Përballë Margaritës

ALDA BARDHYLI

“Ti nuk mund të përballesh me këtë znj. Bowles. Kthehu te tenxheret e
tiganët dhe përpiqu të përballesh.” Një neurolog britanik do t’i thoshte
këto fjalë shkrimtares Jane Bowles, kur ajo shkoi të kërkonte ndihmë për
varësinë që kishte nisur të kishte nga alkooli. Ky përçmim i thellë për gratë, kjo paaftësi për të kuptuar talentet dhe jetët e tyre të brendshme, ishte tipike në kohën kur Bowles jetoi. Skenarë të ngjashëm mund të gjenden në jetët e thuajse çdo shkrimtareje grua të shekullit XX. “Shtëpia! Unë e urrej shtëpinë. Më pëlqejnë vendet publike. Shtëpia më thyen zemrën.” Kjo shprehje e famshme marrë prej një prej librave të Bowles shpjegon më së miri kontekstin në të cilin jetonin femrat në kohën kur Bowles shkruante. Ashtu si në të gjitha fushat e jetës, edhe në letërsi është ndier gjinia. Seksi nuk ndihet vetëm tek emri në kapakun e një libri, që është shkruar nga një grua, por dhe në historinë që mbart brenda. Duke nisur nga historitë e bukura të dashurisë, shkruar nga autoret femra apo librat me subjekte politike a sociale, femrat kanë nxjerrë gjithnjë në pah mbështetjen ndaj të dobëtëve, që në këto raste
ka qenë seksi i tyre. “Kur shkruaj jam gjithnjë në anën e të dobëtëve”, thotë një nobeliste si Elfrife Jelinek, duke shtuar se ky është qëllimi i letërsisë. Ato kanë treguar sesi varfëria, patriarkalizmi, muret sociale ua kanë lidhur duart grave duke ia kufizuar mundësitë. Feminizmi nuk ka mundur të shmanget në letërsinë e autoreve femra dhe kjo ndodh edhe tani në shekullin XXI, kur gratë duket se kanë fituar “luftën e të qenët të barabartë me burrat”. Tashmë një neurolog britanik a shqiptar nuk u tregon tenxheret apo tiganin kur ato kërkojnë të shërohen nga varësia prej alkoolit. Janë shkruar dhjetëra libra mbi problemet e grave në letërsi, nga vetë femrat. Nuk ka ndonjë libër mbi problemet e burrave në letërsi. Rasti i letërsisë shqipe gjatë kohës së komunizmit është shembulli më i mirë sesi talentet femërore humbën në aromën e erëzave në kuzhinë. Në librin e tij të fundit në esenë “Gratë e vogla të letërsisë shqipe”, shkrimtari Ismail Kadare e tregon më së miri këtë. Në
botën e egër të burrave, gratë u thyen që në kritikat e para ndaj shkrimeve të tyre. Shekulli XXI, me të gjitha problemet që femrat kanë në Lindjen e Mesme, duket se ka shmangur konceptin e feminizmit në letërsi, për ta lënë këtë të fundit ashtu siç është, thjesht letërsi. Historinë e femrave në letërsi e kam njohur në rrugëtimin tim drejt eksplorimit të kësaj bote kaq të bukur që më ka hyrë herët në lëkurë. Por, letërsinë më pëlqen ta shoh si një formë estetike pa gjini. Kjo është sfida jo vetëm letrare, por dhe historike e një civilizimi, i cili kërkon t’i shohë individët si qenie dhe jo si sekse. Lufta e sekseve duhet shndërruar në një luftë idesh për përmirësimin e çështjeve në interes të njerëzimit dhe letërsia të vazhdojë të jetë fryma e cila na mbush për t’u bërë më të mirë. Shumë gjëra kanë ndryshuar nga vitet ‘70, ku femrat ishin të lira vetëm në shtëpi. Tashmë shtëpia e tyre është po aq e madhe sa dhe bota që ato dëshirojnë dhe mund të marrë ngjyrat që ato duan t’i japin.
Le të krijojnë personazhe femra që nuk u ngjasojnë grave që presin pa fund ardhjen e një burri në librat që vetë burrat krijuan, duke i shndërruar në figura të reja letrare. Po përpiqesha të kujtoja një personazh femër, në librat e lexuar në letërsinë shqipe ndër vite. Një personazh që do të kishte mbetur tek unë, ashtu siç mbesin silueta personazhesh që vijnë nga letërsia botërore. Ato kalonin para meje ashtu rrëmbimthi, në daljet sporadike për të shtruar drekën në tryezë, për t’u futur në atë dhomën e vogël, ku burrat nuk harronin t’i fusnin dhe në letërsi. Ato nuk mund t’u shpëtonin atyre dhe në letra, ato nuk mund të vizatoheshin ndryshe nga sa imagjinata e tyre mund të shkonte për to. Nuk e gjeta një grua të lumtur, një grua që do të doja t’i merrja ca pasazhe nga jeta e saj, për të ndryshuar timen. Por m’u kujtua fytyra e një gruaje që Kadareja e kujtonte përpara ndërtesës moderne, mbi qelqet e së cilës pasqyrohej katedralja e Amiensit. Ajo ishte Margarita, gruaja që jetonte bashkë me nënën në një apartament përballë ish-Lidhjes së Shkrimtarëve. Po Margarita është një personazh, ku letërsia shqipe mund të shikojë si në pasqyrë ndërgjegjen e saj …

Share This: