Largimi

Sad woman sitting in the corner of a room, head on the knees, face is hidden, black and white

Tregim nga:

Xhevdet Pozhari

 

 

Gjatë netëve që nuk të kam pranë më pushton një zbrazëtirë si e mbushur me mjegull të lagët e cila të mbyt e nuk të lë të frymosh lirshëm. Edhe largësia që na ndan më bëhet gjithnjë e më e largët. Jo se rriten kilometrat, jo se malet mes nesh bëhen më të larta e fushat më të paskajshme, por ndjesitë dhe malli gërryejnë një humnerë që më shtie frikë se, ndoshta, do mbetemi pa urën që do i bashkojë brigjet e pritjes sonë që sërish të takohemi. Dhe shpesh herë, i trishtuar nga ajo humnerë që pandërprerë thellohet, filloj të flas me veten, përpiqem ta ngushëlloj vetveten se ditët kalojnë shpejt dhe do të arrijnë çastet kur do të mbështillem me ngrohtësinë e dëshiruar.

Dhe jo se nuk vijnë ditët e shumëpritura kur jemi bashkë. Por në ato ditë mua më ndalet fryma, më bëhet se jam si i dalë nga humnera e mallit të ditëve të mëparshme të pritjes dhe nuk di çka të bëj më parë me ty. Të kënaqem duke të shikuar, apo menjëherë të filloj numërimin e poreve në lëkurën tënde. Dhe duke u hamendur me çka ta shpërblej pritësin në mua, përnjëherë më bëhet se unë në të vërtet jetoj vetëm kur të kam ty pranë, se ditët e kaluara në pritje nuk janë ditët e mia, se ato shkrihen në mallin për ty dhe, si të tilla, ato fare nuk janë pjesë e kalendarit të jetës sime. Kur jam me ty, kur filloj t’i jetoj ëndrrat e ëndërruara gjatë pritjes, unë as që arrij të përjetoj lumturinë, sepse ajo venitet nga ngrica e frikës se sërish do ndahemi, se prapë unë do vij këtu e ti do mbetesh atje, se unë sërish do filloj të mas largësinë që na ndan e malli do thellojë humnerën e frikës se do mbetemi pa urën që bashkon brigjet e lumturisë sonë.

Dikur isha më i guximshëm dhe e shprehja frikën nga kjo humnerë që malli gërryen në mua, dikur e derdhja mbi lëkurën tënde tërë përmallimin që më ngufaste gjatë netëve që të prisja, njësoj siç e shuaj me djersën tënde edhe zjarrin me të cilin mbështillesha gjatë netëve pa gjumë, gjatë netëve përplot trishtim nga humnera e mallit në mua. Por tani dua të gjitha t’i bart vetë po aq ndershëm sa edhe mirënjohës që ma dhe mundësinë ta shijoj mallin e pastër dhe të përcaktoj saktë largësinë që na ndan, e cila nuk ka të bëjë me kilometrat, as me fushat e malet mes nesh, por me zvarritjen e ngadaltë të ditëve të pritjes. Pra, ti më mundësove të kuptoj se largësitë nuk maten me kilometra, por me një masë tjetër, me tik-takun e mallit.

Edhe ardhjet e tua unë i përjetoj ndryshe. Ato më janë takim-ndarje, gëzim i përzier me pikëllimin se ti prapë do shkosh të shënosh pikën tjetër të largësisë mes nesh dhe do fillojë pritja e Takim-ndarjes tjetër. Kur të shoh nga larg se si më vjen; ende pa të përqafuar më kaplon trishtimi i ndarjes. Mundohem ta largoj shikimin nga malet përtej nga je nisur, dua që zërit t’i jap ngjyrimin gazmor, por seç më bëhet se nga goja më dalin tinguj të zbrazët dhe shpirti më vlon përbrenda. Dua të të them të rrish edhe pak, që të vjedhim edhe ndonjë çast të largësisë, pastaj dua të të mbaj edhe për një çast pranë vetes, dua të të mos lëshoj të shkosh, por përnjëherë e kuptoj se unë e ti jemi pronarë të largësisë mes nesh, se ajo largësi është masa e dëshirës që përjetësisht të jemi bashkë.Kur nisesh të shkosh më bëhet se vetura jote ecën vetë, se sikur të varej nga ti, nuk do kishe forcë atë ta ktheje mbrapsht nga ke ardhur, e mua të më lije të vetëm në mes të rrugës. S’mund të besoj se ti mund të ngasësh atë e të largohesh nga unë, por më bëhet se ajo të merr, se ajo ka nevojë të kalojë largësitë. Dhe kur, më në fund, më humbet nga shikimi, kur e shoh se largësia që na ndan bëhet e largët njësoj si para se të vish, më kujtohet kova me ujë që ma derdhte nëna sa herë që unë nisesha në ndonjë udhëtim më të largët.

Duke ndërmendur kovën e nënës, mendoj se a thua me të vërtet nëna e gjorë e kishte mbushur kovën me ujë, apo me lotët e saj, të cilët posa derdheshin përpara këmbëve të mia i përpinte me të shpejtë toka. Më kujtohet kjo, sepse sa herë që shkon, pavarësisht se i shtrëngoj dhëmbët, aq sa ndjej dhembje të nofullave, prapë lotët rrjedhin, madje edhe kur buzët në të cilat pushojnë puthjet tua, i copëtoj së kafshuari, duke u përpjekur t’i mbaj ato pika kristali, të cilat përzihen me asfaltin e mbuluar nga pluhuri e ku qartë mbeten gjurmët e rrotave të veturës sate dhe ato të lotëve të mi.

Sa herë që të pres e të përcjell nga vendi i Takim-ndarjeve tona, mbi rrugën që shënon largësinë që na ndan, shtohen edhe disa gjurmë të reja të lotëve të mi. Tanimë e vërej fare qartë: ajo pjesë e rrugës ku të pres e të përcjell, ajo kthesa, ku ti i ikën shikimit tim, nuk e ka ngjyrën e njëjtë. Në të vërtetë, ajo pjesë e rrugës gjithmonë i ndryshon ngjyrat; është si një ylber i cili bart të gjitha ngjyrat e jetës sime. Por, sa herë që largohem nga vendi i Takim-ndarjeve tona në bebëzën e syve të mi mbetet vetëm ngjyra e kuqe. Dhe më bëhet se loti çahet në mes dhe prej tij rrjedh gjak. Gjak i freskët i shpirti tim, të cilin e çan tejpërtej malli që më shkove dhe do të pres që prapë të më shkosh. Pastaj e nxjerr një rënkim të thellë. E di se ti atë do e dëgjosh edhe po të ishe me kilometra larg, e jo vetëm disa metra kur ende mund ta shquaj veturën tënde, pa humbur ende në largësitë që s’mund t’i përfshijë shikimi.

E di, përderisa largohesh, ti me siguri dëgjon muzikë. Kujdesesh që mos të më shohësh në retrovizor, që të mos përballesh me buzët e mia që shkëpusin një ofshamë si frymëmarrjen e fundit të jetës, nuk don t’i shohësh sytë e mi që mbyllen plot dhembje, duke u përpjekur që t’i parandalojnë lotët, të cilët kam bindjen se do gjenin rrugën e tyre edhe sikur të duhej t’i shqyenin qepallat.

“Mos harro, gjithmonë do të jemi bashkë!”, më thua sa herë që largohesh, mbase për të ma lehtësuar barrën që e ndjej kur në të vërtet shkon dhe më lë vetëm. Sonte unë ia rrëfej vetvetes disa sekrete që nuk duhet t’i dish ti, por vetëm që ta kem ndjenjën se i kam thënë. Njësoj siç nuk duhet ta dish se porsa largohesh, unë mbështetem në ndonjë mur sa të mbahem e mos të rrëzohem. Pres që të dalin gjitha ofshamat dhe lotët që duhet të zbrazen atë ditë, kur shikimin ma mbulon një egërsi që ua ndalon të tjerëve ta shohin vuajtjen time. Me nofulla të shtrënguara dhe më atë egërsi në sy, më tepër i ngjaj një njeriu të trishtuar se në një të përvuajtur që banon në brendinë time. Dhe kështu vrapoj deri në shtëpi, plandosem në shtrat dhe nga vaji i cili më shpërthen, përnjëherë më bëhet se formohen tingujt e një kënge që shërben vetëm për shpirtrat që e jetojnë Lumturi-dhembjen e Takim-ndarjeve. Dhe në vetëdije më jehojnë fjalët e tua: “Kurrë nuk do të lë vetëm!” Pastaj para syve më shfaqesh ti, duke u zgjatur drejt meje që të më pushtosh me duart e tua dhe sapo përpiqem të të prek, të të shtrëngoj pranë vetes që kurrë më mos të largohesh nga unë, e kuptoj se je vetëm pjellë e imagjinatës sime, se më je vetëm fanitje. Më vonë e kuptoj se me të vërtetë ti kurrë nuk më ke lënë vetëm, se gjithmonë mbetesh në mua edhe pasi largohesh, se gjithmonë me je pranë. E kuptoj se ti shkon vetëm që të ma mundësosh të njoh masën me të cilën matet largësia, që të plogështohem nga malli dhe që një ditë, duke të pritur të më vish, të digjem i tëri, të bëhem hi, e hirin tim ta shpërndajë era, ta shtresojë në xhamin e veturës tënde dhe ti, duke menduar se mund të jetë pluhur i rëndomtë, ta largosh me pastrueset e xhamave, që ta shikosh më mirë rrugën gjersa largohesh nga unë.

E, sa herë që ndahemi, kam ndjenjën e njëjtë se shumëçka kurrë nuk do ta them ty, vetëm që të mos të mërzis me grykësinë time dhe që të mos jesh e detyruar t’i dëgjosh ato që shpeshherë ja them vetvetes: Vallë, nuk jetuam mjaft të ndarë! Këtë që ta them tani ka të bëjë me matjen e saktë të largësisë që na ndan, të cilën nuk e përcaktojnë kilometrat, as malet e fushat që janë mes nesh, por një humnerë e thellë në mua, që shpreh pafundësinë e mallit që nuk të kam pranë. Këtë e them vetëm sa ta kuptosh se largësia mes nesh është aq e madhe sa humbëtira ku fundosen pyetjet që ia shtroj vetes dhe përgjigjet me të cilat ngushëllohem, humbëtirë të cilën mundohem ta mbush me dhembjen e heshtur, që më vë në gjumë e më bën të fle si i dehur, duke pritur të vish e të më zgjosh me ledhatimet tua, të më dhurosh një freski tjetër lloji, të më bësh të ndjehem i gjallë.

Share This: