Të humbësh në rrëmujën e Loer Kumes

Alda Bardhyli

 

Një histori e shkurtër e rrëmujës nis me prologun e së martës, ku dielli I korrikut nuk arrinte të pasqyrohej mbi copat e xhamave të pista, në kornizat e kalbura të dritareve, për të vijuar me një bisedë mes dy personazheve që nisin të ndërtojnë “rrëmujën” e Loer Kumes. Ky është libri I dytë I shkrimtarit pas “LUX” botuar më 2011. I botuar nga “Albas”, ky libër na njeh me profilin e një shkrimtari që është rritur ndjeshëm, shtatë vite pas botimit të tij të parë. Me një stil që të kujton kronikat e shpejta të Bukowskit, Loeri vizaton rrëmujën për ta bërë atë grishëse teksa e lexon. Kaosi si një gjendje që përshkon librin, ndjehet dhe në dialogët e pafundme mbi të cilën shkrimtari ndërton ngjarjen. Nuk ka nevojë për përshkrime, për të kuptuar sfondin përtej një bisede, apo ngjyrat që ka marrë perëndimi në qytetin që shtrihet buzë detit, (që është qyteti I tij). Me një aftësi të çuditshme këtë sfond lexuesi e imagjinon natyrshëm ndërsa ndjek rrëfimet e personazheve që duket sikur nuk mbarojnë. Kjo është një zgjedhje jo e rastësishme e autorit, për të ndërtuar modelin e një libri I cili estetikisht provokon. Vetë Loeri e quan librin si një pikturë të madhe sferike të vështirë për tu përfshirë në një vështrim të vetëm. I nisur në vitin 2008, romani filloi të zhvillohej diktuar nga personazhet dhe udhët e tyre të ngatërruara , nga të cilat ai mundi të shkëputej vetëm në gusht të 2017-tës. Me sinqeritet ai pranon që nuk e di nëse fjala “fund” është e duhura, pasi dhe pas fjalisë që shënon “fundin e këtij romani”, “Dhe hyri në sallën e madhe të leksioneve”, si lexues je në pritje të një vazhdimi të mrekullueshëm ngjarjesh që kanë aftësinë të të hutojnë. Parimi Shkencor mbi të Drejtën është teoria e krijuar nga Diani dhe miku i tij matematikan për të vendosur drejtësi mbi botë, me një plan të madh në mëndje. Por përplasja mes së Drejtës dhe Kaosit universal zbret në një udhëtim qark qytetit ku Deani me Renatën në kokë dhe miqtë në krah nga ora në orë lidhin pikat e pikturës dhe zbresin thellë e më thellë brenda ngjarjes së qendrës, sekreteve më të errëta, dashurisë, gjakut, vdekjes dhe …vazhdimeve. Vetëm ai që do të mbart utopinë , do të jetë i denjë të drejtojë luftën tonë, për të rifituar atë që kemi humbur njerëzoren. Në këtë hulumtim drejt së Drejtës, ne njohim profilin e një shkrimtari me angazhime bashkëkohore i cili gjithë “rrëmujën” në libër e vë në funksion të idesë që përshkon gjithë librin, gjetja e së vërtetës dhe vlerësimi ndaj ndodhive të vogla në dukje të parëndësishme por që e mbushin aq shumë jetën tonë. Letërsia nuk mund të jetë ndryshe, ndaj Loeri nuk kërkon të shpikë histori të mëdha për ta treguar këtë. Personazhet që ai zgjedh janë të ngjashëm me të, bëjnë të njëjtat dialogje që mbushin jetën tonë të përditshme dhe në fund duan të njëjtën gjë, fundin e kaosit që na ka mbërthyer të gjithë, duke na bërë të humbasim dritën që feks për çdo njërin prej nesh në univers. Një zgjedhje interesante e skaletës së librit është dhe emërtimi i çdo kapitulli. Vetë titujt e zgjedhur si “Doktor Teli dhe një koktej paradoksesh”, “Dritare”, “Flokë korbi e faqe si petale në një tjetër kopsht me ullinj, dy mijë vjet pas Krishtit”, “Ata të dy dhe teza tre”…apo “Revolver” që duket si metafora që vetë kjo shoqëri ka krijuar e tashmë është kthyer kundër saj. Për Loerin “revolveri” ishte aty. “Ishte i gjyshit. Ai vrau dikë në luftë dhe i mori këtë armë. Peshon. Shkëlqen si kockë të vdekuri në një varr të hapur nën dritën e hënës. Më kujtohet kocka e një të vdekuri nën dritën e hënës. Më kujtohet kocka e një të vdekuri nën dritën e hënës. Brenda ka plumba”, shkruan ai. Me këtë prolog që na çon drejt fundit të librit, autori ndërton një nga skenat më të vështira ku me një surrealizëm gati-gati imagjinar, bën një ndërtim kronologjik të asaj çfarë e solli kaosin, i cili tashmë ka marrë formën e një revolveri e mund të shkrepë në çdo kohë…

Share This: