrëngu’, me u shtrëngu’ n’ty
pa kufizime
verbërisht, ethshëm
duke u përplasur, nga dashuria.
Dhe pastaj me vdekë, me vdekë,
me ty.
Ditën e zezë
kur vetëm ka me m’u dashtë
me vdekë (dhe kjo ka me ardhë dhe s’ka me u
hjekë)
atë ditë kam me qa’
duke mendu’ se kam mujt
me vdekë kështu në dehjen
e një pasioni përvëlues.
Por, për hir të dashurisë
nuk e kam dashtë kurrë.
Për hir të dashurisë tënde të shkretë
kam zgjedhur, shpirti im,
rrugën e një dhimbjeje më të gjatë.

Share This:

blunavi.com