Uinston Çërçill saga e një jete

Arjan Konomi

 

Kishin kaluar shumë vite që Uinston Çërçill të ndihej i padobishëm, një i papunë edhe pse vazhdonte të ishte deputet i parlamentit britanik në të gjitha mandatet. Plogështinë, përzier me zemërimin dhe indinjatën për përjashtimin nga qeveritë e shumta, të formuara gjatë atyre viteve, përpiqet ta shuajë duke shkruar, udhëtuar e duke pikturuar. Herë pas here, fjalimet e ndezura të tij në Dhomën e deputeteve, më tepër sesa ta vendosnin në qendër të vëmendjes, e kishin vënë në pozicion të vështirë duke i krijuar edhe momente të hidhura. Si ai i 7 dhjetorit 1936, kur ishte duke mbajur një fjalim në parlamentin britanik në lidhje me çështjen e mbretit, nga salla, deputetët iu vërsulën me të bërtitura kundër tij, përqeshje dhe tallje. Thirrjet “shporru” e “mashtrues”, si një korr ferri, e bënë të dridhej, por në dukje ruajti qetësinë duke i rënë shkurt për ta përfundur sa më parë fjalën e tij, por në rrëmujën e krijuar, zëri dhe fjalët që nxirrte nuk dëgjoheshin më. I befasuar nga ai reagim i deputetëve, Çërçilli po bindej se në atë klimë politike  i kishte të humbura shpresat për të patur një detyrë qeveritare edhe për shumë kohë tjetër.

Gjatë viteve të gjata dhe të mërzitshme jashtë qeverive të shumta britanike që ishin formuar, energjinë e tij do ta përdorte për të shkruar libra. Ishte impenjuar me përgatitjen e biografisë në katër vëllime, së dukës së parë të Marlborout, prej të cilit ai dhe familja e tij rridhnin. Babai i Çërçillit, Lordi Randolf ishte djali i dukës së shtatë të Marlborout. Nëse xhaxhai i tij nuk do të kishte djalë, Uinston Çërçill me vdekjen e të atit, do të kishte titullin e lartë Aristokrat i Dukës. Lordi Randolf ishte një figurë e njohur e jetës politike britanike e fundshekullit të XIX-të dhe kishte arritur të bëhej Ministër i Financave dhe Thesarit të Britanisë. Por karriera e tij politike kishte mbaruar shpejt, ashtu si dhe jeta, për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme. Shumica e politikanëve mendonin se edhe Çërçilli kishte patur të njëjtin fat me të atin, për karrierën e shkurtër në politikë, edhe pse Uinstoni kishte qenë pesë herë ministër në qeveri të ndryshme duke lënë gjurmë, për shkak të ideve të tij inovative në fushën e ligjshmërisë, të jetës sociale, të financave dhe të administrimit të kolonive. E tashmë, që situata politike në Europë ishte tensionuar nga forcimi i Gjermanisë naziste dhe i politikave për riarmatosje të Hitlerit, askush nuk donte t’i dëgjonte ligjëratat e Çërçillit kundër rrezikut të nazizmit në Gjermani, kundër komunizmit në Bashkimin Sovjetik, si dhe thirrjet për një armatosje të shpejtë të Britanisë. Këto qëndrime e kishin shndërruar imazhin e tij në politikë, si edhe në opinionin publik anglez duke e konsideruar, një “adhurues luftërash e konfliktesh të armatosura”, një patologji e cila zgjidhjen e çdo problemi në skenën ndërkombëtare, e sheh vetëm nëpërmjet forcës ushtarake dhe sasisë së armëve, avionëve e luftanijeve që Britania duhet të prodhonte. Situata e krijuar në parlament ishte rrjedhojë e të gjithë këtyre fjalimeve të Çërçillit edhe pse, atë ditë tema për të cilën ai foli, ishte në mbrotje të mbretit Eduard VIII, me të cilin e lidhte një miqësi shumëvjeçare. Mbreti i Britanisë së Madhe, prej më pak se një viti i kurorëzuar, kishte një marrëdhënie me një grua amerikane e quajtur Uollis Simpson, e cila ishte duke u divorcuar nga bashkëshorti i dytë i saj. Mbreti ishte dashuruar marrëzisht me Simpsonin dhe mezi priste që ajo të merrte divorcin, për t’u martuar me të. Për këtë qëllim të tijin, vë në dijeni qeverinë dhe parlamentin britanik, të cilët alarmohen nga vendimi i tij dhe e detyrojnë mbretin të zgjedhë, midis martesës dhe abdikimit si mbret i Anglisë. Çërçilli bënte pjesë në grupin që kërkonte të bindte mbretin që hiqte dorë nga martesa me amerikanen, por mbreti Eduard për të dhënë zgjidhje krizës institucionale të krijuar në vend, në dhjetor 1936, firmos abdikimin duke hequr dorë përgjithmonë nga froni anglez, në favor të vëllait të tij dhe martohet me Uolli Simpson. Disa ditë pas poshtërimit të Çërçillit në parlament, gazeta prestigjoze “The Times”, do ta cilësonte episodin si “vdekjen më të kobshme të historisë parlamentare moderne”, ndërsa “Spectator” do të shkruajë këto rreshta për të: “Ka tërësisht keqkuptuar humorin e vendit dhe të parlamentit, dhe iu vërshua sërish mbi vete ai reputacion, të cilin kishte filluar ta ndryshonte, ai i një shpirti të paedukatë, i papërdorshëm në këshillim”. Çërçilli do t’i shkruajë një mikut të tij për ngjarjen: “Nuk më duket se pozicioni im politik është dëmtuar seriozisht nga linja drejtuese që unë zgjodha, por edhe sikur të kishte qenë kështu, nuk do të kisha dashur të veproja ndryshe. Në politikë, preferoj gjithnjë ta lë veten të drejtohem nga zemra, në vend se nga ndjenjat e opinionit publik”. Momente të tilla të vështira kishte ditur me durim dhe qetësi t’i kalonte edhe në periudha të tjera të errëta të karrierës së tij.

Do të udhëtonte për në Amerikë, Kanada, pastaj do të shkonte në rivierën franceze ku për orë të tëra do të merrej me pikturën, pasionin e tij prej vitesh, me të cilin arrinte të qetësonte mendjen, të kalonte kohën e të largonte dëshpërimin, në pritje të qeverive që ndërroheshin për t’i ofruar një post, por dhe duke vëzhguar entuziazmin e ministrave të zgjedhur, të kënaqur se ngatërrestarin dhe impulsivin Çërçill, nuk do ta kishin mes tyre.

Kishte filluar të shkruante projektin ambicioz dhe voluminoz mbi historinë e vendeve anglofone, të përmblidhte artikujt e shumtë të botuar në vite prej tij, si dhe të shkruante shënime mbi kujtimet e jetës. Ishte i bindur se eksperienca e tij institucionale përbënte një pasuri të madhe, të cilën shefat e qeverive, nuk ishin të aftë ta vlerësonin dhe ta shfrytëzonin. Kishte kaluar shumë kohë, kur në vitin 1916, ishte riemëruar ministër pas pesë vjetësh jashtë qeverive, në detyrën e ministrit të Rezervave të Shtetit, falë mirësisë së ministrit në detyrë Edison, i cili i kishte shprehur kryeministrit se jepte dorëheqjen, me kushtin nëse në vend të tij, emërohej Uinston Çërçill. Kryeministri Lloid Xhorxh i partisë konservatore edhe pse kishte një miqësi dhe vlerësim për Çërçillin, nuk kishte guxuar ta merrte në qeverinë e tij, për shkak të reputacionit të keq të tij. Emërimi i Çërçillit do të shoqërohej me kritika të shumta, jo vetëm nga konservatorët e partisë së tij, por edhe nga shumë gazeta. “Sunday Times”, kishte shkruar se një emërim i Çërçillit në një detyrë qeveritare, do të përbënte “një rrezik serioz për administratën dhe tërë perandorinë… E kaluara e tij dëshmonte, se nuk zotëronte ato cilësi të gjykimit të ekuilibruar dhe atë mprehtësi largpamëse që janë esenciale për një administrator të mirë”. “Morning Post”, do ta konsideronte si të pahonepsur prej “mendjemadhësisë supreme të tij”. Disa ditë më pas, po kjo gazetë do të shkruante: “Ky entitet i rrezikishëm dhe i pasigurt, zoti Uinston Çërçill, kjo veshkë e lëvizshme brenda trupit politik, u kthye në Uajtholl”. Këto krahasime të rënda lidheshin me faktin e luhatjeve të tij politike, herë konservator dhe herë liberal, duke dëshmuar një paqendrueshmëri politike, si dhe një rrezik për grupin e tij parlamentar. Në të kaluarën e tij politike pasi ishte zgjedhur deputet në radhët e partisë konsevatore kishte filluar të përkrahte idetë e promovuara nga partia kundërshtare në opozitë, ajo liberale. Në vitin 1904, e kishte konsideruar Lloid Xhorxhin si “një llafazan vulgar dhe fjalëkotë”, për arsyen se “çdo njeri kishte të drejtën e plotë për të shprehur opinionin e tij dhe këto opinione janë vendosur në heshtje, sepse urrehen nga mazhoranca e të pranishmëve dhe kjo përbën një doktrinë shumë të rrezikshme, varrosëse për partinë konservatore. Ai u bë promotor i programit politik të qarkullimit të lirë të mallrave dhe të konkurrencës së lirë të të gjithë tregjeve të botës, sepse vetëm kjo mënyrë siguron çmime të lira për produktet ushqimore dhe lëndët e para. Në parlamentin e kohës, Çërçilli votonte rregullisht kundër partisë së tij koservatore dhe më 31 maj të vitit 1904, në moshën njëzet e nëntë vjeçare, bën një gjest të paprecedent në politikën britanike, kur në sallën e parlamentit, shkon të ulet në vendin e rezervuar për deputetët liberalë. Duke deklaruar publikisht përkatësinë e tij tashmë liberale. Në zgjedhjet e ardhshme do të kandidonte po në të njëjtën zonë ku ishte zgjedhur për konservatorët, në Olldam, por kësaj here nga radhët e partisë liberale. Vite më pas, Çërçilli do të kalonte sërish në radhët e partisë konservatore, ndaj dhe tashmë që konservatorët ishin në pushtet, nuk e përfillnin për t’i dhënë postin e ministrit, aq shumë të lakmuar prej tij. Vetëm falë insistimit të mikut të tij ministrit të Rezervave Edison, ai tashmë mund të mbajë postin e titullarit të këtij institucioni.

Si ministër i Rezervave, Çërçill do të niste menjëherë të vinte në lëvizje këtë makineri të rëndësishme të shtetit duke çuar në parlament, projektligjin mbi armatimet e luftës, objekti i të cilit ishte, “nga njëra anë prodhimi e nga ana tjetër, paqja industriale”. Në atë kohë, Lufta e Parë Botërore ishte në kulmin e saj dhe kjo situatë e bënte akoma dhe më të rëndësishme Ministrinë e Rezervave, duke qenë e vetmja që kishte për detyrë prodhimin e armëve dhe municioneve për të plotësuar kërkesat gjithnjë e në rritje, për furnizimin e ushtrisë britanike, e cila ishte përfshirë në atë moment, në luftime të ashpra në front me Gjermaninë. Britania e Madhe kishte përforcuar dhe shtuar së tepërmi forcat e saj ushtarake, rritur konsiderueshëm, pas armëpushimit bolsheviko-gjerman, në frontin lindor të luftimeve. Prodhimi ushtarak britanik do të arrinte shifra të larta edhe për nevojat e furnizimit të aleatëve të tyre francezë e italianë. Në shtator të vitit 1918, trupat britanike bashkë me ato kanadeze dhe australiane, do të ndërmerrnin një ofensivë të përgjithshme ushtarake kundër trinçeve gjermane që do të rezultonte me një fitore dhe zbrampsje të tyre, në brendësi të territorit duke afruar përfundimin e luftës.

Ndërkohë një aksident i rëndë kishte ndodhur me Bashkimin Sovjetik. Në fund të muajit gusht të po atij viti, bolshevikë të armatosur, kishin hyrë me forcë në ambasadën britanike në Pietrograd, ku kishte mbetur i vrarë atasheu ushtarak i marinës. Indinjata që shkaktoi ky veprim në Britani, ishte e madhe dhe Çërçilli do të shprehej kështu në mbledhjen e qeverisë: “Politika e vetme efikase…është t’i tregohet qeverisë bolshevike se ndëshkimi i tyre do të bëhet një objektiv i rëndësishëm i politikës britanike e do të mbahet në konsideratë, në të gjitha fazat e luftës dhe marrëveshjet që do të bëhen”. Qeveria angleze do t’i dërgonte në vijim një telegram qeverisë sovjetike duke e kërcënuar, për hakmarrje kundër Trockit, Leninit dhe qeveritarëve të tjerë, nëse nga ai moment, nuk do të ishte siguruar jeta e shtetasve britanikë atje.

Në kulmin e Luftës së Parë Botërore, shkon në Francë disa herë, ku bashkë me kryeministrin francez, do të inspektojnë zonat shumë afër frontit të luftimeve. Ndërkohë, Turqia kundërshtare, iu dorëzua forcave aleate. Disa ditë më pas, më 3 nëntor 1918, do të dorëzohej dhe Austro-Hungaria. Në datën 7 nëntor një delegacion gjerman, do të kapërcente linjën e frontit për të kërkuar armëpushim dhe për të diskutuar kushtet e tij duke i dhënë kështu fund konfliktit botëror. Në të gdhirë gjermanët pranuan kushtet e Aleatëve. Të nesërmen, luftimet do të ndërpriteshin dhe trupat gjermane do të tërhiqeshin në brendësi të territorit të tyre duke liruar Francën, Belgjikën e Luksemburgun si dhe do të tërhiqeshin ushtarakisht nga territoret gjermane, në perëndim të lumit Ren. Lufta e Parë Botërore, e cila kishte zgjatur pesë vjet dhe kishte shkaktuar dhjetëra milionë viktima, përfundoi. Katër perandori të lashta europiane, perandoria turke, ajo gjermane, perandoria austro-hungareze dhe perandoria ruse që përfshinin dhjetëra popuj e kombe, do të zhdukeshin nga hartat botërore duke ndryshuar tërësisht konfigurimin politik të Europës. Çërçill do të shkruante: “Fitorja mbërriti, pas gjithë rreziqeve dhe frikërave, në mënyrë absolute dhe totale. Të gjithë mbretërit dhe perandorët, kundër të cilëve luftuam, janë në ikje apo në ezil; ushtritë dhe flotat e tyre, të shkatërruara ose të humbura. Në të gjithë këtë, Britania e Madhe, kishte luajtur një rol kryesor e kishte bërë më të mirën e saj, nga fillimi deri në fund”.

Po gjatë atyre ditëve, qeveria britanike duhej të vendoste mbi shitjen e armatimeve të mbetura, si dhe mbi fatin e fabrikave dhe të forcës punëtore që i prodhonin ato, meqë tanket, topat, granatat e municionet, nuk nevojiteshin më. Çërçilli tashmë, e shikonte veten të padobishëm në krye të Ministrisë së Furnizimeve, pas asaj pune të stërmadhe e tepër të rëndësishme, papritmas e panevojshme për më tej. “Gjithë detyrat e mia, me një goditje të vetme, u kthyen në një makth nate, duke lënë pas një zbrazëti”, – shkruante. Mundimet e luftës kishin përfunduar e tashmë do të nisnin ato të paqes.

Disa javë pas përfundimit të konfliktit botëror, klima e zgjedhjeve parlamentare, do të përfshinte Britaninë duke i dhënë një rezultat të thellë fitoreje për konservatorët e Lloyd George, i cili në qeverinë e re, do ta emëronte Çërçillin, Ministër të Luftës. Në fakt, edhe pse lufta kishte mbaruar, detyra e re ishte e rëndësishme për situatën në Rusi, ku bolshevikët kishin konsoliduar pushtetin e tyre në zonën qendrore të vendit dhe kishin ndërmarrë një luftë civile me forcat cariste apo, si njihen ndryshe, rusët e “bardhë”. Në mbështetje të këtyre, brenda kufijve të ish perandorisë cariste, ndodheshin të dislokuara 180 mijë forca ushtarake jo ruse, midis të cilëve anglezë, amerikanë, japonezë, francezë e të tjerë. Armët, që Britania e Madhe kishte dërguar atje, në sasi të mëdha gjatë luftës, u ishin dorëzuar forcave antibolshevike, për t’i përdorur kundër bolshevikëve, që kishin marrë pushtetin në Moskë, por që ende kontrollonin një territor të vogël. Ushtria britanike, nuk kishte marrë pjesë deri në atë moment në luftime duke mbajtur rolin e këshilluesve ushtarakë. Kështu, përpara ministrit të ri të Luftës, Uinston Çërçill, qëndronte një detyrë krejtësisht e re për të, ku nuk ishte përfshirë më parë, as minimalisht, por që tashmë duhej t’i jepte zgjidhje situatës së krijuar nga paraardhësit e tij.

Në atë moment, trupat britanike ishin në krahë të tre fronteve kryesorë antibolshevikë; në Rusinë veriore, në atë jugore dhe në Siberi. Qeveria kishte marrë masa për një mbështetje materiale, pra në armë, pajisje e veshje, si dhe në të holla. Përsa i përket rolit të trupave ushtarake, Çërçilli ishte i mendimit që nëse Britania do të tërhiqej, duhet ta bënte këtë menjëherë, e nëse duhet të ndërhynte, duhet të dërgonte një numër më të madh ushtarësh. Mendimi i tij si Ministër i Luftës, ishte të ndërhynte ushtarakisht, por vendimi për këtë i mbetej qeverisë. Sipas tij, duhej të konsultoheshin edhe me presidentin amerikan Uillson, trupat e të cilit, ishin dislokuar në Rusinë veriore dhe në Siberi. Nëse presidenti amerikan do t’i deklaronte luftë regjimit bolshevik, i cili sa vinte e po forcohej si në pushtet, por edhe në hapësirën territoriale, atëherë edhe trupat britanike do të ndërmerrnin luftimet. Për të qartësuar këtë, Uinstoni niset si i dërguar i qeverisë britanike në Paris, ku duhej të takonte presidentin amerikan dhe kryeministrin francez, që ndodheshin në kulmin e punimeve të Konferencës së Versajës.

Një këshill prej dhjetë shtetesh formohet për të diskutuar mbi qëndrimin, që duhej të mbanin karshi Rusisë. Çërçilli ishte në qendër të bisedimeve dhe ndjente detyrimin ndaj rusëve të bardhë për t’i mbështetur, nisur nga fakti, se në fillim të konfliktit botëror, britanikët e kishin shtyrë Rusinë t’i shpallte luftë Gjermanisë, por zhvillimi i evenimenteve politike atje, me ardhjen e bolshevikëve në pushtet, kishte ndryshuar raportet e forcës. Tashmë, që këto trupa ushtarake gjendeshin nën rrezikun e shfarosjes prej bolshevikëve, ata kishin një detyrim moral për të mos i braktisur. Por presidenti amerikan Uillson, është kundër fillimit të luftimeve, biles edhe me variantin e krijimit të trupave vullnetare, shprehet kundër, me pretekstin se vështirë të gjenin vullnetarë, për të shkuar të luftonin në stepat ruse, në ndihmë të rusëve të bardhë. Çërçilli ishte edhe për opsionin e përdorimit të një gazi helmues, të sapo prodhuar. “Me të vërtetë do të më pëlqente që rusët ta provonin”, – u ishte shprehur këshilltarëve të tij. “Pasi fituam me hunët, tigrat e botës, nuk mund të pranoj që të na poshtërojnë babuinët”, – do të thoshte në lidhje me qëndrimin britanik, i acaruar në kulm, me largimin e forcave franceze nga Odesa.

“Midis të gjitha tiranive të historisë”, – do t’i drejtohej ai publikut londinez, në prill të vitit 1919, “ajo bolshevike është më e keqja, më shkatërruesja dhe më degraduesja. Makabritetet e kryera nga Lenini dhe nga Trocki ishin pakrahasueshmërisht më të tmerrshme, më makroskopike dhe më të shumta, se ato të kryera nga kajzeri gjerman”, kundër të cilit, kishin luftuar prej shumë vitesh. Kundërshtoi fort, atë që e quajti skandal të qeverisë britanike; vendimin për t’i kthyer në Rusi pesëqind mijë robër rusë, të cilët të kapur nga gjermanët gjatë konfliktit, gjendeshin tashmë nën mbikëqyrjen e aleatëve. E kishte të qartë se këta ushtarakë robër, me t’u kthyer në Rusi, do të përdoreshin nga Lenini për forcimin e trupave të tij, në luftë kundër rusëve të bardhë. “Besoj se është një nga gabimet më kapitale të historisë botërore”, – deklaron Çërçilli. Opinioni i tij është, që edhe Gjermania humbëse e luftës, nuk duhej të dërrmohej me sanksione, por ta ndihmonin të forcohej, për ta patur një aleat konsistent në luftën ndaj bolshevikëve. I propozon kryeministrit Lloyd George, që të nisnin furnizime më të mëdha për rusët e bardhë, por ky iu përgjigj se qeveria kishte vendosur të dërgonte edhe një sasi të vetme ndihmash e më pas, rusët le t’i zgjidhin konfliktet e tyre duke i përballuar vetë shpenzimet ushtarake. Ishte e padurueshme për Çërçillin, i cili përpara Dhomës së Komunave, do të deklaronte “aftësinë diabolike të Leninit për të bërë copa çdo institucion, mbi të cilin është themeluar shteti dhe kombi rus”. Hezitimi i qeverisë britanike ndaj rolit të Anglisë në luftën civile ruse si dhe përparimi në territor i forcave bolshevike, bënë që mos të merrej asnjë vendim konkret, derisa në fund të dhjetorit të vitit 1919, Çërçilli u detyrua të urdhëronte tërheqjen e të gjithë trupave britanike nga territori rus.

Njëkohësisht me situatën në Rusi, qeveria britanike do të gjendej në një situatë të vështirë në Irlandë, ku zotërimi britanik do të bëhej shkak, për nisjen e një vale rrëmujash dhe krimesh të nacionalistëve irlandezë, të drejtuara nga Sin Feini, aktet terroriste të të cilëve, ishin bërë alarmuese për Londrën. Si Ministër i Luftës, Çërçilli do t’u thoshte këshilltarëve të vet se nga “këndvështrimi ushtarak nuk kuptoj pse nuk duhet të nisim avionë me urdhrin précis, për t’i shpërndarë me mitralozë ose bomba”. Në një mbledhje qeverie, në dhjetorin e vitit 1920, Çërçilli propozoi se nëse nacionalistët irlandezë do të hiqnin dorë nga terrorizmi dhe do të mblidheshin në Dublin për të diskutuar kërkesat institucionalisht, duke dëshmuar dëshirën për paqe, qeveria britanike do të bënte një armëpushim prej një muaji. “Të ndërpriten vrasjet dhe të nisen bisedimet institucionale, ku parlamenti është selia natyrale, e atëherë irlandezët do të kenë mundësinë të shohin përmirësimin e menjëhershëm të kushteve të rënda që shkaktojnë mungesën e lumturisë së Irlandës”, – do të shprehej ai në mbledhjen e qeverisë. Çërçilli u bë artefici kryesor i “Irish Treaty”, marrëveshje që sanksiononte paqen me irlandezët. Paqe kjo që përveç se shënonte vijën kufitare që ndante dy Irlandat, i jepte asaj të jugut një pavarësi formale, gjithnjë duke njohur të drejtën e kurorës britanike, pavarësisht kundërshtimit të madh në parlament edhe nga deputetët e partisë së tij konservatore, të cilët e quajtën propozimin e Çërçillit, një tradhti ndaj idesë perandorake dhe ndaj protestantëve të jugut të Irlandës. Do të zgjidhej president i komitetit që do të merrej me shqyrtimin dhe hartimin e detajeve të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes me irlandezët dhe do të urdhërojë largimin e menjëhershëm të trupave ushtarake angleze, nga territori jugor i Irlandës që u quajt Shteti i Lirë i Irlandës, si dhe do të drejtojë edhe një komision që do të shënonte fshat më fshat, linjën kufitare ndarëse të dy pjesëve irlandeze.

Në vitin 1920, bolshevikët filluan të ndërmerrnin një sulm ushtarak dhe të pushtonin territoret e Polonisë duke mbërritur afër Varshavës. Për këtë shtet europian, të rilindur pas Luftës së Parë Botërore, pasi ishte fshirë nga harta europiane dhe për kufijtë e së cilës, aq shumë ishin impenjuar në Konferencën e Paqes në Versajë, qëndrimi britanik nuk mund të ishte, veçse i prerë. Në një artikull të botuar në “Evening News”, Çërçilli shkruan se Polonia përcakton paqen botërore. Një ide e tij, për të bërë aleancë me Gjermaninë kundër Bashkimit Sovjetik, shkaktoi zemërimin e francezëve, të cilët i trembeshin një ringritjeje ushtarake të fqinjit gjerman. Bashkë me kryeministrin Lloyd George, Çërçilli do të hartonte një ultimatum ndaj Moskës, ku thuhej se flota britanike do të nisej për në Baltik pas tre ditësh, nëse trupat ruse nuk do të ndalnin marshimin drejt Polonisë. Por ata e dinin se një ndërhyrje ushtarake, ishte thuajse e pamundur për Britaninë duke shpresuar se ultimatumi kërcënues, do të kishte efekt.

Edhe situata në Lindjen e Mesme ishte tërësisht e paorganizuar, pas rënies dhe shkëputjes së territoreve të mëdha nga perandoria turke. Rënia e kësaj perandorie që për shekuj kishte administruar zona të pamasa të kontinentit aziatik, krijonte një vakum të madh, kontrollin e të cilës, me vendimin e Konferencës së Versajës do ta ushtronte Britania e Madhe, si dhe do të përcaktonte fatin e qyteteve, popujve dhe fiseve të lashta arabe. Gjatë vitit 1920, ajo ishte ndërlikuar shumë, ndaj Lloyd Goerge i propozon Çërçillit që të pranojë të drejtojë Ministrinë e Kolonive. Kështu, në janar të vitit 1921, në moshën dyzet e gjashtë vjeçare, Uinston Çërçill emërohet Ministër i Kolonive britanike. Puna e parë që do të bëjë është një studim për të ndërtuar një formë të re qeverisjeje në Palestinë, Irak dhe Arabi, të atillë, që të ulë sa më shumë kostot e dominimit britanik. Pikësëpari, nis nga përpjekjet për të ngritur një qeveri vendase në Bagdat, e cila mund të kryente administrimin e vendit, duke zvogëluar kështu, impenjimin anglez në këtë territor. Një çështje tjetër që e shqetëson Çërçillin, është ajo e hebrenjve, të cilët kishin nisur të forconin lëvizjen e tyre sioniste duke u shpërngulur gjithnjë e më të shumë në numër, në territoret palestineze. Natyrisht, që zhvendosja duhet të bëhej në marrëveshje me arabët për të përcaktuar zonën territoriale të vendbanimeve hebraike. Në një artikull të disa viteve më parë, në lidhje me këtë çështje, Çërçilli shkruante: “Nëse është e mundur të ndodhë, duhet të lindë gjatë jetës sonë, në brigjet e lumit Jordan një shtet hebraik nën kurorën britanike, i cili mund të presë tre apo katër milionë hebrenj, në historinë e botës, do të vërtetohet një ngjarje pozitive nga çdo pikëpamje, e në harmoni të veçantë me çdo interes autentik të perandorisë britanike”.

Qysh në muajt e parë të detyrës si Ministër i Kolonive, Çërçilli arrin të gjejë një marrëveshje me arabët për mos t’iu kundërvënë krijimit të territoreve me kolonë hebrenj. Emiri Fesal pranon të mos ketë asnjë pretendim në zonën e Palestinës, nëse do t’i jepnin atij fronin mbretëror të Irakut e të vëllait, fronin mbretëror të Transjordanisë. Ndarja e territoreve është shumë e qartë: Lumi Jordan, në lindje të të cilit, shtrihen territoret e lëna të lira për hebrenjtë dhe në lindje mbretëria arabe, me kushtin e vetëm, të mosngritjes së pretendimeve mbi tokat në Siri, të administruara nga qeveria franceze. Falë një pune të madhe të Çërçillit, Lidhja e Kombeve pranoi Deklaratën Balfour që zyrtarizonte kalimin e territoreve palestineze nën mandatin britanik, duke i lënë rrugë të hapur sionizmit dhe krijimit të një shteti të Izraelit në të ardhmen.

Turqia gjithashtu përbën një tjetër terren të vështirë, ku Çërçilli impenjohet maksimalisht duke vendosur mbi fatet e republikës së re, humbëse e luftës, territoret e të cilës tashmë ishin vënë nën synimin ekspansionist të fqinjëve të saj. Gjatë gjithë vitit 1921 dhe gjysmës së vitit 1922, kërkon të arrihet një paqe me Turqinë pa kënaqur ambiciet greke dhe duke kërcënuar edhe me dorëheqje kryeministrin Lloyd George, nëse ai do të pranonte të njihte sovranitetin grek, në territoret perëndimore të Azisë së Vogël. Por ishte në favor të zgjatjes së pushtimit britanik në zonën turke, ku ndodheshin ngushticat e Bosforit dhe e Dardaneleve, si dhe të Kostandinopojës. “Ndryshe do të humbnim të gjitha frytet e fitores sonë”, – ishin fjalët e tij.

Ndërlikimi i situatës në politikën ndërkombëtare britanike dhe shmangia e fillimit të një lufte të re me Turqinë, ndodh për shkak të trazirave në politikën e brendshme, ku për një kohë të shkurtër, disa qeveri do të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Në zgjedhjet e nëntorit të vitit 1922, Uinston Çërçill do të humbasë mandatin e deputetit duke mbetur jashtë parlamentit, për herë të parë pas njëzet e dy vitesh duke mos mbuluar asnjë detyrë qeveritare.

Kaluan dy vjet që të zgjidhet sërish deputet dhe në qeverinë e re konservatore të Balduin, në nëntor të vitit 1924, disa ditë para se të mbushte pesëdhjetë vjeç, Çërçilli emërohet Ministër i Financave dhe i Thesarit, të njëjtën detyrë që kishte mbajtur edhe i ati i vet, Lordi Randolf, afro tre dekada më parë. Problemi i borxheve të krijuara gjatë luftës, ishte sfida kryesore e tij, por njëkohësisht do të studionte zgjerimin e fashës së popullatës që përfitonte prej sigurimeve shoqërore. Është përmirësimi i gjendjes ekonomike të familjeve të varfra punëtore, sektori që do t’i kushtonte më shumë vëmendje. “Masa e madhe e punëtorëve derimë sot, nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë paraprake konkrete, për t’u dhënë atyre që janë aksidentuar në punë si dhe për familjet e rëna në fatkeqësi”. Ai gjithashtu harton dhe këmbëngul në aprovimin e “Trade Union Bill”, karta që i jep një liri të madhe punëtorëve, në aspektin e pagesës së kontributeve për sindikatat, deri në atë moment, e detyrueshme. Do të paraqesë në parlament pesë bilance vjetorë, derisa pak javë pas bilancit të fundit, konservatorët, në prill të vitit 1929, do të humbasin zgjedhjet në favor të laburistëve dhe Uinston Çërçill do të gjendej jashtë qeverisë.

Dhjetë vjet më pas, Çërçillit i duket shumë i largët viti 1929, kur ai kishte mbajtur për herë të fundit një post qeveritar edhe pse do të vazhdonte të zgjidhej deputet i parlamentit britanik. Dhjetë vjet pa një post qeveritar ishte një kohë mjaft e gjatë për të. Sa herë besonte në momentin e formimit të një qeverie konservatore, zhgënjehej kur mësonte se kishte mbetur jashtë saj. Imazhi i tij, si ”shkaktar luftërash”, e kishte dëmtuar shumë dhe kjo bënte që shefat e qeverive që ndërroheshin ta shihnin si një rrezik konstant dhe element turbullues që papritmas mund t’u kthehej në kontradiktor me linjën e qeverisë, pjesëtar i së cilës do të ishte. Energjik dhe i palodhur, Uinston Çërçill nuk e dorëzon veten dhe nuk mposhtet nga pesimizmi. Fjalimet për fushata elektorale dhe ato në parlament do t’i alternonte me një punë sistematike kërkimore-historike si dhe me sistemimin e kujtimeve të jetës së tij.

Gjatë kësaj kohe, kishte humbur të ëmën, në moshën 67 vjeçare dhe vajzën e tij, e cila nuk arriti të mbushte tre vjeç; të dyja në vitin 1921. E ëma e Çërçillit, Lejdi Randolf ishte amerikane, vajza e një financieri të suksesshëm të Nju Jorkut dhe pronar i disa gazetave. Me të birin Uinston që e kishte sjellë në jetë më 30 nëntor të vitit 1874, kishte patur atë edukim tipik të aristokratëve, dalluar nga një përzierje e hollë midis autoritetit dhe konfidencialitetit, e cila nuk e kishte penguar të birin t’i shkruante vazhdimisht, qysh kur ishte në shkollë e pastaj edhe në politikë, letra të hollësishme mbi aktivitetet dhe opinionet e tij. Ishte një marrëdhënie e forcuar edhe nga vdekja e parakohshme e të atit, Lordit Randolf. Ajo qe përpjekur më tepër se ndëshkuese, të ishte bindëse për të birin, të cilit kur ai ishte student në shkollën e mesme në kolegjin ushtarak në Harrou, do t’i shkruajë: “Shumë i dashuri Uinston, më bën të ndihem shumë e palumtur; kisha ushqyer kaq shpresa tek ty e ndihesha krenare dhe tani gjithçka ka humbur. Ngushëllimi im i vetëm është që ke një sjellje të mirë dhe je një fëmijë i dashur, por rezultatet e tua janë një fyerje për inteligjencën tënde. Dy vitet e ardhshme, mënyra si do i përdorësh, do të ndikojnë gjithë jetën tënde; reflekto përpara se të jetë tepër vonë”. Lejdi Randolf, nuk kishte si të mos ishte pesimiste për të ardhmen e të birit të saj, nisur nga rezulatet tepër të dobëta, qysh prej vitit të parë të shkollës e deri në kolegj.

Rezultat e tij janë më të ultat nga të gjithë nxënësit e klasës e kjo, pothuajse çdo semestër të viteve të shkollës. “Sa e urreja shkollën dhe sa jetë të ankthshme do të jetoja. Bëja fare pak përparime në mësime dhe aspak në lojëra”, – shkruan Çërçilli në kujtimet e tij duke iu referuar viteve të para të shkollës. Në fillore, është i njëmbëdhjeti në njëmbëdhjetë nxënës. Në sporte,  nuk ka asnjë dëshirë për t’i mësuar dhe shëndeti i plogësht e bën edhe më dembel dhe të painteresuar. Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, Uistoni sëmuret nga një pneumoni e rëndë që për pak i merr jetën. Duke u rritur shëndeti i tij do të jetë i brishtë, ndaj për shkak të klimës, prindërit vendosën ta çonin në kolegjin Harrou, ku si në ata të mëparshmit, Sent Xhorxh e Brajton edhe këtu, jeton në konvikt. Asnjëherë nuk i mjaftojnë paratë edhe pse shuma e përmuajshme nuk ishte e vogël dhe do t’i shkruajë vazhdimisht prindërve për t’i dërguar para shtesë, kërkesa që jo gjithnjë gjejnë aprovimin e tyre. “ Për paratë je duarsshpuar”, – i shkruan e ëma. Edhe pse disa rezultate në histori, gjeografi e gjuhë u rritën ndjeshëm, Lordi Randolf nisur nga rezultatet, mendon mos ta dërgojë të birin në universitet, por të ndërmarrë karrierën ushtarake. “Për vite kam besuar se im atë, me eksperiencën dhe intuitën e tij, kishte zbuluar tek mua cilësitë e një gjeniu ushtarak, por vite më pas mësova se kishte arritur në përfundimin që nuk isha aq inteligjent sa për të bërë avokatin”, – kujton Çërçilli. Kur Uinstoni i ri humbi në një moçal, një orë të çmuar floriri, dhuruar nga i ati, ky i shkruan: “Nuk mund të arrij ta besoj sesi mund të jesh kaq budalla. Xheku është pambarimisht më i mirë se ty përsa i përket përkushtimit, vëmendjes për gjërat e tij dhe evitimit për të bërë budallallëqe”.

Nisur nga prapambetja në mësime, vendosin që ta regjistronin në një nga kolegjet ushtarake, të cilat aplikonin një program mësimor, të ndryshëm nga kurrikulumi universitar. Në provimin e hyrjes, Uinstoni arrin një rezultat të dobët duke mos patur mundësinë për të hyrë në radhët e kadetëve më të mirë që diplomohen oficerë të artilierisë dhe të xhenios. Pikët e marra do të mjaftonin për t’u regjistruar në degën e aspirantëve oficerë të këmbësorisë dhe të kalorësisë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, pasi nuk e kalon dy herë radhazi, do të japë për herë të tretë provimin e hyrjes. I befasuar, mëson se e ka kaluar këtë provim me një rezultat, me të cilin nuk mund të regjistrohej në këmbësori, por të mjaftueshëm për t’u regjistruar në kolegjin ushtarak në degën e kalorësisë, ku shkonin më të dobëtit. Këto rezultate, kishin shkaktuar zemërimin e Lordit Randolf, i cili në vitin 1893, i shkruan Uinstonit si vijon: “Nguliti për tërë jetën këto fjalë: nëse rezultatet e tua dhe veprimet e tua në Sandarst do të jenë të ngjashme me ato që ke patur në shkollat e mëparshme, ku në mënyrë të kotë është përpjekur të të jepet njëfarë edukimi, atëherë përgjegjesia ime ndaj teje, do të jetë minimale… Jam i sigurt, se nëse nuk do dish të evitosh atë jetë dembele, të kotë e të zbrazët, që ke bërë gjatë ditëve të shkollës do të bëhesh, asgjë tjetër, veç një mbeturinë shoqërore, derisa të precipitosh në një ekzistencë meskine, të palumtur dhe të kotë”.

Megjithatë, Çërçilli në Sandarst e ndjen veten shumë mirë dhe kalorësia e apasiononte aq shumë, sa do të arrijë të bëhet një kalorës shumë i mirë. Ekuitacioni do t’i hynte shumë në zemër edhe pse i ati i tij, e quan nivel të ulët, atë çfarë aspironte i biri. “Do të bësh mirë që ta heqësh nga koka këtë ide, të paktën përsa të jem gjallë dhe të varesh prej meje”, – i shkruan Lordi Randolf të birit, kur ky i shpreh dëshirën për të vazhduar karrierën ushtarake në kalorësi. “Shpresoj akoma”, – i shkruan Uinstoni të ëmës, “se kur të shikojë sesa shumë më pëlqen, nuk do të më detyrojë në kundërshtim, me atë çfarë më jepet më shumë”. Lord Randolf, vdes në janar të vitit 1895, nga sëmundja e sifilizit, prej të cilës kishte kohë që vuante duke e ditur veten se ishte i pashpresë, sëmundje për të cilën, Uinstoni nuk do të jetë në dijeni deri në një moshë të pjekur. Qysh  i ri, Uinstoni do të ketë paranojën se familja e tij nuk jeton gjatë, nisur nga vdekjet e parakohshme të Çërçillëve duke menduar se është një fakt gjenetik, të cilit as ai vetë nuk ka për t’i shpëtuar. Jeta do të vërtetojë tërësisht të kundërtën.

Më 20 shkurt të vitit 1895, Uinstoni bëhet pjesë e trupave të kalorësisë duke i akorduar gradën e togerit të dytë, në garnizonin në Aldershot. Aktiviteti, aty është shumë i qetë dhe vetëm një orë në ditë komandon një skuadër me tridhjetë ushtarë duke “vërejtur gjendjen e kuajve, larjen dhe ushqimin e tyre, pastërtinë e dhomave e ndonjë gjë tjetër të vogël”, – shpjegon në kujtimet e tij. Gjithë jeta aty sillej rreth kuajve. “Po kryejmë manovra të plota. Tetë orë në ditë duke kalëruar, pastaj dy orë në stallë dhe në fund luajmë polo”, – i shkruan nga kazerma të ëmës. Duke shpjeguar monotoninë e vazhdueshme, Uinstoni do t’i lutet të ëmës që të përdorë gjithë njohjet e saj të rëndësishme, përfshirë edhe mikun e saj, ministrin britanik të Luftës, që ta transferojnë në kolonitë britanike, atje ku konfliktet janë të ndezura. Dëshira e tij është për të shkuar në regjimentet e Egjiptit, por nuk i plotësohet. Përfshihet në një situatë dëshpërimi si dhe nga frika se do të mbetej gjatë gjithë shërbimit ushtarak, në monotoninë e mërzitshme të kazermës. Ai i shkruan të ëmës shumë herë: “E ke të kotë që më predikon mua ungjillin e durimit. Shumë të tjerë janë dërguar në misione e janë rritur në karrierë e çfarë shpresash kam unë për t’i arritur ata? Prandaj po të them, si e bardha mbi të zezë, se nuk duhet të lësh gjë pa bërë për të ndihmuar, me gjithë njohjet e shumta që ke. Nuk mund ta kuptosh sesa kjo jetë më është bërë tmerrësisht e padurueshme, ndërkohë që ndodhin shumë gjëra në vende të tjera, ku anglezët ndodhen”.

Uinstoni njëzet e një vjeçar, më së fundi transferohet për në Indi, në shtator të vitit 1896, edhe pse nuk është pikërisht vendi që ai aspiron për t’u gjendur në ballë të frontit, por sigurisht është shumë herë më interesante, sesa kazerma e Aldershotit. Mbërrin në Bombej dhe prej aty sistemohet në lokalitetin e vogët Pona, ku do të bëjë një jetë të qetë ushtarake, mes komoditeteve dhe pa u përballur me armët. Feston në Indi njëzet e dy vjetorin e tij dhe i shkruan sërish të ëmës, që të ndërhyjë për ta transferuar prej aty, për në Egjipt. “Dy vjet ushtri në Egjipt duke marrë pjesë në një fushatë luftarake, do të më jepnin të drejtën për të zëvendësuar shpatën me dosjen me letra, për të marrë pjesë në mitingje”. Është e habitshme përllogaritja e tij, e shprehur në disa momente, sesi duhet patjetër të bjerë në sy në ushtri, ndaj e kërkon dëshpërimisht konfliktin e armatosur për të treguar veten dhe jo në emër të madhështisë së perandorisë britanike, por të ambicies së tij për pushtet. Pjesëmarrja në luftë është një element thelbësor për të nisur një karrierë politike, të cilën ai e ëndërronte. Kërkon ta transferojnë në Kretë, ku po zhvillohen luftime midis ushtrisë turke që  ka pushtuar ishullin dhe grekërve që përpiqen ta çlirojnë atë. Anglia është në krahun e turqve dhe pengon furnizimet e patriotëve kretenë nga Athina. Sakaq, Turqia i deklaron luftë Greqisë dhe ai dëshiron të shkojë atje, si korrespodent i ndonjë gazete angleze. Çërçilli, i cili më parë është shprehur për një mbështetje ndaj grekërve dhe për një përbuzje ndaj Turqisë dhe islamit të saj, i drejtohet në një letër Lejdi Randolfit: “Nëse mund të më gjesh kredenciale të mira për turqit po shkoj nga ata; nëse arrin t’i gjesh për grekët, po shkoj nga ana e grekërve”. Deklaratat e tij dhe letrat, dëshmojnë qartë se nuk kishte aspak te djaloshi i ri, dëshirë për krenari të Anglisë, të atdheut, por dëshirë për t’u aventuruar, ku pak rëndësi ka, se cilën palë do të mbështesë. Mund të bëhej me të gjithë, mjafton që të realizojë fiksimin e tij, megjithatë, nuk arrin dot të shkojë në Kretë.

Qysh i vogël ka treguar një zell të ekzagjeruar për të shkruar letra të shumta. Do t’i shkruajë të tilla, të ëmës, të vëllait, të atit, të gjithë të njohurve dhe miqve të tij duke shpjeguar me hollësi, çdo detaj, qofshin edhe të mërzitshëm, si ditët e kota të kaluara në kolegj apo në regjiment, dëshmi e një grafomanie të theksuar që do ta shoqërojë tërë jetën duke shkruar mijëra faqe e botuar shumë libra. Letrat e gjata nuk reshtin edhe nga India, nëpërmjet të cilave i kërkon të ëmës, që të bisedojë me mikun e saj, Lordin Rothçajlld, për ta lidhur me redaksinë e ndonjë gazete, për të cilën ai mund të shkruajë prej andej. Por edhe këtë kërkesë, Uinstoni nuk  e ka nga pasioni për gazetarinë, as nga dëshira për të bërë karrierë në publicistikë. Qëllimi i tij është më largpamës dhe dinak: nëpërmjet artikujve të publikuar do të bëhet i njohur në opinionin publik, ndihmesë bazike për t’u marrë me politikën. Në vjeshtën e vitit 1897, Uinston Çërçill do të transferohet për në veri të Indisë britanike, në territoret që ndajnë këtë vend të madh me Afganistanin, ku konflikti është ndezur midis vendasve dhe forcave anglezo-indiane. Prej aty, i dërgon shkrime të përditshmes, “Daily Telegraph” duke përshkruar situatën komplekse dhe të rrezikshme, në kufirin verior të zotërimit britanik, shkrime të cilat botohen. Të ëmës i shpreh mendimin se duhet t’i firmosë shkrimet me emrin e tij të vërtetë, sepse vetëm në këtë mënyrë, “do të jenë ndihmë në aspektin e perspektivës politike për t’u paraqitur përpara opinionit publik”. Më pas ai dërgon të tjera shkrime, ku përshkruan me hollësi të detajuara ndodhitë, në të cilat vihet re edhe një talent për t’i letrarizuar, për t’i bërë më tronditëse, duke mos nguruar të përshkruajë edhe detajet e vdekjes së oficerëve britanikë. Natyrisht, artikuj të tillë, në Londrën e mijëra kilometrave larg, ku asgjë nuk merrej vesh se ç‘ndodhte në anën tjetër të botës, krijonin jo vetëm një efekt të madh, por edhe interes. Çërçilli, me një saktësi logjike kalkuluese, e dinte efektin e shkrimeve të tij dhe ishte i bindur se pas disa kohësh, pasi të bëhej i njohur nga reportazhet e luftës, do ta kishte të hapur terrenin e politikës. “Vendasit torturojnë të plagosurit anglezë, të vdekurve u presin gjymtyrët dhe kokën, vrasin robërit dhe sulmet e tyre të preferuara, janë spitalet”, – shkruan ai nga kufiri verior indian.

Edhe pse strategjia e tij është inteligjente, mund të thuhet se është shumë e pabesueshme, nisur nga mosha e tij e re, realizimi i një qëllimi në funksion të një pikësynimi tjetër. Por për këtë, atij i duhet protagonizmi i vet në një situatë më komplekse. Patjetër i duhet të gjendet në një përballje të armatosur, pastaj di vetë, sesi ta paraqesë veten si një hero të vërtetë lufte. Momenti i paraqitet kur për dhjetë ditë, Uinstoni do të gjendet përballë krismave. I shkruan të ëmës, “se kjo është një pikënisje e mirë për jetën politike të ardhshme të tij”. Por, është gjithnjë në prapavijë dhe i duhet të jetë në ballë të betejës. Fillon të shkruajë edhe një libër me ndodhitë e luftës së frontit indiano-afgan duke kritikuar qeverinë se nuk duhet të lërë territore në dorë të vendasve, por t’i aneksojë ato duke vendosur rregullin, ashtu si në Indi, ku në zonën e banuar prej njëzet milionë indianëve, në të cilën qëndroi, vetëm pesëqind ushtarë anglezë mbanin rregullin dhe sigurinë. Edhe pse, për një kohë të shkurtër dhe duke mos qenë një njohës i problematikave të rajonit, edhe pse i ndodhur vetëm pak ditë në ato, që nuk ishin aq luftime të vërteta, sesa përplasje të herëpashershme të grupimeve të armatosura duke shfrytëzuar aftësinë e tij përshkruese, përfundon librin me titull: “The story of Malakand Field Force”. Malakand quhet zona kuzhinetë, e cila ndan veriun e Indisë me Afganistanin, e pretenduar nga të dy palët.

“Kam marrë në konsideratë çdo gjë “, – i shkruan Lejdit Randolf “dhe jam i bindur se fakti që po kryej shërbimin ushtarak ende i ri, do të më japë më vonë një peshë politike më të madhe, do të rrisë të drejtën time për t’u dëgjuar në mitingje dhe ndoshta, do të rrisë shpresat e mia për të arritur të kem një popullaritet në vend”. I lutet të ëmës duke iu përgjëruar, që të bëjë ç’është e mundur nga ana e saj, për t’ia rregulluar që ta transferojnë në kontinentin afrikan. Kush lexon letrat e tij në përshtypjen e parë kupton se ka të bëjë me një njeri, i cili i është dedikuar karrierës ushtarake me një përkushtim që arrin në veneracion. Por, ashtu si nuk kemi të bëjmë as me ndjenjën patriotike dhe lavdinë e perandorisë, as me karrierën gazetareske dhe letrare, ashtu nuk kemi të bëjmë as me pasionin për karrierë ushtarake. Qartësisht një ambicie politike, në funksion të së cilës shkrihet egoizmi personal duke përdorur strategji, të cilat në shumë aspekte mund të duken djallëzore. Uinston Çërçill e kishte të qartë mjetin për të arritur qëllimin.

Synimi i tij është Egjipti, aty ku luftohet ashpër në frontin jugor prej forcave anglo-egjiptiane, që kërkojnë të mposhtin sulmet e vendasve në zonën e Sudanit. Luftimet janë mjaft të përgjakshme. Kthehet në Londër ku është botuar libri i tij i parë, i cili lexohet edhe nga kryeministri anglez, Lord Salibury që e fton të riun në rezidencën e tij. Pasi e përgëzon, i thotë se ka qenë shumë mik me të atin e Uinstonit, Lordin Randolf. Atëherë Uinstoni shfrytëzon rastin dhe i kërkon ta ndihmojë, që të transferohet tek trupat në Egjipt, pranë ushtrisë së komandantit Kitçener. Do ta kundërshtojë vajtjen e tij disa herë gjenerali Kitçener që është në krye të forcave britanike atje, i cili nuk do aspak ta ketë Uinstonin në radhët e tij. Fakti që ai shkruan çfarë t’i dalë, mund të bëjë që tërë Anglia të vihet në dijeni për hollësitë e ushtrisë dhe veprimeve taktike të tij. Më së fundi, nga ndërhyrjet e shumta dhe për shkak se dy oficerë u vranë në betejë, në zëvendësim të tyre, dërgojnë Uinston Çërçillin. Kështu, në dhjetor të vitit 1898, Uinstoni mbërrin në Egjipt, në regjimentin prestigjoz të Heshtarëve. Ushtria britanike ishte pozicionuar gati për luftë me sudanezët. Në letrat dhe shkrimet e tij, ku tashmë Uinston Çërçill e sheh veten protagonist betejash, ku shumë plumba e breshëri i vërshëllejnë pranë apo shpëton një oficer të plagosur rëndë si dhe ngjarje të tjera të rrezikshme ku bie në sy protagonizmi i tij. Shumë raste të tjera rreziku i kanoset aq pranë, sa as ai “nuk e kupton se kur ndodhet i vetëm përballë një grupi pararoje sudanez, nuk e qëllojnë për ta vrarë”. Skenat që përshkruan janë makabre dhe ai publikon artikuj për mijëra armiq të vrarë  dhe po aq të plagosur. Kitçeri bindet se kishte patur të drejtë mos ta pranonte në radhët e tij, kur lexon artikuj, në të cilat gjenerali fajësohet se kishte shkatërruar të vetmin monument e tempull të vendasve, ku ndodhej trupi i profetit të tyre, Mahdi. “Ishte një akt vandalizmi dhe budallallëku të shkatërroje të vetmen ndërtesë, e cila mund të tërhiqte udhëtarin apo historianët e interesuar”, – do të shkruante Uinstoni duke ngjallur zemërimin e gjeneralit, i cili po kuptonte se po “paguante” refuzimet e tij të vazhdueshme për ta sjellë atë delirant, në Egjipt. Dëshiron të kthehet në Londër, kur Kitçeri i jep urdhër të mbajë në shpinë mjete për t’i transportuar në “marshime të gjata dhe të ngadalta”. “Ç’rëndësi ka? Mjafton të jesh gjallë dhe të kesh mundësinë të marrësh pjesë në lojën e jetës”, – shkruan Uinstoni, ndërkohë që përfundon një libër tjetër me historitë egjiptiane, të titulluar: “The river war”.

Kthehet në Londër duke menduar se ka ardhur momenti për t’i hyrë politikës. Paraqitet  si kandidat konservator, në zgjedhjet parlamentare, të korrikut të vitit 1899. Humbet zgjedhjet duke humbur mundësinë për të qenë një deputet i parlamentit anglez. Pak javë pas këtij dështimi, Uinstonit do t’i mbërrijë një ofertë nga gazeta “Daily Mail”, për të shkuar si gazetar korrespodent në Afrikën e Jugut, ku situata është e tensionuar dhe pritet të nisë një luftë midis anglezëve që zotërojnë koloninë në Kejp Toun dhe boerëve vendas. Boerët janë popullsi holandeze, të cilët jetojnë aty përpara se të mbërrijnë anglezët dhe afrikanët, të ndarë në dy shtete të pavarura republikane. Pasi bie dakord për pagesat dhe shpenzimet, Uinston Çërçill do të mbërrijë në ekstremin jugor të kontinentit afrikan, më 31 tetor 1899 duke u gjetur në mes të konfliktit. Bashkë me një gazetar tjetër, që kishin udhëtuar me të njëjtën anije, vendosin të marrin trenin dhe të shkojnë sa më afër qytetit, ku forcat angleze po u rezistojnë sulmeve boere. Pas nëntë ditësh që kishte qëndruar aty, komandanti Hellden e fton Uinstonin ta shoqërojë të nesërmen me tren, për të çuar furnizime në një bazë tjetër angleze. Herët në mëngjes, treni me në bord njëqind e pesëdhjetë ushtarë britanikë, niset në drejtim të qytezës Kajvellej, ku pasi shkarkoi mallin, rikthehet nëpër të njëjtën rrugë, bashkë me Helldenin dhe Uinstonin. Por ndërsa po përshkonte një zonë kodrinore, pasi mori një kthesë të fortë, dëgjojnë breshëri artilerie dhe granata që shpërthejnë në disa nga vagonët e trenit, për t’u përplasur më pas, me një shkëmb masiv të vendosur mbi binarë. Boerët u kishin ngritur pritë. Lokomotiva u përplas me forcë me shkëmbin dhe disa nga vagonët u shkëputën dhe dolën nga shinat duke u rrëzuar. Një vagon, pas goditjes me predhë, do të rrokulliset mbi shina duke i penguar për të ecur mbrapsht. Ushtarët filluan të përpiqeshin të lironin shinat nga vagoni i përmbysur, ndërkohë që boerët, qëllonin për t’i vrarë. Edhe Uinstoni doli duke u përpjekur të organizonte të tjerët për të shkëputur vagonët e përmbysur nga vargu, por ishte e pamundur. U përpoqën t’i shtynin me lëvizje para e pas të lokomotivës dhe u duk sikur shinat u liruan. Kishte shumë të plagosur dhe nën plumbat që vinin drejt, Uinstoni me disa të tjerë, do t’i hipnin në një vagon duke treguar kurajo të madhe. Treni u nis dhe pasi do të përshkonte disa kilometra, Uinstoni u hodh për të shkuar në ndihmë të kapitenit Hellden dhe ushtarëve të tjerë, të cilët ishin shpërndarë në terren, për t’iu përgjigjur sulmit armik.

Kishte përshkuar një distancë jo shumë të gjatë, kur pa  të drejtuara në fytyrë dy qyta pushke. Ishin dy luftëtarë boerë. Ngriti duart lart dhe u dorëzua. Sipas kujtimeve të tij, Uinstoni kërkoi pistoletën që e mbante në brez për të qëlluar, por kupton se nuk e ka. Vetëm ai mund ta dinte sesi me dy gryka pushke në kokë mund të përdorte pistoletën. Gjatë ndihmës që i kishte dhënë makinistit, pas daljes nga shinat e vagonëve, e kishte mbështetur te lokomotiva dhe e kishte harruar atje. Boerët e arrestojnë dhe bashkë me anglezët e tjerë të zënë rob gjatë atij aksioni, me në krye kapitenin Helldman, do të marshojnë dy ditë me këmbë për të mbërritur në një burg të sajuar, në një qytezë të vogël ku kalonte rruga për Pretoria. Uinstoni u shpjegon menjëherë aty se ishte gjendur si gazetar duke treguar kredencialet e tij, ndaj si i tillë nuk duhej të mbahej i burgosur. Ai duhej të konsiderohej si civil dhe jo si ushtarak dhe se nuk kishte marrë pjesë në luftimin e zhvilluar. Nuk pati asnjë reagim nga autoritetet boere dhe Uinstoni, do ta festojë njëzet e pesë vjetorin e tij, më 30 nëntor 1899, në ambientet e burgut. “Të burgosurve të luftës u lejohej që të shkonin në bibliotekën shtetërore dhe kështu, pasi kisha një strehim të siguruar, filozofikisht, mund të përmirësoja kulturën time”, – shkruan ai në një letër të tij.

Ndërkohë, mendja i punonte sesi të arratisej nga ai vend, ku izolimi po e tërbonte edhe për faktin se nuk po dinte çfarë po ndodhte jashtë, e aq më tepër, nuk po kryente punën e tij për të cilën e kishin paguar të kapërcente oqeanin. Menduan të arratiseshin dhe mundësia më e mirë për të cilën ranë dakord me Helldenin dhe një officer tjetër, ishte të kapërcenin murin pak më të ulët që ndodhej mbrapa banjove të jashtme, i cili të nxirrte në kopshtin e një shtëpie private. Por kishte roje në lartësinë e mureve dhe duhet të gjenin momentin, që roja mund të shkëputej, ndaj shkuan tek banjat disa net rresht në pritje të çastit, por asnjëherë nuk gjetën momentin e përshtatshëm. Një natë, kur Uinstonit i kishte humbur durimi, tek po rrinte i vetëm duke pritur, sheh se roja ul kokën për të ndezur çibukun dhe në sekondë hipën mbi mur duke u hedhur në anën tjetër. Aty fshihet në disa shkurre rrëzë murit të oborrit. Pasi qëndroi disa minuta aty dhe u sigurua se njerëzit e shtëpisë ishin brenda, del nga dera e oborrit për të mbërritur në rrugë duke ecur normalisht. Nuk dinte asnjë fjalë holandisht për të kuptuar ku ndodhej e nga duhet të drejtohej. Shkon tek hekurudha dhe hipën në një tren qymyri duke mos ditur se çfarë drejtimi ka marrë, por ai patjetër për të shpëtuar duhet të shkojë drejt kufirit me Mozambikun që është territor portugez. Përpara se të zbardhte dita, hidhet nga treni afër një fshati të vogël me miniera dhe fshihet në pritje të një treni tjetër. Në mbrëmje, i nxirë nga pluhuri i qymyrit që gjendej në fund të vagonëve bosh, ndërsa kishte një etje të madhe dhe po vdiste nga uria, teksa fuqitë po i shteronin, i afrohet një shtëpie të shkëputur ku sheh dritë. Troket në derë. I zoti i shtëpisë, hap derën me pistoletën në dorë dhe Uinstoni dëgjon t’i thuhet në anglisht: “Jam dr. Bentik. Kam zbritur nga treni, por kam humbur rrugën”. Për fatin e madh të tij, ai është anglez dhe e strehon duke i shpjeguar se është e vetmja shtëpi, në një rreze prej tridhjetë kilometrash, që nuk do ta tradhtonte.

Në atë banesë të gjithë janë anglezë, të cilët merren me administrimin e minierës. Pas disa ditësh, kur një prej tyre do të transportonte me tren shtëllunga të mëdha leshi drejt bregdetit, fshehu nën to në vagon, Uinstonin duke i dhënë edhe një trastë me bukë, tre shishe çaj të ftohtë si dhe një pistoletë. Pas më shumë se dy ditësh ushëtimi me tren, Çërçilli kupton se ka kaluar kufirin dhe është tashmë në territor portugez. Gëzimi i tij është i madh e me të mbërritur, u drejtua për nga konsullata britanike, bëri një dush të ngrohtë, ndërroi teshat dhe filloi të niste telegrame për të treguar se ku ndodhej. Nga gazetat mësoi për humbjet e rënda të britanikëve. Lajmi për burgosjen e Çërçillit ishte përhapur shumë dhe kishte bërë bujë për faktin se ishte gazetar, por edhe pse u konsiderua mjaft i rrezikshëm, derisa e trajtuan si ushtarak. Edhe një tjetër arsye ndihmoi në hiperbolizimin e situatës. Boerët pas arratisjes së tij, kishin shpërndarë në tërë vendin, një foto të Uinston Çërçillit me gjithë të dhënat e tij personale, ku shkruhej edhe shpërblimi prej 25 stërlinash, për atë që do ta dorëzonte të gjallë ose të vdekur. Gazetari në kërkim të një lajmi të bujshëm, ishte shndërruar tashmë në një hero për trupat angleze. Aventura e Afrikës së Jugut ishte më tepër se çfarë Uinstoni dëshpërimisht kërkonte prej vitesh. E kishte kërkuar nga India e Afganistani, deri në Egjipt kur ishte toger, por i ndodhi pikërisht atëherë kur nuk e priste, kur kishte shkuar si gazetar. Tani, ka me se të krenohet, çfarë të shkruajë nëpër gazeta dhe çfarë historish të tregojë nëpër mitingje. Fati e kishte ndihmuar. Dyert e politikës janë gati për t’u hapur. Më 7 korrik 1900, kthehet në Londër dhe në Olldam ku kishte humbur zgjedhjet e kaluara për të kandiduar sërish. Në Teatrin Mbretëror të qytetit do të tregojë për turmën e mbledhur, historinë e burgosjes dhe arratisjes, me krenarinë e një luftëtari të vërtetë. Plani i tij strategjik realizohet dhe ëndrra e shprehur pak vite më parë se “ushtria do ta ndihmonte për të lënë armën dhe për ta zëvendësuar me valixhen diplomatike”, po bëhej realitet. Fiton zgjedhjet parlamentare me një diferencë tepër të vogël. Tashmë e priste Pallati Uestminster. Është tetori i vitit 1900.

Gjatë gjithë viteve ’30, tek shkruante me ngenë e një të papuni kujtimet e tij, Çërçillit do t’i kujtoheshin këto ngjarje, nën frikën se karriera e tij ishte mbyllur njëherë e përgjithmonë në kulmin e moshës. Kishin kaluar tashmë, më shumë se dhjetë vjet pa asnjë impenjim qeveritar, vite të cilat rëndonin shumë mbi natyrën e tij, mbushur plot ambicie dhe dëshirë për sfida të reja për t’u përballur. I njihte vetes meritën se nëpërmjet shkrimeve, kujtimeve dhe pikturës, arrinte të mposhte monotoninë, mërzitinë dhe trishtimin ku ndodhej. Kishte hyrë viti 1939 dhe situata në Europë kishte ndryshuar shumë nga koha, kur ai kishte qenë ministër për herë fundit duke përmbysur raportet e forcave, në panoramën politike europiane. Nuk arrinte të kuptonte politikat e qeverisë britanike dhe linjat e përcaktuara prej saj, si përsa i përket qëndrimeve ndaj fuqizimit ushtarak të Gjermanisë naziste, me qëllime të qarta ekspansioniste, ashtu edhe në drejtim të politikës së brendshme angleze, bazuar në refuzimin e armatosjes së Britanisë dhe përgatitjes së saj ushtarake, për një konflikt eventual të mundshëm, në të ardhmen jo shumë të largët. Opinioni i Uinston Çërçillit ishte se nuk do të kalonte shumë kohë, kur Gjermania naziste e super armatosur duke ia kaluar disa herë në numra dhe në cilësi asaj britanike, do të niste të pushtonte Austrinë, Çekosllovakinë e jo shumë vonë të sulmojë nga ajri edhe Britaninë e Madhe. Hitleri kishte thyer të gjitha kufizimet ushtarake, të imponuara nga Traktati i Versajës së vitit të largët 1919 dhe tashmë, kishte nisur edhe krijimin e një flote detare dhe ajrore moderne e të fuqishme.

Historikisht e njohur si zotëruesja e deteve, me një flotë gjigante tregtare dhe ushtarake, Britania e Madhe tashmë gjendej në një situatë shumë për të dëshiruar, duke qenë shumë larg idesë së krijuar mbi fuqinë e saj. Thirrjet e vazhdueshme të Çërçillit në parlament dhe në artikujt e botuar nëpër gazeta për kanosjen një rreziku serioz, i fshehur pas politikave naziste, qeveria dhe politika angleze i kishte konsideruar si ekzagjerim dhe alarm i pajustifikuar, i këtij konservatori, tashmë i njohur në opinionin publik britanik, si i gatshëm në çdo moment, për të sulur tanket e për të zbrazur topat. Qysh në vitin 1934, do të botonte më shumë se pesëdhjetë artikuj dhe do të fliste në shumë mitingje, për një domosdoshmëri në rritjen e kapacitetit mbrojtës të Britanisë. “Nuk arrij të bindem, që politika e ndërmarrë nga qeveria të ketë mjaftueshëm parasysh, realitetin e rëndë të situatës europiane”, – do të thoshte në parlament në mars të atij viti. “Gjermania po armatoset me shpejtësi dhe asnjë nuk do ta ndalë. E dimë të gjithë shumë mirë që ky popull aq i zoti, me shkencën dhe fabrikat e tij, me ato që i quan sporte ajrore, është në gjendje të zhvillojë me shumë nxitim, një flotë të fuqishme ajrore për të gjitha qëllimet, sulmuese dhe mbrojtëse dhe kjo, për një kohë shumë të shkurtër. Gjermania është në dorë të autokratëve… Dhe dridhem kur mendoj se mjetet luftarake që prodhojnë për të kërcënuar zemrën e perandorisë britanike, do të përfundojnë në duart e padronëve aktualë të Gjermanisë”.

E konsideronte situatën më alarmante se në 1914-ën e largët dhe apelet e shumta për rritjen e flotës e të aviacionit, si dhe tërbimi ndaj një iniciative anglo-franceze për të nisur një politikë çarmatimi, do të shkonin bosh duke e larguar edhe më shumë nga mundësia e një pjesëmarrjeje në qeveri. Kur Çërçilli do të kërkonte katërfishimin e aviacionit, një deputet do ta cilësonte si “shprehje të një të çmenduri gjakatar malajzian sesa të një statisti britanik të përgjegjshëm”, ndërsa lideri i laburistëve Atlli në qeveri do të shprehej se “çarmatimi i përgjithshëm duhet të vazhdojë të mbetet objektivi ynë final”.

Në një drekë në Shoqatën e Marinës Mbretërore, në mars të vitit 1934, Çërçilli do të shprehet: “ Më keni etiketuar si luftënxitës dhe kjo është një gënjeshtër. Jam përpjekur shumë në Luftën e Parë Botërore e nëse do të ishte zbatuar moratoriumi juaj, kursi i historisë mund të ishte ndryshe. Janë nazistët ata që deklarojnë se lufta është e lavdishme, që induktojnë në fëmijët e tyre një lloj etje për gjak, e cila nuk ka të ngjashme në edukim, qysh nga kohët e barbarëve dhe paganëve. Ka vetëm një hap konkret që mund të bëhet; të hiqet dorë nga Konferenca e çarmatimit”. Nuk ka vend për Çërçillin në qeverinë kombëtare të formuar me pjesëmarrjen e disa partive kryesore, të drejtuar nga laburisti Mekdonald, as në dy qeveritë e konservatorit Balduin të vitit 1935, edhe pse u angazhua tërësisht në fushatën e tij. “Për mua ishte një goditje e rëndë dhe deri diku një ofendim”, – do të shkruante. I tronditur, i frustruar, Çërçilli do të shkojë të pikturojë në jug të Francës, në Majorkë e në Marok. Dy vjet më pas emërohet kryeministër konservatori Neville Çamberlein, por në kabinetin e tij nuk do të bëjë pjesë Çërçilli. Nuk kishte si të ishte ndryshe, kur me të Çërçilli kishte patur gjithnjë mosmarrëveshje të vjetra, pothuajse për çdo çështje të rëndësishme, përfshirë dhe sistemin tatimor e sidomos, për prioritetin e shtimit të prodhimit të armëve.

Çamberlein do të nisë një politikë paqëzimi me Hitlerin duke menduar se mënyra e bashkëpunimit me Gjermaninë, do ta largojë rrezikun që vjen prej saj. Politika britanike kthehet në një politikë noteriale, ku do të pranojë çdo kërkesë të Hitlerit për thyerje konventash ndërkombëtare, për riarmatosje të zonave të çmilitarizuara, por edhe për flotën dhe aviacionin gjerman, derisa të arrinte në pozitën nënshtruese, të pranimit të aneksimit të Austrisë dhe në atë të turpshme, të pranimit të gjymtosjes së Çekosllovakisë. Insistimi i Çërçillit ndaj Çamberleinit dhe ministrit të tij të jashtëm Halifaks, që nëse Gjermania do të pushtonte Çekosllovakinë duhet t’i deklaronin luftë, ndeshi në një refuzim total. Ministri britanik i Koordinimit të Mbrotjes, Inspik, do ta përcaktonte Çekosllovakinë si “një unitet të paqëndrueshëm të Europës Qendrore dhe nuk shikonte asnjë arsye, për të cilën Britania e Madhe duhet të ndërhynte, për të ruajtur ekzistencën e një entiteti të tillë”. Konferenca e Mynihut, në shtator të vitit 1939, do të legjitimonte fundin e këtij shteti me aprovimin e Francës dhe Anglisë. Qeverisë britanike, e cila e konsideronte si një triumf marrëveshjen e Mynihut, Çërçilli do t’i drejtohej me këto fjalë në parlament: “E heshtur, e trishtuar, e braktisur, e gjymtuar Çekosllovakia, zhduket në errësirë. Pagoi nga çdo pikëpamje lidhjen e saj me demokracitë perëndimore… Një humbje totale dhe absolute”. Për kryeministrin Çamberlein, ishte një fitore e madhe e diplomacisë britanike, e cila shënonte uljen e tensioneve në Europë dhe shprehte marrëdhëniet e ngushta, midis Gjermanisë dhe Britanisë.

Nazistët dhe vetë Hitleri, i trembeshin eventualitetit të një Çërçilli të emëruar kryeministër duke përbërë preokupimin e tyre më të madh politik të momentit. Gëring, numri dy i nazizmit, kishte pyetur ambasadorin britanik në Berlin, sesa garanci kishte që Çamberlein të vazhdonte të ishte kryeministër e të mos vinte në krye të qeverisë Çërçilli. Urrejtja dhe kundërshtimi i hapur i Çërçillit për nazizmin ishte e qartë dhe i trembte gjermanët. Vetë Hitleri, në një fjalim të tij në Vejmar, do të thoshte se “nëse zoti Çërçill, do të kishte të bënte më pak me tradhtarët dhe më shumë me gjermanët, do ta kuptonte sesa të marra janë fjalët e tij, pasi mund ta siguroj atë që duket sikur jeton në hënë, se në Gjermani nuk ekzistojnë forca kundërshtare ndaj regjimit, por vetëm forca e lëvizjes nacional-socialiste”. Çërçilli, u shpreh i çuditur për këto fjalë të Hitlerit, ndërkohë që ai nuk mbante asnjë post qeveritar e nuk ishte drejtues i asnjë grupimi politik. Ai i kërkon me insistim kryeministrit Çamberlein që të aprovojë ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe shokohet nga një interpretim që kishte filluar të përhapej, se impenjimi britanik ndaj Polonisë, nuk i referohej ndryshimeve territoriale të vendit sllav, por pavarësisë së saj. Ide që Çërçilli e kundërshtonte totalisht. Çështja e Polonisë ishte tashmë në rend të ditës dhe të gjithë i trembeshin politikës së qeverisë gjermane ndaj shtetit polak, i cili përfshinte në kufijtë e tij portin e Dancikës me rajonin përreth, territor me popullsi gjermane, që deri në përfundim të Lufës së Parë Botërore, i përkiste Gjermanisë, por që Traktati i Versajës e kishte kaluar këtë territor në favor të Polonisë.

Në këtë situatë të tensionuar parlamenti britanik do të merrte dy muaj pushime, pikërisht në shtator dhe në gusht të vitit 1939, kur zhvillimet në Europë mund të pësonin ndryshime drastike. “Është vetëm një rast që pushimet tona verore të koinçidojnë me muajt më të rrezikshëm në Europë?”, – do të shprehej Çërçilli, i cili kërkoi më kot që deputetët të ktheheshin në parlament, javën e tretë të gushtit. Më 25 gusht, Britania e Madhe dhe Polonia nënshkruan një traktat aleance, me të cilin besonin se do t’i vinin fre ekspansionizmit gjerman në lindje. Por kjo aleancë nuk pengoi aspak trupat naziste të marshonin dhe të pushtonin Poloninë, më 1 shtator 1939. Parlamenti anglez u mblodh, në seancë të jashtëzakonshme, në orën gjashtë të mbrëmjes. Para se të mbërrinte aty, Uinston Çërçill, kalon në Downing Street, ku kryeministri e ftoi të merrte pjesë në një kabinet lufte me pesë anëtarë, që donte të krijonte krahas qeverisë. Në parlament, Çamberlein shpjegoi se nuk i kishin dhënë një ultimatum Gjermanisë, por një notë, në të cilën i kërkohej qeverisë gjermane, të ndërpriste çdo veprim agresiv kundër Polonisë dhe për t’u treguar e gatshme për t’u tërhequr menjëherë prej aty. Nga Berlini nuk erdhi asnjë përgjigje. Çërçilli të nesërmen, do të priste gjithë ditën t’i binte zilja e telefonit për ta thirrur në kabinetin e luftës siç i kishte premtuar kryeministri, por zilja nuk ra kurrë. Çamberlein donte të shtynte afatin e ultimatumit, por presioni i deputetëve e detyroi, dy ditë pas pushtimit të Polonisë, në datë 3 shtator 1939, në orën nëntë, notën ndaj Berlinit ta kthente në një ultimatum me një afat prej dy orësh, për të ndaluar avancimin nazist në Poloni. Në orën njëmbëdhjetë nuk kishte ardhur ende asnjë përgjigje, e për pasojë, Britania e Madhe gjendej në luftë me Gjermaninë. Pesëmbëdhjetë minuta pas kësaj ore, kryeministri Çamberlein do të jepte në radio lajmërimin për kombin.

Çërçilli mbërrin në sallën e parlamentit dhe zuri vendin e tij, kur i vjen një pusullë e Çamberleinit, i cili e njoftonte se e priste pas diskutimeve, në zyrën e tij. Çërçilli mori fjalën: “Në këtë rast, nuk është fjala për të luftuar për Dancikën ose për Poloninë. Luftojmë për të shpëtuar botën e tërë nga murtaja e tiranisë naziste e në mbrojtje të gjithë, çfarë është më e shenjtë për njeriun. Është një luftë, për të ndërtuar mbi themele të patundshme, të drejtat e njeriut”. Më pas, ai shkon në zyrën e kryeministrit, i cili i komunikon emërimin në detyrën e Ministrit të Marinës dhe e fton të jetë pjesë edhe e Kabinetit të Luftës. Kështu, pas më shumë se dhjetë vjet shkëputje nga jeta institucionale, Uinston Çërçill, më 3 shtator 1939, i rikthehet punës në qeveri, me të njëjtën detyrë që kishte patur njëzet e tetë vjet më parë, kur ishte emëruar për herë të parë, ministër.

I dukej shumë larg ai vit. Ishte 1908, kur Asquith, lideri i partisë liberale do të merrte detyrën si kryeministër i Britanisë te mbreti Eduardi VII, të cilit do t’i shprehte dëshirën që liberali Uinston Çërçill, të ishte pjesë e qeverisë së tij. Me arsyen se kishte treguar një energji dhe zotësi të veçantë gjatë viteve të mëparshme, kur kishte mbuluar detyrën e zëvendësministrit të Kolonive, me gjetjen e zgjidhjeve të disa rasteve të koklavitura të politikës britanike, në dominimet e saj oqeanike. Mbreti Eduardi VII,  u shpreh dakord për aftësitë e të riut Çërçill, por e këshilloi kryeministrin e tij të priste një moment të dytë për të, pasi të lirohej ndonjë vend në qeveri. Çërçilli do të priste tre vjet, derisa në tetor të vitit 1911, në moshën tridhjetë e tetë vjeçare, do të emërohej “First Lord of the Admiralty”, ose Ministër i Marinës, një detyrë kjo tepër e rëndësishme duke patur parasysh pozicionin ishullor të Britanisë, si dhe shtrirjen e madhe oqeanike, të zotërimeve britanike në botë. Menjëherë me të marrë detyrën, Çërçilli vë në zbatim një nga idetë e tij; krijimin e një shtabi të përgjithshëm edhe për flotën detare, ndërkohë që tradita e njihte strategjik këtë organizëm, vetëm për ushtrinë. Nis të inspektojë portet ushtarakë dhe arsenalet detarë, në përpjekje për të njohur sa më në detaje, të gjitha problemet e lidhura me artilerinë dhe taktikën, dy elementë vendimtarë, në suksesin e një flote detare ushtarake. Çërçilli kishte kohë që bluante në mendje edhe krijimin e një flote ajrore britanike, e cila të ishte nën komandën e marinës. U mor me studimin e hollësishëm të mundësisë së krijimit të një arti të ri ushtarak, bazuar në fuqinë e jashtëzakonshme të avionëve, të cilët deri në atë moment të historisë ushtarake, ishin përdorur vetëm për qëllime zbulimi. Përdorimi  për qëllime luftarake i aviacionit, synonte në përshtatjen e tyre për bombardime dhe për të qëlluar me mitraloz. Realizimi i këtyre dy risive ushtarake, u bë një nga objektivat e momentit e iniciuar prej Çërçillit, duke ngritur për këtë qëllim, sektorin e Royal Naval Air Force, nën komandën e admiraliatit të tij.

Njëkohësisht, do të ndiqte me vëmendje edhe përgatitjen e flotës perandorake detare gjermane, e cila kishte përparuar shumë si në numër, ashtu dhe në teknologji duke përbërë një rrezik, për zotërimet detare britanike si dhe të rrugëve të lundrimit tregtar. Gjithashtu, kishte krijuar një kod ligjor detar të sofistikuar, që Britanisë i mungonte. Perandoria gjermane kishte një traditë të shkëlqyer shekullore të luftës tokësore dhe ushtria e saj në stilin prusian, ishte e sprovuar e me shumë eksperiencë, epërsia e së cilës, shtohej edhe nga një rrjet i jashtëzakonshëm rrugor dhe hekurudhor, por jo detar. Ndaj, ligjet e reja gjermane detare që Raishtagu po aprovonte, Çërçilli i shihte si një kërcënim direkt ndaj Britanisë, por edhe si një përgatitje për luftë, ku synimet e tyre për herë të parë, drejtoheshin edhe drejt oqeaneve. Paraqet në parlament një bilanc shtesë për flotën me idenë se për çdo anije luftarake gjermane, duhet të ndërtoheshin dy anije britanike. Vetëm ky raport force, mendonte Çërçilli, siguron mundësinë e një fitoreje, në një konflikt eventualisht të mundshëm, në të ardhmen. Ai kërkoi ndërtimin e katër kryqëzorëve të mëdhenj e nëse, parlamenti do të refuzonte financimin e tyre, ai ishte gati të jepte dorëheqjen si Ministër i Marinës. Skepticizmi i deputetëve anglezë, bazohej edhe në idenë se interesat e Gjermanisë kishin qenë gjithnjë kontinentale, por një raport sekret, i cili bënte me dije se gjermanët do të nisnin zmadhimin e kanalit të Kitelit, në Detin Baltik, e bindi Çërçillin se synimi i tyre ishte dalja në Detin e Veriut, duke u bërë një kërcënim serioz jo vetëm për ujërat, por edhe për vetë territorin britanik, krejt i ekspozuar në një eventualitet të tillë. “Asnjë fuqi e madhe, përveç Britanisë, nuk ka nevojë reale për një flotë për të mbrojtur pavarësinë dhe sigurinë e saj. Ata, perandoria gjermane dhe ajo austro-hungareze, ndërtojnë për të patur një rol në çështjet botërore. Për ata është një lojë, për ne është çështje për jetë ose vdekje”. Nuk ishte dëgjuar më parë një deklaratë e tillë, në sallën e parlamentit britanik dhe “Daily telegraph”, do ta cilësonte si “diskutimin më të gjatë, më të rëndë dhe ndoshta më elokuentin që Dhoma e Komunave kishte dëgjuar në atë brez”.

Por shumë politikanë mendonin se Çërçilli shihte rreziqe për sulme e konflikte dhe atje ku nuk ekzistonin, duke krijuar imazhin e një alarmanti të ekzagjeruar, me dëshirë për luftë. Një inciativë brilante e Çërçillit, që pas shumë vitesh historia dëshmon se ishte jetësore për Britaninë në të dy luftërat botërore, përbën kërkesa e tij në parlament, për blerjen nga ana e qeverisë, së shumicës së aksioneve të “Anglo-Persian Oil Company” si dhe të drejtën e prioritetit britanik në shfrytëzimin e naftës së prodhuar. Në këtë mënyrë, Marina Mbretërore do të kishte gjithë naftën e nevojshme për të furnizuar anijet luftarake, pa qenë e varur nga asnjë kompani private apo shtet tjetër.

Pak ditë më pas realizimit të kësaj iniciative, më 28 qershor 1914, vritet në Sarajevë prej dorës së një serbi, arqiduka Ferdinand, trashëgimtari i fronit austro-hungarez, me bashkëshorten e tij. Papritmas, Austria mund të fillonte një luftë ndaj Serbisë, ku mund të përfshiheshin edhe Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Rusia. Më 28 qershor 1914, u njoftuan se Austro-Hungaria i kishte deklaruar luftë Serbisë. Atë darkë, Çërçilli do t’i shkruante së shoqes: “Gjithçka po shkon drejt katastrofës dhe shkatërrimit. Nuk mund të arrij ta besoj se në këtë ishull jemi përgjegjës për këtë dallgë çmendurie që ka pushtuar shpirtin e krishtërimit. Pyes veten, nëse këta budallenj mbretër e perandorë, nuk mund të takohen dhe t’i japin një limfë të re mbretërimit të tyre duke u kursyer ferrin kombeve, por shkojmë të gjithë të zhytemi, në një hipnozë topitjeje kataliktike, si të ishte vepër e “dikujt”.

Në parlamentin anglez, situata ishte e paqartë dhe të gjithë liberalët që përbënin shumicën, por edhe deputetë të tjerë, ishin të bindur në mendimin se nëse Gjermania do të sulmonte Francën, Britania nuk duhej të hynte në luftë. Vetëm në rastin e Belgjikës, çështja ndryshonte duke qenë se Britania e Madhe ishte garanti i këtij shteti të vogël, qysh prej themelimit të tij, në vitin 1839, ndërsa zona e Ballkanit nuk u interesonte. Tre ditë më pas, Gjermania do t’i dërgonte një propozim tepër sekret Britanisë, ku i shprehte se kishte ndërmend të pushtonte territore franceze dhe holandeze për të përfituar nga kolonitë franceze përtej detit dhe se nuk mund të impenjohej, të shmangte një sulm të mundshëm ndaj Belgjikës. Në mbrëmjen e 1 gushtit 1914, Çërçilli ndodhej në shtëpinë e tij bashkë me disa miq duke luajtur brixh, kur vjen një mesazh: Gjermania i kishte deklaruar luftë Rusisë.

Qeveria ruse i kërkon Francës të respektonte traktatin ruso-francez të viti 1989, por gjermanët kishin në plan të sulmonin Francën përpara Rusisë. Më 3 gusht, Perandoria gjermane i dërgon një ultimatum Belgjikës për të lejuar kalimin e trupave të saj, për të sulmuar Francën dhe po atë pasdite hyjnë në territorin belg. Londra i dërgon ultimatum Berlinit, ku i kërkon që të respektojë neutralitetin e Belgjikës dhe të tërheqë trupat e saj brenda mesnatës së 4 gushtit 1914. Por nga qendra e perandorisë nuk vjen asnjë përgjigje, ndërsa trupat gjermane vazhdojnë depërtimin në territorin belg. Me skadencën e ultimatumit, Uinston Çërçill, u dërgon një telegram të gjitha anijeve të flotës detare. “Të nisen veprimet luftarake kundër Gjermanisë”. Gjermania dhe Britania e Madhe tashmë ishin në luftë. Pas këtij komunikimi, Çërçilli mbërrin në rezidencën e kryeministrit Asquith, për ta vënë në dijeni mbi mesazhin që kishte dërguar. Lloyd George, i ndodhur aty shkruan: “Uinston hyri në sallë i qeshur, me fytyrën që i shkëlqente dhe me një pamje entuziaste. Dukej qartë që ishte një njeri vërtet i lumtur”. Çërçilli nuk kishte mbushur ende dyzet e tre vjeç dhe mbi të do të binte gjithë përgjegjësia e luftës detare britanike në konfliktin e parë botëror.

Qysh në ditët e para merr inciativa të shumta: urdhëron bllokimin detar në detin Baltik për të bërë të pamundur lëvizjen e flotës gjermane, themelon Divizionin Detar Mbretëror për të përfshirë në marinë vullnetarë të rinj, të cilët iu përgjigjën në shumicë thirrjes për luftë, e që në vitet në vazhdim sipas situatës, do të quheshin “djemtë e Çërçillit” ose “viktimat e pafajshme të Çërçillit”. Lajmi se fortesa e Namurit në Belgjikë, e mbrojtur edhe nga forcat angleze, ra në duart e gjermanëve duke i lënë të hapur mundësinë për të mbërritur në ngushticën e La Manshit përballë Britanisë, e pezmaton shumë. “Nuk mund të them ku do të shpjerë kjo aventurë e madhe. Nuk kam ndërmend më të jetoj, nëse nuk do të fitojmë. Por ne do të fitojmë“, – do t’i shkruante Çërçilli të vëllait të vet, Jack. Kishte mbetur vetëm fortesa dhe porti i Anversës, tashmë të rrethuara nga gjermanët dhe rënia e tyre përbënte një kërcënim serioz, për një sulm të drejtpërdrejtë, ndaj brigjeve angleze. Çërçilli mbërrin në Anversë, ku ndodhet e strehuar edhe qeveria belge, në pritje për t’u larguar nga vendi, por mbërritja e disa mijëra britanikëve rriti shpresat për mosdorëzimin e qytetit. Çërçilli gjendet aty dhe i kërkon kryeministrit Asquith, që të heq dorë si ministër i Marinës dhe ta emërojë komandant të luftimeve në Belgjikë, por ai e refuzon këtë propozim të Çërçillit. Në ditët në vijim, situata në Anversë do të bëhet më dramatike dhe urdhrit të Çërçillit, “që ta mbrojnë qytetin me thonj dhe me dhëmbë”, komandanti belg në terren nuk iu bind, duke tërhequr trupat e rrezikuara shumë nga përparimi i gjermanëve. Nuk kishte dëshpërim më të madh për Çërçillin, i cili kishte qenë aty komandant de fakto i flotës, i ushtrisë dhe i qeverisë civile. Megjithatë, aksioni i kombinuar i flotës me ushtrinë, bën që avancimi gjerman mos të shkojë drejt Detit të Veriut, por të qëndrojë për një luftë disavjeçare frontale midis fortifikimeve e trinçeve, telave me gjëmba e të shtënave të mitralozëve. Humbja e Anversës dhe viktimat e shkaktuara nga trupat angleze rënduan mbi Uinston Çërçill, i cili duke qenë në krye të tyre, u konsiderua si përgjegjësi kryesor. Ai do të akuzohet se nuk diti të manovrojë me zgjuarsi dhe me guxim duke lënë të hapur përparimin gjerman, e për pasojë duke e vënë Britaninë e Madhe përballë një rreziku më eminent. Zhvillimet aty do të përbënin një nga hidhërimet më të mëdha për të duke i shkaktuar një brengë të thellë tërë jetën.

Në Mesdhe ndërkaq, zhvillimet marrin një drejtim tjetër. Kryqëzorët gjermanë, nën komandën turke deri pak kohë më parë, kishin hapur zjarr kundër porteve ruse të Detit të Zi. Qeveria angleze i dërgon një ultimatum të prerë Turqisë, që të mbyllë të gjitha misionet gjermane në Stamboll dhe të largojnë tërë personelin gjerman nga anijet luftarake. Turqit refuzojnë. Më 31 tetor 1914, Çërçilli me skadimin e ultimatumit i jep urdhër zëvendës admiralit të flotës Karden, që ka nën komandë të gjitha njësitë detare britanike në Mesdheun Lindor, të bombardojë fortifikimet turke, në ngushticën e Dardaneleve. Kabineti britanik i luftës, nën drejtimin e kryeministrit Asquith, fillon të shqyrtojë disa variante për të bërë të mundur mësymjen detare. Ndër variantet që paraqitën strategët janë: sulmi i flotës në veri, në detin Baltik; të sulmohej në Trieste; në Selanik ose në Dardanele. Varianti që gjen mbështetjen më të madhe është ai i propozuar nga Ministri i Luftës, Kitçener, për të organizuar një sulm detar të përmasave të mëdha në ngushticën e Dardaneleve dhe për t’i hapur rrugën flotës britanike të pushtonte Stambollin. Në dispozicion do të vihet kryqëzori i ri modern, “Mbretëresha Elizabet” dhe ky fakt, e entuziazmon Çërçillin. Gjithashtu, do të mbërrijnë nga zona të largëta kryqëzorët e tjerë britanikë. Në total, trembëdhjetë anije luftarake do të rreshtohen në Dardanele.

Një debat që do të përfshijë nivelet më të larta britanike të luftës, mbi faktin, nëse sulmi i flotës duhet të gërshetohet me sulmin e trupave tokësore dhe kjo dilemë do të diskutohet për shumë vite në Britaninë e Madhe, duke mos marrë asnjëherë përgjigje, sesi duhej të ishte vepruar. Çërçilli ishte në favor të forcave tokësore, të cilat do të bënin të mundur avancimin në terren të britanikëve. “Do të ishte e pafalshme të humbisje frytet e suksesit të operacionit detar prej mungesës së ushtrisë. Kemi mundësira të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund t’i shfrytëzojmë, pa një ndihmë nga toka. Të paktën, duhen pesëdhjetë mijë ushtarë për të pushtuar territoret, ku turqit do të tërhiqeshin”, – do t’i shkruajë Çërçilli në atë moment, Ministrit të Luftës Kitçener, i cili është totalisht kundër kësaj ideje. Dhe ja, fati i bashkon përsëri ashtu si në Egjipt para shumë vitesh më parë duke i vënë në rivalitet, tashmë kur janë të dy ministra të qeverisë britanike. Dorëzimi i Turqisë duhet të arrihet vetëm me impenjimin e flotës detare, bombardimet e të cilës, do ta detyrojnë perandorinë e Bosforit të kërkojë armëpushim ose të tërhiqet në brendësi të territorit të Anadollit. Çërçilli mendon se duhet të mjaftohej me pak trupa australiane dhe zelandeze, të cilat kishin mbërritur aty. Bombardimet filluan në fund të muajit shkurt dhe bënë të heshtin fortifikimet turke. Kërkesa të vazhdueshme të Çërçillit, për dërgimin e të paktën një divizioni ushtarak, ndezën debatin në Kabinet. “Ky division, nuk mund të luajë rol në fitoren apo humbjen në Francë, por mund të luajë shumë rol në fitoren në Dardanele”, – u shpreh Çërçilli, ndërsa kryeministri Asquith do të shkruante se “ndihej shumë i nervozuar nga sjellja e Çërçillit që e cilësoi si turbulluese, retorike, pa takt dhe qetësi, histerike”.

Çërçilli entuziazmohet nga propozimi i qeverisë greke për të dërguar gjashtëdhjetë mijë ushtarë, por ky vendim menjëherë kundërshtohet nga Rusia, e cila kishte synim të sajin të aneksonte Stambollin dhe prania e trupave greke, i linte dyshimin se ato kishin të njëjtin qëllim. Anglezët pranojnë kërkesën ruse dhe bien dakord, që pas fitores, Stambolli të kalonte nën sovranitetin rus. Kështu, do të kishte ndodhur nëse në Rusi nuk do të niste revolucioni bolshevik, qeveria e të cilit do të tërhiqte Rusinë nga konflikti botëror. Sulmi i flotës britanike nis në muajin mars 1915 dhe rezulton një dështim total, ku humbin shumë anije për shkak të minave, të cilat duhet më parë t’i kishin çaktivizuar. Gabim i pafalshëm i britanikëve, që shkaktoi qindra viktima angleze. Planifikohet një sulm i dytë i flotës, por këshilltarët ushtarakë anglezë nuk janë dakord, për shkak se më parë duhet të pastrohen tërësisht ujërat nga minat. Gjatë nëntë muajve që vijojnë nuk do të ndërmarrin asnjë aksion për të hapur rrugën e Dardaneleve si dhe nuk do të çminojnë ujërat e rrezikshme. Çërçill, nga njeri i aksionit, kthehet në një spektator të ngjarjeve, pa vepruar. Në Kabinetin e luftës, rrallë kur paraqitej rasti, do të jepte mendimin e tij. Dështimi në Dardanele në opinionin britanik konsiderohet si një dështim personal i Çërçillit, i cili kishte kapërcyer disa nga parimet bazë të strategjisë, kishte shpërfillur këshilltarët ushtarakë dhe u ishte imponuar me insistim admiralëve që drejtonin flotën. Akuza kryesore kundër tij, ishte mangësia e parashikimit, mungesa e marrjes së asnjë mase minimale për çmontimin e minave lundruese, shpërthimet e të cilave shkatërruan shumë luftanije britanike duke shkaktuar shumë viktima të kota britanike. Kjo përgjegjësi e madhe do ta persekutonte dhe do ta mundonte tërë jetën e tij. Më vonë, Uinstoni kishte përgatitur një shpjegim të tijin në parlament duke ia lënë përgjegjësinë Kitçenerit, i cili nuk e mbështeti me forca tokësore, por vdekja e papritur e këtij të fundit, do t’ia heqë mundësinë Çërçillit të japë variantin e vet duke i mbetur kështu barra e një dështimi, i cili mund të ishte eleminuar.

Ndërkaq, gjatë vitit 1915, situata në frontin me gjermanët, nuk po përparonte dhe kishte mbetur një luftë në trinçe me një numër tepër të lartë viktimash për britanikët. Nisur nga kjo situatë bllokimi, kryeministri Asquith krijoi një qeveri të re koalicioni me konservatorët, të cilët do t’i përfshinte edhe në Kabinetin e luftës. Në të dyja nuk kishte më vend për liberalin Çërçill, i cili në qershor të vitit 1916, u gjend pa asnjë detyrë shtetërore. Në nëntor, do të nisej për në frontin perëndimor, për t’iu bashkangjitur batalionit të dytë të Gardës së Granatierëve. Për tre muaj e gjysëm që jeton në front asnjë ofensivë, si britanike ashtu edhe gjermane, nuk u zhvillua. Situata iu duk paradoksale, dominuar nga mërzia e frontit ku nuk ndodhte asgjë, por që vetëm rrinin, në pritje “të ndonjë cikle granate që të merrte jetën”. Do të shkojë disa herë në front, por është gati të tërbohet nga frustrimi, i shkaktuar nga privimi i ushtrimit të pushtetit dhe influencës së tij. Qëndrimi i tij në trinçenë belge për disa kohë, është momenti më pa domethënie në jetën e Uinstonit, i kotë dhe i padobishëm në çdo aspekt. I lënë jashtë nga jeta publike dhe politike, Çërçilli do të zbulojë atë periudhë një pasion të ri, pikturën, të cilës do t’i kushtojë orë të tëra në ditët e tij të pambarimta, për të hequr mendjen. Kur të rikthehej në sallën e parlamentit, për shumë kohë, sa herë të ngrihet të marrë fjalën, do të dëgjojë vazhdimisht të bërtiturat e deputetëve: “Dardanelet”, “Anversa”. Dështimet e tij do t’ia përplasnin në fytyrë për t’i treguar se veç atij nuk i takonte të dilte në podium të mbante fjalime. Asnjë nuk do të kishte dëshirën për ta dëgjuar më. Por vitet do të kalonin dhe gjithçka do t’i përkiste të kaluarës.

Thuajse tridhjetë vjet më vonë, në shtator të vitit 1939, teksa ishte emëruar përsëri Ministër i Marinës Mbretërore, do të sillte ndërmend kujtimet e hidhura të eksperiencës së parë, në krye të këtij institucioni. Do t’i shkaktonin emocion të fortë, sidomos kur hyri në zyrën e tij të dikurshme, pa të varur në mur të njëjtën hartë me po atë pozicionim të luftanijeve gjermane, ashtu si i kishte lënë, tridhjetë vjet më parë, në vitin 1915. E priste i njëjti fund? Apo fati i kishte rezervuar një tjetër të ardhme? A ishte një përsëritje e situatës së atëhershme? A nuk ishte aleancë me Francën, ultimatum dhe deklaratë lufte me Gjermaninë, ai ministër marine?  Ashtu si në vitin 1914, veprimi i parë që ndërmerr, është urdhri për të dërguar në detin Baltik, dy kryqëzorë për të kërcënuar bregdetin gjerman. Një nëndetëse gjermane fundos një prej anijeve luftarake britanike duke shkaktuar vdekjen e tetëqind marinarëve. Sakaq, në Atlantikun jugor nuk kishte ditë që mos të fundoseshin anije tregtare me flamurin anglez. Perspektiva do të bëhet edhe më e vështirë, sepse Bashkimi Sovjetik kishte nënshkruar në gusht të vitit 1939, një pakt mossulmimi me Gjermaninë duke ndryshuar raportin e forcave, në dëm të Britanisë. Sovjetikët do të pushtonin territorin lindor të Polonisë lindore dhe në muajin nëntor pushtuan Finlandën.

Çërçilli në javët e para të punës, planifikon të merren masa për ndërprerjen e furnizimeve gjermane nga porti i Narvikut, në veri të Norvegjisë, veprim ky, që sipas tij “do të përshpejtonte humbjen e Gjermanisë më shumë se çdo aksion që për momentin mund të ndërmerrnin”. Zonat e pasura me hekur në veri të Suedisë, nxirrnin sasi të mëdha minerali, i cili trasportohej për në portin detar norvegjez, i domosdoshëm për prodhimin e çelikut gjerman, bazë për industrinë e armatimeve. Ai harton në detaj, parashikon edhe datën, në të cilën duhej të vepronin duke dërguar anijet e tyre dhe pasi të minonin zonën bregdetare norvegjeze, ku lëviznin anijet gjermane të transportit, do të merrnin në dorë kontrollin e portit. Por kjo ide u kundërshtua nga kryeministri Çamberlein, i cili nuk donte të merrte iniciativa ushtarake ndaj një vendi neutral si Norvegjia, edhe pse ministri i ri i Marinës do të insistonte me ngulm. Forcat gjermane nisën të zbarkonin në plazhet norvegjeze dhe do të nisnin pushtimin e këtij vendi neutral duke nxjerrë jashtë loje planin e Çërçillit. Indinjata e politikanëve britanikë ishte e thellë për kundërshtimin e Çamberleinit ndaj planit të propozuar duke u bërë shkak për nisjen e një presioni ndaj tij, pasi tashmë mendimi se kishte ardhur koha, që ai të largohej nga drejtimi i qeverisë, mbizotëronte.

Çamberlein takon mbretin anglez, jo për të dhënë dorëheqjen, por mendon të krijojë një qeveri të re koalicioni me bazë kombëtare. Të nesërmen e këtij takimi, trupat gjermane sulmojnë Holandën, Belgjikën dhe Francën si dhe kapërcejnë linjat e fortifikimeve mbrojtëse belge dhe holandeze duke zbarkuar reparte të tëra parashutistësh në brendësi të territorit, duke i nxjerrë këto linja të padobishme për mbrojtje. Njëkohësisht, në parlamentin anglez krijohet një rrëmujë e madhe në lidhje me formimin e qeverisë së re, derisa laburistët vendosnin kusht se nuk do të pranojnë një qeveri kombëtare me Çamberleinin në krye. Në mbrëmje vonë Uinstoni mori një telefonatë nga i biri, Randolfi, i cili ishte duke shërbyer si ushtarak në Anglinë veriore. Kur ai e pyeti se çfarë të rejash kishin, Uinstoni iu përgjigj: “Besoj se nesër do të jem kryeministër”. Çamberlein mendon se situata është aq komplekse sa nuk është momenti i duhur për të dhënë dorëheqjen, por më pas, kryeministri shkon te mbreti për të dhënë dorëheqjen. Në orët e para të një mëngjesi maji të vitit 1940, Uinston Çërçilli thirret në Buckingham Palace për të takuar mbretin anglez, Xhorxhi VI. “Supozoj se nuk e keni idenë pse ju kam thirrur”, – i thotë mbreti duke buzëqeshur. “Madhëri, nuk ka si mund ta imagjinoj”, – përgjigjet Çërçilli duke shkaktuar të qeshurën e mbretit, i cili më pas shton: “Dua t’ju kërkoj të formoni një qeveri”. Kishte realizuar kështu ambicien dhe ëndrrën më të madhe të jetës së tij.

“Doni të dini se cila do të jetë politika jonë? Ju përgjigjem se është të drejtojmë luftën nga toka, deti dhe nga ajri me gjithë fuqinë tonë e me gjithë forcën që Zoti do të na japë; të drejtojmë luftën kundër një tiranie të përbindshme që nuk ka të barabartë në errësirë, katalog i ndyrë i krimit njerëzor. Kjo është politika jonë. Doni të dini se cili është qëlllimi ynë? Do përgjigjem me një fjalë të vetme: fitore, fitore me çdo kusht, fitore pavarësisht gjithë terrorit, fitore përsa rruga mund të jetë e gjatë dhe e vështirë; pa fitore në të vërtetë nuk ka mbijetesë. Le të jetë e qartë mirë: nuk do të ketë mbijetesë për perandorinë britanike dhe as për gjithë atë çka perandoria britanike ka patur domethënie; nuk ka mbijetesë për atë impuls që prej mijëra vjetësh shtyn njerëzimin për të vazhduar drejt fundit të tij”, – ishin fjalët e Çërçillit për herë të parë në parlament, si kryeministër i Britanisë së Madhe. Veprimi i parë që bën është një telegram për Musolinin: “Është shumë vonë për të ndaluar që të rrjedhë një lumë gjaku midis popullit anglez dhe atij italian?”, e më pas një telegram presidentit amerikan, Ruzvelt: “Nëse do të jetë e nevojshme do të vazhdojmë luftën të vetëm dhe kjo nuk na jep frikë. Por ju kërkoj të kuptoni zoti President, se zëri dhe forca e Shteteve të Bashkuara mund të vlejnë pak ose asgjë, nëse do të heshtni për një kohë të gjatë”. Kërkon të nisë bombardimet ndaj Gjermanisë, por e njoftojnë se nuk e kishin mundësinë praktike, për shkak të lënies pas dore të aviacionit, përpara luftës. Në Francë, në atë moment forcat naziste po përparonin shumë dhe po vinin në rrezik trupat britanike të dislokuara atje, të cilat do të pësojnë humbje të konsiderueshme dhe do të tërhiqen për në Dankërk. Duhet të merrte të gjitha masat që ushtarët anglezë të kthehen pa humbje në Britani, ndaj urdhëron evakuimin e të gjitha trupave sa më shpejt nëpërmjet detit, nga molet, bankinat e plazhet. Në një operacion të jashtëzakonshëm detar, të organizuar nga Çërçilli, me çdo mjet lundrimi, nën breshërinë e avionëve gjermanë arrijnë të transportojnë në brigjet angleze, në një kohë rekord, njëqind mijë ushtarë britanikë, të cilët do të ishin zënë rob në Francë. Me ta u shpëtuan edhe mijëra ushtarë francezë duke i çuar në Britani. Çërçilli dhe këshilltarët e tij ishin të bindur se Hitleri do të sulmonte Anglinë për ta pushtuar. Por deshifruesit britanikë kishin arritur një sukses të jashtëzakonshëm, në maksimumin e sekretit, të zbulonin Kodin “Enigma”, të përdorur për komunikimin e urdhrave nga nazistët e do të ishin në dijeni, të çdo informacioni sekret nazist. Një nga mesazhet linte të kuptohej se qëllimi i nazistëve, ishte të izolonin Britaninë nga deti dhe brenda po të njëjtës natë, Çërçilli urdhëron dërgimin e trupave në veri të vendit, drejt porteve dhe plazheve duke përforcuar mbrojtjen e tyre. I rëndësishëm ishte edhe mesazhi që dëshmon se veprimet e gjermanëve do të orientohen për të pushtuar tërë territorin e Francës duke u dhënë britanikëve mundësi frymëmarrje, pasi kuptuan se kishin ende pak kohë, derisa të niste një sulm ndaj Anglisë.

Donte të shkonte në Francë të bisedonte me qeverinë për ta bindur që të mbronte Parisin, por kur Çërçilli mori vesh se shtetarët francezë po largoheshin nga kryeqyteti, u shpreh: “Në ferr vafshi!”. Do t’i takonte disa ditë më pas në jug të Francës, ku pa një Peten të demoralizuar, i cili nuk pranonte asnjë sugjerim, si zgjidhje për momentin. Çërçilli kthehet me avion në Londër dhe të nesërmen, pas një telefonate të kryeministrit francez Reino, u nis sërish për në Francë për t’u takuar me të në Tur. Qëllimi i francezëve për takimin, ishte t’i luteshin britanikëve, që t’i çlironin nga impenjimi i traktatit të përbashkët që sanksiononte se si Franca, ashtu dhe Britania e Madhe nuk mund të firmosnin një marrëveshje paqeje të veçantë me Gjermaninë. Në sytë e Çërçillit shfaqen lotët, si kurrë herë tjetër në jetën e tij. Franca kishte mbaruar duke dhënë shpirt. Dëshpërimi i tij bëhet më i madh kur ata refuzojnë idenë e tij për t’u tërhequr në Bretanjë ku t’i mbështeste me përforcime angleze, në trupa dhe armatime. Qeveritarët francezë nuk pranuan. I ishin nënshtruar në mënyrën më të ulët të mundshme situatës së kobshme të Francës. Çërçilli kthehet në Londër pa asnjë rezultat të shpresuar. Atë mbrëmje, kryeministri francez Reino jep dorëheqjen. Peten formon një qeveri të re franceze dhe i kërkon armëpushim Gjermanisë. Britania e Madhe kishte mbetur e vetme në luftën kundër forcës naziste. Atë darkë, në radio Çërçilli thotë: “Kemi mbetur kampionët e vetëm të luftës për mbrojtjen e kauzës botërore. Do të bëjmë më të mirën tonë për të qenë të denjë për këtë nder të madh. Do të mbrojmë ishullin tonë dhe me perandorinë britanike, do të luftojmë të paepur, derisa mallkimi i Hitlerit nuk do të jetë zhdukur nga e ardhmja e njerëzimit. Jemi të bindur që në fund, gjithçka do të shkojë mirë”. Më 24 gusht 1940, avionët gjermanë bombardojnë për herë të parë Londrën. Të nesërmen aviacioni anglez bombardon Berlinin. Në dhjetë ditët në vijim, gjashtëqind avionë gjermanë do të kryenin një bombardim masiv në tokën britanike, kryesisht në Londër. Çërçilli jep urdhra edhe në ndihmë të civilëve që u ishin dëmtuar shtëpitë. Duheshin zhdëmtuar të gjithë.

Çërçilli ndihet i nervozuar me presidentin amerikan Ruzvelt, me të cilin raportet ishin shumë afër prishjes. Britania e Madhe gjendet në vështirësi financiare, shkaktuar nga lufta dhe shumë kërkesa për materiale ushtarake ishin refuzuar nga qeveria amerikane, për shkak të vonesave të pagesave vjetore që Britania duhet të kryente. I shkruan një mesazh Ruzveltit, ku e krahason atë me “një sherif që mbledh paratë e fundit të një borxhliu të mjeruar”, por më pas e gris dhe shkruan një tjetër të përmbledhur duke i kërkuar se në ç’mënyrë Amerika donte të paguhej. Ligji “Qira dhe Hua “, që parlamenti amerikan aprovon, i shuan pasiguritë e Çërçillit, përsa i përket ndihmës amerikane. Situata po bëhej e vështirë për kryeministrin e lajmet që i vinin, janë dekurajuese. Arriti në mbi pesëqind numri i anijeve tregtare britanike të fundosura prej gjermanëve; anija prestigjoze dhe moderne luftarake “Hud”, ishte qëlluar dhe me të humbën jetën një mijë e pesëqind ushtarë britanikë; në mbrojtjen e ishullit të Kretës, katërmijë trupa britanike u vranë nga bombat gjermane; Jugosllavia ishte pushtuar nga nazistët dhe pritej që të pushtohej edhe Greqia, duke zmadhuar shumë njollën naziste në hartën europiane. Edhe fitoret e arritura ndaj trupave italiane në veri të kontinentit afrikan, po viheshin në pikëpyetje nga mbërritja atje, e gjeneralit gjerman famëkeq, Romel. Por, asnjëherë nuk humbet kurajon e tij. Në çdo moment është energjik dhe në fytyrën e tij nuk dallohet asnjëherë dëshpërimi, por optimizmi i thellë, që i bën ata që i ndodhen pranë, të marrin kurajo dhe të mos humbasin shpresat te fitorja. Dhe jo vetëm ata. Çërçilli kishte filluar të fliste shpesh në radio dhe fjalët e tij, do të mbajnë gjallë shpresat dhe do të ngrenë peshë zemrat e kombit britanik, por edhe të tërë antinazistëve në mbarë Europën. Me një aftësi të jashtëzakonshme oratorike, sofistikuar nga eksperienca e gjatë, jo vetëm si gazetar dhe kronist lufte, por edhe nga konferencat dhe mitingjet e shumta të bëra gjatë jetës së tij, për fushata politike apo për kritika ndaj qeverisë, Uinston Çërçill do të dijë me një mjeshtëri të pazakontë, të rrisë moralin e dëgjuesve, shumë më tepër sesa sukseset ushtarake. “Asnjë njeri i mençur dhe parashikues, mund të dyshojë në humbjen finale dhe totale të Hitlerit e Musolinit, nën dritën e përbashkët të vendosmërisë së qartë të demokracive angleze dhe amerikane. Anglezët dhe amerikanët kanë pasuritë më të mëdha, më shumë burime teknike e prodhojnë më shumë çelik, se tërë bota e marrë së bashku”.

Çërçilli informohet për sulmin gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik dhe komenti i parë ishte: “Lajmëroni BBC-në se do të flas në radio sonte, në orën nëntë”. Gjatë gjithë ditës, përgatit fjalimin duke u konsultuar me kolegët e duke kërkuar mendimin e tyre. Të gjithë mendonin se ushtria ruse nuk kishte për t’i rezistuar gjatë forcës naziste, por Çërçilli e shihte ndryshe dhe u thoshte kolegëve se “vinte bast një majmun, kundrejt një çarku minjsh, që pas dy vitesh rusët do të jenë ende duke luftuar e duke fituar”. Ishin terma të përdorura në bastet e garave të kuajve. Kështu, me një këndvështrim tërësisht të ndryshëm nga shumica e opinionit politik dhe publik anglez, Çërçilli thotë në radio: “Asnjë, në njëzet e pesë vitet e fundit, nuk ka luftuar në mënyrë koherente komunizmin dhe as nuk kam ndërmend të ndryshoj ndonjë fjalë nga ato që kam thënë, por gjithçka humbet përballë shfaqjes që sot po ndodh e që bën të zbehet e kaluara ruse me krimet e saj, çmenduritë e saj, me tragjeditë e saj… Çdo individ apo shtet që lufton nazizmin do të ketë ndihmën tonë. Do t’i japim gjithë ndihmën e mundshme Rusisë”. Arsyeja që rriti më shumë entuziazmin dhe optimizmin e Çërçillit ishte fakti, se Gjermania duke sulmuar Bashkimin Sovjetik, për të mos patur dy fronte të vështira, nuk do të sulmonte dhe për disa kohë të tjera Britaninë e Madhe, ndërkohë që pritej të ndodhte e kundërta. Çërçilli jep urdhër që të gjithë mesazhet sekrete, që deshifroheshin nga kriptografët anglezë në lidhje me veprimet luftarake naziste në frontin sovjetik, t’i dërgoheshin Stalinit në sekret të plotë, duke u dhënë mundësi rusëve, të dinin në çdo kohë e moment gjatë gjithë periudhës së luftës çdo sulm e  plan të nazistëve. Stalini nuk kishte asnjë informacion tjetër, përveç këtyre edhe kur trupat naziste arritën dyqind kilometra larg Moskës. Me Stalinin, Çërçilli do të nisë një korrespondencë të gjatë telegramesh deri në përfundim të luftës.

Mbrëmjen e sulmit ajror japonez ndaj bazës amerikane të Pearl Harbour, në ishujt Hawai të Oqeanit Paqësor, në dhjetorin e vitit 1941, Çërçilli ishte duke ngrënë darkë me ministrin Harriman dhe ambasadorin amerikan në Londër, Uinant. Kërkoi menjëherë ta lidhnin në telefon me Ruzveltin. “ Zoti president”, – e pyeti “çfarë janë këto lajme mbi Japoninë?”. “Është e vërtetë”, – iu përgjigj Ruzvelti. “Na sulmuan në Pearl Harbour. Tani jemi në të njëjtën varkë”. Disa ditë më pas, Italia dhe Gjermania i shpallin luftë Shteteve të Bashkuara. Kishte ardhur momenti i shumëpritur për Çërçillin që i jepte fund neutralitetit dhe indiferencës amerikane ndaj luftës në Europë dhe ndaj nazizmit. Por kaq nuk mjaftonte. Çërçilli kishte frikë se mos Amerika zhvillonte luftimet në zonën e Paqësorit duke i dhënë prioritet fitores me Japoninë, ndaj niset për në Uashington, ku mbërrin pas dhjetë ditësh lundrimi në det, më 22 dhjetor, për t’u takuar me presidentin Ruzvelt. Bisedat zgjasin disa ditë dhe arrijnë të japin një rezultat optimal për Çërçillin. “Teatri” kryesor i luftimeve është zona e Atlantikut dhe ajo e Europës; Gjermania ishte kyçi i fitores dhe se kapitullimi i saj ishte parësor, kundrejt atij japonez. Shefat e shtabeve të përgjithshme amerikane dhe angleze formuan një Komandë të Bashkuar për drejtimin e operacioneve ushtarake; parashikuan një zbarkim në Afrikën Veriore dhe një tjetër, në një kohë të përshtatshme, në Europë.

Qëndroi tre javë në Shtëpinë e Bardhë e një natë, tek flinte aty u përpoq të hapte dritaren e dhomës që ishte bllokuar dhe iu desh të ushtronte më shumë forcë. Ndjeu papritmas, se iu bllokua frymëmarrja dhe një dhimbje mbi zemër, iu përhap në krahun e majtë. Ishte një parainfarkt. Çërçilli i trembej shumë vdekjes dhe ishte i bindur se nuk do të jetonte gjatë për shkak gjenetik, por edhe për faktin se nuk e hiqte kurrë nga dora gotën me alkool dhe puron nga goja që e shoqëronte në çdo moment të ditës së tij. Udhëtoi drejt Kanadasë, Floridës e pastaj në ishujt Bermude. Gjatë luftës, Çërçilli do të shkonte disa herë në Uashington për të takuar presidentin amerikan e do të përshkonte me dhjetëra mijëra kilometra me avion, nga një cep i Evropës në tjetrin, si dhe shumë herë në Afrikë, duke rrezikuar shumë. Ai do të shkonte edhe në Moskë për të takuar e biseduar me atë, që deri pak kohë më parë, kishte qenë armiku i tij më i madh dhe nga më të mëdhenjtë e historisë së njerëzimit siç e kishte quajtur, Stalinin. Fluturon fillimisht për Kajro, pastaj për Teheran, në një udhëtim që zgjat gjashtë orë, ku i duhet të përdorte maskën e oksigjenit. Në Moskë, mbërrin në datë 12 dhjetor 1941, pas dhjetë orë e gjysmë fluturim e pasi pushoi dy orë në një vilë që i kishin vënë në dispozicion, niset drejt Kremlinit.

Stalini është i nxirë në fytyrë dhe që në fillim të bisedës i thotë se “gjermanët po bëjnë një sforcim të jashtëzakonshëm për të arritur në Stalingrad, mbi Vollgë. Armata e Kuqe nuk kishte arritur t’i ndalte dot”. Stalini shpreson dhe kërkon me insistim një zbarkim të anglo-amerikanëve në Europë, që mund të jetë në jug të Francës duke u krijuar kështu nazistëve një front perëndimor, e për pasojë Gjermania, e gjendur midis dy zjarresh, do të tërhiqte trupat e shumta nga fronti lindor. Çërçilli i shpjegon liderit sovjetik se është i pamundur një zbarkim në Francë gjatë vitit 1942, sepse vetëm dy divizione amerikanë kishin mbërritur aktualisht në Britani e zbarkimi mund të ndodhte vetëm në vitin 1943. Stalini ngrys vetullat. Ishte i irrituar dhe i zymtë. Çfarë ai pret si faktor thelbësor, për shpëtimin e vendit të tij, nuk do të ndodhë. Me një ton zëri përçmues, Stalini i kthehet: “Njeriu që nuk është në gjendje të rrezikojë, nuk mund të fitojë kurrë një luftë”. Pastaj pyet: “Përse vallë keni kaq shumë frikë nga gjermanët?” Çërçilli replikon  duke i kujtuar vitin 1940, kur Hitleri kishte patur frikë të pushtonte Britaninë e Madhe dhe nëse nuk kishte patur këtë frikë, ndoshta ai nuk do të ishte në atë moment, aty duke folur me Stalinin. “Britania e konsideron moralin e popullsisë gjermane”, – vazhdon të thoshte Çërçilli, “një objektiv ushtarak. Nuk kemi treguar mëshirë dhe nuk do të kemi edhe më tej”. Shpresonte të shkatërronte njëzet qytete gjermane e “nëse do të jetë e nevojshme, gjatë luftës do vazhdojmë të shkatërrojmë shtëpi më shtëpi, të gjitha ose pothuaj, qytetet gjermane”. Në atë moment Stalini buzëqesh për herë të parë dhe premtimi për bombardimin pati një efekt stimulues në bisedë, e cila prej atij momenti fillon të bëhet gjithnjë e më shumë miqësore. Kur Çërçilli i tha se ishte i autorizuar edhe nga presidenti amerikan ta njoftojë se kanë vendosur së shpejti, një zbarkim amfib në Afrikën e Veriut, duke u hapur një front të dytë gjermanëve, Stalini u ngrit në këmbë, i gëzuar dhe me një humor më të mirë.

Viti 1942 nuk do të shënojë ndryshime në kontinentin europian në dëm të nazistëve, por fusha e betejës për anglezët zhvendoset në Afrikën veriore. Në muajin tetor, forcat anglo-amerikane zbarkojnë në Algjeri për t’u ndeshur me forcat qeveritare franceze, të cilat kontrollonin portet afrikane. Midis trupave është edhe i biri, Randolfi. “Shkoi gjithçka si ishte parashikuar. Është një privilegj i veçantë të ishe pjesë e këtij eventi të madh, – do t’i shkruajë i biri nga Algjeria. Trupat aleate do të nisin sukseset e para ndaj gjeneralit gjerman Romel, i njohur si nga më të zotët dhe më strategët e ushtrisë naziste. Në fakt, nëpërmjet deshifrimit të mesazheve të Kodit “Enigma”, aleatët kishin mësuar se Romeli kishte mbetur pa furnizime në municione dhe pothuaj krejt pa karburant. Anglezët marrin vesh me hollësi, kur dhe si do u mbërrijnë furnizimet nga deti dhe u bëjnë pritë anijeve gjermane duke i fundosur ato. Ndaj trupave afrikane të Romelit do të nisë një ofensivë nga më të vështirat dhe më të përgjakshmet në shtetërat afrikane. “Nuk është fundi. Nuk është as fillimi i fundit. Por ndoshta është fundi i fillimit”, – shprehet Çërçilli në Ministrinë e Luftës, për fitoren në territorin afrikan.

Në janar të vitit 1943, takohet me presidentin amerikan në Kazablanka, ku shqyrtojnë mundësinë e një zbarkimi aleat në Mesdhe, pikërisht në ishullin e Siçilisë. Për të zbutur kundërshtimet në Angli për një vazhdim të luftës ndaj Japonisë, e cila ishte në interes të amerikanëve, kur nazizmi gjerman të ishte shkatërruar, Çërçilli bën një deklaratë publike, në të cilën saktëson qëndrimin britanik se lufta kundër Gjermanisë dhe Japonisë do të vazhdojë deri në dorëzimin pa kushte të të dyja vendeve. Asnjë armëpushim, asnjë paqe e negociuar, asnjë marrëveshje, por vetëm dorëzim total dhe absolut i të dy ushtrive armike. Në muajt që do të pasonin, Çërçilli e gjen disa herë veten ngushtë dhe në vështirësi edhe me komandën amerikane duke patur objektiva strategjikë të ndryshëm, e shpesh duke mos rënë dakord mbi lëvizjet taktiko-operative. Më 7 tetor të vitit 1943, Çërçilli shprehet në mbrëmje se kishte “patur një ditë të keqe, biles tepër të keqe. Në konfidencialitet do të thotë se “vështirësia më e madhe nuk është të fitosh luftën, por të bindësh njerëzit që të të japin mundësinë që t’i mund ta fitosh, pra të bindësh budallenjtë”. Kryeministri anglez nuk resht së udhëtuari për të bindur palët apo kontrolluar situatën nga afër. Kapiteni i tij personal Pajm, shkruan se prej fillimit të luftës, në vitin 1939  e deri në fund të vitit 1943, Çërçilli kishte përshkuar 111 mijë milje në det e në ajër, duke kaluar 772 orë në det dhe 339 orë në ajër.

Ideja e Çërçillit për një takim të tre liderëve më të mëdhenj botërorë, të përfshirë në luftën kundër nazizmit dhe aleatëve të tij, gjen mbështetjen edhe të Ruzveltit dhe të Stalinit. Kështu u fiksua vendi i takimit në Teheran, në nëntor të vitit 1943. Takimi i parë i tre të mëdhenjve bëhet pasditen e 28 nëntorit. Në përfundim të seancës, darkën e parë e jepte Ruzvelti, por pasi nuk ndjehet mirë ai largohet duke lënë vetëm Çërçillin me Stalinin. Lideri sovjetik i shpreh mendimin e tij kryeministrit anglez se Polonia duhet të zhvendosej më në perëndim, duke përfituar nga territoret gjermane. Çërçilli merr tre kunja shkrepëseje dhe i vendos mbi tavolinë duke shpjeguar se kufiri polak lindor do të jetë linja e vjetër Kurzon, ndërsa ai perëndimor lumi Oder. Stalini u kënaq nga kjo. Ditën e nesërme, pas seancave të konferencës së paradites dhe së pasdites, është radha e Çërçillit të shtronte gostinë e darkës që përkon edhe me ditëlindjen e gjashtëdhjetë e nëntë të tij. Dollitë nuk reshtin. Një moment, Çërçilli çohet në këmbë dhe me gotën në dorën e ngritur thotë: “Le të pimë për masat proletare”. Stalini ngre gotën e tij e me qesëndi thotë: “E pi këtë për partinë konservatore”. Çërçilli i përgjigjet: “Anglia po bëhet gjithnjë dhe më e kuqe”. “Është shenjë e shëndetit të mirë”, – ia kthen Stalini.

Në përfundim, Konferenca e Teheranit kishte bërë të mundur realizimin e synimeve sovjetike, që synonin zbarkimin e aleatëve në bregdetin perëndimor francez dhe shtrirjen e kufirit perëndimor të Bashkimit Sovjetik. Çërçilli fluturon për në Kajro ku bën disa takime në lidhje me ndihmat ndaj partizanëve në Jugosllavi, Shqipëri dhe Greqi. Pas një qëndrimi të shkurtër, fluturon përsëri për tetë orë e gjysmë drejt Tunizisë, ku ulen në aeroportin e gabuar. Zbret nga avioni dhe pret në pistë, ulur mbi valixhen e tij, në erën e ftohtë të mëngjesit. Sëmuret rëndë me bronkopneumoni që e detyron të rrijë në krevat, por edhe këtu nuk resht së diktuari urdhra dhe telegrame. Gjithë preokupimi është për ofensivën më të madhe të luftës, e cila do të realizohet me një zbarkim aleat përtej La Manshit. Kishte filluar të ndihej i lodhur dhe të mos kishte më energjinë e mëparshme, megjithatë nuk i mungonte optimizmi dhe siguria në fitore, por e trembte vdekja. “Dhe nëse vdes”, – thoshte, “lufta është e fituar”. Bazuar në deshifrimet e kodit nazist, dinte me hollësi shpërndarjen e trupave gjermane gjatë bregdetit francez dhe ishte i sigurt se gjermanët, as që e mendonin se zbarkimi i mundshëm aleat, do të ndodhte në Normandi. Një natë përpara kësaj ngjarjeje, më 5 qershor 1944, duke ngrënë darkë me bashkëshorten Klementina, ai i thotë: “A e ke idenë se nesër në mëngjes, kur të zgjohesh, mund të kenë vdekur njëzet mijë njerëz?”.

Mëngjesit e 6 qershorit 1944, trupat aleate nisën të zbarkonin në Normandi duke mos ndeshur rezistencë. Ndërsa forcat aleate do të përparonin me shpejtësi në territorin francez, në Londër mbërrijnë lajme për kampet naziste të përqendrimit, që deri atëherë diheshin për kampe pune, për dhomat e gazit dhe shfarosjen e hebrenjve. “Nuk ka dyshim që bëhet fjalë për krimin me përmasa më të mëdha dhe më mostruoz që historia e njerëzimit ka njohur dhe që është kryer në mënyrën më shkencore, nga njerëz që e quajnë veten të civilizuar, në emër të një shteti të fuqishëm dhe prej një nga kombeve më të mëdhenj të Europës… Ata duhen dënuar me vdekje, pasi të jetë provuar përgjegjësia në këto masakra”, – janë fjalët e Çërçillit në radio.

Sakaq, Ushtria e Kuqe po përparonte gjithnjë e më shumë në perëndim dhe situata politike e të nesërmes së vendeve europiane që po çliroheshin prej nazizmit e preokupton Çërçillin, nga një imponim komunist të qeverive të tyre, prej forcave sovjetike. Për këtë qëllim, ndërmerr një udhëtim të dytë për në Moskë, ku më 9 tetor 1944, mbërrin dhe takohet me Stalinin. I shpreh idenë e tij se ndërsa, Rumaninë e konsideron një çështje të rusëve këta duhet që Greqinë ta konsiderojnë një çështje të britanikëve, ku 90% e influencës do të ishte ruse e 10% britanike, në Greqi e kundërta, 90% angleze dhe 10% ruse, ndërsa në Hungari dhe Jugosllavi do të ishte 50% për të dyja e në Bullgari 75% për Rusinë e 25% për anglezët. Disa ditë më pas do të kujtohej se kishte harruar Shqipërinë dhe kontaktoi sërish duke e ndarë influencën në 50% për të dyja palët. Rusët insistuan, që në Hungari të jetë 80 përqindja ruse dhe ai pranon. Çërçilli nuk ka diskutuar për këto ndarje me amerikanët e nuk do të përdorë shprehjen “zona influence“, që do t’i skandalizonte ata, por do t’i vendosë para faktit të kryer, duke ua paraqitur si një marrëveshje, për të cilën rusët kishin rënë dakord. Vetë Çërçilli do ta quante propozimin e tij “një dokument të paturp”, ku ishin shprehur në mënyrë cinike interesat dhe fatet e popujve në përqindje. Stalini, kur lexoi listën me shifrat, mori një laps blu, shënoi një shenjë të madhe që ishte dakord dhe i thotë: “A mund të duket tepër cinike që janë zgjidhur probleme kaq thelbësore për miliona njerëz në mënyrë kaq të shpejtë?”. “Ta djegim letrën”, – tha Çërçilli. “Jo. Ruajeni”, – ishte përgjigjja e Stalinit.

A ishte cinike nga ana e Çërçillit? Pse duhet të bënte një veprim, të cilin do ta konsiderojë vet ai “të paturp”? A është në të vërtetë një paturpësi? Sa mund t’ia errësojë lavdinë e tij, kjo ndarje e Europës në tavolinë? Nëse në vendet e influencës britanike, mund të kishte garanci për të ngritur regjime demokratike, a nuk e dinte Çërçilli se vendet e tjera po humbisnin edhe për faj të tij, shpresën për demokraci? Gjysma e Europës do të dilte e shkatërruar nga egërsia e nazistëve dhe nga lufta, për t’iu nënshtruar një regjimi po aq të egër dhe të dhunshëm duke lënë sistemin demokratik, një ëndërr për ta. Kombet e vjetra europiane duke iu gëzuar lirisë që më së fundi, pas shumë vitesh përgjakjesh, nuk e dinin se do të humbisnin mundësinë për të qeverisur veten e tyre, se liria për ta do të mbetej po aq një ëndërr, por më e pashpresë, se ajo për të rrëzuar nazizmin, sepse vetë ata që ishin çlirimtarët e tyre, po “zyrtarizonin” shtypjen e re që po i priste. A ishte Çërçilli ideatori i fatit të popujve europianë? Cila e drejtë botërore apo hyjnore i jepte fuqinë për të marrë vendime për këtë? Pse preferon ta diskutojë me Stalinin fillimisht dhe jo me amerikanët? A nuk ishte Stalini, sipas vetë fjalëve të Çërçillit, opresori i popullit rus dhe pse tani dilte si bamirësi i një pjese të Europës? Natyrisht, amerikanët, larg ideve perandorake që kombet e mëdhenj europianë e kanë tashmë instiktive, nuk do të pranonin këtë lloj cinizmi politik, prej të cilit do ta pësonin dhjetëra miliona njerëz. Po çështja polake?

Çërçilli dhe Stalini për të diskutuar mbi çështje të pasluftës me amerikanët, ranë dakord që të organizonin një tjetër takim të nivelit të lartë, në Jaltë, në bregdetin rus të Detit të Zi, në shkurt të vitit 1945. Çërçilli mbërrin atje në datën 4 shkurt e atë mbrëmje duke ecur në rrugicat e Pallatit Livadia, dikur i car Nikolës II, ku do të mbahej konferenca, mendon: “Kishim botën nën këmbët tona. Njëzet e pesë milionë ushtarë marshonin nën urdhrat tanë, në tokë dhe në det. Dukej sikur ishim miq”. Të tre do të takoheshin sërish disa muaj më pas, kur Berlini të kishte rënë dhe shefi i shtabit të përgjithshëm gjerman, koloneli Jodl, kishte firmosur kapitullimin pa kushte, më 6 maj 1945, në shtabin e Aizenauerit, në Reims. Në atë moment, Çërçilli po flinte dhe stafi i tij mendoi mos ta zgjonte, por t’ia komunikonte lajmin të nesërmen në mëngjes. “Për pesë vjet më keni sjellë vetëm lajme të këqija, njëra më e keqe se tjetra. Sot e gjetët mos ta bënit”, – ishte reagimi i tij.

Takimi i tre të mëdhenjve, tashmë fitimtarë të luftës do të bëhej në Postdam, afër Berlinit, më 15 korrik 1944. Presidenti Ruzvelt kishte vdekur dhe në vend të tij ishte presidenti ri i Shteteve të Bashkuara, Heri Trjuman. Çërçilli, pasi u çlodh për dy orë në Berlin, shkon të vizitojë rrënojat e bombardimeve të avionëve të tij, veçanërisht ato çfarë kishin mbetur nga ndërtesa, që pak kohë më parë kishte qenë Kancelaria e Rajhut të III gjerman. Të nesërmen, teksa po hante drekë me Trjumanin, këtij i mbërrin një telegram, të cilin ia jep ta lexojë edhe kryeministrit anglez. “Fëmijët kanë lindur pa probleme”, – shkruhej në të dhe për habinë e Çërçillit, i cili nuk pati idenë më të vogël se cila ishte domethënia, ministri amerikan i Luftës Stimson, i shpjegon: “Do të thotë që eksperimenti në shkretëtirën amerikane ia ka dalë. Bomba atomike është një realitet”. Me Stalinin do të lindë një debat mbi Poloninë, ku rusët e kishin shtyrë akoma më në perëndim kufirin polak, duke zaptuar kështu territore të konsiderueshme me popullsi gjermane si dhe mosmarrëveshje mbi qeverinë polake në emigrim, e strehuar në Londër, qysh prej fillimit të konfliktit botëror. Rusët, kishin ngritur një qeveri të re komuniste në Poloni dhe nuk donin të njihnin legjitimitetin e asaj të mëparshëm. Çërçilli insiston me ngulm që Polonia, vendi për lirinë dhe demokracinë e të cilit, Britania e Madhe kishte hyrë në luftë, të zhvillonte zgjedhje të lira, të bazuara në pluralizmin politik. Stalini i përgjigjet se, patjetër do të kishte zgjedhje të lira dhe pluraliste jo vetëm në Poloni, por edhe në vendet e tjera që ishin çliruar nga Ushtria e Kuqe. “Jam kundër sovjetizimit të secilit prej këtyre vendeve”, – u shpreh Stalini dhe në një moment i thotë Çërçillit se kishte nisur edhe ai të pinte puro. “Kujdes, se nëse një fotografi e liderit sovjetik me puro do të merrte dhenë, do të shkaktonte tronditje të rëndë te proletariati”, – ia ktheu Çërçilli.

Në momentin që gjithë bota i ka sytë nga Konferenca e Postdamit, ku përcaktohej e ardhmja e një pjese të madhe të globit, në Britaninë e Madhe zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare. Çërçilli fluturon për në Londër dhe konferenca ndërpritet për të rifilluar punimet sërish pas rikthimit të tij në Berlin. Në Londër, përplasjet kishin nisur midis deputetëve të partive politike në qeveri, të cilët me përfundimin e luftës, kërkonin zgjedhje të reja parlamentare dhe përfundimin e mandatit të qeverisë kombëtare. Para se të rikthehej në Postdam, Çërçilli kishte paraqitur dorëheqjen te mbreti, por ky kishte insistuar që ta ngarkonte sërish Çërçillin, në krye të një qeverie provizore, deri në momentin e zgjedhjeve elektorale. Çërçilli pranoi dhe formoi një qeveri vetëm me konservatorët. Gjatë fushatës elektorale, do të fliste në radio kundër laburistëve, të cilët “do të përfundonin të vepronin si Gestapoja… dhe kjo do të bënte që të heshtnin opinionet e palindura akoma, do të eleminonte kritikat sapo të shfaqeshin dhe përqendronte pushtetin e tërë, në duart e një partie dhe të drejtuesve të saj”.

Në orën dhjetë të mëngjesit, të 26 korrik 1945, kapiteni Pajm i shqetësuar për humbjen e disa zonave konservatore, nxitoi të takonte Çërçillin në rezidencën e tij. “Kryeministri ishte në banjë dhe u duk i habitur, për të mos thënë i tronditur. Më kërkoi t’i jepja një peshqir e pas pak minutash me kostumin blu që kishte veshur dhe puron në gojë, u ul në kolltukun e dhomës së hartave, ku ndenji palëvizur tërë ditën”, – shkruan kapiteni në kujtimet e tij. Djali i tij Randolf dhe dhëndri Sendis ishin midis kandidatëve konservatorë që kishin humbur në zonat e tyre. Konservatorët e Çërçillit kishin humbur si asnjëherë tjetër, mbi treqind e pesëdhjetë vende në parlamentin britanik dhe për herë të parë në historinë angleze, laburistët do të kishin më shumë vota se konservatorët në parlament. Kur një nga asistentët e tij u shpreh për “mosmirënjohje të popullit anglez”, Çërçilli iu kthye: “Nuk do ta quaja kështu. Kanë jetuar një periudhë shumë të vështirë”. Ai mund të kthehej në Postdam për të vazhduar punimet e konferencës si kryeministër derisa të formohej qeveria e re, por refuzoi ta bënte këtë. Në fazën e fundit të Konferencës së Postdamit, Britania e Madhe do të përfaqësohej nga Atlli, kryeministri i ri laburist.

Pse Uinston Çërçilli humbi zgjedhjet? Pse britanikët nuk e votuan njeriun që ndikoi në fatet e luftës dhe në zhdukjen e nazizmit dhe fashizmit? A i takonte tashmë që lufta kishte përfunduar, më shumë se kurrë më parë, të ishte kryeministri i anglezëve? Por ata nuk e deshën duke i dhënë fitoren një partie të re që nuk i dihej ende aftësia qeverisëse. Ishte një ndëshkim që vështirë se politikisht mund t’i gjendej shpjegimi. Në të vërtetë, gjithë lufta e britanikëve mbarte një paradoks të madh dhe kyçi i këtij paradoksi ishte Polonia. Ky vend, për të cilin Britania e Madhe, e shtyrë nga traktatet e aleancës reciproke që kishte stipuluar me Poloninë, gjendej tashmë nën një shtypje të re, atë komuniste ruse, ndaj të cilit opinioni publik anglez ishte tradicionalisht kundër. Për kufijtë polakë kishin luftuar dhe vrarë dhjetëra mijëra britanikë, e që tashmë kufijtë kishin ndryshuar tërësisht duke iu gllabëruar territore nga rusët, a nuk ishin përsëri atje ku u nisën? A mos vallë anglezët u vranë, u përgjakën, u  bombarduan si asnjëherë në historinë e tyre, për t’ia bërë dhuratë Poloninë, Stalinit? Zhdukja e një ideologjie, përsa absurde të jetë a e justifikonte zëvendësimin me një tjetër ideologji po aq absurde?

I gjendur i papunë, Çërçilli udhëton për në Itali ku kalon kohën mes shkrimeve dhe pikturës. Do ndalet në liqenin e Komos, më pas në Xhenova, pastaj do të shkojë në jugun e Francës e më pas në Shtetet e Bashkuara, si mysafir i presidentit Trjuman. Në krah ka si përherë, bashkëshorten Klementina. Ia kishte prezantuar e ëma e tij, në fillim të shekullit dhe nuk do ta harronte kurrë atë moment të largët, të verës së vitit 1908, kur do të merrte një hap të rëndësishëm në jetën e vet.  Kishte kohë që mbante një letërkëmbim me vajzën dhe midis shumë rrëfimeve që i shkruante, Uinstoni nuk do të nguronte t’i fliste “për ata sy tuaj të çuditshëm e misteriozë, të cilëve shumë doja t’ua kuptoj sekretin”, ose kur i tregon për dasmën e  të vëllait Xhek: “Dëshiroj shumë t’ju tregoj atë vend të magjishëm, në kopshtet e tij do të gjejmë shumë cepa për të folur për shumë gjëra, që mund të diskutojmë. Përsa u përket femrave, jam shumë i ngathët dhe prej natyre i mbyllur dhe i rezervuar. Në këtë mënyrë, kam arritur që të pushtoj vetminë”. Klementina iu përgjigj ftesës së Uinstonit dhe shkon për ta takuar, por ky nuk po gjente kurajon për ta kërkuar për grua. Do të kalonin dy ditë pa e ndërmarrë këtë hap, kur kushëriri i tij Sani, Duka i Marlborou, e zgjoi me forcë nga krevati duke e nxitur, që mos të linte t’i humbiste rasti, ndoshta njëherë e përgjithmonë. Çërçilli ishte bindur dhe  e kishte ftuar mysafiren, që të bënin disa hapa bashkë në kopsht. Kishte nisur të binte shi dhe kishin nxituar të vraponin për t’u futur poshtë tempullit të Dianës, i cili ndodhej në kopsht. Dhe aty, i lagur nga shiu, Uinstoni mori kurajo dhe pasi e kapi nga të dyja duart, i tha të bëhej gruaja e tij. Klementina pranoi. Vendosën që ta mbanin të fshehtë lidhjen e tyre, derisa Uinstoni t’i shkruante të ëmës së saj, për ta vënë në dijeni të vendimit të përbashkët të tyre. “Nuk jam as i pasur as i stabilizuar, por vajza juaj më dashuron dhe kjo më jep forcën për të marrë tërë atë përgjegjësi të madhe dhe të shenjtë. Mendoj se mund ta bëj të lumtur dhe të mund t’i jap një pozicion dhe një karrierë, të denjë për bukurinë e saj dhe virtytet e saj”, – shkruan ai në letrën e tij. Çërçill dhe Klementina ranë në ujdi të mos qëndronin gjatë të fejuar dhe që martesën ta bënin në muajin shtator. Një periudhë kjo, që Klementina pati hezitimet e saj, sepse kuptoi, apo “njohu rivalen e vetme dhe të vërtetë të dashurisë së saj që do ta shoqëronte gjatë pesëdhjetë e shtatë viteve të martesës, dhe për këtë nguroi”, – shkruan e bija e tyre, Meri. Rivalja në këtë rast, ishte politika, që do të përpinte pandërprerë gjithë energjitë dhe interesin e Uinstonit. Klementina do të merrte një letër nga i vëllai i saj, ku i shkruante se “kishte prishur deri në atë moment, dy fejesa dhe nuk ishte rasti, për të dhënë një shfaqje tjetër të vetes dhe të ofendonte një personazh publik si Çërçilli”. Këto fjalë bashkë me insistimin e Uinstonit duke i dhënë siguri për jetën dhe për të ardhmen, e detyruan Klementinën t’i jepte fund pavendosmërisë së saj dhe të pranonte propozimin. Martesa u bë në datën 12 shtator të vitit 1908, në kishën e parlamentit. Uinstoni ishte tridhjetë e tre vjeç, Klementina dhjetë më pak se ai. Deputetët mungonin në ceremoni, sepse ishte periudhë pushimesh dhe shumë ishin larguar nga Londra. “Çfarë shpëtimi që ceremonia mbaroi! E kaq lumturisht!”, – i shkruan Uinstoni të ëmës. “Shkoi gjithçka shumë mirë në të gjitha aspektet e Klementina është shumë e lumtur dhe shkëlqyese. Koha është e nxirë dhe pak del dielli, por mezi presim diellin e ngrohtë të Italisë”. Çifti do të shkojë për muaj mjalti në Itali, ku do të qëndrojnë në Liqenin e Madh dhe më pas do të shkojnë në Venecia.

Kishin patur një jetë të lumtur edhe pse impenjimet e Çërçillit, do ta bënin që shumë shpesh gjatë jetës të mos ishte prezent, por do t’i shkruante gjithmonë letra të gjata e të hollësishme Klementinës, si të ishte këshilltari më i mirë i tij. Kishin tashmë katër fëmijë të rritur dhe të lidhur shumë me prindërit: Randolfi, Sara, Diana dhe Meri.  Përgatitja e kujtimeve të luftës do t’i merrte shumë kohë Çërçillit dhe do të ligjëronte nëpër universitete të shumta, në Amerikë dhe në Europë. Kështu do të kalonin disa vite, por ai ishte mësuar gjatë jetës së tij të kalonte periudha disa vjeçare si i papunë, derisa në tetorin e vitit 1951, gjashtë vjet pasi kishte qenë kryeministër, do të  thirrej në Buckingham Palace, ku mbreti Xhorxhi VI i kërkon të krijojë një qeveri të re konservatore. Një realitet i ri politik ishte në Europë, por edhe në botë shumë gjëra kishin ndryshuar, qysh kur ai ishte në qeveri për herë të fundit. Lufta e Ftohtë kishte nisur dhe një garë armatimesh bërthamore dhe hapësinore ishte në kulmin e saj. Bota dukej sikur ishte sërish në pragun e një lufte të re botërore, shumë më shkatërrimtare se të parat. Katër ditë pas emërimit, Çërçilli deklaron në parlament se ai dhe ministri i Jashtëm Eden, ishin të idesë se “duhej bërë një sforcim suprem për të shuar divergjencat midis dy botëve, me qëllim që secili prej nesh mund ta jetojë jetën e tij, nëse jo në miqësi, të paktën pa frikë, pa urrejtje dhe pa konsumimin e tmerrshëm të luftës së ftohtë”.

Njeriu, simbol i luftërave ishte kthyer në një persekutor të paqes. Në nëntor të vitit 1952, ish komandanti i trupave amerikane në Europë gjatë konfliktit botëror, Aizenauer zgjidhet presidenti i ri amerikan dhe Çërçilli pak ditë më pas, për këtë fakt do të shprehet në konfidencë: “Ndihem shumë i shqetësuar. Mendoj që kjo zgjedhje e bën shumë më të mundshme luftën”. Tani ai ndjente një detyrë personale me një objektiv të ri. Misioni i tij ishte të arrinte, duke shfrytëzuar autoritetin e kryeministrit, në një negocim midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Më 9 mars 1953, radio Moska jep lajmin e vdekjes së Stalinit. Çërçilli, i cili sheh një shpresë tashmë në marrëdhëniet me sovjetikët, dërgon një mesazh ngushëllimi dhe shpreh dëshirën për të nisur një dialog me pasuesin e tij, Hrushovin.

Tek ishte në rezidencën e tij në Downing Street, gjatë një darke të shtruar për kryeministrin italian De Gasperi, kur e ndjeu veten keq dhe mezi arriti të ulej në kolltuk. E bija, Meri vjen dhe e gjen me një shprehje të keqe fytyre dhe që fliste gjëra pakuptim. Mëngjesin e nesërm, mjekra i varej dhe krahu i majtë, thuajse ishte bllokuar krejtësisht. Kishte mbetur gjysmë i paralizuar, por do të insistonte të shkonte në mbledhjen e qeverisë. E rimerr veten dhe do të grumbullojë energjitë të fluturojë për në Uashington më 24 qershor 1953, për t’u takuar me presidentin amerikan. Qëllimi i takimit ishte t’i bindte amerikanët që duhet të kooperonin në mënyrë më frytdhënëse në fushën e bombës atomike dhe asaj me hidrogjen e që së bashku, duhet të nisnin një bashkëbisedim në nivele të larta me sovjetikët, në tentativë për të eleminuar rrezikun e shpërthimit të një konflikti, për të kufizuar efektet e Luftës së Ftohtë si dhe për të nisur një dhjetëvjeçar “çtensionimi” politik e ushtarak, gjatë të cilit “mund të përdornin pasuritë e sukseset e tyre shkencore për qëllime më fitimprurëse, sesa prodhimi i armëve katastrofike”. Aizenhaueri ishte dakord me propozimin e Çërçillit dhe pranoi edhe idenë e një takimi të nivelit të lartë me rusët. Por ky propozim do të kundërshtohej për momentin nga parlamenti britanik. Në vitin 1901, Çërçilli do të fliste në parlamentin anglez për ndryshimin drastik e dramatik të natyrës së luftës; pesëdhjetë e katër vjet më pas do të flasë po në të njëjtin parlament, në 1955,  për ndryshimin drastik dhe dramatik të natyrës së luftës. I njëjti fenomen e arsye të ndryshme. Ishte prodhuar bomba me hidrogjen, e cila “me rrezen e saj të pamasë të shkatërrimit dhe me zonën akoma dhe më të gjerë të veprimit, do të ishte efikase edhe për ato vende, popullsia e së cilës ishte e shpërndarë në hapësira shumë të mëdha. Liderët e dy fronteve e dinë mirë  këtë, ndaj një sistem çarmatimi i ekulibruar në disa faza, është i domosdosdoshëm”, – do të deklaronte Çërçilli me ton kërcënues, për t’i vënë fre Luftës së Ftohtë.

Në vitin 1953, Çërçillit i është dhënë çmimi Nobel për letërsinë, për punimin në pesë vëllime të historisë së Luftës së Parë Botërore dhe kishte gati në botim gjashtë vëllime të historisë së Luftës së Dytë Botërore. Uinston Çërçill drejtoi qeverinë deri në prill të vitit 1955, kur edhe i shtyrë nga kundërshtimet politike të shumta, në moshën tetëdhjetë vjeçare, shkoi te mbretëresha Elizabet, për të dhënë dorëheqjen si kryeministër. Ishte i vetmi deputet i parlamentit anglez, qysh nga epoka viktoriane. Mandati i tij i parë parlamentar i takonte vitit 1900.

Ishte i stërvitur tashmë për të kaluar kohën e lirë në vitet e shumta që me dhimbje ishte larguar nga pushteti. Do të merrej me librat e tij, me sistemimin e kujtimeve si dhe me pikturën, të cilën e konsideronte një “mikeshë që nuk kërkesa të tepërta”. Nis të udhëtojë sërish e falë miqësisë me miliarderin grek Aristotel Onasis do të kalojë shumë kohë duke lundruar shpesh me jahtin e tij “Kristina”, duke u bërë një mysafir i përhershëm i miliarderit. Shpesh, ndërsa ndodhet në jaht në detin Mesdhe, sjell ndërmend jetën e tij të çuditshme e do t’u tregojë miqve të tij, sesi një artikull i revistës “Vanity Fair”, në të largëtin vit 1900, do të shkruante për të: “Di të shkruajë dhe di të luftojë. Aspiron politikën qysh fëmijë dhe ka mundësi që gjithë përpjekjet e tij publicistike dhe ushtarake, bëhen me një sy nga politika”. Nuk e kishin patur gabim. Kishte kaluar në jetën e tij të gjitha luftërat e mundshme: luftërat koloniale të mbretëreshës Viktoria ku kishte luftuar në Indi, në Egjipt dhe në Afrikën e Jugut; Luftën e Parë Botërore; Luftën e Dytë botërore dhe Luftën e Ftohtë. Në korrik të vitit 1964, kur vitet e jetës së tij do të ishin tetëdhjetë e nëntë, shkon në parlamentin anglez, për herë të fundit.  Vdes në janar të vitit 1965, në moshën nëntëdhjetë vjeçare.

Përfundon këtu një jetë e gjatë dhe e jashtëzakonshme e një njeriu të madh, në marshimin e të cilit pati shumë kundërshti, zhgënjime e hidhërime. Më i madh ai i pasluftës, në vitin 1945, kur në kulmin e sukseseve ndërkombëtare të tij, elektorati anglez e ktheu në shtëpi. Kapiteni Pajm e kujton atë moment: “U bë thuajse i bardhë dhe mendova që do të humbiste ndjenjat. Pastaj, u kthye nga mua e më tha: “Kanë gjithë të drejtën të votojnë për kë të duan. Kjo është demokracia. Për këtë kemi luftuar”.

 

Share This: