Sarah, një roman për dashurinë nga Alfred Peza

Luljeta Nelallari

Është pikërisht hapja e horizonteve të reja ndaj perëndimit, një ndër momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë që gazetari dhe ish-deputeti Alfred Peza e ka sjellë në një pikëvështrim të thellë. Femra më e jashtëzakonshme dhe intriguese e këtij romani përçoi erën përfundimtare të ndryshimit, jo vetëm në jetën e meshkujve por edhe në jetën e vendit duke bërë të mundur emancipimin e kombit shqiptar. Një grua e lirë përcaktoi rrugën e një shteti të tërë. Historia dhe personazhet që kanë qëndruar në këndet e saj rikthehen duke notuar në artin e magjishëm të letërsisë. Autorin duket se e ka tërhequr historia dhe ngjarjet si një magnet, saqë ia del ta rikthejë atë duke na mbërthyer fort pas saj.

Romani nis me zemërimin e Ahmet Zogut ndaj një femre, e cila kishte vallëzuar në një mbrëmje në ambasadën amerikane në Tiranë. Një vallëzim që bëri bujë dhe trazoi gjithë vendin. Përpos fjalëve dhe polemikave që lindën, thellë brenda vetes ai e kishte ndjerë që ky nuk mund të ishte thjesht një vallëzim, sepse ajo femër me bukurinë e saj hyjnore ndryshoi përgjithmonë jetën e tij, pra jetën e burrit më të rëndësishëm të vendit. Sarah Blloshmi, gruaja më e bukur e Tiranës së viteve ’20 – ’30, goditi zemrën e tij me një shikim.

Shpërfaqen personazhet dhe jeta e tyre private që janë treguar heshturazi mes njerëzve. Dhe pikërisht në qendër të romanit është historia e dashurisë së ish-kryeministrit dhe Mbretit të shqiptarëve me Sarah Blloshmin, mbesën e Ismail Qemalit. Një tjetër personazh real është Faik Konica ku shfaqet si rivali i Ahmet Zogut, jo për pushtetin, por për një grua. Por rreth tyre ka edhe personazhe të tjerë, real apo të trilluar por që të gjithë luftojnë për një identitet të ri, në fillim të një shekulli të trazuar. Dhe teksa futesh në botën e këtyre personazheve e veçanërisht në botën e Sarah Blloshmit, gruas më të përfolur shqiptare, ndihet pafuqia që të përcjellësh diçka me fjalë.

Sarah nuk është thjesht një femër e bukur që ndez fantazinë e meshkujve të padalë, por ajo tregon një nivel të lartë të femrës shqiptare. Ashtu si dinte të luante bukur tenis, po aq bukur dinte të luante edhe me zemrën e një burri. Një grua enigmatike që mund ta identifikojmë si liria e hershme në kulturën shqiptare.

Dhe ajo që e mban lidhur lexuesin nuk është thjesht rilindja e së shkuarës, por bashkë me të edhe rilindja e ndjenjave. Autori padiskutim që botën e këtyre personazheve e ka çmontuar dhe e ka futur në dridhmën e përjetësisë. Në rreshtat e këtij romani gjejmë intriga të pashembullta për pushtet, vrasje, mistere ekzistenciale, erotikë dhe pasione të fshehta përvëluese, kështu që do të na duhet kohë që të përjetojmë ndjenja të tilla me të njëjtin intensitet.

 

Share This: