Ishull, poezi nga Brikena Smajli

 

Nga vëllimi poetik: “Humbin tue u ba botë”

 


Ishulli i kuptimit është vetëm një pikë… oqeani është ngado dhe, rrugët për të mbërritur atje, janë të panumërta. Madje edhe pikëmbërritja është e sigurtë: mjafton të gjesh koordinatat dhe ta drejtosh mjetin lëvizës me zotësi drejt tyre. Madje edhe ishulli nuk është krejt pikë, as edhe ishull: oqeani i madh i shumësisë së rrugëve për të mbërritur, është krejt rastësisht aty – një shaka e përmbytjes parake a biblike, shkrirje akullnajash nga ngrohja globale. Vetë toka e ishullit është gjithkund; veç, poshtë ujit, përgjatë tabanit me shpella, maja malesh, kodra, lugina, humnera …ajo është aty, prandaj edhe nuk ka nevojë të kërkohet. Ashtu si toka edhe ishulli i kuptimit është aty: poshtë moskuptimit, heshtjes, dembelisë për të lëvizur dhe për t’u drejtuar diku, për të përzgjedhur në tërësinë e fjalëve të përshtatshme, për të duruar, kuptuar tjetrin. Krejt gjë e thjeshtë është, mjafton të besosh…kë? Madje edhe të zgjedhësh, si zgjedhja e rrugës së sigurtë me asfalt e trotuar për kalimtarët apo rruga e kanalit kullues, bri saj, të pistë dhe të lagësht…apo më tej ende: kërkimi i katakombeve, shpellave, labirinteve; si bota tokësore e nënujit, e parë para Krijimit…mjafton edhe të pranosh… të vdesësh.Në fund, gjithçka është faj i oqeanit, detit, ujit parak, përmbytjes; duhet edhe pak diell (shumë diell, në fakt), që njeriu të heqë dorë nga kapërcimi i detit dhe t’i drejtohet malit, majës së malit. Po a e di ai, ndërkohë, që lartimi për atje, kthjellimi, për në të vërtetat nuk është as udhëtim vertikal edhe as ngjitja nga poshtë – lart.

Udhëtimi është një parabolë për tek hija.

***

Qarkue me valle e det’

kërkoj qiellin e naltë prej gurit.

Mbi male zjarrmi m’drejton për kah veriu.

Prej mjegullet e tymit bahem,

në thellësi e dhimbje, e ujit jam.

 

 

DITË-NATË

Heshtja âsht brumë i ardhun për bukë,

tek çdo njeri âsht nji prrallë…

nji motmot âsht që mbushet me zâ…

âsht ditë që nisë me zbardhë.

***

Nji vjolinë prîn bregut të detit,

ku dallga then krahët…

…harku coptohet në grimca shkume

e tingulli âsht rânë…

***

I zi bahet gzimi:

ma fort se nata e pagojë,

ma fort se dita, pa Zot…

Jehona nuk mbërrin me mbajtë asnjë tingull…

asnjë zâ heshtimin s’e then.

Pse dita qé lindë pa sy,

pa humnerë qé lindë mali i naltë,

Nata n’hânë ngjyrat i mbledh…

e zgjâhet pa prâ.

***

Tash mundena me hy në mjegull,

tue i kryqëzue sytë zogjve të zi t’natës…

po, edhe mundena aty me ndie virrmen e ditës dhe të ajrit

pa zogj të bardhë…

***

Të ligj ba janë prapë qiejt…

E jermit gjuha s’lyp shpëtim

Në afshin e njelmë të ujit

gëzimit hov të Zemrës thirret vaj.

Fmija që s’pran tue u endë e lodrue

Ndërrue i ka qysh sot buzëmbramjet

Thye i ka edhe lojnat.

Ngarendi që e nget i ka tjetër dukë.

Shtegut ku zu vend errësina, shkarpash dhe zjermit asht shumue.

At’her veç gjuha asht ky fëmijë i njomë, që kthjellet frymet

E bjen rrkajë si loti me pushue n’prehnin e robit.

Amësi asht e kenësi që thellet ujit.

***

Mos e lypni zogun me fluturue majë malesh…

për ku ajri s’ka shenj qëndrimi.

Lypni për të pak bar e pemë,

lypni kodrat e pakthyeme në duna rane t’shkretë.

Mos e merrni mni

s’mujt me e kalue e krahu ju randue tek bregu…

asht zog që lumit ka shetitë

e acari tha ia ka krahët…

Asht veç zog,

n’frymë e ka fluturimin

ase asht vetë fryma

për çka mundet me fluturue…

me u ba ajër.

***

Deti asht nji pllambë n’dorën që shkruen ajrit

e fundoset n’letër.

Plagë asht dhe sy që digjet në thellsi.

Forcë ka prej ku t’bahet

e frymë dallge që thehet n’shkamb.

Asht lot i njelmë pasionit që vonon me u ba andërr…

Po edhe fjalë asht deti,

që e bjen zanin humnerash,

shok me erën, me u ba …

edhe akull asht deti për ku merr me pra…

po edhe zog bahet,

zog i madh e i bardhë.

 ***

Dallga copëton guralecë e shtyn tej ranen,

Dallga rrah shkambin me zhurmë edhe gjamë.

Dallga copëton kujtesat në mijëra grimca drite e rane…

ndër ne, një det i gjanë e i randë.

Deti asht poshtë kambve.

Grimcohet, shkundet, hahet me vedi…

Gjamon…deti ankohet me gjamë dhe ledhaton kufijtë e erën.

Gjithmonë i trazuem, gjithmonë në lëvizje,

hyn dhe shpërndërrohet në kohën-det të njeriut,

apo në mendjen që mundon jetën,

tek zgjahet për ma shumë hapësinë,

ma shumë vetëdije,

dritë edhe ujë.

 

sy

Deti asht sipër.

Dallga mbyt gjurmat e sheshon ranen.

ai zgjahet…tue kenë ma pak ajër.

…asht naltsi pa emën, pa ngjyrë.

kokrriza t’panumrueme rane, që hapet me ujë,

bimësi e panjomun me dritë…

Deti zgjat duert e panjehuna me rrjedhë

e pret t’i puthi sytë…

***

Kambët e ujnave shtypin tokën…

Shputa deti lanë gjurmë dhe barishte…

Ajri merr frymë në guacka

dhe luen shkambijtë.

***

Mos u mat me shi e me borë…

ngiju me ujë që kthjellet burimesh.

Deti asht larg…

e lundrimi nëpër te asht veç sfidë duersh të panjehuna.

Thuej se dielli mbretnon mbi qiell,

por mos lyp me e pa në sy.

Ai asht dritë për tokën

dhe shtizë tej përtej dritës që të bart.

Mbaje një lule të njomë në dorë…

ndieja gjallninë edhe shprishjen…

***

Kambët ngasin në natë tue ndjekë tinguj,

tinguj të sermtë hane, njomë me shi.

Toka asht lodër që kumbon me hapa hane,

pjano asht, mbushë me zâna që buisin si currila uji.

Pika e lotit dhe gëzimi jetojnë në një zemër ma të madhe se dhimbja…

***

Tana gjurmat vdesin

Tue u përpjekë me u ba ujë.

Vështrimi, prore, vrapon për kah loti,

për me u ba det.

Zani asht zemër e fillimit, që e mundojnë pyetje…

Asht heret me ague…

nata ende zgjahet gishtave të kujtesës, mendueshëm.

***

Tingulli asht brymë që bie në shpella…

ku fara njeriut ka kohë që s’asht pa.

Tingulli asht rranjë e fryt i Krijimit,

asht ajri që na përban.

Tingulli asht frymë e shenj i Krijimit,

asht rend edhe dritë edhe za.

***

Pluhuni i natës digjet me dritë të pakët

tokës së njomë.

Vesa mbledh frymë të bardha

e kthen në ujë gjithë tingujt e zogjve.

Ka shumë ikje,

shumë krahë lodhen fluturimit e prajnë.

Nata mbledh frymtë e trazuara të saj

e premton me i ba ditë.

Share This: