Një revistë e mendimit të ri bashkëkohor shqip, një strehë që do të bëjë bashkë të gjithë pasionantët e letrave dhe ata që ende nuk e kanë humbur besimin te libri. Kjo është motoja me të cilën hyn në tregun e botimeve online, revista letrare “Saras” nga 1 maji, në faqen e uebit www.revistasaras.al.

Në një kohë kur shtypi letrar duket sikur ka humbur dhe tradita e bukur e dikurshme e revistave letrare si “Drita”, “Nëntori” kanë mbetur në kthesën e së shkuarës, “Saras” kërkon të ringjallë shpirtin e së shkuarës dhe të bëjë bashkë në një strehë të gjithë ata që duan të ndajnë ide, koncepte apo prirjet e reja letrare të letrave shqipe. Një revistë, e cila do të jetë në një farë mënyre pasqyra e asaj çfarë ndodh me letrat dhe mendimin shqip, duke bërë protagonistë të gjithë ata që vazhdojnë të ecin në këtë lëmë.

Numrin e parë revista ua ka kushtuar “Recensioneve”. Një nga problemet në fushën e letrave këto vite ka qenë edhe mungesa e kritikës së mirëfilltë. Me një traditë të mirë në këtë fushë, duke kujtuar emra si Alfred Uçi, Drago Siliqi, Tefik Caushi, Dilaver Dilaveri, Adriatik Kallulli, Klara Kodra etj., e tashmja është një tablo e trishtë për sa u përket recensioneve, që duket sikur janë kthyer në qoka miqsh. “Saras” kërkon ta ndryshojë këtë koncept dhe të kthejë recensionin si formën më të lartë jo vetëm të mendimit, por dhe që shtyn përpara procese dhe ide të shëndosha për shoqërinë. Një hapësirë i është kushtuar në numrin e parë dhe shqipëruesve të rinj.

Me rritjen e numrit të botimeve janë shtuar edhe përkthyesit nga gjuhë të tjera. “Saras” ka bërë bashkë në këtë numër disa prej tyre, të cilat ndajnë jo vetëm joshjen që vjen nga procesi i përkthimit, por si e shohin ata veten nën lëkurën e shkrimtarit. Nuk do të mungojë në këtë revistë dhe letërsia e re bashkëkohore që botohet sot në botë, rekomandimet e librave që s’duhen humbur, proza dhe poezia, por dhe histori që krijuan libra që s’do t’i harrojmë kurrë. “Saras” do të jetë një revistë për të gjithë ne, për ta parë me sytë e letrave të ardhmen …

Share This: