Çfarë është poezia?

Isuf Luzaj

A ekziston një art që quhet poezi?
Në se ekziston ky art, përse shërben?
Poezia është shpikja e parë, pas shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha. Ajo, në fillim qe shprehja e dhembjes shpirtërore, kur qau për vdekjen e ç’do të dashuri: ati, nëna, djali, bija, motra, vëllai, burri, i fejuari e kështu tutje.
Në agim të njerëzimit
Poezia lindi si këngë vajtimi; më vonë këngë gëzimi, pastaj këngë admirimi i ç’do bukurie; natyra, kafsha dhe femra. Kur lindën dhe u zhvilluan njerëzit e një qytetërimi që njohim, poezia zuri vendin e parë në shprehjen e shpirtit me emër Besë. Ajo fillon që me Konfuzin, Budën, Krishtin, Muhamedin e të tjerë, për të afruar njeriun me Perëndinë.
Shumica e lëndës së të katër Ungjijve dhe tërësia e Kuranit, janë poezi.
Më vonë në Mesjetën Judeo – Kristiane dhe shkëlqimet e sajë me poetët viganë që kemi përmendur më lartë.
Rilindja italiane e ngriti poezinë në kulmin e skeletit të shpirtit, sa që u bë gjuha e shenjtë e Poetëve.
Sa më shumë përparoi poezia, aq më shumë filloi t’i largohej mendimit shkencor sa që sot do të ish qesharake të gjejmë poezinë në shkencat moderne.
Kalkuli, Diferenciali, Integrali dhe kompjuteri, u ngritën armiq të poezisë. Mirëpo, sa më shumë u zgjua lumi i konfliktit në mes të shkencës e të arteve, aq më shumë mori fuqi poezia për jetën shpirtërore që shkencat kërkojnë ta sakrifikojnë.
Poezia e bëri ç’do të vërtetë shkencore më të bukur e më të dëshirueshme nga ç’do ndërgjegje e hollë. E vërteta që shpreh poeti, është më e dashuruar se po ajo e vërtetë që shpreh shkencëtari si laboratori farmakologjik, mikroskopi dhe teleskopi i universit. Poeti i jep njerëzimit, cilësitë e eksperiencës në lartësinë e ndërgjegjes së ndritur. Të shohë njeriu që di të shohë, një trup femre, mbi një tryezë të DISEKACIONIT, ku e ndarë në copa, studiohet: stomatologjia, anatomia, biologjia e femrës me funksionet e mrekullueshëm, që kur konceptohet Qenia si xhin – embrion d.n.a = Dioxido Nitro Riboflavin Acid, shkëndija e parë e jetës organike, kimikisht, kjo panoramë e brendësirës së nënës është poezia më e lartë që shkenca ja dhuron artit divin. Poezia meriton këtë emër kur ajo na rrënqeth, na ngre në sfera të larta të ndjenjës duke na bërë për vete, saqë kur e mbarojmë s’të lexuari, na duket sikur zgjohem nga një ëndërr ekstazë e një pas dreke vere.
Poezia është antiteza e së Vërtetës, e cila nuk ka simpati me fantazmat; poezia është ajka e shijimeve ashtu si Pasioni është ajka e ndjenjës morale dhe e Vërteta me intelektin; e vërteta dhe pasioni janë janë shumë rrallë të arritshme në prozë.

Në qoftë se ata janë të ndërhyrë në poezi është sepse ata do të shërbejnë si shkëlqim dritë – dhënës ose ndihmë efektit të përgjithshëm siç bën dezakordi në muzikë për kontrast. Dikush tha që një poemë, nuk ka nevojë të domosdoshme të jetë i gjithë poezi dhe Croce e pranon që pasioni dhe e vërteta duhet të jetë frytdhënëse kur ndërhyjnë në një POEMË, porse mendimi i tija arrin në konkluzionin që sa më shumë një poet të mundë të harmonizojë hartimet e tija aqë më i mirë do jetë prodhimi i tija.
Sigurisht ky është konkluzioni që mendja moderne e pranoi dhe e vendosi: “Po qe’ një gjë e pastër, na bind e na fisnikëron pra, na e duam atë.”
Kur poeti i mbarsur nga emocioni, nga bukuria nga dashuria, po njëlloj nga dhembja, vetmia, tragjedia, deziluzione të tjera ndjenja, vihet të shkruajë një poemë, qoftë ai poet mistik si Danti, i pasionuar si Lamartini, Miltoni ose Leopardi, ose qoftë materialist si Omar Khajami; i pasionuar si Hafiz Sherarxhiu; sensual si Ibrahim Ibn Hamurrabiu; i dëshpëruar si Jorge Luis Borges;realist si Frostu ose Witmani, cilido nga këta yje të shpirtit fisnik, kur filloi të shkruaj vargun e parë, sigurisht që tha lutjen: “Oh Zot, nëm mundësinë të ngjitem në eksperiencën fetare më të lartë, një bashkim mistik me Unin time.” Si konditë e këtij bashkimi, shpirti duhet të kalojë nëpërmjet një periudhe të errësirës dhe dhembjeje për arritur të krasisë ferrat dhe drizat e qenies lëndore, për t’u ngjitur në sferat qiellore.

Këtë varietet të poezisë së pastër, guxoj ta quaj eliptike ashtu si shumë mendimtarë të shekullit tonë e kanë quajtur metafizike sepse i shpëton sferës së filozofisë. Për lexonjësin e zakonshëm karakteristika e parë e kësaj lloj poezie, nuk është natyra e imagjinacionit porse errësira e sajë; është nevojë urgjente me i shtue asaj; shembullin praktik rrëqethës që ndriçon enigmën.

Poezia e pastër qoftë përfytyronjëse ose eliptike, vjen në qenie si një shprehje e sinqertë e sensibilitetit, prandaj e rrënqeth dhe e magjeps njeriun në një ideal mbi njerëzor. Si shembull më komplet të kësaj lloj poezie do të zgjidhja Leopardin, Jorge Lui Borgesin, dhe më ngopës i dashurive fisnike Hafiz Shirarzhine, në poemat e Kopshtit të Nirvanës të mbretit Shena– Sheribit, ose Trëndafilishta – Gjylistani, I Sheh Sadiut, përkthyer në shqip nga Hafiz Ali Koca. Doktrina e poezisë së pastër d.m.th thjesht poezi, është pa dyshim Teoria e Poezisë. Askush nuk mund të përkufizojë poezinë pa e përdorur konceptin, qoftë i ndërgjegjshëm ose jo, stilisti.
Porse duhet shënuar që poezi e pastër, është si lëndët kimike është imagjinare ose ideale. Ajo i përket lëndës së teorisë. Është aq e pamundur me shkruar një poemë të pastër, vetëm poezi, sa ç’është e pamundur me prodhuar një element të pastër kimik. Pyetja është: si duhet të jetë në të vërtetë, sa i pastër duhet të jetë poema?
Si poetët kur shkruajnë poemat, ashtu dhe kritikët duke kritikuar poemat, nuk duhet të kujdesohen shumë me teorinë. A mund të kërkojmë nga poetët, të jenë të ndryshëm nga ç’janë, porse as mundemi na t’i shtrëngojmë atë të jenë Ata’ vetë = uneja e tyre pa u impresionuar nga ambienti, nënë një tirani tragjike të jenë optimistë, të lumtur?

Poetët mund të jenë të errët, për natyrën e humorit të tyre, po a mund t’u themi atyre: ju falemi nderit megjithëse jeni të errët, porse u lutemi mos jini më të errët? Poezia didaktike shumë herë është shkruar prozaike dhe mërzitëse, po a mund të kërkojmë nga poeti: të jetë më optimist, përpara degjenerimit të vlerave morale?
Konditat e një poezie të pastër duhet të jenë: pasqyrat e një shpirti të pastër që mundohet të shprehë sa më sinqerisht, sa më vërtetësish, sa më ethurisht mendimet – ndjenja të tija që të na bëjë të jetojmë në sferën e tija fisnike.
Po qau poeti duke shkruar poemën, është e mundur të qajë lexuesi i mësuar duke e lexuar poezinë: artin e parë të njeriut, me frymëzim qiellor. Bota është plot me poezi; ajri jeton me shpirtin e sajë: valët e lumit rrëmbejnë ç’do gjë me vrullin e sajë, valët e detit tregojnë perseverancën, fuqinë, qetësinë dhe egërsinë e tyre; shpendët këndojnë me fjalë të tyre bukurinë e natyrës; pëllumbat e Shën Markut puthen me frazën e atijë dhe fluturojnë në çifte dy nga dy për të bërë dashuri në çerdhet e tyre; agimi mbi liqerin e Miçiganit, ose në liqerin e New Hampshirit është poezi; perëndimi i diellit në lulishten e Kalkutës, në Alaskë si dhe në Pashalimanin e Vlorës, është poezi, bukuria e femrës si në natyrë të gjallë, në stanet e Labërisë ose në klasat e shkollave të Amerikës; në metropole si në fshatra të vetmuar; në Kisha, xhami, sinagogë, si dhe në Muzeun e Prados, Eva e Durerit, janë poezi e gjallë që i jepë kripë shijim kësaj jetë që është aq gënjeshtare sa ëndërronjëse aqë absurde.

Share This: