Aromë virgjërie

Nga Bledar Kurti

 

(shkëputur nga romani Dashnorët e Kohëve Moderne: Grimca hije drite nga jeta e një politikani) ONUFRI, 2017.

***

Ai u pa në pasqyrë. Rregulloi papionin, njomi gishtat me ujë, fërkoi barsetat, fshiu duart, kontrolloi zinxhirin e pantallonave dhe doli nga banja. Ajo darkë ishte tejet e rëndësishme për të. Ai kishte shtatë muaj, që punonte aty si kryekamerier dhe u kishte shërbyer personaliteteve më të njohura të vendit, madje edhe presidentit të Republikës. Shquhej si djalë i heshtur, me buzëqeshje të ëmbël, por sytë i tregonin seriozitet dhe prerja e flokëve, ecja, qëndrimi dhe e folura, nuk ia demaskonin prejardhjen e tij prej province. Tirana nuk e kishte pritur me krahë hapur, por kjo sfidë e kishte joshur më shumë, dhe e kishte bërë ta shihte kryeqytetin si një maratonë për të kalitur personalitetin dhe rrugëtimin drejt burrërisë.

Mësimi i parë për të kishte nisur, kur ishte njohur nga afër me ata njerëz të rëndësishëm, që dikur i kishte admiruar vetëm përmes televizionit. Sa më shumë të tillë kishte njohur, aq më mirë kishte kuptuar, që jeta është thjesht sharadë, dhe në të, asgjë, absolutisht asgjë, nuk është ashtu siç duket. Në shtatë muaj ai kishte parë ministra me sjellje horri, deputetë, që fshinin qurrat te pantallonat, ndërkohë që pinin shampanjë borgjezësh, drejtues emisionesh televizive me fjalor banal përpara zonjave, biznesmenë me emër, që zbërthenin pantallonat me minorene poshtë tavolinës, dhe drejtues institucionesh në moshë të re, të lyer kokë e këmbë me parfumin e ri të arrogancës zyrtare.

Ai punonte në restorantin më shik të Tiranës, i dizajnuar plot klas, me pjata porcelani Kurland Blanc Nouveau me diametër 30 cm, shampanjë Mowt & Chandon Dom Perignon, kuzhinier italian, gota kristali Chateu Baccarat, servis Christiane Lemieux Herringbone, karrige Rustic Java Greyson me dru dhe stof vietnamez, mbi të cilat uleshin bythët e kurtizaneve, dhe parfumoheshin me pordhët e provincialëve dhe të paarsimuarve, që politika u kishte dhënë një identitet të ri.

Por ai ishte ndryshe. Ai, që do vinte atë natë, i përkiste një lloji tjetër. Ai, pasardhësi, kryeministri i ardhshëm, i vetmi që do mund ta ndryshonte Shqipërinë, dhe që do shkelte me këpucët e tij lustrafin kokat e palara të gjithë shushunjave, që ia kishin pirë gjakun kombit që përpara se të lindnin, që kur ishin vetëm embrione në mitër.

Ai, i vetmi që ky kamerier i panjohur kishte pritur prej muajsh ta takonte, erdhi i fundit. Të tjerët kishin zënë vendet, kishin mbushur gotat me verë të kuqe. Meshkujt diskutonin mbi rezultatin e ndeshjeve të Champions League, ndërsa zonjat i pëshpëritnin me zë të ulët te veshi njëra-tjetrës, e më pas qeshnin me të madhe. Djaloshi i shihte në këmbë, pak metra larg tavolinës, me vigjilencë, në rast se të ftuarit kërkonin diçka.

Në ballë qëndronte një ministër, në të majtë të tij një senatore italiane në moshë të thyer dhe dy shoqërues të ministrit, në moshë të re, por fjalëpakë dhe me pamje serioze, dhe nga mënyra e tëqëndruarit si në gjemba dukej qartë që preferonin të mos ishin në atë darkë. Në të djathtë gjendej drejtori i përgjithshëm i Policisë, i cili në çdo tri fjalë prekte ministrin te krahu, ndërsa pas çdo tri fjalish fërkonte koqet me duar. Në cep ishte ulur një deputet, të cilin kamerieri vetëm sa e njihte sifytyrë, pa e ditur se cilin qark përfaqësonte. Anash tij ishin dy zotërinj të veshur me kostum, por të pakollarisur. Njëra nga zonjat ishte deputete e Durrësit, ndërsa tri të tjerat drejtuese të emisioneve televizive, të cilat flisnin pa pushim, por gjithsesi me manierë të hijshme dhe femërore.

Kryekamerieri shihte herë pas here orën mbi mur. Ai nuk po vinte. Në ato momente të pritjes nisi dialogun me veten, nëse do t’i fliste atij apo jo dhe, nëse po, çfarë do t’i thoshte? “Zotëri, a t’jua mbush gotën përsëri? A e dini që ju jeni heroi im? A e dini që nuk keni kalibrin për t’u ulur në një tavolinë të tillë ordinerë? A e dini emrin tim zotëri? Unë quhem…! Dhe, zotëri, besoj me të gjithë qenien time se vetëm ju mund ta ndryshoni Shqipërinë”.

“Mos u bëj i marrë, – qortoi veten me mendje, – vetëm njerëzit e vegjël u flasin kamerierëve, vetëm skuthat hyjnë në restorant dhe shohin fytyrat se kush po u shërben, kush është ulur në tavolinën tjetër, çfarë po bëhet jashtë në rrugë, etj. Për fisnikët dhe njerëzit e mëdhenj vogëlsirat nuk ekzistojnë. Ata pluskojnë në hapësirë, kohë dhe imagjinatë. Ata janë aty, ndërkohë, në të gjithë botën njëkohësisht”.

        Teksa ishte përhumbur në mendime, e ktheu vëmendjen në restorant, kur pa që ministri u ngrit në këmbë dhe doli jashtë në verandë për të pirë duhan. Menjëherë pas tij u ngritën edhe dy shoqëruesit dhe drejtori i Policisë. Ai shpejtoi dhe i ndoqi nga pas, duke i pyetur nëse kishin nevojë për ndonjë gjë. Kur ata i dhanë shenjën që nuk u nevojitej gjë, ai u kthye në pozicionin e tij.

        Ndërkohë senatorja italiane nisi bisedën me zonjat, ndërsa deputeti mundohej të fliste ndonjë fjalë italisht. Ai nuk arriti të dëgjonte se çfarë po bisedonin, por dukej qartë që të gjithë buzëqeshnin vetëm për mirësjellje. Ai vazhdonte të shikonte orën dhe kuptoi që kishin kaluar tridhjetë e tri minuta nga ora e caktuar e darkës. Ministri me karvanin e tij u kthye nga veranda dhe, sapo zuri vend, mori një pamje serioze, kur pa që ai, më në fund, erdhi.

Kur ai iu afrua tavolinës, të gjithë pushuan së foluri dhe u ngritën në këmbë. Kamerieri u skuq nga hutesa, megjithatë arrinte të lexonte shprehitë në sytë e të ftuarve dhe servilizmin te lëvizjet trupore. Femrat nisën menjëherë të bënin lajka kurvickash, ndërsa ministri, deputeti dhe shoqëruesit, mundoheshin të merrnin pamje burrërore për të fshehur intimidimin autoritar që ndienin përpara tij. Ai kishte veshur një xhaketë të bardhë kremi dhe papion të zi.

– Më kujtoni Bogart-in te filmi Kasablanka, shef! – komentoi deputetja.

-Po, e vërtetë, fiks, dukeni njësoj si ai, – ndërhyri gazetarja. – Prit, prit, ja, tani po, – dhe këputi një karafil nga lulet e freskëta në mes të tavolinës dhe ia vendosi në xhepin e majtë të jashtëm të xhaketës. – Tani dukeni fiks si Bogart-i. Edhe ai kishte xhaketë të bardhë, papion të zi, dhe një karafil të kuq në xhepin e xhaketës. Faleminderit që na dhuruat një emocion klasik, – e mbylli ajo me një buzëqeshje.

Kamerieri iu afrua dhe e pyeti me zë të ulët nëse dëshironte t’ia mbushte gotën me verë të kuqe. Ai pohoi, pa e kthyer kokën. Teksa vera zbrazej me ngadalë në qelqin e kristaltë, kamerierit nuk i besohej që ishte aq pranë tij, dhe nuk iu besua kur, në mënyrë të pavullnetshme, i pëshpëriti te veshi, “Bogarti nuk kishte karafil të kuq”. Ai vuri buzën në gaz, ktheu sytë dhe tha me zë të butë: “E di! Por, kur femrat flasin, ato kanë gjithmonë të drejtë. Dhe, nuk ia vlen të grindemi tani për një karafil, apo jo?”

Kamerieri vuri buzën në gaz dhe u kthye në pozicionin e tij. Sapo të ftuarit mbaruan dollinë, ai u bëri me shenjë kamerierëve të tjerë dhe ata erdhën menjëherë me menytë në duar. Darka zgjati. Pas ëmbëlsirës, ministri ngriti dorën dhe i kërkoi kamerierit kafe ekspres për të gjithë të ftuarit. Teksa ministri po porosiste kamerierin për alkool më të fortë, ai e ndaloi me pëllëmbën ngritur, mori në telefon shoferin dhe i kërkoi diçka. Pas pak minutash shoferi hyri me një shishe në dorë, të cilën e vuri mbi tavolinë.

– Është Macallan, – i tha ministrit. – Whiskey skocez pesëdhjetëvjeçar. Do të të pëlqejë. Parajsa vetë në çdo hurbë.

Ai vetë ua mbushi gotat të gjithëve në tavolinë dhe, pasi tokën gotat dhe e provuan, pas pasthirrmave të përafërta me ato të orgazmës nga femrat, që nuk ia kishin idenë Whiskey-t, por donin të tregoheshin të civilizuara, ai dhe ministri dolën në verandë dhe ndezën purot.

Kamerieri shikonte me kujdes që të ftuarit, dhe sidomos ai, të kishin gjithçka që u nevojitej. Pas një ore, gjatë së cilës të gjithë kishin dalë në verandë, ai u ngrit dhe u drejtua për nga tualeti. Kamerieri e shoqëroi duke i treguar derën dhe e priti derisa ai doli.

– Për çfarë ke studiuar? – e pyeti ai, kur doli.

– Nuk e kam kryer shkollën e lartë, – u përgjigj kamerieri me ndrojtje, por duke e parë në sy.

– Përse? Ah, mos ma thuaj. Kuptoj. Nuk kishe mundësi ekonomike. Ky është i vetmi shpjegim, sepse zgjuarsia nuk të mungon.

– Ju falënderoj shumë, zotëri.

– Mos më falëndero, – tha ai, dhe u largua. Por, sapo bëri disa hapa, u kthye përsëri. – Të të bëj një pyetje?

– Patjetër, zotëri.

– Të pashë që fotografove me mendje çdo detaj të kësaj darke. Më thuaj pak, çfarë mësove?

– Asgjë, zotëri. Vetëm kam qëndruar i vëmendshëm për të bërë detyrën time.

– Më thuaj, djalosh. Fol lirshëm me mua. Insistoj.

Pas një heshtje të shkurtër ai mori frymë thellë dhe, pa e shkëputur vështrimin përtej xhamave te të ftuarit jashtë në verandë, i tha:

– Po ja, ministri duket njeri konfident, por është shumë i pasigurt me veten dhe pozicionin e tij. Nga dollia e gjatë plot lëvdata ndaj jush, dhe më lejoni t’ju them, që nuk kam dëgjuar në jetë një bythëlëpirje të tillë publike, më falni për fjalorin, zotëri, mendoj që dëshiron ta bëni përsëri ministër, ndoshta në një ministri më prestigjioze. Ai e dëshiron me shpirt, pasi nuk do merrte mundimin të sillte nga Italia atë senatoren plakë, e cila, nga mënyra se si qëndronte pranë tij dhe se si ia prekte dorën poshtë tavolinës, duhet të jetë ose dashnorja e hershme ose sponsorja e tij. Të tjerët rreth tij janë vetëm për dekor. Ai deputeti, të cilin nuk e njoh, është fjalëpakë, por ka ardhur me një qëllim. Jam në dilemë: ose ka ardhur të të japë informacion për diçka ose do të të ofrojë parà për diçka. Ndërsa zonjat… Shumica prej tyre ose janë dashnoret e tua ose po flirtojnë me ju. Ajo bjondja pretendon më shumë sesa vëmendja apo komforti që i jepni. Pretendon të bëhet ministre në qeverinë tuaj, pas zgjedhjeve.

– Bravo, djalosh, – tha ai me buzë në gaz. – Nuk do i shtoj asgjë kësaj që the. Të thashë që je djalë i zgjuar! Por ti e dije këtë, pa ta thënë unë.

– Faleminderit, zotëri.

– Nuk ke të dashur, besoj. Apo jo?

– Jo, – tha ai me gjysmë zëri.

– Por je i dashuruar me dikë.Mos u përgjigj se e di. Fytyra e një të dashuruari është si një roman që lexohet shpejt. Por ajo do një tjetër, jo më të pashëm, por më me pozitë se ti. Histori klasike e të virgjërve. Femrat e nuhasin virgjërinë, miku im, ndaj edhe je zemërthyer. Dëgjo, do bësh dy gjëra për mua sot, ose më mirë të them, do bëj unë dy gjëra për ty, të cilat do të ta ndryshojnë jetën përgjithmonë.

Ai nxori celularin dhe bëri një telefonatë. “Alo, si je miku im? Dëgjo, vëlla, më gjej dy pedagogët më të mirë që ke, njërin për histori të civilizimit dhe tjetrin për psikologji politike. Do vijë një djalë në emrin tim dhe do i caktosh këta dy pedagogët për tri orë leksione në javë secili. Jo në auditor, por në kafe. E theksoj në kafe, se auditorët janë mashtruesit më të mëdhenj të akademisë dhe varrmihësit e talentit. Jo me letra e shënime, por me biseda dhe listë librash për të lexuar, OK miku im? Të përshëndes”.

– Shko e takoje nesër, – i tha ai pasi mbylli telefonin. – Tani, e dyta. Më thuaj, cila nga ato zonjat të pëlqen?

– Si? – pyeti ai i habitur.

– Cila prej atyre të pëlqen? Të thashë fol lirshëm. Pa merak, djalosh.

– Ajo brunia. Deputetja që ju krahasoi me Bogart-in.

OK. Shumë mirë. Më pëlqen zgjedhja jote. Tani shko e vish rrobat e tua e për pesë minuta kthehu dhe ajo do të të marrë me vete diku. Flas unë me pronarin tënd. Ky është fillimi i edukimit tënd, miku im, që tani e tutje femrat nuk do nuhasin më aromë djali tek ti, por aromë burri, dhe i rrëshqiti një Montecristo në xhepin e jelekut.

– A mund t’ju bëj një pyetje, zotëri?

– Po, patjetër.

– A ia vlen?

– A ia vlen çfarë?

– Të jeni ju? Gjithë jetën time kam ëndërruar të jem si ju, të arrij çfarë keni arritur ju. A ia vlen, zotëri? A ia vlen e gjithë kjo? – dhe bëri shenjë me duar për të ilustruar botën.

– Jo, – i tha ai dhe u largua për në verandë.

Kamerieri e ndoqi me sy dhe pa që ai i pëshpëriti diçka në veshi brunetës. Ajo u skuq paksa, pastaj vuri buzën në gaz për hir të të ftuarve të tjerë.

Kamerieri shkoi dhe ndërroi rrobat. Kur u kthye, ai nuk ishte më. Ishte larguar, por shishen e Macallan e kishte lënë në tavolinën e atyre, që tashmë po pinin në heshtje.

Shoferi i deputetes iu afrua dhe i kërkoi ta ndiqte për te makina.

 

Share This: