Në kërkim të fshehtësive të Cariolina Schuttit

Harroji të gjitha këto. Mbylli sytë dhe harroji. Carolina Schutti tregimtare e re austriake e nis udhëtimin e saj drejt letërsisë duke përshkruar një nga një dhomat e saj të kujtesës. Portreti i teta Majës, do ta shtyjë drejt rrëfimeve që një nga një na sjellin një tablo të mrekullueshme të sagës së një familjeje. Më pas është Mareku, një tjetër personazh që përmes këshillave hapi tek vajza e re përfytyrimin për të padukshmen. Ajo i tregonte për vajzat e tjera dhe mbi familjet dhe vëllezërit e tyre më të mëdhenj dhe mbi shokët e shoqet e tyre, i tregonte gjithçka kishte parë përmes vrimës së çelësit. Ajo i shpjegonte se si pas disa vitesh burrat do të interesoheshin për këmbët e barqet e tyre të nxira nga dielli. Familja e Marekut pasdrekave kthehej në familjen e saj.

Me një aftësi të jashtëzakonshme Carolina Schutti rinxjerr nga kujtesa personazhe që prej më shumë se 20 vitesh qëndronin në një cep të saj, duke i dhënë jetë përmes rrëfimeve të vogla, po kaq domethënëse teksa i lexon në këtë kohë. “Dikur duhet të kem vrapuar mbi barin e butë” quhet libri me autore Carolina Schutti i ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Sadedin Limani, botimet “Fan Noli”. Autorja është fituese e çmimit Europian të letërsisë më 2015-tën. E lindur në Innsbruck në vitin 1976 ajo studioi filozofi e më pas u thellua në studimet mbi letërsinë amerikane. Njohëse e mirë e Elias Canneti ajo filloi të punoi si kërkuese në Universitetin e Firences. Metoda e Cannetit, si njohës I mirë I shkencave filozofike, dhe kërkimi drejt metodave të reja në letërsi duket se kanë frymëzuar shkrimet e Schuttit. Prej vitesh ajo nisi një kërkim në gjurmët biografike të autorit gjerman fitues I çmimit Nobel, duke u ndalur më gjatë tek jeta e tij në Austri deri më 19380-tën.

Schutti është autore e një sërë shkrimesh e esesh në shtypin evropian.  Por, letërsia është shtëpia e saj e madhe, që ashtu siç shprehet edhe vetë në një intervistë kërkon ti japë kuptim çdo hapësire të saj. “Shumë histori do të kenë kaluar të mitë dhe ato ndryshojnë e përzihen me njëra tjetrën aq shumë, saqë nuk arrij të kuptoj se ku fillon njëra e ku përfundon tjetra. I kam bërë të miat ato histori, i kam huazuar, i kam zgjatur edhe më tej, mbase shumë, dhe pastaj i kam veshur rreth vetes si një mantel magjik i padukshëm; por tani kam dëshirë të udhëtoj brenda në historinë time: fshati, lugina e fëminisë sime përballë një peisazhi, i cili për mua ka mbetur i fshehur”, shprehet Schutti.

Mjafton të lexosh këtë libër rreth 135 faqe për të humbur në dhomat e kujtesës tënde që prej vitesh nuk I viziton. Historitë e Carolinës bëhen historitë e tua, e dëshira për të përshkruar kilometra të gjata me tren vetëm në kërkim të një shtëpie bëhet kaq e dëshirueshme.

Sepse nuk është e pakuptimtë të rrish gjatë në një vend, dhe me sytë e mbyllur të bësh udhëtime të tjera, që me aftësinë që kanë fshehtësitë mund të përshkojnë dhe zona të cilat ishit të bindur që i kishit harruar.

Me një stil të thjeshtë, dhe e aftë për të ndërtuar ngjarje, Carolina duket sikur vizaton. Ajo duket sikur e ka të lindur aftësinë për të ndërtuar karaktere e kur ata janë kapriciozë e nuk duan të qëndrojnë në fletët e një libri.

Libri është pjesë e prozës së sotme bashkëkohore austriake, e kjo është një mundësi për të njohur më mirë autorët e rinj të këtij vendi me një letërsi të madhe.

 

Alda Bardhyli

 

 

Share This: