Të takosh Sarën

Alda Bardhyli

 

Kur Ahmet Zogu e pa për herë të parë Sara Blloshmin e ndjeu se ky nuk mund të ishte thjesht një takim. Teksa ajo lëvizte lehtë, me trupin e saj elegant nën një fustan mbrëmjeve gjithë perla e kristale ai e kuptoi se ajo çfarë flitej për bukurinë e saj hyjnore, nuk ishte thjesht një fantazi e ndezur meshkujsh të padalë. Ajo mbrëmje plot erë, në Tiranën e viteve 30-të, do të ndryshonte përgjithmonë diçka, në jetën e burrit më të rëndësishëm të vendit. Prej asaj mbrëmjeje ai nuk do të ishte më i qetë…”Ti banon në brendësinë time, në thellime të zemrës, si shpirti që trupin banon”. Këto vargje mund ta vizatonin më mirë një burrë të pushtuar nga një grua. Por mendimet e saj përshkonin varka të errëta, dhe ashtu si sekreti i lojës së tenisit, dhe në dashuri, pushteti ndaj tjetrit qëndron tek fshehja e dashurisë. Në historinë e letërsisë bashkëkohore shqipe, Sara Blloshmi, gruaja e marrë nga një kënd i historisë është padyshim një nga personazhet më interesantë. Ajo nuk është një krijim në laboratorin e mistershëm të fantazisë së shkrimtarit, as një grishje e beftë teksa ai u ul të shkruante një libër, por një personazh real, historitë e së cilës për vite me radhë vijojnë të tregohen heshturazi sa herë flitet për jetën private të Ahmet Zogut, apo e mbetur në rafte të rënda arkivash. Në një vend ku historia vijon të jetë një keqkuptim, ajo do të ishte ende në biseda kafenesh nëse Alfred Peza nuk do t’i jepte asaj jetën e përjetshme, që ta japin vetëm librat. Por…unë nuk do të doja ta humbja takimin me Sarën. Është e jashtëzakonshme aftësia e saj, dhe atëherë kur është thjesht një personazh, apo se si një femër shqiptare para Luftës së Dytë Botërore të komunikoj lehtë me një lexuese të shekullit të XXI. Sesi kohët fashiten teksa endesh jetës së saj aspak të lehtë, për të kuptuar një traditë të heshtur të emancipimit të mendimit femëror shqiptar. Sarah që historia ashtu si komunizmi e flaku në harresë, është liria e konfiguruar herët në kulturën tonë, është Europa e hershme brenda nesh. Sarën mund ta takoni tek romani me të njëjtin emër “Sarah” me autor Alfred Pezën, botimet “Mapoedition”. Një roman ku Peza debuton për herë të parë në lëmin e letërsisë, por që tregon një ngjizje të hershme të tij me letrat. Rreth 400 faqe libër mund të lexohen ndoshta dhe në një mbrëmje…Libri nis me zemërimin e Ahmet Zogut, ndaj një femre e cila kishte vallëzuar në një mbrëmje në ambasadën amerikane në Tiranë, pa e ditur se ky vallëzim dhe kjo femër do të luanin një rol të rëndësishëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe në jetën e tij. Shpesh shkrimtarët që marrin subjektet e tyre nga historitë reale, bien në kurthin e historisë, por Peza ka arritur ta shmangë lehtësisht këtë kurth, duke e bërë një subjekt që noton në ujëra letrare. Peza është kujdesur të sjellë një tablo të vërtetë të atyre viteve, duke u veshur personazheve kostumin e kohës. Libri përshkohet nga një intensitet ngjarjesh me në qendër historinë e dashurisë së Mbretit Zog me Sara Blloshmin. Në asnjë libër figura e Mbretit Zog, nuk lartësohet kaq shumë, sa në qëndrimin që ai mban ndaj kësaj gruaje. Peza e bën leximin të mos ndjehet, ndërsa kërkon t’i shkosh deri në fund një rrëfimi plot mister. Faik Konica, një tjetër personazh real na shfaqet në libër si rivali i Ahmet Zogut, por jo për pushtetin, por për një grua. Si një njeri i rritur me shkrimin, Konica e dinte se nuk mund ta fitonte asnjëherë flirtin me një grua që mjeshtërisht luante tenis. Ashtu siç godiste me raketa topat në fushën e blertë, aq lehtësisht ajo kishte goditur zemrën e tij me një shikim. Por nuk është vetëm romanca ajo çfarë e bën grishës këtë histori që na vjen nga vitet 30-të, por dhe mënyra sesi autori na e tregon historinë… Një histori që do të lejë përgjithmonë tek ty, aromën e parfumit të Sarës…

 

Share This: