Përse lexoj?

LIVIA DEDEJ

 

Ndonjëherë më duket sikur bota është krijuar nga shkronjat. Pavarësisht kësaj ndihem shpeshherë e burgosur nga fjalët; në letër apo mbi majën e gjuhës. Librat, në të cilët këto fjalë formojnë universe, formojnë universin tim, kanë fuqinë e njeriut në letrën e shtypur duke ushtruar një dorë boje mbi mua.Ndoshta në kodin tim gjenetik është ngërthyer nevoja e të humburit në një det shkronjash herë pas here. Shumë herë, epo, shumicën e kohës. Të gjesh veten në mendimet e dikujt tjetër dhe të duash disa fjalë që endin histori të cilat janë të pabëra nga ti, por të munguara e të përjetuara. Prekja e një kopertine të fortë ose ndjenja e përgjumur e të ulurit me kokën zhytur brenda një libri të mërzitshëm janë kaq të ashpra. Sigurisht që të ndryshme nga zalisja e padashur në mes të një skene aksioni me lot në sy, dhe adrenalina e mendimeve gjatë përpirjes së një informacioni interesant; frytet e vërteta të shkronjave në libër. Çfarë trofeu është ky i leximit kur mendja jote nuk varet nga zbërthimi i kimikateve në tru kur skanon një kapitull plot fjalë me uri? Kjo po që është një pyetje e mirëqenë. Gjysmë retorike, e denjë për një shkrim-dashës, dhe mjaftueshëm serioze. Serioziteti i të pasurit një identitet të mbështetur në pasionet e tua, kur lexon sepse të mbush mendjen ty, jo sepse do të jesh i zgjuar apo të ka detyruar mami, të cilës i duket mënyra më e mirë për të zhvilluar ‘mirëqenien tënde. Kur lexoj mendoj për atë që jam duke lexuar, as që jam duke e lexuar, as që është libri i pestë këtë javë. Madje, kjo metodë e të lexuarit, kur fare mirë mund të kisha parë filmin, është zgjedhje personale. Më pëlqen të luaj një film në mendjen time, dashurohem madje, dhe pse tingëllon narciziste. Dhe sikur një zog ndjen flladin që i përkedhel krahët kur fluturon, dua të largoj shikimin nga fletët e zverdhura të novelës që mbaj në dorë, por më hipnotizon era e ëmbël e faqeve të saj. Varësia kundrejt leximit, kaq e shijueshme, ndoshta e ashpër t’i japësh atë emër, por me të vërtetë e drejtë. Si droga, harrohem në një gjendje Utopie, dashuroj çdo pjesë të librit, por kjo burgosje është e pafajshme, hyjnore, është dashuria pa kushte që ndjen për një tjetër. Ndryshe nga substancat vrasëse, kjo varësi nuk më ha ngadalë shëndetin, apo marrëdhëniet me të tjerët, por ushqen thellë në shpirtin tim nektarin që më duhet për të krijuar diçka të cilën mund ta lexojnë të tjerë pas meje…të ndihmoj të tjerë në mënyrën më intime që njoh. Lexoj, sepse dua të di, të imagjinoj e të shkruaj dhe të arratisem jo prej realitetit, por të arratisem drejt botës sime të vogël ku jam vetvetja dhe mund të plotësohem e pasurohem para se t’i kthehem prapë jetës sime, përtej leximit.

*Klasa e IX, Shkolla “Konferenca e Pezës”

 

 

Share This:

blunavi.com