E vetëvrara e Ratko Mladić-it

 Durim Abdullahu

 

Disa nga historitë më të rënda të qytetërimeve njerëzore, dëshpërimisht, mund të kuptohen vetëm përmes njohjes dhe analizimit të atyre pjesëve që përballë përmasave të tërësisë, duken si detaje periferike. Më 22 nëntor në Hagë, ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladić, u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në Jugosllavi. Ai u dënua edhe për vrasje, torturë, dhunime, shfarosje dhe të tjera krime të rënda që gjyqtari Alphonso Orie, i klasifikoi si “më të rëndat që i njeh njerëzimi.” Mbi të gjitha këto, emri i gjeneralit serb Mladić do të mbetet i lidhur gjithmonë me të qenit autor i masakrës së Srebrenicës, më e tmerrshmja në Europën e pas-holokaustit.

Në mars të vitit 2016, po kjo gjykatë pati dënuar me 40 vjet burgim Radovan Karadžić, Presidentin e Rpublikës Serbe të Bosnjës gjatë luftës dhe partnerin kryesor të Mladić-it në krime lufte. Në rastin e tij si kriminel, pati bërë shumë përshtypje maskimi i tij si mjek popullor nën emër të rremë dhe pamje krejt të transferuar, për t’i shpëtuar arrestimit. Ndërkaq, ata që kanë dashur të depërtojnë në psikologjinë e Ratko Mladić-it, i kanë dhënë një vend kyq një vdekje të veçantë mes mijëra vdekjeve që e kanë rrethuar këtë gjeneral të ushtrisë serbe.

“Një vdekje e vetme është krim, një milion vdekje është statistikë.” Kjo shprehje e shumëcituar, e thënë nga një prej përgjegjësve të më së shumti vdekjeve në shekullin e njëzet, Josef Stalin, bartë një të vërtetë të madhe por që ajo nuk e thotë. Vdekjet e miliona njerëzve, qëllon që vetëshpjegohen nga një vdekje e vetme. Lufta e Bosnjës dhe masakra e Srebrenicës si episodi më i tmerrshëm i saj, në përgjithësi janë të njohura bashkë me shkaktarët dhe pasojat e tyre. Por përtej rreth 100.000 vdekjeve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka një vdekje që tregon aq shumë për kriminelin serb të luftës Ratko Mladić.

Më 25 mars 1994, agjencia e lajmeve “Reuters”, njoftonte se “Ana Mladić, e bija e gjeneralit  Ratko Mladić, u gjend e vetëvrarë natën e së enjtes duke gdhirë e premte, në Beograd, në shtëpinë e prindërve të saj. Sipas policisë, e cila ndodhej ende në vendngjarje në mesditë, vajza e re kishte qëlluar veten me një plumb në kokë me armën e të atit. Ana Mladić ishte njëzet e tre vjeçe, studente në Fakultetin e Mjekësisë.” Për shumë vjet, kjo vdekje do të bëhej temë e shumë spekulimeve pasi që vetë i ati i të vdekurës, gjenerali Mladić kishte refuzuar ta pranonte atë si vetëvrasje duke këmbëngulur që e bija e tij ishte vrarë nga kundërshtarët politikë. Pushteti i Mladić-it kishte bërë që versioni i tij për vrasjen e pretenduar të së bijës, të imponohej si i vërtetë ose si kinse i vërtetë për një kohë të gjatë. Por dymbëdhjetë vjet pas këtij rasti, më 25 mars 2006, oficeri policor që kishte hetuar këtë rast kishte deklaruar për gazetën “Kurir” se pavarësisht asaj se çfarë duan të besojnë njerëzit, ai do ta thoshte të vërtetën duke thyer heshtjen e tij. Dhe e vërteta, ishte rezultati i hetimit në vendngjarje, në katin e dytë të shtëpisë së familjes Mladić, ku Ana ishte gjetur e vdekur në shtrat, me një revole në dorë. Ishte pikërisht kjo revole, ajo që sqaronte qëllimin e Anës dhe atë që e kishte çuar vajzën e re t’i jepte fund jetës së saj. Ajo ishte një 7.65 milimetërshe që Ratko Mladić e kishte marrë dhuratë nga Akademia Ushtarake e Komandës kur ishte graduar major. Sipas Bosa Mladić-it, gruas së gjeneralit, krisma e plumbit që i kishte shpuar tëmthin të bijës, ishte dëgjuar në ora 6 të mëngjesit. Në shtëpi nuk kishte shenja të hyrjes së ndokujt. Përfundimi  zyrtar i hetimeve policore: Ana Mladić ishte vetëvrarë! Hetimet e mëtutjeshme, tregonin që ajo i kishte përjetuar shumë rëndë akuzate e gazetave ndaj babait të saj për vrasjt në Bosnjë.

E tërë kjo histori, të cilës i janë kthyer sërish mediat për ta kujtuar tani pas dënimit të Ratko Mladić, është rrëfyer me shumë mjeshtëri nga Lionel Duroy de Suduiraut, i cili e ka bërë këtë histori subjekt të një romani që ai e ka titulluar “Dimri i njerëzve”. Në këtë libër të vitit 2012, misteri i vdekjes së Ana Mladić-it, vjen e treguar nga Marku, një shkrimtar francez që pasi është divorcuar nga gruaja, ndërmerr një udhëtim në Bosnje për të hulumtuar këtë rast me idenë për të shkruar një libër mbi të. Duke takuar njerëz që kishin luftuar apo që kishin njohur gjeneralin Mladić dhe duke intervistuar ata që mund të ofronin ndonjë informacion për vajzën e tij, shkrimtari francez heton me shumë durim të vërtetën e njohur nga shumica por të pathënë për vetëvrasjen e Ana Mladić-it. Tregimet rreth jetës së familjes së gjeneralit, nxjerrin në pah që revolja me të cilën Ana kishte vrarë vetën, ishte arma më e preferuar e babait të saj, të cilën ai nuk e përdorte dhe të cilën e ruante për të shtënë me të ditën kur Ana do ta bënte gjeneralin gjysh. Por përse Ana kishte menduar të vetëvritej pikërisht me këtë revole, që i ati e ruante ta shkrepte kur ajo të bëhej nënë? Kjo kuptohet nga motivi i vetëvrasjes së saj. Ata që kishin qenë afër Anës në kohët e fundit para se të vritej, tregojnë që ajo ishte dëshpëruar shumë nga artikujt e gazetave evropiane që e quanin babain e saj “kasapi i Bosnjes”. Gazetat e pavarura evropiane e kishin rrënuar imazhin e Anës për babain e saj, duke e treguar atë si një frikacak, oportunist, një i çmendur i verbuar nga urrejtja që po aplikonte në Bosnjë me shumë zell planet për shfarosje ne myslimanëve, të bëra nga diktatori Sllobodan Millosheviq në Beograd dhe nga RadovanKaradžić në Palë.

Vetëvrasja e Ana Mladić-it kishte ngjarë vetëm gjashtë javë pas të shtunës së 5 shkurtit 1994, kur ushtarët e babait të saj gjeneral, kishin gjuajtur një predhë murtaje në tregun e Sarajevës në mes të ditës, duke vrarë gjashtëdhjetë e tetë njerëz e plagosur gati dyqind. Kjo masakër e qëllimshme kishte bërë aq jehonë ndërkombëtare, sa që shtypi serb nuk kishte arritur ta mbulonte me dezinformimet e tij. Lajmi kishte mbërritur në veshët e Anës dhe ajo kishte rënë në dëshpërim me hipokrizinë e të atit që gjithmonë kishte qenë modeli i saj për njeriun.

Teoritë psikanalitike për personalitetin dhe psikologjinë e individit, na tregojnë se sa i rëndësishëm është raporti me babain, sidomos në raste kur ai idealizohet nga fëmijët. Rrënimi i figurës atërore, për Anën duhet të ketë qenë një goditje e papërballueshme, që e ka shtyrë atë drejt një vendimi të shpejtë, për tu hakmarrë ndaj babait mashtrues, duke e vrarë veten. Ana Mladić u vetëvra mbase jo se nuk donte më të jetonte, por se donte t’i hakmerrej të atit duke e zhbërë veten, me armën e tij të preferuar, që ai e kishte veçuar për ditën më të rëndësishme që do t’i bënte edhe më të forta lidhjet babë e bijë.

Vetëvrasja e Ana  Mladić-it, është vetëvrasja e vetë Ratko Mladić-it, e figurës së tij prej babai. Ana Mladić, nuk ishte vetëvrarë, ajo ishte vetëvrarë nga i ati i saj. Ana Mladić, është e vetëvrara e Ratko Mladić-it. Mbase vrasja më e veçantë e një prej kriminelëve më të mëdhenj në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

I vlerësuar edhe nga kritika dhe i shqipëruar nga Krenar Hadëri, romani “Dimri i njerëzve” është një udhëtim që e shpien lexuesin nga Banja Luka në Pallë dhe Sarajevë, mes kujtimeve të trishta, urrejtjeve dhe historive me plot gjak të boshnjakëve, serbëve e kroatëve. Përmes rrëfimeve të atyre që dikur kishin luftuar për gjeneralin kriminel serb, të balancuara me historitë e pabesueshme të atyre që u kishin shpëtuar plumbave të këtyre të parëve por që kishin humbur shumë nga njerëzit përreth, Duroy ndërton një histori që duket shumë e kompletuar, për vdekjen ndoshta më të rëndësishme në jetën e Ratko Mladić-it. Mes lokaleve të varfëra që rëndojnë erë rakie e ku fotografia e Mladić-it dhe guslla serbe qëndrojnë të varura bashkë nëpër mure për këngët heroike serbe, ruhen krejt natyrshëm dhe me fanatizëm historitë e mijëra vrasjeve të të dënuarit Ratko Mladić, që gjithë pjesën tjetër të jetës së tij do ta kalojë në burgun e Hagës. E vetmja ‘vrasje’ e tij për të cilën kurrë s’do të ketë një këngë me gusëll, është vrasj e të bijës, Anës. Në jetëshkrimin e tij, Ana do të mbetet e vetëvrara e Ratko Mladić-it.

 

Share This: