DEMA TE ZEMERUAR NE ARENE

Rudolf Marku

( Nga cikli- kujtime të një kohe jo të shkuar)

Ndër gjërat e vetme të  mira që  sjellin kohërat e vështira të  shtypjes, është  ai  lloj solidariteti konspirativ  intelektual i krijuesve, për të  cilin flasin Solxhenicini dhe Sergej Dovlatov. Ky solidaritet konspirativ intelektual filloi të  ri-marrë  trajtë  në  vendin tonë, edhe pse në  formën më  të  brishtë, andej nga fundi i viteve tetëdhjetë. Në  Gazetën “Drita”, e vetmja gazetë  letrare dhe artistike e vendit, filluan të  shfaqeshin, krahas tjerash,  për herë  të  parë  në  gjuhën shqipe, krijimtaria e Tomas S. Eliotit, Ezra Pound, Milan Kunderës, Sharl Bodlerit, Borhesit, memuaret e Luftës së  Dytë  Botërore të  Uinston Çërçillit, debatet për rolin e intelektualit, e shumë  shkrime të  tjera, që  dilnin krejtësisht jashtë  kornizës së  pikturës së  ngushtë  të  lejueshmërisë  zyrtare. Po ashtu, aso kohe, gazeta “Zëri  i Rinisë”, dhe “Drita,  botonte poezitë  impressive të  Preç Zogajt, Mimoza Ahmetit, Ilirian Zhupës, Bujar Xhaferrit, Rudian Zekthit, Edvin Hatibit, poezi që  sillnin një  erë   freskuese në  shkretëtirë. Nuk është  e rastit që  aso kohe, kohës  së radhëve të  gjata jashtë  dyqaneve për të  blerë  bukën dhe qumështin, iu shtua dhe një  radhë  tjetër, e padëgjuar më  parë:  radha për të  blerë  Gazetën “Drita” në  libraritë  e qyteteve, ditën e dielë, kur dhe botohej kjo gazetë. Krijuesit shqiptar e njihnin njëri-tjetrin, dhe të  gjithë  e dinin madje dhe çfarë  po shkruante a krijonte ky poet, romancier a piktor. Edhe pse kishte plot të tjerë, që i shkruanin akuza Komitetit Qendror kur botoje një poezi a shkrim të mirë. Por këto qenë mediokrit dhe të dështuarit, të cilët, vite me pas, do ta gjenin veten në strukturat e larta shtetërore dhe partiake të periudhës që ende besohet se është post-komuniste…

Nuk kishte ardhur ende ajo koha cinike e mëvonshme, e mospërfilljes, dhe, akoma më  keq, e përbaltjes së  krijimtarisë  së  mirë të kolegut krijues, në  format më  banale të  sharjeve paskrahëve, për arsye jashtë artistike…Ishte koha kur krijuesit e talentuar lavdëronin, sado e paktë  që  të ish ajo, atë  krijimtari që  shteti e kërcënonte, e shante ose e injoronte. Dhe shteti provonte të qe me shije të hollë, kur nuk gabonte për të zgjedhur krijimtarinë më të mire për ta denigruar. Tani duket se ndodh e kundërta: ndërsa strukturat shtetërore të  kulturës  vazhdojnë të lavdërojnë  krijimtarinë  e keqe, shkrimtarët shajnë  krijimtarinë  e mirë  të  kolegëve të  vet. Shenjë kjo se është më e vështirë të menaxhosh lirinë se sa brutalitetin e dhunës.

Por le të  kthehem të ky solidaritet intelektual i krijuesve për të  cilën flet Solxhenicini dhe Dovlatovi, sipas parimit të njohur filozofik ‘më  jep një  rrezik , dhe të  jap një  unitet. Shprehje e këtij solidariteti më  duket dhe ajo miqësi njohëse mes shkrimtarëve dhe piktorëve a kompozitorëve. Më  ka qëlluar të  kalojë  me orë  të  tëra në  studiot e miqve të  mi piktorë dhe skulptorë, dhe të  kalojë  orë  të  tëra leximesh poezish mes aktorëve të  talentuar dhe kineastëve. Sot gjërat janë  të  ndara me një  thikë  përjashtuese, me kufij të  ngushtë  profesionalë që ngrihen po aq lart sa Muri i Madh i Kinës. Mosnjohja e arteve figurative nga shkrimtarët e sotëm, mos aftësia e tyre për të  folur me elokuencë  për  pikturën e mirë , apo, dhe e anasjelltas, paaftësia e krijuesve të  tjerë  për t’u ndalur përpara poezisë  dhe prozës së  mirë  është, për mendimin tim, një  shenjë e qartë  e krizës së  krijimtarisë   artistike.

Aso vitesh, kam njohur piktorin Vladimir Myrtezaj. Isha në  Shkodër, në  rrethin e ca miqve të  mi, kur Ladi erdhi të  më  takonte. U njohëm dhe përnjëherë  më  çuditi njohja profesionale e tij e letërsisë, sidomos e poezisë. Filluam përnjëherë  të  flisnim për Van Gogh-in, Gauguin, Pikason, Matisin, Shagallin, Dalinë , Durerin, Boschin, për të  kaluar me lehtësi tek poetët italianë  të  shekullit XX, dhe te Ezra Pound, Elioti, Pol Valery dhe Dante Alighieri. Jo vetëm kaq. Ladi njihte po aq mirë   krijimtarinë  e gjithë  poetëve shqiptar, si dhe krijimtarinë  që  shkruhej dhe botohej ato ditë . Fliste me një  dashamirësi dhe entuziazëm  të  çlirët  për krijimtarinë  e kolegëve të  vet. Lavdëroi Danish Jukniun, dhe po ashtu dhe poetët e talentuar që  shkruanin dhe botonin. Kur pata fatin që  të  njihem me veprat  e tij, nuk e pata të  vështirë  që  të  kuptoj se V. Myrtezaj ka një  mënyrë, një  gjendje shpirtnore-psiqike thellësisht poetike, të  shprehur përmes një  naivieti të  kalkuluar strukturalisht. Dukej qartë  se Myrtezaj e  shihte botën përmes një  kristali magjik, duke ruajtur kurdoherë  një  imunitet stilistikor…

U takuam përsëri, këtë  herë  në  Tiranë. Më  foli me entuziazëm për krijimtarinë  e një  mikut të  vet  piktor, Edi Rama. Emër i njohur për mua aso kohe, po aq sa emrat e  Alush Shimës, Ali Osekut,Bashkim Ahmetit, Edi Hiles, Lumturi Blloshmit, Nestor Jonuzit, Nikolin Ivanajt, Pashk Pervathit, Agustin Shytit. Edhe pse i një brezi me të ri nga  këta.

Zakoni për  të  folur mirë  dhe me entuziazëm për krijimtarinë  e të  talentuarve  ishte ende një trendy- à la mode-siç shprehen sot snobët-  dhe për fat të  mirë ,askush nuk të  akuzonte  aso kohe me atë  shprehjen e shëmtuar të  sotëm- të  bësh çoka- kur lavdëroje një  mikun tënd të  talentuar. Edi Rama ishte bërë i njohur në ambientet e Lidhjes edhe për një arsye: në një diskutim të hapur, kishte kërkuar që të lejoheshin botimet e gazetave të pavarura. Kërkesë që ishte ridikuluar nga një anëtar i Komitetit Qendror, me logjiken staliniste se gazeta është një armë, dhe si e tillë, ajo duhet mbajtur vetëm me leje dhe nën kontrollin e shtetit! … Disa piktura të  Edi Ramës m’i kishte treguar në shtëpinë  e vet idhulli i brezit tonë , savanti antikonformist, dijetari, filologu  dhe përkthyesi i klasit të  parë, Petro Zheji. Kishin qenë  piktura të  krijimtarisë  Underground- moderne, sfiduese, eksperimentale në  mjetet shprehëse, mbresëlënëse. Dhe, ashtu si pikturat

që  i pashë  të  Petro Zhejit, Edi Rama kishte filluar të  bënte emër si një  krijues sfidant, rebel dhe i artikuluar.
Andej nga vera e viteve 1988- 1989 miku im poet Bujar Xhaferri më  fton në  Lushnjë. Me Bujarin më  lidh një  miqësi e vjetër, kur ai dhe shoku i tij dhe imi,  Visar Zhiti, vinin e na  takonin në  Lezhë  Ndoc Gjetjen, mua dhe Prec Zogajn, ndërsa ne i takonim në Lushnjë, Tiranë dhe Shkodër…Lexonim poezi, flisnim gjithë  ditën për poezinë  e madhe dhe letërsinë e vërtetë…

Vajtja në  Lushnjë qe dhe një  shpresë  për të  parë  dhe Visarin, i cili tashmë  qe liruar nga burgu dhe punonte diku në  një  gropë  argjiri që  prodhonte tulla, një  lloj i ri burgu pa gardh rrethimi. Një  arsye tjetër për të  shkuar në  Lushnje qe dhe njoftimi i Bujarit se atje ishin dhe dy piktorët, Edi Rama dhe Vladmir Myrtezaj, të  cilët po punonin një pikturë murale në  Muzeun Historik të  qytetit. Bujari më  tregoi, me atë  humorin e vet të pamëshirshëm dhe grotesk, se si piktura e Myrtezajt dhe e Ramës kishte ngritur një  pakënaqësi partiake te shokët e komitetit të  Partisë  së  Lushnjës. Shokët e Komitetit të Partisë e kanë humbur gjumin, me pat thënë Bujari.. Kishin nuhatur mungesën e Partishmërisë  dhe komplikimet formaliste (çdo gjë  e pakapshme nga mendja e tyre prej trumcaku, qe një  ndikim modernist).

Në  ditën e nesërme mbërrita në Lushnje. Përnjëherë shkuam me Bujarin në  Muzeun Historik për të  parë  afreskun aq të  përfolur. Qe një  murale monumentale që  të  gozhdonte sapo e shihje. Ndikuar nga Guernika e Pikasos, demat e zemëruar vështronin shprehshëm, sikur të  donin të  kërcenin në  sallë. Mund ta titulloje “Dema të zemëruar në arene”.

Muralja ishte si një  ikonosferë  e kohës, me simbole dhe ngjyra të  perceptuara si ritëm. Gjuha metaforike qe më  tepër intuitive dhe në  një  sintezë  estetike te  përputhur mjeshtërisht  me gjuhën piktorale.

Për muralen e Muzeut shkrova një  artikull që  u botua në  gazetën “Drita”. Ishte një  shkrim  i kalkuluar për t’i mbrojtur të  dy piktorët, Vladimir  Myrtezajn dhe Edi Ramën, nga sulmet partiake dhe intrigat e provincës. Jo se mbrojtja ime do t’u ndihmonte atyre vërtetë. Unë nuk isha në gjendje aso kohe të mbroja veten nga ligësitë dhe sulmet partiake. Dhe ndoshta vetë shkrimi do të kthehej  për dy piktoret në një tallon shtesë urrejtjeje nga gjithë ata që kishin filluar sulmin kundër murales. Por botimi i shkrimit që me tepër ai gjest i natyrshëm solidaritet intelektual për të cilën folëm në krye të këtij shkrimi. Një solidaritet pothuajse i zhdukur sot.! …Shkrimi u përshëndet nga lexuesit. Bujari më  tregoi më  vonë  se, për shkrimin tim, kishte pasur reagime armiqësore në komitetin e Partisë  se Lushnjës. Inati i tyre ishte kundër murales. Si mund të mbrohej një vepër e tillë? Ah, këto krijuesit – të gjithë janë armiq të Partisë. Te fantaksur dhe armiq!!!!!

 Nga na doli ky shkrimtar me këtë  emër të  huaj? – kishte thënë  më  vonë, për autorin e këtyre radhëve,  një  anëtar i Byrosë  Politike  me një  emër gruaje,  i cili dhe ai kishte shprehur zemërimin kundër atij shkrimi! Një  shkak për të  bërë  më  tepër humor në  rrethin tonë  të  miqve. Të them të drejtën, më merr malli për humorin e atyre viteve!

 

@Gazeta Mapo

 

Share This:

blunavi.com